More
    KreuLetërsiBibliotekë"Cilët thonj gërryen tokën?" poezi nga Nurie Emrullai

    “Cilët thonj gërryen tokën?” poezi nga Nurie Emrullai

    Vjeshtë e vonshme

    Pëllëmba e dorës më çahet
    në ajrin e vrazhdë të jetës,
    si gjethnaja e misrit që të pret
    pasi digjet në brymën e verës së vonshme.
    Kullon gjak dhe qumshti gëlon nga
    thellësitë e tokës.

    Në ç’notë rri gati ajri përreth meje
    që vallëzimi i ditëve
    më kthen në fëmijë
    që turpërohet nga shtati i vet?

    Në ç’notë luhet jeta ime,
    që nis me zërin e krijimit të ditës,
    kur bryma ngjitet n’pemë,
    fruti ëmbëlsohet, po gjethi digjet,
    e dielli fillon më ecë ndër këmbë,
    dhe unë udhëtoj në të.


    Në një stacion

    Njeriu me ëndrra të braktisura
    shpërndan biletat e autobusit,
    duke e menduar jetën tashmë të ikur.
    U rritëm bashkë nëpër ditë të mbushura
    me ironi fati, e nga ithtia qeshnim.
    Ishim të rinj e s’mendonim të ndiqnim jetën.
    Tani vijnë autobusët,
    sjellin njerëz të fjetur,
    të përhumbur,
    që ëndërrojnë rrugë që s’mbarojnë
    dhe gjumë të qetë.
    Një hardhucë muresh, e sapolindur,
    po vërtitet këmbëve të mia,
    e them, mbase ku i dihet,
    dikur ajo ka shpresuar për një njeri
    që do t’i ngjitet në murin e zemrës
    e do ta hipi në autobus,
    që ta bëjë të ëndërrojë për kthimin.


    Kujtim

    Dritare e mbyllur,
    fytyrën ke ngjitur mbi xham.
    Asnjë shenjë.
    Ti mban sytë nga qielli
    dhe s’di çfarë pret.


    Babai

    Cigarja të dridhet mbi gishta,
    ti dridhesh mbi prag të jetës.


    Iso

    Male!
    E lamë zërin
    në ninëz të dritës
    O male!


    Jetoj

    O qiell
    në më sheh mua
    ma gjuaj atë gur
    që dikush t’pa dhe ta hodhi.


    Liria

    Zog i vogël,
    cili qiell trazoi lirinë tënde,
    cila ikje të dhemb më shumë?


    Nëna

    Të të mbaj mend,
    prandaj të shikoj
    dhe trishtohem për aromën.


    Faqja e dritës

    Erdhi ora e mbëmjes,
    dielli i ngjyhet qiellit
    si trëndafili kur shtrydhet në pëllëmbë të dorës,
    qetësia futet nëpër shtëpi
    dhe shkund karriget e sapo shtruara.
    Dalëngadalë bari kërrus kurrizin
    dhe gjithkund gjithkush mendon të nesërmen.
    E se mendja bredh vend e m’vend,
    derisa trupi të gjejë prehjen e tij,
    në pjesën më të mirë të vetmisë.
    Lëpihet drita nëpër faqe,
    Si qeni që lëpin zotëriun e tij,
    Dhe qetësia ik qiellit.


    Shtëpia e ëndrrave

    Fëmijëria rri shtruar si livadh manaferrash,
    teksa të tjerët shpikin kohën time.
    Në hap m’u formua numri i këmbës që kam sot.
    Hapi qe si shi, shputa si gjurmë mbi borë,
    unë tek shoh veten në pasqyrë e rritem.

    Atje më hapet shtegu i terrthelluar,
    ku shtëpia ime jeton stinën e pestë,
    atje dimri dhe lulet dashurohen,
    vjeshta pret zogjtë dhe fluturat,
    pranvera është ajo që lufton me vdekjen. Unë pi çaj nane.

    Po, më qajë Zot mbi kokë,
    Çka bëre nuk zhbëhet më!
    Unë e di këtë dhe ëndërroj,
    ti e di këtë dhe fle.
    E çka se unë jetoj, siç jeton gjethi?
    E çka se ndjej, siç e ndjen miu të parin zë?
    Si të jem TANI, kur unë pres për ATJE?
    Si të JEM, kur unë e di se do të shkoj?
    Unë,
    A jam ajo që shoh në natyrë?
    Se po të isha, do të kisha mbetur pak këtu.
    Këtu mbet veç toka, veç uji mbet.
    Atëherë kur dashuruam
    dhe u dogjëm me të.

    Ëndrrën time të asgjësë po e lë këtu
    të ngjyrosi një jetë, që dhe e pangjyrë jetohet.
    Asgjë s’më bën më përshtypje.

    E ku zë fill gjithçkaja?
    Fara ku nisa unë?
    A do të duroja dikush të ecë kopshtit tim?
    A do të guxoja të flija e qetë,
    dhe a flejnë të qetë ata
    pasi mishin e tyre shumojnë?

    Jam padyshim e entuziazmuar ndaj
    dukurive të paemërta, pyetjeve të paemërta.
    Të paemërta si gjithçka që e çmësova
    si çmësohet jeta.


    Cilët thonj gërryen tokën?

    Prej cilës limfe lindën ndjenjat e trishtimit?
    Cili shi solli gjithë këto këngë?
    Cili dimër solli gjithë këto përralla?
    Cila britmë i solli gjithë këto lindje?
    Për cilin ëndërrojmë më gjatë,
    Ferrin a Parajsën?
    Cilët thonj e gërryen dhe ia nxorrën jeshilin
    tokës?
    Në ç’det të kripur notojnë sytë tanë?
    Në ç’natë të verës u krijua djersa jonë?
    Ç’fazë e hënës u bë djep për ne?
    Në ç’djegie temjani pushojnë dhimbjet tona?
    Ç’peshë na mban lidhur për toke, kapur për
    qielli?
    ‒pyes, e kush të më përgjigjet,
    teksa shoh fluturën që fërfëllon mbi llambë…

    NJË KOMENT

    1. Nurie përgjigja do ishte- nënkuptohej: ,, Thonjët hasmerie, urretje midis njerëzish në ,, tabanin demokraci” nga bluhen , ose ngrihen mendjet ,, LIRIE” që në mbrendsinë e vet ka një tjetër kuptim- përbërje”zbuluar JO nga (klasa) punëtore, por pikërisht nga ,, IDE BORXHEZE”. FLM për poezitë mjaftë ,, domethënse” kush kupton…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË