KreuLetërsiBibliotekëBurbuqe Spahiu Lukacevic: Te lisi në vorr (tregim)

Burbuqe Spahiu Lukacevic: Te lisi në vorr (tregim)

“Ka vende ku koha kalon. Ka vende ku koha ndalet. Dhe ka vende që ruajnë përgjithmonë sekretet e njerëzve.”

— “Drejtoreshë, do të vish?” — pyeti njëra nga mësueset, ndërsa po bëheshin gati të niseshin.

Ajo ngriti kokën nga fletoret që po korrigjonte dhe buzëqeshi lehtë.

— Nisuni ju. Kam edhe disa korrigjime. Do t’ju arrij rrugës.

Dhe mbeti vetëm.

Në klasë dëgjohej vetëm fëshfërima e letrave dhe trokitja e lapsit mbi fletore. Jashtë, pasditja po zbriste ngadalë mbi Dajçin e Bregut të Bunës. Biçikletat e mësueseve u larguan drejt Samrishtit, ndërsa ajo vazhdoi punën e saj, pa e ditur se po mbyllte ditën e fundit të jetës së saj të zakonshme. Askush nuk mund ta merrte me mend se ato pak fjalë të thjeshta do të bëheshin kujtimi i fundit që do të ruanin për të. As vetë ajo nuk mund ta dinte se rruga drejt Lisit në Vorr, atë rrugë që e kishte përshkuar qindra herë, atë mbrëmje do ta mbështillte përgjithmonë enigma.

E përkulur mbi fletoret e nxënësve, ajo ngriti kokën dhe përsëriti me qetësi:

— Nisuni ju. Kam edhe disa korrigjime. Do t’ju arrij rrugës.

Kur shoqet mbërritën te Lisi në Vorr, varka i priste, si çdo pasdite, buzë Bunës. Lumi rridhte i qetë nën dritën e mbrëmjes, ndërsa hijet filluan të koloviteshin mbi ujë.

Por ajo nuk erdhi.

Në fillim menduan se ishte vonuar. Ndoshta i ishte prishur biçikleta. Ndoshta ishte ndalur për pak çaste gjatë rrugës. Në momentet e para askush nuk shfaqi shenja shqetësimi.  Por minutat kalonin dhe rruga mbetej bosh. Sytë e tyre shikonin herë pas here drejt udhës që vinte nga Samrishti. Mbrëmja po errësohej, ndërsa mbi Bunë po zbriste një heshtje e pazakontë. Pa e kuptuar, ankthi nisi të hynte në zemrat e të gjithëve.

Pleqtë e asaj ane thoshin se Lisi në Vorr nuk ishte thjesht një vend ku ndaleshin varkat. Ishte një vend që mbante mbi supe shekuj kujtimesh, legjendash. Në atë gji të vogël pranë Bunës, mes Oblikës dhe udhës së Muriqanit, ngrihej një lis madhështor. Rrënjët e tij, sipas gojëdhënës, përqafonin një varr të lashtë, ndërsa degët e përkulura mbi ujë dukej sikur ruanin heshtjen e lumit. Te moshuarit rrëfenin se, në netët e qeta, kur era pushonte dhe mjegulla mbështillte Bunën, pranë lisit dëgjoheshin murmurima e vajtime të largëta. Askush nuk dinte të thoshte nëse ishin zërat e erës, të ujit apo të shpirtrave të kohëve të shkuara.

— Janë murmurimat e Lisit, — thoshin ata.

Madje disa besonin se edhe emri Muriqan kishte lindur nga ato murmurima që era i shpërndante përgjatë brigjeve të Bunës. Brez pas brezi, historia ishte përcjellë nga goja në gojë. Askush nuk e tregonte njësoj,   I kisha degjuar te gjitha variantet,por të gjithë pajtoheshin për një gjë: se kjo tokë kishte ruajtur gjithmonë fate të pazbuluara, dhimbje të mëdha dhe sekrete që koha nuk kishte mundur t’i fshinte.

Por  legjenda që më ka drithëruar kur e kam dëgjuar për herë te pare  e përcjellë brez pas brezi, rrëfehet kështu.

Shumë kohë më parë, në ato brigje jetonin dy shokë të pandarë. Ishin rritur bashkë dhe ashtu  bashkë, të pandarë asnjëherë i  kujtonin të gjithë.  Gëzimet e hidhërimet i ndanin si bukën e sofrës. Por fati deshi që të binin në dashuri me të njëjtën vajzë. Thuhej se vajza ishte aq e bukur, sa dukej sikur kishte zbritur nga drita e hënës për te ecur buze Bunës. Për një kohe te dy e fshehën ndenjën, nga frika se mos lëndonin njëri- tjetrin. Por dashuria u kthye ne xhelozi, xhelozia në zemërim dhe zemërimi në tragjedi. Pranë mureve të kalasë së lashtë, ata nxorën shpatat kundër njëri –tjetrit. Vajza u hodh  mes tyre. U lut, qau e u përgjërua, por asgjë nuk mund ta ndalte zemërimin. Luftuan  derisa të dy ranë pa jetë. Thuhet se, gjaku i tyre lau gurët e lashte, ndërsa lotët e vajzës njomën token. Që prej asaj dite, pleqtë thoshin se vendi u quajt Muriqan, muri i larë me gjak e me lot. Vajza nuk zgjodhi asnjërin. Tashmë i kishte humbur të dy. Me duart qi i dridheshin nga dhimbja, ajo i varrosi pranë njëri –tjetrit, në të njëjtin varr, që të gjenin  pas vdekjes paqen qe nuk e gjetën dot   në jetë.  Pas një kohe, mbi varrin e tyre mbiu një filiz. Vajza shkonte çdo ditë dhe e ujiste me lotët e saj. Filizi u be një lis i madh, me rrënjë te ngulura thelle ne tokën që ruante sekretin e dy miqve dhe me degët e ngritura drejt qiellit , sikur i kërkonin falje  zotit në amshim. Që atëherë, Lisi në Vorr u bë simbol i dashurisë, i miqësisë së humbur, i dhimbjes dhe i pajtimit. Pleqtë rrëfenin se, ne netët pa hëne, kur mjegulla mbulonte Bunën dhe era pushonte, nën hijen e lisit dëgjohej ende vaji i vajzës. Disa betoheshin se e kishin parë të veshur me të bardha, pranë rrënjëve te lisit, me sytë nga lumi dhe me duart mbi dhe, sikur kërkonte të zgjonte ata që nuk do te ktheheshin më. Askush nuk e dinte nëse ishte mjegulla, era…. Apo shpirti i vajzës që nuk gjente qetësi.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë, kur shumë vite më vonë u zhduk pa lënë gjurmë Drejtoresha e shkollës së Dajçit, banorët e lidhën në heshtje fatin e saj me hijen e atij lisi të lashtë.

Që nga ajo ditë, çdo histori e pashpjeguar dukej sikur gjente strehë nën degët e tij.

Nën hijen e Lisit në Vorr, koha dukej sikur rridhte ndryshe. Brezat kalonin, fëmijët rriteshin, të moshuarit largoheshin nga kjo botë, por lisi mbetej aty, madhështor dhe i heshtur. Ai kishte parë dashurinë të shndërrohej në tragjedi, kishte dëgjuar vajin e një vajze mbi dy varre dhe kishte ndier ankthin e një fshati të tërë që priste më kot kthimin e Drejtoreshës së tij. Kur frynte era e mbrëmjes dhe degët përplaseshin lehtë me njëra-tjetrën, dukej sikur lisi pëshpëriste historitë e vjetra për ata që dinin të dëgjonin.Ndoshta prandaj askush nuk kalonte pranë tij pa ulur kokën me respekt.

Sepse ai nuk ishte thjesht një lis.

Ishte kujtesa e gjallë e një krahine.

Edhe unë e njihja mirë atë rrugë. Edhe unë kam kaluar me biçikletë përmes Samrishtit, me librat mbështetur pas shpine dhe me erën e Bunës që të priste fytyrën në mëngjeset e freskëta. Kam pritur varkën te Lisi në Vorr, aty ku udhëtarët mblidheshin në heshtje dhe largoheshin po në heshtje.

Edhe ajo e bënte çdo ditë atë udhë.

Fjalët e saj të fundit qenë të thjeshta:

— Nisuni ju… Kam disa korrigjime. Do t’ju arrij rrugës.

Dhe mbeti pas. Që nga ajo ditë, askush nuk e pa më. Prandaj, për mua, misteri i zhdukjes së saj nuk ka qenë kurrë vetëm një rrëfim.

Sa herë afrohesha pranë atij lisi të vjetër, më duket sikur vendi mbante ende pezull një heshtje që nuk është shuar.

Një pritje. Një emër që Buna nuk e ktheu kurrë.

Edhe Drejtoresha e përshkonte çdo mëngjes të njëjtin udhëtim. Pedalonte qetë përgjatë brigjeve të Bunës, kalonte Oblikën, ndalonte te Lisi në Vorr dhe hipte në varkë bashkë me biçikletën, njësoj si të gjithë mësuesit që shkonin në Dajç.

Çdo mëngjes nisesha nga shtëpia me biçikletë, me zemrën e lehte dhe me sytë plot  pritje. Pasi lija pas Shkodrën,  liqeni, me  shoqëronte si mik i vjetër.  Rosat notonin, qetësisht mbi ujin e kristalte, zhyteshin dhe dilnin përsëri, ndërsa

 zambakët e bardhe te ujit çelnin petalet drejt diellit te sapolindur, ngrinin kokën mbi sipërfaqe, sikur me buzëqeshnin  e me uronin “Mirëmëngjes!” ,  Liqeni, ende  i përgjumur,  lëkundej lehte  si një     djep  nen ledhatimin e erës se mëngjesit. Vazhdoja rrugën drejt  urës se Bunës. Vështroja ujërat që rrëshqisnin qetësisht drejt detit dhe mendoja se sa histori kishin kaluar mbi atë urë.  Breza të tërë kishin ecur mbi dërrasat e saj, tregtarë, udhëtare, ushtare e njerëz të zakonshëm, ndërsa Buna vazhdonte të rridhte e patrazuar, dëshmitare e shekujve. Thuhej se ura kishte lidhur brigjet e qytetit që nga kohet e vjetra, ndërsa ajo që   shikoja ishte ngritur në fund të shekullit të XIX, duke mbetur një nga simbolet më të dashura të Shkodrës. Urat nuk bashkojnë vetëm brigje. Ato bashkojnë edhe kujtime, fate dhe histori njerëzish.  Në kohën e Zogut, kjo urë e vjetër hapej dhe anijet e Venedikut që vinin nga Adriatiku, lundronin në Bunë kundër rrymës  dhe ankoroheshin në mol, sillnin mallra për  tregtaret e pazarit te famshëm  shkodran, Bexhistenit, që siç tregonin të vjetrit, ruhej vetëm nga një xhandar, dhe hapej me një dere. Këto mendime me shoqëronin çdo mëngjes, si kujtime të   një kohe që nuk kthehet më, sepse Pazari i Shkodrës u prish nga regjimi komunist  brenda një nate dhe nuk u ndërtua kurrë më.  Kur kaloja me biçiklete tek vendi ku dikur kishte qenë pazari i Shkodrës, shëtisja me sytë e mendjes nëpër rrugët e ngushta, ku dikur rreshtoheshin qindra dyqane. Gjeja dyqanin e gjyshit tim dhe e përfytyroja të ulur para derës se tij, të gjate, me mustaqe të zeza, të holla e të mprehta duke biseduar me tregtarët e tjerë . Esnafët e Shkodrës  quheshin. Pastaj ëndërrimi zhdukej. Kthehesha në të tashmen, Vazhdoja rrugën drejt vendit magjik  ku Drini përqafohet me Bunën, aty ku shkodranët prej brezash e quajnë Budri. Për një çast të dy lumenjtë bashkojnë ujërat dhe historitë e tyre, dhe peizazhi të jep ndjesinë se natyra vetë po rrëfen një histori dashurie.   Ne atë vend agimet kishin një qetësi të veçantë. Dukej ngaherë sikur lumi zgjohej bashkë me ne.

Pastaj vinte Zusi. Ne, me humorin e rinisë, e quanim “Zeusi”, sepse na dukej sikur po i afroheshim malit të Olimp-it. Emri i fshatit ushqente fantazinë tonë dhe çdo mëngjes na bënte të buzëqeshnim. Përballë, në mes të Bunës, ngrihej një shkëmb i veçuar, mbi të cilin ishte ndërtuar një lokal i bukur. Për të arritur deri atje duhej të ngjisje disa shkallë guri që të jepnin ndjesinë se po hyje në një botë tjetër. Nga larg dukej si një kështjellë e vogël, e vendosur mes ujit dhe qiellit.

Pedalnim duke qeshur e duke bërë shaka. Çdo udhëtim ishte një aventurë, ndërsa çdo kthesë e rrugës zbulonte një peizazh të ri. Budri na shoqëronte gjatë gjithë rrugës. Përballë shfaqej Ishulli i Dajlanit, i mbështjellë nga heshtja dhe legjendat. Në mëngjeset me mjegull, konturet e tij shfaqeshin e zhdukeshin ngadalë, si një vegim. Shpesh ndalesha ta vështroja, duke menduar se sa histori të pathëna mund të fshiheshin nën hijen e pemëve të tij. Pak më tej ngrihej madhështore Kalaja e Rozafës. Mes Rozafës, Ishullit të Dajlanit dhe ujërave të Bunës, më dukej sikur nuk po udhëtoja vetëm nëpër hapësirë, por edhe nëpër kohë.

Ndoshta prandaj ajo rrugë nuk më lodhi kurrë. Çdo kthesë kishte një histori. Çdo pemë kishte një kujtim. Çdo mëngjes kishte një ëndërr.

Kur mbërrinim në Samrisht, hipnim përsëri në biçikleta, dhe pastaj gjate rrugës për në Dajç, kalonim mbi bendin që mbronte tokat nga Buna. Ndoshta edhe ajo e shihte me të njëjtën mrekulli atë korridor kallamishtesh, pa e ditur se një ditë ai udhëtim i zakonshëm do të mbetej përgjithmonë pa kthim.Askush nuk mund ta mendonte se një ditë ajo rrugë do të bëhej udhëtimi i saj i fundit.

 Poshtë nesh lumi rridhte i qetë, ndërsa kallamishtet e larta ngriheshin në të dy anët e rrugës. Kur era i përkulte lehtë, ato bashkoheshin mbi kokat tona si një kurorë e gjelbër. Dukej sikur po kalonim nëpër një korridor, rrezet e diellit te  mëngjesit depërtonin mes kallamishteve, era sillte aromën e lumit dhe për disa çaste të krijohej ndjesia se kishe hyrë në një botë tjetër, ku natyra dhe qetësia sundonin mbi atë vend, Ishte një udhëtim i gjatë, por për mua mbeti një nga kujtimet më të bukura të rinisë. Zhurma e rrotave të biçikletës, lëkundja e varkës dhe mjegulla mbi Bunë më rikthehen edhe sot si pjesë e një legjende shkodrane ku unë isha bërë pjesë e saj.

Por ajo rrugë, që për ne ishte bërë pjesë e jetës së përditshme, një ditë mori me vete një sekret që nuk u zbardh kurrë.

 Në Dajç, ajo nuk ishte vetëm drejtoresha e shkollës. Ishte zemra e saj. Çdo mëngjes, para se të binte zilja e parë, fëmijët vinin me buqeta të vogla lulesh të mbledhura në livadhe e në oborret e shtëpive të tyre. Ata bënin garë se kush do t’i sillte lulet më të bukura. Ajo i merrte me buzëqeshje, i falënderonte një nga një dhe i vendoste me kujdes në një gotë me ujë mbi tavolinën e saj. Për fëmijët, buzëqeshja e saj vlente më shumë se çdo shpërblim. Edhe banorët e fshatit e prisnin me përzemërsi. Dikush i dhuronte një kalli misri, një tjetër një shportë me fruta, dikush tjetër qumësht ose vezë të freskëta. Nuk ishin dhurata të pasurisë, por të zemrës. Kur ajo hynte në oborrin e shkollës, fytyrat e fëmijëve ndriçonin. Ata vraponin drejt saj, e përshëndesnin me gëzim dhe përpiqeshin t’i rrinin sa më pranë.

Për ta, ajo nuk ishte vetëm mësuesja që u mësonte shkronjat.

Ishte njeriu që u mësonte të besonin, të ëndërronin dhe të donin dijen.

Prandaj askush nuk e thërriste me emër.

Për të gjithë ajo mbeti përgjithmonë:

Drejtoresha e Dajçit.

Kur u përhap lajmi se Drejtoresha nuk ishte kthyer në shtëpi, qetësia e asaj mbrëmjeje u thye menjëherë.

Në fillim askush nuk donte të mendonte më të keqen.

Ndoshta ishte vonuar. Ndoshta ishte ndalur diku gjatë rrugës. Ndoshta kishte humbur varkën e fundit. Por nata zbriti mbi Bunë dhe asnjë lajm nuk erdhi. Ankthi u përhap nga një shtëpi te tjetra.

Njerëzit dolën me elektrikë dore. Kërkuan përgjatë brigjeve, në kallamishte, në shtigjet që çonin drejt lumit. Thërrisnin emrin e saj me shpresën se do të merrnin  një përgjigje. Por nga Buna, asnjë  shenjë, përveç jehonës së zërave të tyre.

Ndër të parët,  mbërriti edhe i fejuari i saj. Ishte sportist, trupmadh dhe notar i shkëlqyer. Pa u menduar dy herë u hodh në ujërat e Bunës.

Që nga ajo natë nisi një kërkim që do të zgjaste me muaj.

Çdo mëngjes zhytej përsëri në lumë. Kërkonte pranë Lisit në Vorr, përgjatë deltës, aty ku rrjedha bëhej më e fortë, në çdo cep ku mund të fshihej edhe shpresa më e vogël. Njerëzit e shikonin nga bregu me dhimbje.

Disa i luteshin të pushonte. Por ai nuk pranonte. Kthehej përsëri në ujë. Sikur besonte se dashuria mund ta mposhtte heshtjen e Bunës. Ditët kalonin. Javët kalonin. Muajt kalonin. Por lumi nuk dha asnjë përgjigje. Asnjë gjurmë. Asnjë shenjë.Vetëm pyetje. Pastaj nisën hamendjet. Disa thoshin se ishte mbytur.

Të tjerë dyshonin se pas zhdukjes fshihej një mister tjetër. Fshati ishte ne kufi me Malin e ZI,  ne ato kohëra quheshe Jugosllavi. Ka kaluar klonin thoshin, ka dalë andej.

 Ishin kohe te errëta te diktaturës dhe njerëzit zhdukeshin pa lenë gjurme. U përfol se ishte gjetur trupi pranë grykëderdhjes së Bunës, tek ishulli Paemër….

Të tjerë betoheshin se ishte gjetur biçikleta tek ishulli i Franc Jozefit.

Por çdo lajm shuhej po aq shpejt sa lindte. Policia nuk lejonte asnjë te fliste për atë ngjarje, njerëzia vetëm pëshpëritnin..

E vërteta mbeti e fshehur mes mjegullës së Bunës dhe hijes së Lisit në Vorr.

Edhe sot, pas kaq vitesh, askush nuk di të thotë me siguri se çfarë ndodhi atë mbrëmje.

Vetëm një gjë mbeti e pandryshuar. Lisi. Ai vazhdon të qëndrojë pranë Bunës me rrënjët e ngulura thellë në tokë dhe me degët e përkulura mbi ujë, si një rojtar i heshtur i kujtesës.

Buna vazhdon të rrjedhë, e qetë në pamje, por me një sekret  që nuk ia tregoi kurrë askujt.

Njerëzit vazhduan të flasin për atë zhdukje. Çdo brez shtoi një hamendje. Një kujtim. Një rrëfim. Një copëz legjende. Por e vërteta nuk doli kurrë në dritë. Vetëm ai nuk pushoi së kërkuari.

Sa herë kalonte pranë Bunës, ndalonte dhe e mbante vështrimin gjatë mbi ujë, sikur priste ende një shenjë. Koha i zbardhi flokët. Por nuk ia shuajti pritjen. Dhe ndoshta kjo ishte dhimbja më e madhe. Jo humbja. Por mungesa e një përgjigjeje. Edhe sot, kur mjegulla zbret mbi Bunë dhe era lëkund degët e Lisit në Vorr, më duket sikur koha ndalet për një çast.

Atëherë më rikthehen në mendje ato fjalë të zakonshme, që u bënë të pavdekshme:

— Nisuni ju…  Kam edhe disa korrigjime. Do t’ju arrij rrugës…

Por ajo nuk erdhi më kurrë. Dhe ndoshta për këtë arsye, Lisi në Vorr vazhdon të jetë më shumë se një pemë.

Është kujtesa e një dashurie, e një legjende që Buna e ruan ende në heshtje.

 Dhe rruga që dikur na çonte drejt  Dajçit  te Bregut te Bunes,  që nga ajo ditë filloi  të na çonte edhe drejt një misteri.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË