More
    KreuLetërsiBibliotekëCikël poetik nga Nurie Emrullai

    Cikël poetik nga Nurie Emrullai

    Nën drurin Ginkgo

    Nuk di sa kodra fluturova,
    Por i lashë pas krahëve zogjtë, gjithë detet dhe një shtëpi.
    Këtu nga vetmia pastroj gjethet e rëna,
    prej teje vras shpirtin në shi.
    Mbrëmjeve këndojmë karaoke dhe pimë birrë.
    Angjela më rri pranë e më puth herë si grua, herë si motër;
    Nuk është kaq e dashur me të gjithë;
    kur qeshim frika vizatohet në fytyrë…
    Pastaj këndojmë:
    “…I am sailing
    Stormy waters
    To be near you
    To be free…”
    dhe ata ngulmojnë: ji e lumtur!
    Muajt kalojnë dhe bie shpesh në dashuri,
    s’themi të dua, djersitemi në t’huajzim;
    zhgënjimin e vrasim herë në cigare herë në gjumë.
    Dhe jetojmë pa lexuar sy, pa kundruar qiell, sepse vazhdon e bie shi.
    Në Fenghuang s’ka më murgj, veç vizitorë, këtu jetojmë në Revolucion;
    Revolucion do të thotë të lutesh në Internet.
    Ç’kohë pret Evropa? Në ç‘tempuj do lahen mëkatet ato ditë?
    Jam duke kërkuar burimin, si para vdekjes, më thahet fyti nga uji i destiluar.
    Kur kujtoj ç›burime të ëmbla mbante goja jote,
    unë nisem e vi drejt teje, shkoj deri në fund të zemrës,
    por si kalohet oqeani i harrimit, si t’i kthehem unë shtëpisë së braktisur?
    Dikush le të ma vrasë të shkuarën, jam e rënduar nga malli.
    Dhe dal pastroj kujtimet. Ja e huaja që gris lëkurën në shi.
    Nuk gjej më rrënjë në duart e mia, si m’i thave në kaq thellësi?
    Tani janë këmbët që rrënjëzohen dhe jam e pashpresë,
    e ngulur në këtë vend ku s’lexohen sy, ku gjithnjë ka melankoli.
    Ti pse s’më kërkon sa jam akoma njeri?
    S’të bëj be në këtë gjuhë, por unë jetoj Vetminë,
    lutjet ngatërrohen me dëshpërim; Lutjet tona që i dashuronim përditë.
    Unë të thërras prej këtu në shi,
    derisa këndoj karaoke,
    derisa pi birrë,
    derisa çoj dashuri,
    derisa kafshoj mish të huaj,
    derisa shkërrmoqem imtësisht dhe vritem me cigare e me gjumë…
    duhet ta kujtoj kur thua të dua në gjuhën time,
    më shpëto nga këto rrënjë që s’i dua.
    Unë zog nuk jam,
    e dua një shtëpi.


    Dy hapa larg

    Nëpër tymin e cigares braktisur mbi dritare, ty të kërkoj,
    Edhe cigarja digjet më gjatë se premtimi yt.
    Të kërkoj poshtë shkallëve,
    Mos je duke luajtur kukafshehti me mua,
    Deri tani kam jetuar tri jetë macje duke numëruar.
    Dal e kërkoj nëpër faltoret e kishave,
    Mos ti lutesh për mua, për dashurinë tonë,
    Por jo, ti s’je. Gjithnjë për Zot veten mbaje.
    Të kërkoj nëpër taksitë, nëpër stacione autobusësh,
    Në metro ku hipëm bashkë asaj nate,
    Teksa ti më puthje dhe çdo udhëtar u bë dëshmitar i kësaj talljeje.
    Ti ku mësove të fshihesh kaq bukur?
    Të kërkoj nëpër teatro, mos do luash shfaqje dashurie dhe veten do duartrokasësh?
    Por ti s’je, jo
    Të kërkoj nëpër rrugët pa adresa,
    Në pazarin e vjetërsinave,
    Mos tek Esma shkove të blesh ëndrra të vjetra?
    Nëpër rrugët me prostituta,
    Nëpër istëm ku derdhen abortet e dashuritë e dështuara,
    Të kërkoj, nga s’të kam kërkuar.
    Ti si ke zemër kaq gjatë të rrish i fshehur prej meje?
    Dil tani!
    Nëpër cilëtdo krahë qofsh mbërthyer, dil!
    Në cilindo shpirt të kesh hyrë, dil!
    Eja ti në vendin e lisave,
    Atje ku u puthëm, ti më puthe, e mban mend?
    Zot! Ai nuk është askund. Si ta besoj moskthimin tënd?
    Zot, si do të rroj në këtë përhumbje? Më jep dhe pak ditë ta gjej!
    Cigarja mbet e braktisur mbi dritare.
    Dy këmbë jashtë dere dridhen, nuk arrijnë të bëjnë dy hapa brenda.
    Një mace mjaullin.


    Në orën moderne të Perëndive

    Nuk e dimë në sa metra katëror jetohet këtu?
    Në sa metra katëror vdiset, e dimë.
    Na duhet një dhomë dhe një tryezë për katër persona.
    Asgjë pa shifër nuk numërohet më.
    fshehim gjithçka që na tregon dobësitë.
    Secili e ka një vend të humbur në botë,
    Secilin e gjen në fund.
    Unë e gjeta rrugën si i shkohet e gjallë vdekjes.
    E qershorit qe gjetja, rrugica qe e vreshtave,
    këtu haptazi fshihen fytyrat e braktisura.
    këtu të marrët u fishkëllejnë reve,
    këtu vinë ata që duan të qajnë pa duartrokitje.
    Një Dionis këndej pari dehet, gjithnjë me xhek.
    Ia dëgjoj duhmën e rëndë teksa taksisti paratë nuk m’i merr.
    “Ik e marrë, dashuria po të pret.”
    “Ç‘dashuri në këtë kohë, ç‘fjalë janë këto?”
    Qesh dhe i hedh ca denarë.
    Sot, veç të thinjurit i gjen kaq ëndërrimtarë.
    Ty të gjej në errësirë, nuk qan as fishkëllen,
    Ta zgjas dorën, por ti s’di të lexosh.
    Vë buzën në gaz, nuk stepesh nga ajo që s’e njeh,
    Je njeri i bukur, por jo i ëndërrt,
    mban aromën time, esencën e tokës.
    “Si thua, a bëhet vonë ndonjëherë këtu?”
    “Për ne, zakonisht koha mbrapsht numëron..”
    “Lëre sonte, jeto orën e Perëndive!”
    Pas kësaj, erdhën pafund qershorë,
    e rrugës së vreshtave unë i kthehem prapë:
    S’ka më errësirë, e mbushur gjithë neonë,
    Veç një fishkëllimë, një duhmë e një vaj vjen nga diku larg,
    secili pyet sa metra katëror i duhet të gjallit?
    Një taksist i thinjur në fund të rrugës pret dy udhëtarë.

    NJË KOMENT

    1. Ç koment ,vëq se shkova tek varri i nënës- vdekur qysh me 1965- të , bisedoi me të , i them përse me ke lindur aq heret vitesh, , do doja t isha i ri, i ri djalosh , të dashuroja një poete dhe prozatore, aq e bukur që është, jam i dashuruar i them , oh,… Biri im , mos fol për dashurinë , i përkët moshave ,të thot.nëna …ah nënë-.nënë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË