More
    KreuLetërsiShënime mbi libraÇështje të përkthimit të romanit “Dritë e gushtit” të U. Folknerit nga...

    Çështje të përkthimit të romanit “Dritë e gushtit” të U. Folknerit nga Granit Zela —Dr. Belfjore Zifla (Qose)

    Përkthimi i Uiljam Folknerit në gjuhën shqipe është një ngjarje e rëndësishme letrare, e cila do përgëzuar, po aq sa edhe duhet parë me kujdes, për vetë natyrën e prozës së autorit dhe vështirësisë që paraqet procesi i sjelljes në një gjuhë tjetër të një vepre me stil dhe narracion tejet origjinal. Proza e Folknerit është dashur që të vinte në gjuhën shqipe e plotë prej kohësh, por siç duket sfida që përbënte akti i përkthimit gjithnjë në tentativë të ruajtjes së ekuivalencës disa nivelëshe të veprës, ndikoi në vonesën e ardhjes së këtij autori në gjuhën shqipe. Në qendër të këtij punimi është përkthimi nga origjinali i romanit “Dritë e gushtit” nga Granit Zela, ku do të ndalemi në disa çështje përkthimore të rëndësishme, si bie fjala ruajtja e skemës së ndërlikuar narrative, stilit origjinal të prozës, ruajtja e frazës së gjatë, kujdesi në përzgjedhjen e fjalëve, kuptimet kontekstuale të fjalëve apo frazave, përcjellja e një konteksti të largët prej atij shqiptar, ruajtja e raportit të ngjarjeve me kohën sipas vullnetit të autorit etj. Kur bëhet fjalë për një prozator si Folkneri, i cili shquhet për kujdesin e jashtëzakonshëm në kontrollin e një skeme narrative komplekse, rolin e pikëvështrimit në përcjelljen e fragmenteve narrative dhe mbi të gjitha të një stili në dukje të ngatërruar dhe të turbullt, por në thelb të realizuar me një obsesion të pashoq ndaj detajit, diskutimi mbi ekuivalencën përkthimore bëhet me të drejtë një rast studimor që mund të shërbejë si shembull edhe për veprat e tjera të autorit, si edhe vepra të tjera të një konteksti të ngjashëm letrar dhe historik.

    Para se përkthyesi Granit Zela të merrte përsipër përkthimin e disa veprave të Folknerit, në gjuhën shqipe kishim të përkthyera disa vepra nga ky autor, të ardhura nga përkthyes të ndryshëm, një fakt që nuk mund të mos vihet re. Këtu ia vlen të veçojmë përkthimin e romanit “Këlthitja dhe mllefi” nga Abdullah Karjagdiu dhe të botuar nga Rilindja në Prishtinë, më 1983, vepra e parë e Foklerit në gjuhën shqipe. Në Tiranë ishin botuar një vëllim me tregime të përkthyera nga Azem Qazimi (“Një trëndafil për Emilinë”, 2002, 2004) dhe disa tregime, proza poetike të botuara në periodikë. Përgatitja e përkthyesit Granit Zela për të sjellë në gjuhën shqipe veprat madhore të Folknerit tregon qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e përkthyesit për t’u marrë seriozisht me prozën e një prej autorëve më të rëndësishëm amerikanë, që tashmë i takon fondit të autorëve kanonikë të Letërsisë Botërore. Qëllim i këtij punimi është po ashtu të nënvizojë rëndësinë që ka njohja e përkthyesit me veprën e autorit, kultivimi i tij me estetikën e veprës, brendësimi i stilit, ritmit, ‘frymëmarrjes’ së prozës, që dëshmohet më së miri me përkushtimin për të sjellë tashmë jo vetëm një vepër të Folknerit në gjuhën shqipe, por një korpus të tërë përkthimesh.

    Shkolla e përkthimit në gjuhën shqipe, përkundër një mendimi trivial, ka përfaqësues të denjë që jo vetëm kanë sjellë në gjuhën shqipe kryeveprat e letërsisë botërore, por të cilët kanë pasuruar edhe vetë gjuhën duke aktivizuar në sistemin gjuhësor dhe letrar fjalë të vjetra, periferike ndaj sistemit apo edhe përmes neologjizmave. Edhe pse kjo shkollë është e pasur me modele të ndryshme përkthimore, për hir të së vërtetës estetika origjinale e prozës së Folknerit nuk ka simotra të ngjashme në gjuhën shqipe, prandaj ngremë hipotezën se përmes një sërë përkthyesish talentuar dhe që e zotërojnë estetikën e letërsisë moderne, sidomos veprën e autorëve me të cilët punojnë, në gjuhën shqipe po krijohet një shkollë e re përkthimi që lidhet me prozën moderne të shekullit XX.  Besnikëria e përkthyesve ndaj autorëve apo rrymave, zhanreve të caktuara (p.sh. realizmi magjik, romani distopik etj.) shfaqet më së miri në vijueshmërinë në kohë ndaj objektit të punës.

