More
    KreuLetërsiBibliotekë"Borë e zezë", tregime nga Agron Tufa

    “Borë e zezë”, tregime nga Agron Tufa

    KATËR QEN TË BARDHË

    i

    Katër qen lëshohen rrufeshëm drejt meje, me më prishë. Dy të mëdhenjtë arrijnë mes të vreshtit. Kam veç një shkop frashni në dorë. U hodhën ajër, me më shqye, por i prita me shkop kresë, njërin mbas tjetrit. Ranë coftë tokë, bashkë me copat e shkopit, që u thye në goditjen e dytë. Po atë grimë, ndjeva prapa thembrave kafshimin e qenve të vegjël. Nuk i shmanga dot…

    ii

    Me del gjumi, por ende ka natë. Nga frëngjia e vetme e qelisë hyn thëllimi me kundërmimin e dëborës së parë. Vjen së largu, si e bjerrë, kënga e gjelave të tretë. Pas 9 muajsh hetuesi të egër po gdhin kështu dita e gjykimit tim. Me ato 4 nenet e tmerrshme… dhe atë, dëshmitarin kyç, Veli S…! Sa qen m’u shtirën në ëndërr? Katër… Të bardhë, të bardhë… Aq sa nenet e akuzës sime: dy të mëdhenj, të frikshëm, dhëmbëçataj e sykuqë, dhe dy të tjerë, të vegjël, me dhëmbët brisk. Si nenet e akuzës sime: dy që të marrin jetën, dy të tjerë që të marrin disa vite jetë. Me bashkim nenesh, të çojnë në pushkatim. Pjesa tjetër dihet: pleqtë, gruaja, pesë kalamajtë… dhe rrugët e pasosura të internimeve… Por, në qoftë se 4 qentë e ëndrrës janë 4 nenet e akuzës sime, puna nuk është keq. Kurrë nuk i kam besuar ëndrrat. Por sot… sot s’kam ku të kapem.

    iii

    – Këtë kokë, zëre se s’e ke më tënden! Do të ta shkulim prej supeve, si një rrepë! – më kërcënon ndër dhëmbë hetuesi im, kapiten Kote. Nuk i kthej përgjigje. Habitem me ndjesinë e mirë që kam përbrenda. Sallë gjyqi. Fytyra krejt të panjohura. Fillon seanca me nenet e vogla: 1. “Moskallzim bisedash armiqësore dhe pengim të organevet hetuese” dhe 2. “Armëmbajtje pa leje”. Mbrojtja ime bie ndesh me dëshmitarë dhe prova. “Dy qentë e vegjël të ëndrrës kafshuan”, – mendova. Gjithçka e vendos seanca e pasdites.

    iv

    Lexohet akt-akuza: 1. “Tentativë arratisje në grupazh” dhe, njëkohësisht, 2. “Tradhëti e lartë ndaj atdheut”.

    – Fillojmë me zbardhjen e provave dhe rrethanave, – thotë kryetari. – Të hyjë dëshmitari!

    Nuk ndjej asfarë paniku. Veli S., nuk po duket ndërsa koha kalon. Pëshpërima. Hyn një police e bukur, elegante, sikur po shkel mbi vezë. Shkon drejt bankës së akuzës. Kryetari zgjat kokën e thinjur. Qafën e ka ezmere, me rrudha; fytin me arrëz. Si një breshkë. Policja i çuçurit në vesh. Pa gjeste. Ai tund kokën. Mandej, fill pas largimit të vajzës police, thotë: “Të vazhdohet përkohësisht me të pandehurin!”. Marr krahë. Refuzoj gjithçka. Gjithçka. Të qena e të paqena.

    – Janë shpifje të gjitha, – them, – thirreni dëshmitarin t’jua provoj!

    Dëshmitari nuk vjen. Trupa tërhiqet për të marrë vendimin.

    V

    – Ia hodhe, skile! Të ndihmoi fati “me pak”, – u skërmit hetuesi im në korridor. – Por, mos kujto se na shpëton, – tundi gishtin me një gjest kërcënimi të fshehtë. – Herën tjetër, kaptinën tënde do të ta shkulim supesh…

    – Si një rrepë? – e ndërpreva.

    – Pikërisht!

    – Ruaj kaptinën tënde, kapiten… Timen e ruan Zoti.

    VI

    Polici që më shoqëron mbrapsht në Degë më flet me dialektin e vendlindjes:

    – Sak ta ka ruejt Zoti kryet, or mik… Kujt i shkote ndërmend, se… dëshmitarin tat, do ta bante petë makina, mu para gjykate?

    – E shtypi makina!?

    – Sa ka hy zotnia juej në sallë…!

    – Katër qen! – thashë nëpër dhëmbë.

    – A? – pyeti polici me dorën si hinkë në vesh.

    – Të bardhë, – i thashë.

    – Të bardhë, çfarë?

    – Dy të mëdhenj, dy të vegjël…

    Polici ndalon papritmas. Kërkon në xhepa dhe nxjerr një paqetë “DS”. Merr një cigare dhe ma vë në buzë filtrin e verdhë. Mandej flaka e çakmakut me gaz. E thith thellë e me afsh tymin, derisa ndeshem me vështrimin e tij të picërruar, hetues.

    – A je mirë, or mik? – pyet serioz ai, pa m’i shqitur sytë.

    – Shëndoshë e mirë, – i them. – Gjallë!

    Polici tund kokën i kënaqur, në shenjë miratimi.

    Vazhdojmë rrugën, vetëm disa metra, deri në oborrin e Degës.

    – Po, po, – miraton me zë lëvizjet e mëparshme të kokës, – S’ka me të gjallë…


    BORË E ZEZË

    Fatkeqësitë pllakosën në familjen tonë nga të gjitha anët. Ato fillojnë me borën e zezë që ra atë dimër, ditën kur vdiq nëna ime, duke më lënë jetim, ferrishte, një vit e tre muajsh. Më vonë, kur të rritesha, do ta mësoja se bora e zezë e atij viti përkonte me shpërthimin e vullkanit Vezuv. Të nesërmen e varrimit të nënës sime, arrestuan tim atë. Një kamion erdh të nesërmen dhe mori pjesën tjetër të familjes. Vendi i internimit – Berat. Lavdi Zotit që tri motrat e mia i morën në shtëpitë e veta bashkëfshatarët tanë. Unë, si fëmijë i mitur mbeta me gjyshen, të cilën e njihja për nënën time. Me ne në internim ishin daja dhe dy tezet, të cilat kujtoja se janë motrat. Në Tepelenë na çuan kur unë kisha mbushur 4 vjeç.

    Nuk njihja shumë gjëra të ngrënshme, si sheqeri, djathi, qumështi, makaronat, e sidomos mishi. Mbaj mend se gjyshja mbante një rrasë të lëmuar guri, të cilën e ngrohte, e ngjeshte në bark dhe e mbante të lidhur me brez dhe konop. Racionin e saj të bukës ma jepte mua. Ditën kërkonim në oborrin e kazermave mos gjenim ndonjë kokërr gruri apo misri. Në lindje të kazermave ishte një kopsht i rrethuar me tela ku rriteshin perimet e komandës. Si gjithë kalamajtë, edhe unë prisja mos na hidhnin ndonjë domate të kalbur.

    Një ditë shkova vetëm dhe provova të hyj nën tela. M’u vërsul një qen i zi me pulla, që i thonin “Shark”. Më sollën të lebetitur në kazermë. Nga analiza e kafshimit, doli se qeni ishte i tërbuar. Plaga u enjt dhe duhej të më nisnin urgjent në burgun e Gjirokastrës ku kishte spital. Nuk pranuan të vinte me mua as gjyshen, as dajën, as njërën nga tezet. Përfundimisht më nisën vetëm. Mbaj mend turbull një bodrum ku më futën, një qeli të mugët që kishte vetëm një krevat.

    Për 6 muaj, sa kam qëndruar aty, më kanë rrahur papushim. Ishte një pastruese, një grua zemërzezë, që më rrihte me fshesë. Pa shkak. Kishte një kënaqësi sadiste kur më rrihte me bishtin e fshesës. Sa ia dëgjoja zërin apo hapat, nxitoja të fshihesha në krevat, poshtë batanijeve. Së paku bishti i fshesës do më dhembte më pak, i strukur nën batanije. Sa herë kam menduar, përse më rrihte ajo grua? Çfarë tërbimi i shkaktonte asaj një fëmijë katër vjeçar, jetim, i pambrojtur, pa asnjë njeri të tij përqark? A ka pasë vallë ajo grua familje? Fëmijë? Ju e kuptoni se sa të vërteta më janë dukur pastaj shtrigat e përrallave…

    Kur më në fund më kthyen në Tepelenë, natë për natë vijova të trembesha në gjumë. Më ndiqte kudo ajo gruaja e tmerrshme me fshesë. Qaja edhe pas disa muajsh pas kthimit.

    Unë e di që Gjirokastra është një qytet i bukur, me histori dhe stil urban karakteristik. Por unë ngjethem, sapo ia dëgjoj emrin këtij qyteti. Gjithmonë refuzoj të kaloj nëpër atë qytet, qoftë dhe kalimthi.  


    NË QOFTË SE VDES…

    Hetuesi im i ri do të ishte një burracak me emrin Ali Xhunga. Shkurtabiq, karrierist e servil, zelli i tij i lig nuk njihte kufi mizorie. Nën torturat e tij u enda për tre muaj midis jetës dhe vdekjes. Më kishte thënë qysh ditën e parë të hetimit: “Jam i fundit hetues që merret me ty. Për të folur do flasësh, se s’bën, por me që je 19 vjeç, ke familje, je djali i vetëm midis 9 motrash, mos e ço punën deri atje… Se në fund ne s’pyesim fare as për jetën tënde, as të familjes. Motrat t’i bëjmë kurva, si të na teket. Ohoo, sa ka parë ky vënd, prandaja mendohu sa s’është vonë!”

    Refuzimit tim për të bërë “proces”, ai iu përgjigj menjëherë me gjeneratorin e korentit. Trupi im përplasej në shkundje e konvulse të forta. Veshët m’u bënë plagë. I majti rrodhi gjak. Ditët e tjera Ali Xhunga u shtoi torturave me korent edhe goditjet me një dru të shkurtër. Në kulmin e dridhjeve nga korenti, ai më godiste ku mundte dhe shfrynte: “Qenër! Prisni t’ju vijnë anglo-amerikanët tuaj, por ta dini mirë, se edhe sikur ata vërtet të vijnë, ne më parë do t’ju therim të gjithëve aty, ndër biruca ku ju kemi, birucë për birucë e një për një”.

    Torturave të korentit dhe goditjeve me dru iu shtuan varjet me zinxhir e litarë nga kyçet e nga sqetullat. Mishrat e kyçeve dhe sqetullave m’u çanë dhe nga goja kullonte shkumë e jargë. Ashtu të varur vinte e më godiste me drurin e tij Ali Xhunga, ndonëse trupi im gjithë plagë të hapura kutërbonte qelb, si një kafshë e ngordhur. Vetëm besimi në një vdekje të afërt më jepte forcë e durim. Nuk qëndroja dot në këmbë.

    Dy policët që më merrnin për krahësh për në hetuesi, e mbanin kokën anash, nga muret. Njëri njëherë më lëshoi midis shkallëve, u kthye anash dhe volli.

    Mandej erdhi dhe koha kur rrugën për në WC e bëja duke u mbajtur për muri, e kur s’pata më dhe aq fuqi, e bëja rrugën gjunjazi, këmbadoraz.

    Në njërën nga këto vajtje-kthime në WC, u ndala në mes të korridorit të qelive, duke e ditur mirë, se prapa dyerve të burgosurit më ndiqnin. Thirra fort, para se polici të ma mbyllte gojën:

    – Jam Ahmeti… Nëqoftë se vdes, ju lutem, tregoni se nuk kam bâ proces!

    (Marrë nga “Kur këndonin gjelat e tretë”)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË