Nuk ndodh asnjëherë që shkrimtarët të identifikohen me emrin e atdheut e të vendit të tyre. Përveç se kur bëhet fjalë për shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, për gjenitë. Vetëm këta e sigurojnë privilegjin sipas të cilit emri dhe vepra e tyre të sjell ndër mend vendin, kombin, popullin e tyre. Por mund të pohohej edhe e anasjellta: Vetëm disa të rrallë kombe dhe popuj përfitojnë të drejtën të identifikohen me emrin e gjeniut të tyre shkrimtar.
Hijerëndë, siç janë shpesh, gjenitë dominojnë shekujt e mijëvjeçarët, duke u bërë pasuri artistike dhe pasqyrë e njerëzimit nëpër epoka. Homeri, patriarku i moçëm i letërsisë, ka mbi dy mijë vjet që nuk rresht së rrëmbyeri mendjet njerëzore. Simbol i Greqisë e lashtë dhe i shkëlqimit të atij qytetërimi. Kujton Sheksipirin dhe në përfytyrimin e njerëzimit përvijohet Anglia dhe historia e saj madhështore… Përmendet Dantja dhe shfaqet Italia dhe përndritja e saj. Dhe kështu me radhë Servantesi, Hygoi, Gëte… Të gjithë këta, së bashku dhe veçmas, formojnë kurorën hyjnore të letërsisë së madhe, të pafundme, të pakufishme të planetit. Të letërsisë së përsosur, gjeniale.
Por si krijohet në mendësinë e kombeve e popujve ky shoqërim përfytyrimesh? Një proces i ndërlikuar, sikundër janë të ndërlikuar gjenitë dhe, po ashtu, kombet, popujt. Ndoshta një marrëveshje hyjnore, që nuk zhvillohet vetëm brenda shpirtit dhe mendjes së një populli të vetëm. As të një qytetërimi të veçuar. Vepra e gjeniut, e thellë dhe e pa anë, e përsosur, tronditëse dhe verbuese, nis si një pëshpërimë sublime dhe shpejt shndrrohet në një frymë, në stuhi planetare që përfshin tërë globin. Tërë shpirtin njerëzor. Mbarë qytetërimin. Si çdo gjë hyjnore që shpërfill kufijtë e hapësirës e kohës, gjenitë, secili sipas mënyrës së vet, lartësojnë monumente aristike madhështore të përjetshme.
Shqipëria dhe shqiptarët e shekuve të njezetë dhe njëzetë e një-të janë ndër më fatlumët e historisë së tyre. Sepse ata, befas dolën nga humbëtira dhe u paraqitën përpara letërsisë botërore me një shkrimtar të jashtëzakonshëm, arti i mahnitshëm i të cilit e ngjiti shpejt në majë, midis më të mëdhenjve mendimtarë të njerëzimit. Ishte dhe është gjeniu Ismail Kadare. Shkrimtari që i shpëtoi lexuesit e vendit të tij nga zija, nga mërzia, nga frika, nga humbja e shpirtit. Kadare u dha shqiptarëve një letërsi moderrne, një art të thellësive artistike. Atë art që më pas tronditi pothuajse tërë lexuesit e planetit. Arti i tij turbulloi, trembi, tmerroi diktaturën komuniste, barbarinë e saj, këtë gjëmë të njerëzimit.
Me artin e tij të madh, Kadare zbuloi humnerën, çarjen, ligësinë e shkretinë në kryeqendrën leniniste e atë kineze, duke lajmëruar fillimin e mbylljes së këtij kapitulli antinjerëzor në historinë e njerëzimit. Gjenitë i pëlqejnë shumë humnerat, prandaj “zbresin” shpesh në to. Kadare paralajmëroi krisjen, rrënimin, prishjen e atij rendi, prej peshës së krimit dhe dhunës, mungesës së pendesës, mëshirës… Dhe, njëkohësisht nxiti, frymëzoni, ndriçoi lexuesit e tij, qytetarët e pambrojtur. Arti i tij është unik, si në fund të mijëvjeçartit të dytë edhe në fillimin e të tretit: I thellë deri në pafundësi, i pa kufi.
Vendi i shqiponjave, Shqipëria dhe vetë shqiptarët, historia e tyre e përgjakur, përbëjnë sfondin dhe thelbin e veprës tronditëse të Kadaresë. Në barbari dhe në liri, letërsia e Kadaresë ishte po aq arstistike, plot nëntekste, me reflektime të dyfishta, alegorike. Art i thellë, i pandalshëm, i egërsuar, kryeneç, me fuqi të pashtershme zbuluese të së keqes, antinjerëzores, të mbrapshtës, tiranive… Dhe shpesh herë sarkastik, shpërfillës deri në asgjësim… Shqipëria dhe shqiptarët krenohen me gjeniun e tyre që me artin e tij i ngriti në olimp.
Duke qenë shkrimtari kombëtar i shqiptarëve, Kadare u shdërrua shpejt në shkrimtarin gjeni të planetit.
Kritika botërore u mahnit nga thellësia e bukurisë së artit të Kadaresë dhe shpesh herë u shpreh se ky shkrimtar i madh botëror, ky gjeni, të kujton gjenitë e tjerë botërorë si Shekspirin dhe Danten, Servantesin apo edhe të tjerë si Franc Kafkën, Oruellin… Do të mjaftonte edhe vetëm ky përafrim hyjnor për të përfytyruar përmasat madhështore dhe thellësinë e artit të tij.
Më poshtë, disa episode e mbresa personale që lidhen me gjeniun Ismail Kadare:
I VETËM, KUNDËR GRABITËSVE TË ÇMIMIT KOMBËTAR
Në vitin 1989 isha pjesë e jurisë kombëtare për konkursin e 45 vjetorit të Çlirimit. Ishte vendosur që juria të mblidhej në një zyrë të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Do zgjidhej libri më i mirë i pabotuar. Juria përbëhej prej 13 anëtarësh dhe kryetar i saj ishte Thanas Leci. Pas shumë diskutimesh e seleksionimesh të librave të paraqitur, arritëm në takimin e fundit në të cilin do të votohej për fituesin e Çmimit Kombëtar. Ishte e Premte dhe të Hënën paasdite do shpallej fituesi. Përpara kishim një libër me tregime të Kadaresë dhe një tjetër, po me tregime, të Teodor Laços.
Shumica e anëtarëve të jurisë e kishin deklaruar ndërkaq votën e tyre. Kishin mbetur edhe dy-tri vota. Kryetari i jurisë, edhe pse nuk e kishte deklaruar votën, nuk e fshihte të parapëlqyerin e tij. Sikundër edhe shqetësimin pasi llogaritë e votave, me sa dukej, nuk ishin në anën e të preferuarit të tij. Në një moment ai tha: Tani e ka radhën Bujar Skendo. Ka rëndësi vota e tij sepse sjell, jo vetëm mendimin e vet, por edhe të gazetës “Drita” e të lexuesve të saj… M’u duk një e folur e paramenduar, cinike. Ndieva një lloj presioni. Sepse veç të tjerash më kujtoi edhe ku punoja… U ngrita dhe fola shumë shkurt: “Libri i Teodor Laços është libri më i mirë i shkruar prej tij, kurse libri i Kadaresë është libri më i mirë i paraqitur në konkurs”. Vetëm kaq. Dhe u ula. Rezultati ishte thelluar në favor të Kadaresë. Kryetari u ngrit i inatosur, përplasi letrat mbi tavolinën e tij dhe nisi të fliste për seriozitetin e munguar. Nuk bëri as ndonjë numërim të thjeshtë të votave për njërin apo për tjetrin, por na përzuri pa shkruar asgjë në proces verbalin e jurisë… Dolëm të gjithë në heshtje.
Kur bashkë me Ymerin Çirakun, edhe ky anëtar i jurisë, arritëm te kangjellat e Lidhjes së Shkrimtarëve, pamë Kadarenë që po zbriste nxitueshëm shkallët e jashtme dhe, po me aq ngut, u largua me një makinë. E paska marrë vesh votimin, i thashë Ymerit. Dhe tani, siç duket, po lufton që të mos ia grabisin. Me siguri, tha ai…
Atë pasdite u takova rastësisht me Dritëroin përpara Hotel Tiranës. Më pyeti, si shkoi votimi? Nuk përfundoi, iu përgjigja. Do mblidheni sërish të Hënën në mëngjes, më tha. Por, në fakt, nuk pati ndonjë njoftim as të Hënën në mëngjes, as në drekë. Ndërsa pasdite do shpallej fituesi në sallën e Lidhjes.
Në orën e caktuar, u takova sërish me Ymerin dhe së bashku zumë vend në sallën e tejmbushur. More vesh gjë kush është fituesi?, më tha ai. Jo, iu përgjigja. Ndërkohë në tavolinën e gjatë, të mbuluar me një mbulesë të kuqe, në krye të sallës, nisën të zinin vend Kryetari i Lidhjes dhe personalitete të tjerë. Midis tyre, edhe vetë Ismail Kadare. Si është e mundur, e pyeta nën zë, Ymerin. Fakti që Kadare është atje, do të thotë që ai është fituesi. Ashtu duket, m’u përgjigj ai. Përndryshe nuk do vinte fare. Salla e tejmbushur murmuriste. Tensioni ndihej që larg. Asgjë nuk ishte e sigurtë. Përveç faktit që Ismaili ishte ulur atje, në krye.
Kur u shpall fituesi dhe ai nuk ishte tjetër, veçse Ismail Kadare, salla shpërtheu. Tavani, gati, sa nuk u shemb. Madje shumë njerëz ngrinin sytë lart. Por nuk kuptohej, në shikonin tavanin, apo shumë më lart, drejt Zotit…
Më pas mora vesh se Kadare ishte njoftuar menjëherë, ndoshta nga Sami Çabej, anëtar i jurisë dhe admirues i njohur, për votimin e shumicës së jurisë pro librit të tij. Dhe, gjithashtu, mbylljen e mbledhjes pa shpalljen e fituesit. Mbledhja ishte ndërprerë dhe vendimi i jurisë ishte penguar e nuk u ligjërua asnjëherë… Por Kadaresë i mjaftonte edhe vetëm fakti që shumica e jurisë kishte votuar për të. Si një bishë e ndërkryer, i vetëm, ai ishte hedhur në sulm kundër grabitësve të Çmimit Kombëtar. Armiqtë e Kadaresë nëpër zyrat e shtetit deri lart në Komitetin Qëndror, kishin tentuar tia mohonin Çmimin. Por, me sa duket, të zënë në befasi, nga reagimi i sertë i shkrimtarit kombëtar, ishin tërhequr të frikësuar. U përfol që Foto Çami kishte thënë: Çmimi t’i jepej atij për të cilin juria kishte votuar në shumicë…
Vetëm pas kësaj Kadare kishte pranuar të zinte vendin e tij në tavolinën e gjatë në krye të sallës së Lidhjes, ku ai vetë do shpallej fitues.
PËR TË TJERËT DY FAQE GAZETE, PËR KADARENË DY KOLONA
Ishte bërë normë që kur organizohej diskutimi mbi botimin e veprave të zgjedhura të shkrimtarëve në Lidhjen e Shkrimtarëve, gazeta “Drita” i pasqyronte diskutimet në dy faqe të saj. Por nuk ndodhi kështu në rastin e Kadaresë. Seria e veprave të tij ishte botuar, por pa veprën e njëmbëdhjetë në të cilën do të duhej të ishte “Pallati i Ëndërrave”. Megjithatë disktutimet rreth veprës së plotë ishin serioze dhe vlerësuese. Unë isha ngarkuar nga redaksia të përgatisja një përmbledhje të diskutimeve për numërin e radhës të gazetës. Ndërsa isha duke punuar, vjen kryeredaktori dhe, pasi pa fletët e daktilografuara, më pyeti: Hë, si po shkon? Mirë, iu përgjigja. Jam diku nga gjysma e shkrimit. Jo, jo, më thotë. Nise nga e para dhe do jetë dy kolona, jo dy faqe gazete… Desha t’i thoshja diçka, por u ndala kur vura re që ishte i prerë në fytyrë, i turbulluar. Ngriti supet dhe u largua… Ishte e qartë që kishte marrë urdhër të prerë.Ishte stina e dhunës shtetërore ndaj shkrimtarit të madh me periudha ndalimi të botimit, me bllokim veprash të botuara, me paraqitje prej dy kolonash në gazetën e vetme letrare kombëtare…
PAS IKJES NË FRANCË EMRI DHE VEPRA E KADARESË NUK PËRMENDEJ NË ARTIKUJT KRITIKË
Në Nëntor të vitit 1990 u mbajt në Korçë Konferenca e talenteve të reja. Në seksionin e kritikës letrare ishte i pranishëm, përveç Kryetarit të Lidhjes Dritëro Agolli edhe Foto Çami nga Byroja Politike. Në diskutimin tim theksova se që pas largimit të Kadaresë në Francë, shkrimet kritike që na vijnë në gazetën “Drita” nga kritikë e studjues të njohur, nuk i përmendin as veprat e Kadaresë dhe as emrin e tij. Kjo e ka shtuar edhe më shumë varfërinë e kritikës dhe skematizmin e saj. Në këtë moment më ndërpret Foto Çami. Keni ndonjë udhëzim për këtë gjë, më pyeti ai. Jo, iu përgjigja. Por vetë kritikët e studjuesit, vullnetarisht, nuk e përfshijnë Kadarenë.
“SHKRIMET KRITIKE I PRISHIN SHKRIMTARËT”
Përgjatë vitit 1990 në Lidhja e Shkrimtarëve dhe Arstistëve organizoi diskutime të hapura për gjini të ndryshme letrare e artistike. Ishin disktutime me një frymë disi liberale dhe tonin ua jepte vetë kryetari i Lidhjes Dritëro Agolli. Kishte rastisur që një ditë përpara se të diskutohej për romanin dhe problematikën e tij, unë kisha botuar në gazetën “Drita” një shkrim analitik mbi stilin dhe mjetet të reja moderrne shprehëse në disa romane të botuar gjatë atij viti, midis të cilëve edhe “Dosja H” i Kadaresë dhe “Pushimet e kolonelit” i Teodor Laços. Në fjalën e tij Dritëroi e kritikoi shkrimin duke thënë se “artikuj të tillë kritikë i prishin shkrimtarët me lavdërimet e tepëruara që u bën”. Kuptova që e kishte fjalën pikërisht për romanin e Kadaresë, vlerësimet për artin romanesk të të cilit, zinin pjesën më të madhe të artikullit tim. Pas disa ditësh i shkova në zyrë. M’u duk se e kishte harruar fare kritikën që më kishte bërë. Kur unë ia kujtova, tha përsëri të njëjtën: Po, ju i bëni shkrimtarët t’u rritet mendja… U krijua një heshtje. Në atë moment, për fat, hyn Teodor Laço, mik i hershëm i Dritëroit. Hë, tha ai, për çfarë po bisedoni. Për artikullin tim të së Dielës, i thash unë. Me lavdërime të pamerituara, tha Dritëroi. Po mirë kryetar, ndërhyri Laço, ti vetë po flet nëpër diskutimet e fundit për më shumë liri shprehjeje, për mendime të ndryshme… Në këtë kuptim, nuk m’u duk të kishte ndonjë gjë të ekzagjeruar në artikullin e Bujarit…
JU E LEXONI KADARENË MË SHUMË POR E DONI MË PAK
Në Prill të vitit 1991 isha i ftuar nga Teatri Shqiptar i Shkupit për të ndjekur premierën e një shfaqjeje. Në kafen e teatrit u takova me Musa Ramadanin dhe Beqir Mysliun, shkrimtarë të njohur nga Prishtina. Më herët kisha recensionuar për Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” një roman të M. Ramadanit, me propozimin për t’u botuar. Dhe ai e dinte këtë gjë. U bëmë menjëherë miq. Pas shfaqjes u takuam sërish dhe në bisedë e sipër, u thash se të vija deri këtu e të mos bëja edhe një hap më shumë deri në Prishtinë sikur nuk shkon… Do vimë ne të të marrim, më premtuan. Dhe ashtu u bë. U nisëm një prag mbrëmjeje, ndërsa rruga për në Kosovë patrullohej nga ushtarë serbë të armatosur rëndë. Natën e parë bujta në shtëpinë e Musait duke biseduar për romanin e tij që, për mund të botohej në Tiranë, për letërsinë… Dhe për praninë e shtuar të ushtrisë serbe në Kosovë. Hijet e luftës së mundëshme ndiheshin gjithandej. A mund të na ndihmojë Shqipëria me armatim?, më pyeti Beqir Musliu. Ne dimë që keni avionë “Fantom 3” dhe shumë armë moderrne, shtoi ai… Këta Fantomët nuk i kemi parë as në ëndërr, i thash. Për të tjera, po… Kështu kaloi ajo natë e trazuar e shoqëruar me jehonën e zhurmës së çizmeve të ushtarëve serbë nëpër rrugët e Prishtinës. Të nesërmen u nisëm për te redaksia e gazetës “Rilindja”, botimi i së cilës ishte ndërprerë prej disa muajsh nga Beogradi zyrtar. Kaluam kryqëzimin e rrugës pranë Hotel “Grand”, të mbushur me militarë e paramilitarë serbë. “Ne nuk futemi më në “Grand”, më tha Musai… Madje, tani, as vështrimin nuk e hedhim andej”…Ndërsa ishim në një nga zyrat e gazetës, në mënyrë të papritur, u mblodhën njëzetë a tridhjetë gazetarë, të cilët edhe pse nuk punonin më, vinin aty për çdo ditë. Të gjithë të heshtur, të ngadaltë, të zymtë. Por sapo ra fjala për Kadarenë, ata lëvizën të tërë dhe u afruan… Biseda e tëra ishte për Kadarenë dhe romanet e tij. Ju në Shqipëri, tha njëri prej tyre, e lexoni më së shumti Kadarenë, por e doni më së paku. Kurse ne këtu në Kosovë, e lexojmë më së paku, por e duam më së shumti. Mbeta pa fjalë për atë të vërtetë vrasëse. E dija adhurimin e lexuesve të thjeshtë për Kadarenë, por dija, gjithashtu, edhe urrejtjen e partisë shtet ndaj shkrimntarit gjenial. Kurse në Kosovë e çmonin, e idealizonin, e admironin të gjithë, si ata që e lexonin, edhe ata që nuk lexonin asgjë, ose nuk dinin të lexonin…
KUSH KA FITUAR ÇMIMIN E JERUZALEMIT, MË PAS KA FITUAR NOBELIN
Në fund të misionit tim diplomatik në Bullgari dhe në pritje për t’u nisur për në Izrael, Ambasadori i Shtetit të Izraelit në Sofje, Noah Gal Gender, më telefonoi dhe pasi më uroi, më ftoi për kafe. Ishim miq dhe më herët ishim takuar shpesh. Më kishte thënë se kishte lexuar disa romane të Kadaresë, të përkthyera në gjuhën ebraishte dhe ishte admirues i artit të tij. Nuk e fshihte gëzimin për emërimin tim Ambassador në vendin e tij. (Më pas, edhe ai do caktohej Ambasador i Izraelit në Tiranë). Do të doja tju sugjeroj dy gjëra, më tha ai, në bisedë e sipër: Vizitën e parë do ishte mirë t’a bësh në Yad Vashem. Në Muzeun i Holokaustit, ku do gjeni edhe këndin e shpëtimit të ebrejve nga Shqipëria dhe shqiptarët. Së dyti, më tha ai, në Jeruzalem funksionon një Komitet që akordon “Çmimin e Jeruzalemit për Letërsi”. Kadareja, sipas mendimit tim, e meriton atë Çmim. Dhe më pas shtoi: Ata shkrimtarë të mëdhenj botërorë që kanë fituar Çmimin e Jeruzalemit për letërsinë, më pas kanë fituar Çmimin Nobel…Kur pas një muaji shkova në Izrael, vizitën në Zad Vashem e kisha renditur ndër të parat vizita. Po ashtu, edhe takimin me kryetarin e Komitetit të “Çmimi i Jeruzalemit për Letërsi”. Ai e mirëpriti propozimin tim dhe më premtoi se do jepte porosi që dosja e Ismail Kadaresë të përgatitej. Ishte fjala për një Çmim për të cilin do të duheshin një apo edhe dy vjet punë, seleksionime, diskutime, vendime… Më pas, për fat të keq, ai u sëmur dhe pas ca kohësh ndërroi jetë. Por proçedurat e “Çmimit…” vijuan. Kadare e mori “Çmimin e Jeruzalemit në Letërsi” një vit pasi unë isha larguar nga Izraeli…
TE BAR JUVENILJA: A NA DUAN NEVE ATA BULLGARËT?
Ndodhesha në Tiranë për pak kohë, në pritje për t’u nisur për në Izrael, kur miku im Bujar Hudhri, botuesi i mirënjohur i Kadaresë, më mori në telefon dhe më tha se Ismaili e ka marë vesh që je caktuar Ambasador në Izrael dhe do të të takojë. Do ishte kënaqësi e madhe për mua, i thash, por unë nisem për dy ditë. Mirë, do ia them Ismailit, tha ai. Pas ndonjë ore më mori sërish në telefon: Nesër në orën 11.00 do takohemi te Juvenilja. Ismaili i anulloi tërë takimet që kishte planifikuar dhe në orën e caktuar do jemi bashkë te Juvenilja… Folëm për shumëçka: Për kombin dhe sulmet që i bëhen kombit tonë nga disa shqiptarë etj. Në një moment, Kadare befas më pyeti: A na duan neve ata bullgarët? Iu përgjigja se bullgarët i kanë përcaktuar prej kohësh, si miqtë edhe armiqtë. Qysh në kohët e mbretërisë. Por neve na kanë mbështetur shumë këto vite. Madje edhe kanë lobuar për pranimin tonë në NATO si dhe në BE për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
E di gjendjen e Ambasadës sonë në Izrael nga ish-ambasadori, më tha më tej në bisedë. Por ti mos u dorëzo. Është i rëndësishëm Izraeli për ne… I tregova për bisedën me mikun tim, ambasadorin e Izraelit të Sofje Noel Gal Gender, adhurues i romaneve të Kadaresë dhe sugjerimin e tij lidhur me “Çmimin e Jeruzalemit në letërsi”…
LIDHJA E SHKRIMTARËVE GËLONTE NGA SPIUNËT
Po te Bar Juvenilja, disa vite më vonë. Kadare kishte botuar librin “Kohë për rrëfim”, Dialog me Alda Bardhylin, dhe unë i shpreha konsideratat e mia më të larta dhe e urova. Të pëlqeu, vërtet, më tha. Po, iu përgjigja. Veçanërisht pjesët ku portretizoni shkrimtarët e viteve ’30 dhe që ishin shumë moderrnë në stil, në problematikë. Po, tha Kadare, shumë moderrnë. Por nuk kam parë të shkruhet ndonjë roman për ndonjë prej tyre.
Pastaj biseda kaloi te Lidhja e Shkrimtarëve. Një miku im Profesor, Petagog Universiteti, i thash, për interesat e tij shkencore kishte punuar disa kohë te Autoriteti i Dosjeve. I kishin rënë në dorë edhe dosje të spiunëve të Lidhjes së Shkrimtarëve. Ishte habitur sa shumë spiunë kishte pasur në atë godinë. Por njëri, F.S. ishte kampion. Dosja e tij ishte më e trasha. Edhe ju në gazetë kishin nja tre a katër, V.K.,L.B.,M.R… Po, tha menjëherë Kadare. Lidhja gëlonte nga spiunët. Ishte institucioni më i survejuar në Tiranë. Spiunë të brendëshëm, të njërit apo të tjetrit personalitet të Lidhjes, apo edhe i të dyve bashkë… Spiunë të Sigurimit të Shtetit. Spiunë të Komitetit të Partisë…
JEHONA E LIBRIT “KUR SUNDUESIT GRINDEN” NË BRITANI TË RISJELL NË MEND ÇMIMIN NOBEL
Sërish te Bar Juvenilja me Kadarenë. I pranishëm ishte edhe poeti i mirënjohur Sadik Bejko. Besoj se ndiheni dyfish i lumtur, i thash shkrimtarit të madh, gjeniut Ismail Kadare. Së pari që po jetoni vërtet gjatë dhe jeni një gjeni i gjallë. Dhe së dyti, përkundër disa shkrimtarëve të mëdhenj botërore, madje edhe nobelistë, që duke jetuar gjatë bëhen dëshmitarë të harresës dhe humbjes së veprës e të emrit të tyre, ju po përjetoni pikërisht të kundërtën. Veprat tuaja botohen, përkthehen, për to publikohen artikuj kritikë, e madje edhe propozohen për çmime të mëdha… Po, tha Kadare. Dhe ky fakt më gëzon. Rikthimi i vrullshëm në vëmendje i veprës “Kur sunduesit grinden” në Britani ishte i papritur shtoi ai. Kjo është një shenjë e mirë, tha Bejko. Asociacionet e kësaj vepre dhe disa elementë përbërës të saj, mund ta çojnë Kadarenë te “Nobeli”. Pasternaku dhe Stalini diktator, Kadare dhe Hoxha diktator…, besoj se nxisin mendjet njerëzore për Nobelin e merituar të Kadaresë, përfundoi ai…