More
    KreuOpinionBujar Hudhri: E vërteta e "zhdukjes së librave" të Virion Graçit nga...

    Bujar Hudhri: E vërteta e “zhdukjes së librave” të Virion Graçit nga panairi dhe mashtrimi i tij me dorëshkrimin e romanit të ri

    Shumë vite më parë, një shkrimtar  francez, librat e të cilit kishin krijuar stoqe në depo dhe librari,  u rrëmbye ditën për diell ndërsa kthehej në shtëpi. Kjo ngjarje bëri bujë falë shtypit dhe televizionit. Ndërkohë që po kërkohej nga policia si një qytetar i rrëmbyer, njerëzit i mësuan më në fund emrin shkrimtarit dhe mësynë në të gjitha libraritë e vendit dhe shitjet e librave të tij arritën  kulmin. Pas dy javësh, një mëngjes të bukur, ky shkrimtar mediokër u vetëdorëzua në rajonin e policisë së kryeqytetit, ku pranoi para mediave se vetërrëmbimin e kishte bërë për të reklamuar librat e tij meqenëse nuk i blinte askush.

    M’u kujtua kjo ngjarje këto ditë, kur krejt papritur, homologu i tij shqiptar, shkrimtari Virion Graçi, shpalli në rrjetet sociale se librat e tij ishin zhdukur nga stenda e panairit (“ishin rrëmbyer” do të thonim me këtë rast) dhe prapa kësaj hataje ishte botuesi i tij.

    PSE LIBRAT E AUTORIT VIRION GRAÇI NUK ISHIN NË STENDËN “ONUFRI”

    Prej ditësh autori Virion Graçi shpif, mashtron dhe fyen pa ndalim shtëpinë botuese “Onufri” me fjalët dhe shprehjet nga më të ulëtat, prej të cilave po veçoj vetëm etiketimin “mesjetar-fashist-stalinist”, duke nxitur në rrjetet sociale një lumë sharjesh nga më monstruozet.

    Në këtë shkrim nuk do të bëj debat me autorin. Është tjetërkund vendi i përballjes së shtëpisë botuese “Onufri” me autorin Virion Graçi. Avokati ynë ka përgatitur padinë dhe do të jetë Gjykata e Tiranës që do të vendosë se nga anon e drejta.

    Në nderim të lexuesit shqiptar, për përdoruesit e rrjeteve sociale që janë keqinformuar nga autori Virion Graçi dhe në veçanti për autorët e shtëpisë botuese “Onufri”, bashkëpunëtorët dhe familjen time, që nuk u shpëtuan as ata fyerjeve të tij, do të shpjegoj se çfarë ka ndodhur konkretisht.

    Kudo në botë panairet nxjerrin para publikut arritjet më të reja që janë bërë brenda një viti në fusha nga më të ndryshmet. “Onufri” ka një nga stendat më të mëdha në panair, por me kalimin e viteve hapësira po bëhet gjithnjë e më e ngushtë nga botimet e reja, ndërkohë që është rritur hapësira ku mblidhen autorët, përkthyesit, bashkëpunëtorët dhe lexuesit për të ndjekur promovimet e për të marrë autografe nga autorët.

    Mbeten për ekspozim 15 tryeza me përmasa 1m x 1m. Pra, gjithsej 15 m2. “Onufri” është botuesi ekskluziv i dy klasikëve shqiptarë, Kadare dhe Martin Camaj, dhe veprat e tyre kërkohen nga lexuesi. “Onufri” është gjithashtu botues ekskluziv i Markezit dhe lista e librave të tij u shtua këtë vit me kryeveprën “Vjeshta e patriarkut”.

    Në stendën “Onufri” këtë vit u paraqitën me libra të rinj afro 30 autorë të njohur, si Mira Meksi, Zenullah Rrahmani, Zija Çela, Besnik Mustafaj, Rita Petro, Aurel Plasari, Visar Zhiti, Rudolf Marku, Elida Buçpapaj, Skënder Buçpapaj, Arben Dedja, Adil Olluri, Agron Tufa, Ridvan Dibra, Andreas Dushi, Nasi Lera, Liridon Mulaj, Ndue Ukaj, Dhimitër Pojanaku, Artur Spanjolli, Shkëlqim Çela, Eir Plasari, Niko Kacalidha, Mimoza Hasani, Alisa Velaj, Roland Qafoku, Bujar Skëndo, Luan Rama, Rikard Ljarja, Luan Rexha, Kudret Kokoshi etj.

    Ndërkohë, shumë autorë të tjerë të njohur nuk kishin libra të rinj këtë vit tek “Onufri”, çka është normale. Nuk kishte libër të ri të botuar as autori Virion Graçi. Ja enigma e madhe, pse mungon ky autor në stendën “Onufri”. Kaq e thjeshtë është! Vërtet mund të ekspozohen edhe libra të botuar vite të tjera, por janë libra që lexuesi i kërkon gjithmonë dhe në panair ka rastin t’i blejë me ulje çmimi. Po përse jo librat e autorit Virion Graçi,  mund të shtrohet një pyetje normale. Dhe përgjigjja është: me financat e veta “Onufri” i ka botuar autorit Virion Graçi katër romane. Ka rezultuar, për fat të keq, që librat e tij të jenë njëri më i pashitur se tjetri. Ka qenë një nga habitë e mia se si nuk ka lexues, ky autor, me një përvojë të gjatë tridhjetëvjeçare, profesor i letërsisë, studiues dhe kritik letrar dhe i pranishëm përherë në shtypin shqiptar. Që autori Virion Graçi nuk ka lexues ky përfundim del sipas të dhënave të financës së “Onufrit”, bazuar në raportet që vijnë nga libraritë (kjo është lehtësisht e verifikueshme, sepse librat shiten me faturë tatimore). Atëherë ç’kuptim do të kishte që një autor, veprat e të cilit nuk shiten gjithë vitin, t’u zënë hapësirën librave të rinj në panair? Përveç kësaj, panairi është i hapur katër ditë e gjysmë. Ndërsa librat e autorit Virion Graçi, së bashku me dhjetëra autorë të tjerë, ndodhen në librarinë “Onufri” në rrugën “Myslym Shyri” dhe në të gjitha libraritë fizike dhe online të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Atëhere, nga del përfundimi se u zhdukën librat e autorit Virion Graçi?

    Ajo që më shqetëson më shumë është se autori Virion Graçi e di mirë se librat e tij janë kudo në biblioteka dhe librari, ndërkohë keqinformon me vetëdije në rrjetet sociale, duke përfituar nga pozicioni i tij si shkrimtar përballë një botuesi, dhe shkruan përditë se pikërisht, botuesi i tij “mesjetar-fashist-stalinist” i ka zhdukur librat. Më shqetëson edhe një fakt tjetër. Autori Virion Graçi, ndërkohë që flet për librat e tij të vjetër që qenkeshin zhdukur nga botuesi, nuk përmend një gjë më shqetësuese për atë si shkrimtar: “Onufri” nuk i ka botuar dorëshkrimin e romanit të ri! Po përse nuk e përmend këtë fakt? Sepse kjo e nxjerr zbuluar se nga buron  urrejtja, hakmarrja, denigrimi dhe poshtërimi e tij ndaj “Onufrit”.  

    HESHTJA E AUTORIT VIRION GRAÇI PËR ROMANIN E TIJ TË RI

    Megjithëse i kisha botuar katër romane autorit Virion Graçi dhe shitjet kanë qenë shumë të pakta, e pyeta në muajin korrik të këtij viti nëse kishte në proces ndonjë libër të ri për panair. U gëzua shumë dhe pas një jave, më 19 korrik 2022, më dërgon një roman me titullin “Vëllai im, Abeli”.

    Member Service <viriongraci@yahoo.com>

    Attachments

    Tue, Jul 19, 1:20 PM

    to me

    Pershendetje shef Buari,

    po te nis materialin, “Vellai im, Abeli” me shprese se eshte dicka qe ia vlen disi,

    virin

    (Lexuesi mund të verifikojë lehtë kujdesin që i kushton drejtshkrimit autori)

    E mora “materialin” nga e-maili i autorit Virion Graçi dhe nisa ta lexoj. Qysh në faqet e para më dukej sikur e kisha hasur diku këtë dorëshkrim. (Të gjithë autorëve që vijnë tek “Onufri”, për të krijuar një ide të saktë për ta, mundohem t’u lexoj edhe librat që kanë botuar te kolegët e mi.) E lexova deri në fund dhe u binda se dyshimi im nuk kishte qenë i kotë. Autori Virion Graçi më kishte sjellë si dorëshkrim një libër të botuar më parë në Prishtinë nga “Buzuku” i Abdullah Zenelit. Komunikova me kolegun nga Prishtina, i cili më tha se jo vetëm që  ia kishte botuar këtë roman, me titullin “Djali memec”, por edhe i kishte dhënë çmimin e dytë në një konkurs të 25-vjetorit të Buzukut, madje edhe një shpërblim prej 750 eurosh për çmimin.

    U ndjeva aq ngushtë nga gjithçka mësova prej “Buzukut” dhe nuk dija si të dilja nga ky qorrsokak. Pas ca ditësh më telefonoi autori Virion Graçi dhe më pyeti a kisha vendosur ta botoja. Isha në një kryqëzim duke drejtuar makinën dhe i thashë shkurt: e lexova dorëshkrimin, por, që të bindem, dua ta lexoj edhe një herë. Dhe ia mbylla telefonin, sepse trafiku po rëndohej edhe më tepër. Pas pesë minutash më vjen një mesazh nga autori Virion Graçi:

    “E mërkurë, 21 shtator 2022

    I dashur Bujar. Te lutem mos humb kohe per te rilexuar doreshkrimin. Çdo rilexim, edhe i kryeveprave te sprovuara, te emocionon gjithmone e me pak krahasuar me leximin e pare, nga pervoja e pergjithshme. Ky eshte liber i botuar ne prishtine nga buzuku ne 2017 me titullin Djali memec. Per ta pasur ne shqiperi dhe me nje zhvendosje te theksit te vellavrasja e jo te mosshprehja/memeceria e individit, thashe ta botoja…” 

    Autori Virion Graçi, si ai që e ka mizën në kësulë, i shqetësuar se mund ta kuptoja mashtrimin e tij me dorëshkrimin, më dërgon këtë mesazh në WhatsApp, ku mund të shihet qartë edhe aftësia drejtshkrimore e profesorit të letërsisë shqipe dhe autorit të disa romaneve.

    Kaloi një periudhë heshtjeje midis nesh, derisa një ditë e shoh rastësisht duke dhënë një intervistë televizive ku po fliste për letërsinë shqipe dhe sipas tij, problem në Shqipëri ishin bërë shtëpitë botuese që kanë edhe shtypshkronja. Në Perëndim është e ndaluar, përfundoi autori Virion Graçi intervistën për hallin e botimeve në shqip. Të jem i sinqertë, u ndjeva shumë keq. “Onufri” ka shtypshkronjën e parë private në Shqipëri dhe është botuesi i autorit që po intervistohej.

    Edhe tri ditë fillonte Panairi XXV i librit.

    Të nesërmen i shkrova një mesazh në WhatsApp:

    “E hënë, 14 nëntor

    I dashur Virion,

    Të ndoqa në një intervistë dje dhe u habita se si qenkan pengesë për autorët, botuesit që na paskan shtypshkronjë. Arsyeja? Sepse nuk u tregojnë autorëve shitjet. Me një fjalë, po u vjedhim fitimet. Kështu? Nuk pres nga asnjë autor mirënjohje, sikundër nuk meritoj të tilla insinuate. Se sa libra të janë shitur, mund ta gjesh shumë lehtë në librari. Një numër i madh prej tyre nuk i pranojnë fare autorët shqiptarë (me siguri e di më mirë sesa unë), por kam këmbëngulur t’i botoj autorët shqiptarë dhe veçanërisht, librat e tu. Jo për të fituar unë si botues, por letërsia shqipe. Ndërkohë që letërsia e huaj është aq e mirëpritur nga lexuesi dhe je i fituar materialisht dhe moralisht. Dhe nuk të zhgënjen as autori dhe as libri! Të uroj një javë të mbarë.”

    Autori Virion Graçi përgjigjet:

    “Une fola vetem per nje praktike qe e ka perendimi. Me duket se e theksova. Jam aq fisnik, besnik e mirenjohes sa ti e ke veshtire ta imagjinosh. Kaq po te them.”

    Botuesi Bujar Hudhri:

    “Perëndimi, i dashur Virion, nuk mund të pranojë që të mashtrojë botuesin, apo jo? Unë të kërkova një libër të ri, ti më dërgove një libër të vjetër, i kishe ndërruar vetëm titullin dhe i kishe shkurtuar vetëm katër fjali. (Për më tepër: pikërisht për këtë libër, sikundër më tha Abdullah Zeneli, kishe marrë çmimin e dytë dhe 750 euro nga “Buzuku”.) Gjithë të mirat.”

    Shpërthimin e autorit Virion Graçi, kur ia thashë të vërtetën, që më mundonte prej kohësh (por që nuk kisha dashur t’ia thosha asnjë shkrimtari në botë, për të mos e lënduar), mund ta vëreni në mesazhin e tij:

    “A nuk te thashe?? Dhe ndryshimin nuk e bera per mashtrim.por per qellim orientimi tjeter ideor. Ti me bere nje telefonate te me fyeje. Nuk ta kam kthyer kusurin. Me ke thene: pse te urrejne… e kishe fjalen per rrethin tend shoqeror qe dalin ne media e juri. Edhe ti je njeri prej tyre. Ndaj 27 vjet kurre nuk te ftova per kafe, ndaj 27 vjet kurre nuk ta solla nje liber. Dhe kafen e “sqarimit” qe pime me ismailin doja ta lija ne mes e tu lija ne paranojat e thashethemet tuaja, por ndenja vetem se isha i lare. Harroje kete numer telefoni. Mu hiq sysh.”

    Ky mesazh i shkruar përçart tregon shumë.

    Së pari, ai pranon mashtrimin që më ka bërë. Pasi më dërgoi dorëshkrimin në datën 19 korrik 2022, më paska thënë pas dy muajsh, më 21 shtator, që e paska botuar te “Buzuku”.

    Po mirë, i dashur Virion, sepse ende s’po e besoja.

    Së dyti, ky mesazh tregon qartë pozitën time të vështirë përballë kolegut tim të nderuar, “Buzukut”, i cili kishte të drejtën të më padiste në gjyq.

    Së treti, paskam bërë telefonatë ta fyeja?! Unë, i dashur Virion, të kam bërë një telefonatë për të të kërkuar një libër të ri, çka është një ftesë dhe festë e rrallë për shumë nga autorët e letërsisë shqipe.

    Në 27 vjet, më shkruan që nuk më ke ftuar një herë për kafe. Po, është e vërtetë, i dashur Virion, nuk më ke ftuar. Por, ama, kemi pirë kafe shumë herë bashkë.

    Nuk e dija se paske qenë si mbi gjemba kur pimë kafe me z. Kadare (dhe jo ismalin, siç e shkruan ti). Po pse kështu, ngaqë zoti Kadare të gjeti atë titull të bukur për romanin tënd “Pëllumbat i vrasin natën”, kur ti e kishe me titullin “Plumba dhe pëllumba”? Dhe pikërisht, atë ditë të pagëzimit nga Kadareja të titullit të romanit tënd, ti, i dashur Virion, na paske lënë mua dhe zotin Kadare, në paranojën tonë të thashethemeve?! Kurse ti vetë na paskesh qenë i larë! Ok, i dashur Virion, e pranoj, se qenke  i larë, por pranë shqipes, ama, je i panxënë, ndaj shko mëso se alfabeti ynë ka edhe shkronjën “ë” dhe emrat e përveçëm shkruhen me germë të madhe. Kudo. Në çdo rast.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË