More
    KreuLetërsiBibliotekëCikël poetik nga Roland Gjoza

    Cikël poetik nga Roland Gjoza

    SONATA BARBARE

    dhe kopsat prej mishi u bënë
    dhe kur të ula zinxhirin
    pergjatë shpinës
    kuptova sekretin si lind dielli
    dhe kur të putha
    kuptova si rritet niveli i deteve
    prej pranverës së dytë të gjinjve
    . . .
    s’bëjnë festë mollët
    as hardhitë tek mbushen me vilarë të kuq
    veç qielli shkëlqen më shumë
    dhe dielli djeg
    ti zbulohesh e tëra
    dhe kapakët kërcasin
    zbulohet dhe perla
    në fundet blu
    festë bëjnë të mundurit
    . . .
    dhe gratë më të tmerrshme
    bëhen nëna
    dhe djemtë më të mirë
    kriminelë
    po më kriminelë
    poetët!
    . . .
    shkëndija prej takës tënde të lartë
    i marr në duar të ndez një zjarr
    kam frikë se qyteti merr flakë
    prej takës tënde të lartë
    merr flakë
    atëherë marr lotin tënd në qepallë
    ta shuaj
    me të qarë
    po s’e kam atë fat!
    . . .
    nuk ka sy më pa kuptim
    dhe trup më pa kuptim nuk ka
    se syri yt, se trupi yt
    ato janë veç çmenduri
    dhe çmendurisht po të humbas
    gjuhë çmendurake a ka?
    ta mësoj dhe të marr vesh
    sy dhe trup kaq pa kuptim!
    . . .
    I ndez një qiri qytetit
    dhe iki
    duke shkelur mbi hi
    ç’ta dua kur ti s’je
    s’më ngroh as ky diell
    edhe sikur t’i hedh ca shkarpa
    dimri prandaj u shpik
    për ata që ikin
    . . .
    trëndafila prej kimie
    dhe ujë prej mbeturina fabrikash
    po ti nuk u prishe!
    dhe qirinjtë s’janë më mistikë
    nuk ndizen në ikona
    por mbi torta idiote
    . . .
    dhe krimbat bëhen të bukur
    kur ti vjen
    s’më bën zemra të shtyp një çimkë në jakën e këmishës
    bomba
    kaq turpërisht plas
    dhe kaq dhëmbshurisht
    midis shalëve
    paqja ikën
    lufta është afër

    NENA PO GATUAN BUKE

    nëna po gatuan bukë
    kryqin bën
    dhe pëshpërit lutje
    moj, nënë, kush të shikon na heq fillin
    nuk gatuhet bukë në amerikë!
    landush, ti vëri mendt punës
    pa nëna bën gati brumin
    dhe mblatën shtyp përsipër
    me shenjën e zotit krisht
    e bëj për shëndetin tënd
    plastë syri i lig
    dhe të marrshin të keqen!
    kjo bukë të bëri poet!

    SHËN VALENTINI NË NJU JORK

    dushet e nju jorkut shpërthyen
    si tapa shampanje
    shkumëzuan përplot stërpikje të gëzueshme
    në qelqnajën e qiellit blu të ndritur
    gratë fluturuan
    pa flatra
    të mbuluara me shkumë e flluska shampoje
    vetëm gra të zë syri në qelqnajën blu ku ka zbardhur dhëmbët dielli
    s’kanë patur kohë të rrëmbejnë as peshqirin
    kurme hamgjitëse
    sekse përvëlues
    që fluturojnë brenda flluskave me ylbere rrotullues
    lëvizin duart
    kofshët
    gjinjtë e mëdhenj iu tunden
    alarm policia
    kryetari i bashkisë de blasio lajmëron zjarrëfikset
    ngjisin shkallët gjer në qiell
    njerëzit me kaska
    flluskat me ujë të shuajnë
    po ato veç rriten e rriten e bëhen të përbindshme
    kriset qelqnaja blu
    plasaritet qielli
    dielli gajaset me këtë tollovi grash lakuriqe
    po flluskat e lumtura
    s’duan t’ia dinë
    enden dhe enden
    brenda rrathëve të tyre
    gratë lakuriqe
    ylberët si gjarpërinj
    nepër trup ju mbështillen
    jane të bukura këto gra, natyrisht
    po më të bukura duken brenda flluskave
    tani po rrotullohen mbi grataciela
    pas i ndjekin meshkujt
    duart zgjatin drejt tyre
    kanë hequr palltot
    xhaketat
    t’i presin
    po kurrsesi ato nuk zbresin
    flluskat
    vetëm ngjiten
    fluide
    sikur kanë punë me fluturat
    jo, nju jorku s’ka parë
    shën valentin si ky
    me gra lakuriqe nëpër flluska shampoje
    nju jorku ekstravagant s’habitet
    prej ekstravagancave ai veç zbavitet
    është gati të thyhet qielli
    qelqnaja blu të thërrmohet me një gaz buçitës perëndish të skandalizuara
    që çmenden prej çmendurisë së grave lakuriqe
    dhe diellli prej kënaqësisë
    shkrihet
    u kujtua dikush
    i mbushi duart me tufa trëndafilash të kuq
    ra flluska e parë
    mbi trëndafilat e freskët u ça
    mbaruan shpejt lulet e tregtizave të manhattanit
    fërkonin duart shitësit
    të lumtur
    prej luleve
    flluskat
    të gjitha prej qiellit ranë
    në duart e meshkujve përfunduan gratë!

    KËTU S’MË NJEH NJERI

    këtu s’më njeh njeri
    dhe ketrat që i shoh përditë
    kanë frikë prej meje
    dhe zogjtë kur kaloj e ndryshojnë këngën
    dhe ujërat e pellgut te parku marrin një ngjyrë mavi prej brenge
    diku dëgjohet boria e makinës si qyqe
    dhe treni trokon mbi çati gjëmshem
    si luftë botërore e papritur
    qukapiku ende s’e ka hapur vrimën
    dhe krimbi manjolën po ha
    tjetër ndriçim ka agimi
    mbi thinjat e mia të rralla
    këte ma tregojnë pasqyrat
    e ujërave ku lahen makinat
    diçka po ndodh kur eci
    dhe gratë se si më shohin
    janë gati të më japin ndihmë
    dhe vajzat tregohen të sjellshme
    po shkon? sa keq që na vjen
    po shkon përgjithmonë? ç’të bësh
    një ditë të gjithë do të ikim
    por ja, që kurrë s’e mendojmë!
    dhe unë që e fsheh ku po shkoj
    kam dashuri dhe për plehrat
    një trashaluqe që s’shihet me sy
    merr prej meje një shenjëz
    dhe çerja e saj vrarëlije
    çelet si lulja mbi pleh
    jam gati t’i jap dashuri dhe nje vrasësi
    dhe çastet e mërzisë më të thellë
    më duken më të shtrenjtë se balzaku
    dhe shkoj të shoh si del hëna
    nga fundi i oqeanit
    e plotë e kuqe e mistershme
    mbi ujërat si vaginë e përgjakur
    prej saj të lindja dhe unë!
    dhe shoh si kalon gjersa vjen agu
    natyra e ka në dorë, ave maria
    ndoshta nuk bie
    më le të dëgjoj ende bethovenin dhe bahun.

    PARISI

    paris
    saze goje në shi
    kaq i lumtur ky shi
    fije të ndritshme futen në gjilperat e marsit
    të qëndisin dhe njëhere paris
    këndohet la boheme nga dashnorët e varfër
    djali kërkon punë
    vajza pozon nudo për piktorët e pigalit
    pijnë kafe me krem në ag dhe janë të lumtur
    kaq të lumtur i bën preveri
    saze goje në shi
    dielli në dhëmbët e vajzave kafshohet pafajsisht
    thërrimet bien për pëllumbat
    dhe njerëzit s’i zë qielli prej gjatësisë
    nga katedralja zemra e shenjte te shen mëria
    dhe të vdekurit toka i nxjerr si lule përsipër
    këtë punë e bën preveri
    kaq shumë rrojtje ka parisi!
    saze goje në shi.

    E ZBEHTË ISHE MBRËMË

    e zbehtë ishe mbrëmë
    po e kaluam me një heshtje prej mbrëmjeje
    i zbehtë isha unë
    po shkoi ashtu si lumi nën urë
    s’tregojmë më asgjë për vete
    ç’kishim e dhamë për fëmijët që u rritën
    dy qënie pa brendësi
    dy boshësi që plotësojne dy plotësi
    tani s’kemi ç’japim më
    e zbehtë ishe mbrëmë
    po e kaluam me një heshtje prej mbrëmjeje
    i zbehtë isha unë
    po shkoi ashtu si lumi nën urë
    kur të vijë vdekja kemi vdekur qëkur

    SHPIRT, MOS U TRISHTO

    shpirt, mos u trishto
    shpirt
    ti ishe grua e bukur shumë
    tani je prishur
    hiret të shkuan bashkë me sapunin dhe ujin
    ilaçin e enëve
    stufën që të shkriu si qiriri kur gatuan
    ç’t’i bësh,
    bashkë me pleqërinë
    zoti të merr dhe bukurinë
    po duhet ta falenderojmë, e dashur
    t’i heqim kapelen
    se na shtoi dashurinë
    ti për mua je një bijë më tepër
    unë për ty një bir
    u ngatërrua kjo punë
    lëmsh u bë dashuria
    dhe kjo ndodhi, e dashur
    se humbëm bukurinë
    vyshkja e lulkës së buzkës
    dhe rrudhkat si shi
    na shëmtuan
    po na shtuan dhëmbshurinë
    në jetë jemi hije në dritë
    në kujtime realë si dielli
    ata që kujtojmë kur flasim nën drurë
    të famshmit e asaj kohe
    kanë vdekur qëkur
    po ne me ata ndjehemi të lumtur
    le të shpikë ipod jobs
    microsoft bill gejts
    për ne shpikja më e madhe
    është kujtimi
    dhe sa gënjejmë
    dhe sa na shkon gënjeshtra
    ushqim zogjsh për dashurinë
    thërrime
    jeta!

    *Portreti nga Ina Lajthia

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË