Lindi më 24. 05. 2007 në qytetin e Shkodrës.
Studion në vitin e dytë, në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër.
Pjesëmarrëse në shumë aktivitete shkollore dhe jashtëshkollore. Fituese në disa çmime në prozë, ese, poezi dhe interpretim.
Më të dalluarat janë:
Çmimi i parë në Olmpiadën e Gjuhës dhe Letërsisë
Çmimi i tretë në interpretim në konkursin “Talentet në Medrese’’ mes të gjitha medreseve në Shqipëri.
Çmimi i parë në projektin “Nxitja e talenteve të reja” , me poezinë “Kush tjetrin gjeti?” Biblioteka “Marin Barleti”, Shkodër 2023.
DUA TË PROVOJ
Fillojnë zogjtë të fluturojnë
Fluturimi nis atje larg zhgjetuar
E unë si zog i trembur i vërej
Me kokën lart duke ëndërruar
Mbi turmën pa kapur të parin
S’munda të mund botën e udhëtarit
Zogjtë tregojnë dihatjen e guximit
Brenda brendi të ngrohtë në të ftohtë
Veç prap largohen atje mes sfurqesh pa kufij
Ku triumfi e di historinë e një bote plot befasi
Sa mungon ky zog i lirë në këtë dritare
Ku brenga duhet me u nda
E me u ba tok, shok me atë
Veç duke u pa
Atje larg ku zëri shtegton
Dhe buçet shkulmi i erës nga turma
Vazhdon furishëm-furishëm ndihet
Gjersa, fare bosh
Shtigjeve asnjë harabel
Nepër agime nuk mbeti
Ajo që mban nuk është vetëm ajër
Se zogu do dritë kur të pret
Por njeriu nuk e pret vetëm me verë
Zogu s’ndalet në fluturim hedhur
Në çdo orë unë e pres heshtur
Se mos mua më sheh në atë agim
Ndoshta vjen tek një përqafim
Nga dritarja e shatorres
Kur unë t’a shikoj në vendin tim
Dije se do jem me duar hapur
Dhe shok me zogun
Tërë jetën pa asnjë dyshim
PA FRE
Rrkaj derdhen
Drejtëzat e kënaqësisë
N’sa drithtime
Shkrepen e përtërihen
Posi dy shkndija
Në dritën e synit
Qashtu luajnë ritmin e andrrimit
Nën hijet e shpijave mbulu me ar
Nën hijet e shpijave t’ tymueme të zeza
Ato nuk flasin po unë i përtërij për tjetrin gzim
Që të kem dellin e gazit
Shfaqjen e marazit
Në një grusht të fuqishëm
Të rreckum
Nga letrat e ndyra të avazit
Ah të gjeja gjithkund këtë pjesë
Do thurja tinguj t’argjantë
Të mbytur për një simfoni
Simfoni që të mbyll sytë
E rreh prej fellsinës pa marrun frymë
BORËBARDHË RELIKAT E MIA
Thellë në shtëpitë përdhese
Luajnë bindshëm shirat e dëbora prap’ vjen te pragu
Thellë mbulu relikat e mia afër tokës sikurse edhe fëmija
Të cilat qëmoti s’i zbuloi nëna e as babai
Të cilat dëgjojnë në gjumin e tyre të pabindshëm
Thellë brenda meje më kërkojnë njëherë dhe dy
Në këtë natë po sidomos në këtë ditë gjëmueshëm
Mendimet
Të cilat shpërthejnë në një anë tjetër
Në një shtëpi të re në majë të një shpati
Të përqafun me diellin për së gjati
Andje e përplasun
Ku fle njëherash dimri që s’kuptohet
Ku gjeli këndon si pranverë që vjen
Thuajse mirësi e fatit
Veç unë i njoha ato kërcëllima
Vazhdojnë më ndjekin si fëmija nënën
Oh edhe shirat përpara meje ndodhen
Kështu relikat e mia të pafat
Mbushin oborrin me vargjet e të bardhës
‘’Borë në këtë rrugicë shiu të shikon apo jo?’’
Lindja është afër më thonë kur ti shkrin
Por lindja gjëkundi s’duket dhe në pranverë
Sidomos ‘’A të mjafton pritja?’’
Shikimet e molisuna pastaj
Lamshet ngadalë-ngadalë më mblidhen ndër fyt
E ti përsëri-borë nuk shkrin së prapthi
Luan me stinët e jetës që ngelën
Një lojë me emër ‘’Borëbardhë relikat e mia’’
Por unë nuk të dëgjoj mirë
Veçse në formën e vesës
Ndaj vazhdo
Mos e freno hapin në asnji mal
Ti vazhdo lundro me hope
Unë po largohem
Dhe pritja sendet t’i mbështjellë
Deri atëherë..
KUSH TJETRIN GJETI?
Vjeshta që erdhi
Humbi pa u turrë
mbi tokën zverdhur
Që arratisej mbi gurë
Mbi tisin e vakët
Shushatja e pemëve
Në të ëmblën fytyrë
Shushat jo pak dhe jetën
Në cepëzat e syrit
Dallohet malli
Dallohet e para n’radhë
Loja kukafshehti ”kush tjetrin gjeti?”
Dikur zërat çuçërasin
Dikur lulet i njom edhe shiu
Largohet dhe vapa
Përmbyllet edhe shfaqja
PËRBALLË KA NYJE
Afër botës ulun
Më kundron aroma pranverë
Se aty gjej trëndafila të paçelun
Trëndafila pa erë
Të pushtum në oborrin e heshtun
Ku të gjithë dalëngadalë a shpejt përnjiherë
T’ishim aq të njoftun
Si unë dhe ti aherë pa u njoft
Ndoshta në të thatin trëndafil
Do kridheshin petlat
Sikurse në ditë me erë
Ku rrezet vrullojnë
Dhe s’asht habi me i ndje
Në strukat ma t’bluta mes tyne
Dale prit edhe pak në atë parvaz
Se mos ndoshta edhe në vallëzim
Me sytë mbyllur do ndryshojmë
Si herën e parën tuj pyt