    2.

    Folkneri është një prozator me stil dhe narracion të fuqishëm, të dallueshëm menjëherë në origjinal. A mundet dot një përkthyes ta bëjë të identifikueshme një vepër të Folknerit në gjuhë të dytë, në shqip? Analiza tekstuale e përdorur në këtë punim, synon t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Kjo çështje ka mjaft rëndësi posaçërisht për përkthimin e Folknerit, pasi ai është një ndër ata prozatorë që përkthyesi mund t’i përkthejë krejt korrekt çdo fjalë të veprës dhe përsëri të dështojë kryekëput për shkak të mosruajtjes së stilit origjinal dhe të paaftësisë së tekstit për të bërë të identifikueshme veçantinë stilistike të autorit. Përkthyesit i duhet shpesh të marrë rolin e kritikut, apo së paku të njohë mirë qasjen e kritikës ndaj një vepre, pasi shpesh duhet vlerësuar se cilat aspekte të veprës janë më të rëndësishme dhe kanë përparësi në përkthim. Nëse në një vepër ka më shumë rëndësi ruajtja e imazheve, poeticitetit, semantika, ritmi apo skema narrative, kjo i mbetet në dorë përkthyesit. T. Parks në studimin “Të përkthesh stilin”, teksa analizon përkthimin e Xhojsit shprehet se “Përdorimi i sintaksës së ndërlikuar përmes kombinimit të referencave specifike kulturore shërben për të arritur në këtë përfundim (teksti i Xhojsit, sh. p.) dhe mund të diskutohet nëse kjo teknikë është më e rëndësishme në hapjen e veprës më shumë sesa modelet e krijimit të imazheve.”[1]

    Në rastin e Folknerit përdorimi i imazheve është i lidhur ngushtë me gjendjen, rrëfimin e ndërlikuar, psikologjinë e personazheve, errësinë e stilit etj. Ndalemi pak në një fragment të rëndësishëm të romanit, për të parë krahasimin e një paragrafi në origjinal dhe në përkthimin shqip. Lina përgjatë udhëtimit të saj të ngadaltë dhe të gjatë, me tërë durimin dhe vendosshmërinë e saj, rrethohet nga një peizazh si më poshtë, ku lëvizja dhe palëvizshmëria krijojnë iluzionin e njëjtësimit.

    “The sharp and brittle crack and clatter of its weathered and ungreased wood and metal is slow and terrific: a series of dry sluggish reports carrying for a half mile across the hot still pinewiney silence of the August afternoon. Though the mules plod in a steady and unflagging hypnosis, the vehicle does not seem to progress. It seems to hang suspended in the middle distance forever and forever, so infinitesimal is its progress, like a shabby bead upon the mild red string of road. So much is this so that in the watching of it the eye loses it as sight and sense drowsily merge and blend, like the road itself, with all the peaceful and monotonous changes between darkness and day, like already measured thread being rewound onto a spool. So that at last, as though out of some trivial and unimportant region beyond even distance, the sound of it seems to come slow and terrific and without meaning, as though it were a ghost travelling a half mile ahead of its own shape. ‘That far within my hearing before my seeing,’ Lena thinks.”[2]

    Aspekti semantik dhe imazhi poetik i krijuar, çasti i kapur në mosikshmërinë e tij, transmetohen në përkthimin në shqip përmes parimit të ekuivalencës dhe sigurisht duke respektuar besnikërinë ndaj tekstit. Bie fjala “forever and forever” është përcjellë më së miri përmes ekuivalentes “në jetë të jetëve”, një frazë e cila vjen e natyrshme për gjuhën shqipe. Në këtë rast nuk ka vend për përkthim të fjalë për fjalshëm, i cili do e bënte tekstin në gjuhën mbërritëse të ‘vinte era përkthim’.

    “Krikëllima e thatë e drurit të ronitur dhe trokëllima e dobët e rrotave të palyera me graso është e ngadaltë dhe e frikshme: e njëjta zhurmë monotone dhe çjerrëse, që përsëritet për gjysmë milje në heshtjen e rrëshirtë të asaj pasditeje gushti. Megjithëse mushkat e tërheqin si të trallisura prej një hipnoze të përhershme që nuk i lëshon, qerrja ngjan sikur nuk ecën para. Duket sikur rri pezull në mes të largësisë, në jetë të jetëve. Kaq e papërfillshme është zhvendosja e saj, sa ngjan si një rruazë e pavlerë në litarin kuqalash dhe gjarpërues të rrugës. Kaq i vërtetë është ky vegim, sa po ta mbash vështrimin të ngulitur aty, të humbet nga sytë si pamje dhe perceptim shqisor, ndërsa ato përzihen dhe bëhen njësh përhumbshëm, njëlloj si rruga vetë, me të gjitha ndryshimet paqësore dhe monotone mes netëve dhe ditëve, si një fill, gjatësia e të cilit është matur dhe po mbështillet sërish në bosht. Kështu, më në fund, sikur del nga një vend i rëndomtë dhe i parëndësishëm, madje përtej edhe vetë largësisë, jehona e tij duket se vjen ngadalë, frikshëm dhe pa kuptim, sikur të ishte nje fantazmë që udhëton një milje e gjysmë para trupit të vet. Është kaq larg, sa më parë mund ta dëgjoj sesa ta shoh, mendon Lina.”[3]

    Fjala monotone tek fraza e njëjta zhurmë monotone dhe çjerrëse, nuk gjendet në origjinalin a series of dry sluggish reports, një zëvendësim interesant, pasi semantikisht ajo përmban të përmbledhur kuptimin e series dhe sluggish, e cila e përkthyer një seri levizjesh të ngadalta, do e nënkuptonte monotoninë, sikurse edhe në origjinal, por do vinte me një ton të panatyrshëm për shqipen. Kuptohet që ka humbje, pasi fjala monotone në variantin anglisht përdoret sërish më poshtë në tekstin shqip ku përsëritja është një tepri, por përcjellja kuptimore në këtë rast është më e rëndësishme. Në nivel fjalie dhe fraze, kemi një ndarje fjalie në dy të tilla në përkthimin shqip “It seems to hang suspended in the middle distance forever and forever, so infinitesimal is its progress, like a shabby bead upon the mild red string of road.”, në “Duket sikur rri pezull në mes të largësisë, në jetë të jetëve. Kaq e papërfillshme është zhvendosja e saj, sa ngjan si një rruazë e pavlerë në litarin kuqalash dhe gjarpërues të rrugës.” Duke qenë se gjuha shqipe i mbart të gjitha mundësitë për ta ruajtur gjatësinë e fjalisë origjinale, ndarja e saj është e panevojshme dhe shpejton ritmin që ka fraza e gjatë, duke humbur ngadalësinë e cila shkon me pjesën kuptimore. Por kompensimi është më me vlerë, pasi krijohet një përsëritje me anë të fjalisë pasardhëse Kaq e papërfillshme…, Kaq i vërtetë Nëpërmjet kësaj përsëritjeje ngadalësia, përsëritja, tejzgjatja deri në gjendje hipnotike e gjendjes apo veprimit përforcohet edhe më shumë. Pavarësisht se si rregull në përkthim gjatësia e fjalive duhet ruajtur, në këtë rast humbja nuk është e pazëvendësueshme. Fjalia e fundit ‘That far within my hearing before my seeing,’ e përkthyer në formën “Është kaq larg, sa më parë mund ta dëgjoj sesa ta shoh”, duke qenë fjali tepër e rëndësishme nga pikëpamja semantike, siç duket është zgjedhur të ruhet në shqip kuptimi, por jo efekti tingullor i origjinalit. Përkthimi duket se diku humbet e diku fiton, por në tërësi ruhet gjendja dhe toni i origjinalit, gjë e cila realizohet vetëm nëpërmjet përshtatjes me mjetet e gjuhës mbërritëse.

    Ruajtja e stilit lidhet pikë së pari me largësinë që ka gjuha e autorit nga gjuha e zakonshme, sa e defamiljarizuar është gjuha artistike e tekstit. Ruajtja e distancës mes zërit origjinal të autorit të manifestuar në arratinë e tij nga ‘burgu i gjuhës’, sipas mënyrës me anë të së cilës Xhorxh Shtajneri e konsideronte gjuhën e zakonshme, është sfida më e madhe përkthimore. Teorikisht kjo distancë është e papërkthyeshme, sidomos kur kemi të bëjmë me romanin e shekullit të njëzetë, pas shfaqjes së reaksionit të skajshëm ndaj gjuhës së prozës klasike. Gjuha e përdorur për rrëfimin e romanit klasik, në modernizëm u konsiderua e tejkaluar, jo artistike, pasi tentonte t’i përngjasonte gjuhës së zakonshme dhe për herë të parë nisi kundërvënia e gjuhës së letërsisë moderne dhe asaj klasike, sidomos përmes stilit evokativ të Xhojsit. Folkneri është një tjetër rast origjinal i distancës së madhe midis zërit të tij të fortë origjinal dhe gjuhës së zakonshme. “Letërsia klasike mbështetet tek bujtja e saj në gjuhë, sipas premisës se nëse ajo përdoret me thellësi dhe zhdërvjelltësi, fjalët dhe gramatika që na vë në dispozicion, janë në gjendje ta kryejnë punën. […] Kur letërsia kërkon të thyejë modelin gjuhësor dhe të bëhet idiolekt, kur ajo kërkon të jetë e papërkthyeshme, kemi hyrë në një botë të re ndjenjash.”[4]

    “Dritë e gushtit” është një roman me një kompozicion krejt të veçantë për shkak të përzierjes së disa teknikave narrative, të cilat duke u bërë bashkë si pjesë e një skeme të ndërlikuar narrative, kërkon prej lexuesit një vëmendje dhe pse jo mundim të veçantë. Detyra e përkthyesit në këtë rast është që të ruajë të njëjtin ndërlikim, në të njëjtën shkallë dhe denduri të teknikave narrative, përfshi retrospektivën, përroin e ndërgjegjes, rrëfimin në vetën e tretë, rrëfimin në vetën e parë, rrëfimin në kohën e shkuar dhe atë në kohën e tashme, dialogun e gjatë etj. E gjithë skema e ndërlikuar, komplekse ndërton një rrëfim që është sa i përsosur, aq edhe i errët, prandaj përkthyesi gjendet përpara një zbërthimi hermeneutik të tekstit fillestar, për ta shndërruar atë me anë të magjisë së ndërmjetësit gjuhësor e kulturor, në një gjuhë tjetër.

    Tipike për stilin dhe strategjinë narrative të Folknerit është përshkrimi i turbullt, i paqartë i disa prej personazheve femërorë, që njëherësh edhe për nga brendia përshtaten me këtë aspekt të formës, kjo pasi gra si zonja Bërdën, që qëndrojnë të veçuara në raport me shoqërinë, që rrojnë sipas kodeve të tyre krejt të huaja për vendasit, janë të panjohura, të pakuptuara dhe tragjikisht të vetmuara. Paraqitja e zonjës Bërdën në roman lidhet me vetë qendrën e ndërtimit të boshtit kompozicional, vrasjen (zbulimin e vrasësit) dhe djegien e shtëpisë së saj. Në raport me këtë ngjarje, narracioni lëviz në disa pika të boshtit kohor në retrospektivë, e ndonjëherë brenda një rrëfimi në të shkuarën ndërfutet edhe çfarë thotë apo si vepron një personazh në të ardhmen. Figura e kësaj gruaje është e ngjashme me atë të zonjës Emili nga tregimi i shkurtër i famshëm i Folknerit “Një trëndafil për zonjën Emili”, për arsye të paqartësisë së rrëfimit, ndërlikimit të njohjes së lexuesit me personazhin, jashtësinë e saj në raport me të tjerët dhe mbi të gjitha për shpërfilljen e kodeve etike të shoqërisë së kohës. Zonja Bërdën jepet gjithnjë përmes optikës së Xho Krishtlindit, një pikëvështrim ky i errësuar, pasi takimet e tyre janë pothuaj gjithnjë natën dhe i lënë vend instinktit më shumë se racionales, e cila pothuaj mungon në marrëdhënien e tyre. Nga skena në skenë, misteri për këtë grua sa vjen e shtohet, pamja e saj ndryshon, derisa vijmë në përballjen e Xho Krishtlindit me gruan e vërtetë, atë të ditës, e cila është sa fanatike, puritane, e ashpër me veten, por edhe tejet e plakur në krahasim me përfytyrimin e mëparshëm të Xhosë për të. Raporti i tyre me natën dhe ditën është interesant, pasi nëse natën Xho dominon marrëdhënien, ditën është ajo që vendos racionalisht për gjithçka. Mënyra e paraqitjes së saj është tipike për rrëfimin fantastik që e vendos lexuesin mes një rrëfimi të paqartë, subjektiv (pikëvështrimi i një tjetër personazhi) dhe që tendoset e mbahet gjallë përgjatë gjithë rrëfimit, deri në ‘zbulesën’ përfundimtare të saj, po nga i njëjti pikëvështrim. Kemi të bëjmë me një teknikë dhe motiv të zakonshëm për romanin gotik amerikan (të jugut), që u rimor më vonë me sukses edhe në dramaturgji nga Tenesi Uilliams tek “Tramvaji me emrin dëshirë”. Ruajtja në përkthim e kësaj paqartësie përmes lojës mjeshtërore narrative, realizohet duke ndjekur hap pas hapi strategjinë autoriale, çka është më e vështirë së ç‘mund të duket së pari.

    Ndalemi në një fragment tepër të shkurtër, që përmbledh një aspekt të kësaj strategjie, lojën me moshën e vërtetë të zonjës Bërdën. “Ndanë dritës së qiritit, nën shkëlqimin e butë që binte lodrueshëm mbi rrobat e saj të brendshme, ndërsa ishte gatitur për të fjetur, ajo dukej jo më shumë se një grua tridhjetëvjeçare. Kur e pa gjatë ditës, Krishtlindi kuptoi se ajo i kishte kaluar tashmë tridhjetë e pesë motet. Kohë më vonë, ajo i rrëfeu se në të vërtetë i kishte kaptuar të dyzetat. Dhe, duke nisur nga mënyra se si e tha, ajo mund të ishte dyzet e një ose dyzet e nëntë vjeçe, mendoi Krishtlindi. Por këtë gruaja nuk ia rrëfeu as natën e parë dhe madje as shumë netë të tjera më pas. Për më tepër gruaja i rrëfeu fare pak. Gjithmonë flisnin shumë pak dhe kjo ndodhte veç ndonjëherë, edhe pasi Krishtlindi nisi të ndajë me të shtratin e saj prej lëneshe.”[5] Në fragmente si ky narratori ‘spekullon’ me mungesën e informacionit, fjalitë janë kundërthënëse dhe ndjekin njëra-tjetrën mbi të njëjtin bosht tematik, duke u shndërruar gati në një lojë pohimesh për t’iu afruar më në fund të vërtetës. Nga struktura e fjalive në përkthimin shqip vihet re se: a. Asnjë fjali nuk është prerë apo bashkuar me ndonjë tjetër, kjo pasi secila prej tyre është semantikisht e ndryshme, pra duke prezantuar një mundësi të ndryshme për moshën e gruas. b. Fjalisë së parë, duke nisur nga rendi i lirë i gjymtyrëve në fjali i gjuhës shqipe, i është ndryshuar rendi, duke nxjerrë në fund moshën e gruas. Një ndryshim i tillë largon efektin e menjëhershëm të orientimit të tezës së këtij paragrafi, që është ‘mosha’ e zonjës Bërdën. “By the light of the candle she did not look much more than thirty, in the soft light downfalling upon the softungirdled presence of a woman prepared for sleep.”[6] c. Grupe fjalësh që krijojnë turbullirën e tekstit dhe efektin ‘mjegull’ në tekst janë ruajtur dhe përcjellë me besnikëri, si “ajo dukej jo më shumë…”, “e kuptoi se…”, “në të vërtetë…”, “nga mënyra se si e tha…”, “ajo mund të ishte”, “nuk ia rrëfeu…”. Këto fjalë krijojnë efektin e synuar dhe mbështesin një ligjërim të paqartë, luajnë me informacionin që i jepet lexuesit duke krijuar ambiguitetin tipik të Folknerit. Përmes  këtyre njësive realizohet përgatitja për fjalinë e parë të paragrafit vijues “Për më tepër, gruaja i rrëfeu fare pak.” d. Përcjellja e lojës midis imazhit të gruas natës dhe imazhit të saj ditën është përcjellë po kështu duke ruajtur besnikërisht mjetet shprehëse të origjinalit. Sigurisht, të gjitha këto tipare të origjinalit të ruajtura në përkthimin shqip janë dominuese në tekst, por duke marrë në shqyrtim një fragment tepër të shkurtër, krijojmë një ide konkrete.

    Paragrafi i mësipërm nuk është përfaqësues i stilit të quajtur rëndom si ‘folknerian’, një stil i kritikuar po aq fuqishëm sa edhe i vlerësuar, i përqeshur apo i konsideruar sublim, i cili përfshin fjali të gjata që e ngatërrojnë lexuesin, paranteza brenda fjalisë (madje edhe disa të tilla në një fjali), parantezë pas paranteze e kështu me radhë, elemente të përroit të ndërgjegjes. A ka rëndësi gjatësia e fjalisë në vetvete? Nga aspekti sintaksor dhe ai formal në përgjithësi sigurisht, por në rastin e Folkenit gjatësia vjen kryesisht për shkak të mendimit të shprehur, të cilin ai nuk dëshiron ta ndërpresë, përkundrazi përpiqet të na japë sa më shumë informacion të mundshëm në një fjali të vetme, pa kaluar në fjalinë pasardhëse. Për këtë arsye fjalitë e tij janë konsideruar edhe si ‘mikrobotë’ nga studiuesit. Në studimin “Uiljam Folkneri: Romani si Formë”, Konrad Eikën (Conrad Aiken) përshkruan “pasionin për strukturat e stërpërpunuara të fjalive, kryesisht për sa i përket fjalive të përbëra, pjesët e të cilave zgjaten duke shtuar një numër të madh elementesh modifikuese. […] Duket sikur Folkneri në një lloj nxitimi të dëshpëruar ka vendosur të na tregojë gjithçka, absolutisht gjithçka deri në origjinën apo burimin e parë, çdo cilësi apo cilësim dhe çdo të ardhme po ashtu, në një përpjekje tmerrësisht të përqëndruar: që çdo fjali të jetë një mikrokozmos.”[7]

    Përkthimi në gjuhën shqipe përgjithësisht ruan strukturën, tonin dhe qëllimin e origjinalit për sa i takon këtyre fjalive të gjata, që në raste të caktuara janë paragrafë me vete, por ekziston një prirje (mendoj e detyruar dhe e justifikuar) për t’i zgjatur fjalitë, kjo pasi fjalë të caktuara të anglishtes, në shqip mund të shprehen jo me një fjalë të vetme ekuivalente, por me një grup fjalësh. Le të marrim shembullin e një fjalie përshkruese.

    “Knows remembers believes a corridor in a big long garbled cold echoing building of dark red brick sootbleakened by more chimneys than its own, set in a grassless cinderstrewnpacked compound surrounded by smoking factory purlieus and enclosed by a ten foot steel-and-wire fence like a penitentiary or a zoo, where in random erratic surges, with sparrowlike childtrebling, orphans in identical and uniform blue denim in and out of remembering but in knowing constant as the bleak walls, the bleak windows where in rain soot from the yearly adjacenting chimneys streaked like black tears.”[8]

    “Ajo çka Krishtlindi di, kujton dhe beson, është një korridor i fëmijërisë së tij, në atë godinë të lartë, të gjerë, sajuar dosido, me mure prej tullash të kuqe, por të nxira më shumë prej zgjyrës së tymtarëve sesa prej vjetërsisë, e cila lartohej mbi një truall djerrë, të mbuluar ngado prej qymyrit të djegur, që vinte prej fabrikave aty afër, e rrethuar me një gardh prej çeliku  me tela deri tre metër i lartë, i cili rrethakonte gjithë rrethinën, si të ishte një institut riedukimi apo kopsht zoologjik prej ku vërshonte valë-valë dhe oshtinte pastaj prej baticave të befta dhe të çrregullta të zërave fëmijërorë, që ngjanin me trumbat e trembura të harabelave. Por ishin thjeshte jetimë të asaj jetimoreje, veshur me uniforma të njëllojta doku, ngjyrë blu, zëra që do t’i kujtonte më vonë për t’i nxjerrë në harresë vetëm për pak, ndërkohë gjithmonë ai i shihte me sytë e mendjes, si t’i kishte mu para tij ato mure dhe dritare rrahura nga erërat, në cilat, kur vesonte shi, ai shihte se si pikat e shiut shkisnin prej tymtarëve të jetimores e binin përdhe, si lot të zinj.[9]

    Kjo fjali ka ardhur në shqip me disa modifikime, nga një fjali në origjinal ajo është ndarë në dy të tilla, një ndryshim që është i justifikueshëm për shkak të pothuaj dyfishimit të gjatësisë së saj në shqip. Ajo çka është për t’u nënvizuar është se përkthimi priret të saktësojë, duke vendosur shenja pikësimi dhe përmes organizimit të fjalëve apo edhe shtimit te detajeve të caktuara, duke zbehur elementin e përroit të ndërgjegjes, sidomos në fillim të fjalisë. Mendoj se shtimi i emrit të Krishtlindit në shqip është e domosdoshme, edhe pse e largon rrëfimin me origjinalin, pasi përndryshe fjalia nuk do të kishte kuptim, por shtimi i pauzave dhe sqarimet e tjera mund të ishin më të pakta, duke patur vetëdijen për teknikat moderne që përdor Folkneri në rrëfim. Vihen re gjithashtu disa ndryshime apo paqartësi të rendit semantik. Është lënë pa përkthyer ‘cold echoing’, që karakterizon ndërtesën ndryshe nga mënyra sesi del në përkthim. Tullat janë në të kuqe të errët, jo thjesht të kuqe. Ato përshkruhen si të nxira prej blozës dhe jo zgjyrës, zgjyra është diçka që krijohet nga vjetërimi dhe ndotja, jo nga djegia. Trualli i ndërtesës është i zhveshur nga bari dhe jo djerrë edhe pse mund të përdoret djerrë, por djerrë ka kuptimin që aty nuk mbin gjë, kurse në këtë kontekst lihet përshtypja që ka pas mbirë dhe nuk ka më, ndoshta prej ecejakeve. Ndërtesa është e nxirë prej më shumë oxhakëve (tymtarëve) sesa të vetët (tymtarët), thënë ndryshe është më e nxirë nga tymi se sa mund të nxihej prej tymit të oxhakëve të vet. Purlieu është rajon, pra ndërtesa nuk është e rrethuar nga fabrikat, por nga rajonet apo zonat e territoret e fabrikave, sepse fabrika nuk është thjesht një ndërtesë si në përfytyrimin tonë të zakonshëm, por një kompleks. Ndërsa “sparrowlike childtrebling” është thuajse e papërkthyeshme, ndaj përkthyesi me anë të një përpjekjeje të kujdesshme i është afruar sa më shumë që ka mundur ruajtjes së kuptimit. Përfytyrimi që krijohet është ai i trumbave të fëmijëve si harabela që duken më shumë se ç’janë ngaqë janë përherë në lëvizje. ‘treble’ ka kuptimin e trefishimit dhe nuk ka të bëjë me zërat, por me lëvizjen, pra nuk vërshonit zërat fëminorë, por thjesht fëmijët. Aty s’ka fare oshëtima zërash, oshëtima (fjala e lënë papërkthyer në fillim të fjalisë) na jepet që në fillim si karakteristikë e ndërtesës, pra ndërtesa është e tillë që oshëtin apo jehon për shkak se është bosh, a se është më e madhe në raport me mobilimin.

    Kjo analizë nuk merr në shqyrtim përdorimin e fjalorit dialektor, të folmeve dhe zhargonit, kjo pasi një studim i tillë, tepër i rëndësishëm për rastin e Folnerit, mund të qëndrojë krejt më vete, pasi përfshin edhe analizën e kontektit, të zhanrit dhe madje edhe të folmes puritane të kontekstit të Amerikës së jugut. Ndërsa zhvendosjet në kohë, tipike për Folknerin dhe rrëfimi i subjektit përmes mbështetjes në natyrën e kujtesës për të rindërtuar të shkuarën, ndjekja e parantezave në nivel të njësive të mëdha të tekstit, të subjektit dhe të kundërsubjektit janë të realizueshme duke ndjekur njësitë e mëdha tekstore sipas ritmit të autorit. Pra, duket se këto teknika vështirësojnë leximin, por jo përkthimin. E vetmja vështirësi në këtë aspekt do të ishte përzgjedhja e kohës gramatikore në secilën njësi tekstuale, pasi ajo ndryshon gjithashtu në përshtatje me lëvizjen në kohë, çka përkthimi në shqip e ka ruajtur më së miri, fale edhe mundësive të pasura të shqipes në nivel

    Përmbledhtazi, do thosha se ajo çka është folkneriane në përkthimin shqip të romanit “Dritë e gushtit” përgjithësisht është ruajtur. Është e qartë që nuk duhet të analizojmë një përkthim duke patur parasysh si do ta përkthenim ne, pasi çdo përkthim është i ndryshëm nga tjetri dhe do analiza do ishte krejt subjektive, prandaj puna jonë mbështetet krejt në variantin e përkthyesit G. Zela. Si çdo përkthim, në përpjekje për të ruajtur balancën midis ‘tradhëtisë’ ndaj stilit, formës apo ndaj kuptimit, semantikës, edhe në këtë rast përkthyesi herë i shërben më shumë ruajtjes së formës e herë të kuptimit, në këtë rast anon nga prirja për të ruajtur kuptimin e origjinalit dhe kemi të bëjmë me një përkthim që është i pamundur të realizohet në mënyrë të fjalëpërfjalshme, ka një nivel të lartë të përshtatjes së tekstit. Përkthime të ndryshme kanë tipare të ndryshme, bie fjala përkthimi në frëngjisht i Folknerit ka pothuaj të pastruar pjesën e errësisë së tekstit origjinal. Gjithashtu, vepra vetë shpesh është kontestuar nga shkrimtarët apo kritikët si e paqartë, e papunuar mjaftueshëm apo edhe stili i saj qesharak, ekstravagant, kritika të tilla janë të shumta, por ato që na interesojnë janë cilësimet më të ekuilibruara. Bie fjala James T. Farrell, i cili ishte vetë një romancier i suksesshëm, por i një lloji tjetër, e niste recensën në New York Sun me pranimin e “aftësisë impresionuese stilistike” dhe “virtuozitet të lartë të ndërtimit dhe të organizimit tekstual”, dhe dëshmoi se si lexuesi përfshihet pothuaj pa reflektuar në lapsin drejtues të narratorit. Në të njëjtën kohë, ai kundërshtoi fort përsëritjen në stilin e Folknerit dhe kënaqësinë që ai gjen në “truket dhe manierizmat që janë quajtur “moderniste”[10]. Kemi të bëjmë me një roman kompleks dhe sigurisht që çështjet e përkthimit në këtë rast janë edhe më komplekse, kjo vetëm se shton vlerën e përkthimit në gjuhën shqipe për nivelin e përkthimit dhe përshtatjes.

    BIBLIOGRAFIA:

    William Faulkner , Dritë e gushtit, përktheu Granit Zela, Onufri, Tiranë, 2017.

    William Faulkner, Light in August, Vintage Books Edition, 1972 (1932), N. Y.

    Tim Parks, Translating Style, A Literary Approach to Translation, A translation approach to Literature, Routledge 2007 (2004), N. Y.

    George Steiner, After Babel, Oxford University Press, 1975.

    Conrad Aiken, “William Faulkner: The Novel as Form”, The Atlantic Monthly (1939): 650-54.

    New essays on Light in August, Cambridge University Press, 1987 (1995), United Kingdom.


    [1]  Parks, Tim, “Translating Style, A Literary Approach to Translation, A translation approach to Literature, Routledge 2007 (2004), N. Y., pg. 86.

    [2]  Faulkner, W., Light in August, Vintage Books Edition, 1972 (1932), N. Y., pg. 8-9.

    [3]  Faulkner, W., Dritë e gushtit, përktheu Granit Zela, Onufri, Tiranë, 2017, f. 21.

    [4]  George Steiner, After Babel, Oxford University Press, 1975, p. 176- 177.

    [5]  Faulkner, W., Dritë e gushtit, përktheu Granit Zela, Onufri, Tiranë, 2017, f. 217.

    [6]  Faulkner, W., Light in August, Vintage Books Edition, 1972 (1932), N. Y., pg. 183.

    [7]  Aiken, Conrad, “William Faulkner: The Novel as Form”, The Atlantic Monthly (1939): 650-54, pg. 651.

    [8]  Faulkner, W., Light in August, Vintage Books Edition, 1972 (1932), N. Y., pg. 96.

    [9]  Faulkner, W., Dritë e gushtit, përktheu Granit Zela, Onufri, Tiranë, 2017, f. 120.

    [10]New essays on Light in August, Cambridge University Press, 1987 (1995), United Kingdom, pg. 14.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË