More
    KreuArte pamoreBledar Kurti: "Britma", Mona Liza e artit modern

    Bledar Kurti: “Britma”, Mona Liza e artit modern

    Vepra Britma (1893) e artistit norvegjez Edvard Munch (1863-1944) konsiderohet si Mona Liza e artit modern. Kjo vepër tashmë është shndërruar në një ikonë dhe ka frymëzuar krijimtarinë e artistëve të dekadave të fundit, por mbi të gjitha ajo ka shërbyer si një pasqyrë e ankthit, frikës dhe traumës së brendshme të njeriut, të shpalosura përmes një fytyre të re të artit, e cila porsi një britmë çlirohet nga kthinat e brendshme të shpirtit dhe thërret për t’u dëgjuar nga epokat.

    Një artist mund të jetë viktimë e suksesit të tij. Ndodh që ai bëhet i njohur për një punë të vetme jo për përmbledhjen e të gjithë veprave të tij. Kështu ka ndodhur edhe me Edvard Munch. Një artist novator e mjeshtëror ai njihet kryesisht falë kësaj vepre, edhe pse e gjithë krijimtaria e tij është mahnitëse.

    Britma është një vepër e jashtëzakonshme. Ajo nuk komunikon me sytë tanë, por me ato ndjenja të cilat ne i ndrydhim brenda vetes, i kyçim me vargonjtë e harresës, i lutemi të mos kthehen, dhe urojmë të mos manifestohen sërish në jetën tonë. Gjithsecili prej nesh e ka përjetuar dhimbjen, dhe e dimë fare mirë se ajo le gjurmë më të rënda sesa lumturia, ndaj edhe e frenojmë, e ndrydhim dhe e burgosim atë, por me raste zaptohemi nga një dëshirë e menjëhershme për të ulëritur, për të lëshuar një piskatë therëse që të dëgjohet në mbarë globin. Në një interpretim më të gjerë kjo vepër është një momento mori, një kujtesë për vdekshmërinë tonë, për gjendjen e rënë ku gjendet njeriu, për dhimbjen që ka gjithsecili brenda vetes, për hendekun e pakapërcyeshëm që njerëzimi ka drejt çlirimit të vetes dhe shpirtit.

    Vdekshmëria jonë lind bashkë me ne: nëna që sjell një foshnje në jetë, pasi buza i lodhet prej lumturisë, nis e mendon se fëmija që po mban në duar një ditë do të vdesë, dhe ajo kupton se ajo ditë gëzimi është edhe një ditë morti, një jetë lindi për t’iu dorëzuar vdekjes. Dhe ajo ka frikë e ndien dëshpërim. Dhe zgjedh që këtë tmerr emocional e mendor ta fshehë thellë brenda vetes duke shpresuar që të mos zgjohet më kurrë. Dhe fëmija rritet dhe i do prindërit e vet porsi jetën, dhe një ditë kupton se ata do të vdesin, madje edhe vetë ai apo ajo do të vdesë, dhe një britmë e brendshme nis e zgjohet e dëshiron të shpërthejë me përmasa kataklizmike.

    Ndaj edhe figura në qendër të veprës po lëshon një britmë të thertë. Me fytyrën e varur e me duart tek veshët transmeton ndjesinë e një buçime të brendshme por edhe të jashtme. Britma vjen nga brenda por edhe nga vetë natyra. Një botë porsi një britmë.

    Një momento mori i të gjithë universit.

    Titulli origjinal që Munch i vuri veprës ishte Der Schrei der Natur (Britma e Natyrës), dhe kjo për faktin se artisti e shihte jo vetëm njeriun si qenie fiziologjike por edhe vetë natyrën si një qenie që pulsonte dhe që kishte zë, sikurse edhe njeriu. Për Munch natyra merrte frymë, ndaj ajo mund të kishte edhe zë, pasi zëri ishte gjithashtu një funksion i procesit të frymëmarrjes. Dhe ky zë i natyrës dëgjohet shumë tek vepra Britma.

    Jo vetëm figura por edhe peizazhi krijohet nga linjat e lakuara, të cilat ngjajnë me valët e zërit. Madhësia e tyre i referohet edhe zhurmës ose intensitetit të zërit. Për më tepër, figura qendrore mbulon veshët, duke theksuar realitetin fiziologjik të zhurmës ose mosmarrëveshjes së tingujve të prodhuar nga trazirat e fuqishme në ajër. Për më tepër, figura hermafrodite, dygjinore, që ulëret, i mundëson Munch që të shmangë caktimin e ndonjë diferencimi të zërit mashkullor me atë femëror në figurë në mënyrë që britmat t’i përkasin natyrës. Artisti mund të projektojë procesin fiziologjik të frymëmarrjes në peizazhin si një mjet për të frymëzuar atë dhe për të simbolizuar gjendjen e tij të brendshme e të pikëlluar mendore. Përmes linjave të forta Munch gjithashtu lejoi gjakun të kalonte nëpër venat dhe damarët e peizazhit. Këtu, gjaku duket sikur qarkullon përmes natyrës. Në këtë vepër Munch shpalosi shqetësimet e tij të brendshme të cilat i lidh me impulset e natyrës. Artisti në mënyrë efektive pranon gjendjen e paekuilibruar të trupit të tij: ai është i sëmurë dhe i lodhur. Mjedisi i brendshëm i figurës është jashtë ekuilibrit, aq shumë i çekuilibruar sa që duhet të rrjedhë gjak edhe në mjedisin e jashtëm. Linjat e dallgëzuara ngjyrë të kuqe dhe blu dhe format në sfondin e pikturës, bëhen ilustrime vizuale të qarkullimit të gjakut.

    Tek vepra Britma shpaloset për të gjithë shikuesit zbulesa e marrëdhënieve të munduara, si edhe histeria e dhimbjes e transmetuar qartë në tablo. Kjo vepër transmeton një mesazh të qartë, dhe ajo është shumë autobiografike. Figura është vetë artisti, por edhe shikuesi, qoftë i gjinisë mashkullore apo femërore, dhe qielli është mbi Oslon por mund të jetë edhe mbi çdo kënd gjeografik të botës.

    Kjo është një tablo universale por e nxitur nga një shtysë autobiografike. Munch dëshironte që arti që ai krijonte të ishte hija e tij, një ditar rrëfimesh dinamike dhe të papërfunduara. Veprat e tij janë të udhëhequra nga vetë jeta e tij. E ëma i vdiq nga tuberkulozi kur ai ishte vetëm pesë vjeç. Motra e tij e preferuar, Johanne Sophie, vdiq (gjithashtu nga tuberkulozi) ndërsa motra e tij më e vogël, Laura, e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj në një spital psikiatrik. Vetë Munch ishte vazhdimisht i sëmurë dhe për shumë dimra nuk shkoi në shkollë pasi ishte i bindur se e gjithë familja e tij ishte e mallkuar me një çmenduri gjenetike të trashëguar. “Babai im ishte njeri nervoz dhe fanatik – deri në pikën e psikonerozës,” shkroi Munch. “Nga ai kam trashëguar farën e çmendurisë. Engjëjt e frikës, pikëllimit dhe vdekjes kanë qëndruar pranë meje që nga dita që kam lindur.” Nuk është e nevojshme të jesh psikiatër për të kuptuar pse vepra e Munch, edhe pse madhështore, ka një dëshpërim dhe zemërim më të rëndë se sa peizazhet me diell dhe natyrat e qeta me lule që pikturonin artistët e tjerë bashkëkohorë.

    I nxitur nga engjëjt e tij të frikës, përgjigja e Munch ndaj rrethanave të trishta që kishte hasur ishte “të shkruante jetën e tij” dhe të pikturonte çdo gjë në mënyrë obsesive dhe me katarsisin fizik dhe psikologjik që kishte përjetuar. Kështu që çdo sëmundje, vdekje, zemërim, traumë, shishe me barna mjekësore, stetoskopë dhe vdekje që ai përjetoi gjatë 80 viteve të jetës së tij u rikrijuan në këtë vepër por edhe tek i gjithë repertori i tij. Dhe çdo joshje, xhelozi dhe dashuri, u regjistrua deri në çdo detaj.

    Vepra Britma i përket një serie veprash nën titullin Larmia e Jetës – Një Poemë Mbi Jetën, Dashurinë dhe Vdekjen. Tematikat e këtyre veprave kishin të bënin me ankthin, dëshpërimin, britmën dhe vdekjen. Britma ka katër versione të krijuara nga Munch, të krijuara me bojë vaji, tempera, pastel dhe litografi. Mënyra e kompozimit është tejet simbolike dhe ekspresioniste. Por pavarësisht shfytyrimit të skenës kuptojmë se këndi i vështrimit është i rregullt dhe ka logjikë lineare. Ai nis me shikuesin në këndin e poshtëm në të djathtë të tablosë, haset me figurën në qendër, vijon me urën dhe me dy burrat, miqtë e artistit, kthehet djathtas përmes linjës së horizontit dallgëzues e zbret sërish tek pika e nisjes përmes bregut gjarpërues të liqenit. Varkat e vogla në sfond shërbejnë për të treguar perspektivën dhe thellësinë e skenës, dhe për shkak të linjave të çrregullta vertikale dhe horizontale e gjitha vepra pulson, merr frymë dhe transmeton një zë që përshkon figurën, natyrën dhe shikuesin.

    Skena që ka pikturuar Munch, të cilën e përshkroi me fjalë gjatë një ecje me dy miqtë e tij është në Gjirin Kristiania në rrugën Valhallveien të kodrës Ekeberg në Oslo. “Dielli po perëndonte- papritmas qielli u kthye në një të kuqe gjaku” shkroi Munch. Ky shënim, shoqëruar edhe nga linjat e forta të kuqe e portokalli të qiellit në tablo kanë shtyrë shumë studiues të ngrenë tezën se qielli i kuq ishte real për shkak të shpërthimit të vullkanit të Krakatoas në Indonezi në vitin 1883, i cili ishte ndër shpërthimet më shkatërrimtare të historisë, duke shkaktuar vdekjen e mbi 36,000 njerëzve dhe pati një ndikim në mbarë botën duke skuqur qiellin e mbarë globit, ndaj, mendohet se Munch mund ta ketë ruajtur në kujtesë atë fenomen të pazakontë, ose për shkak të atij shpërthimi, edhe pas një dekade, perëndimi i diellit dukej ende më i përflakur se zakonisht. Ky është një element tejet trillues që mund t’i shtohet interpretimit të veprës, por Munch ishte më shumë se sa thjesht një artist i cili shtyhej nga vrojtimi i përgjithshëm, ai kishte një qasje shpirtërore, psikologjike, fiziologjike dhe shkencore ndaj artit të tij, ndaj Britma nuk ka të bëjë me një shpërthim vullkanik të tokës, por me shpërthimin e brendshëm të njeriut, e madje të gjithë natyrës bashkë me të.

    Vepra e Munch është një qark shpërthyes shpirtëror por edhe një vrojtim shkencor. Ai i referohet qarkut fiziologjik të qarkullimit, frymëmarrjes, sistemit nervor, trurit, riprodhimit, ushqimit dhe vdekjes. Në pikturat e tij, Munch i zbatoi këto procese vitale të trupit të njeriut në mënyra të ndryshme metaforike dhe në mënyra që do ta ndihmonin të përballej me materializmin e shekullit të 19-të. Në referimet e tij mbi fiziologjinë e sistemit nervor, ai trajtoi bindjen bashkëkohore se “arti ishte produkt i çrregullimit nervor dhe ndjeshmërisë së theksuar, dhe se krijimi artistik funksiononte si çlirim nervor.”

    Shkenca, filozofia, psikologjia dhe arti ishin një përzierje e përhapur në shekullin e 19-të për shkak të librave të shumtë të botuar e të shpërndarë gjerësisht, duke e bërë shkencën të disponohej në duart e lexuesve të shumtë. Munch ishte vazhdimisht i rrethuar nga njerëz të fushës mjekësore dhe letrare, ndaj edhe veprat e tij përmbajnë një ndërthurje të artit, psikologjisë, mjekësisë dhe biologjisë. Në një rast, një kritik reagoi i tmerruar nga veprat e Munch, duke e konsideruar atë si një piktor që i përkiste më shumë një auditori të një shkolle mjekësie sesa një muzeu arti.

    Dhe vërtetë Munch e trajton figurën njerëzore dhe peizazhin porsi një organizëm i gjallë i shpalosur në kanavacë të ngjashme me një laborator biologjik e mjekësor. Por ky trajtim nuk ishte vetëm artistik ai ishte shumë jetik për të.

    Për shembull, gjatë një qëndrimi në Monte Karlo, Munch-in e zunë ethet. Ai e përshkroi atë përjetim në terma shumë fiziologjik, porsi një pickim dhimbjeje në gjoks dhe se i dukej se po thithte ajrin që po e mbyste. Ai shpjegoi se parfumet dhe aromat i shkaktonin marramendje, dhe ai i krahasoi dëshirat e tij të lojërave të fatit me një sëmundje ngjitëse, duke pretenduar se vinte për shkak të mikrobeve në sallat e Monte Karlos. Tryeza e lojërave të fatit i dukej si një kafshë e çuditshme dhe e paqëndrueshme … me roletën si qendrën e saj nervore. Në ditarët e tij të kësaj periudhe, pasi shëndeti i tij u përmirësua, ai e përshkroi këtë episod sikur termometri i tij të ishte ngjitur nga ferri e lart për në qiellin blu. Një situatë e rëndomtë si kjo, përshkruhej në ditarin e tij me terma biologjik, psikologjik, simbolik e shpirtëror, ndaj mund të kuptojmë përse arti dhe tablotë e tij, ku liria e shprehjes është më e madhe, përmbajnë përjetime më të thella.

    Ndaj tek Britma jo vetëm figura por edhe peizazhi merr frymë. Toka ashtu edhe uji pulsojnë. Munch e krahasonte detin me një qenie të gjallë që merrte frymë, një qenie me një gjoks të pafund që ngrihet dhe ulet vetiu. Ai mund të ndiente frymën e detit dhe psherëtimat e gjata të nëntokës, dhe i përshkroi retë si frymëmarrje të botës ndërsa stuhitë si frymëmarrjen e saj të fuqishme. Me shumë gjasa, njeriu dhe natyra si organizma të gjallë duhet ta kenë marrë nxitjen përmes teksteve të biologjisë, fiziologjisë dhe ilustrimeve të tyre që i përkisnin babait dhe vëllait të Munch, të cilët ishin të dy mjekë. Fiziologjia është dega e biologjisë që merret me funksionet e proceseve vitale të organizmave të gjallë ose pjesëve dhe organeve të tyre. Këto procese përfshijnë funksione të tilla si riprodhimi, rritja, qarkullimi, frymëmarrja dhe metabolizmi, dhe kryhen brenda qelizave, indeve dhe organeve të trupit. Studimi i fiziologjisë ishte, gjithashtu, i lidhur ngushtë me studimin e mjekësisë së përgjithshme, anatomisë, patologjisë, neurologjisë dhe psikologjisë. Studimi i funksioneve trupore nisi që nga grekët e lashtë dhe u rikthye në shekullin e gjashtëmbëdhjetë gjatë të cilit u përdor edhe Leonardo da Vinci, me përparime të izoluara në kuptimin e këtyre funksioneve që vazhdonin deri në shekullin e tetëmbëdhjetë. Por, në prag të shekullit të 20-të Munch e manifestoi në një mënyrë ndryshe, në përshtatje me epokën moderne, me një britmë më të madhe e cila kishte mbetur e ndrydhur brenda njerëzimit për mijëra vjet.

    Munch u ndikua shumë në formimin dhe botëkuptimin e tij artistik dhe njerëzor edhe nga veprat letrare dhe filozofike, kryesisht nga Emile Zola, Gustave Flaubert, Friedrich Nietzsche, dhe Dostoevsky, të gjithë autorë e mendimtarë rebelë dhe novatorë. Në veçanti Fyodor Dostoevsky pati një ndikim të madh tek artisti. Një herë Munch i shprehu një miku se askush në art nuk kishte udhëtuar aq thellë “në sferat mistike të shpirtit» sa Dostoevsky. Ndërkohë në pikturë, Vincent van Gogh dhe Paul Gauguin e frymëzuan Munch të përdorte ngjyra të forta, forma të thjeshtuara dhe linja dinamike, të gjitha të ndërthurura tek vepra Britma

    Arti i Munch, ashtu si me çdo artist, duhet analizuar në kontekstin shoqëror e historik. Kontradiktat politike, shoqërore dhe morale, të cilat pushtuan të gjithë botën perëndimore në shekullin e 19-të, prekën edhe Skandinavinë, ku u manifestuan dhunshëm në sferën e çështjeve morale dhe sociale. Në Norvegji, kontradiktat ishin më të forta sesa kudo. Në debatet norvegjeze, zërat më të fuqishëm ishin ato të dy figurave të mëdha letrare të gjysmës së dytë të shekullit, Henrik Ibsen dhe Bjørnstjerne Bjørnson, i pari kryesisht në çështjet etike dhe sociale dhe i fundit në sferën e politikës liberale dhe nacionalizmit në rritje; dhe miqtë e Munch në fund të shekullit morën pozita edhe më radikale sesa këta dy veteranë. Ekstremizmi i individualizmit, anarkizmit, me idetë e tij për domosdoshmërinë e heqjes së kufizimeve të shoqërisë dhe shtetit dhe këmbënguljen e saj për liri të plotë për individin, krijoi tonin filozofik të rrethit artistik të cilit i përkiste Munch.

    Parë në këtë kontekst Britma shpaloset si një pasqyrë e denjë e dinamikës intelektuale të kohës. Konfliktin e mendimit ajo e përfaqëson me anë të ngjyrave: të ngrohtat si e kuqja dhe portokallia vihen përbri të ftohtave si jeshilja dhe vjollca, duket krijuar një kontrast të madh artistik dhe racional.

    Fundi i shekullit të 19-të ishte edhe periudha e lavdishme e neurologut dhe psikoanalistit austriak Sigmund Freud, i cili kishte nisur të zbatonte hipnozën në praktikat e tij klinike, kishte themeluar teorinë e ndrydhjes dhe nevrozës si çrregullime personale dhe sociale, e më vonë do themelonte psikoanalizën. Kësisoj, një shtysë e madhe për Munch në krijimin e veprës Britma ishin edhe kujtimet e fëmijërisë, për të cilat artisti shkroi shumë komente në ditarët e tij. Edvard Munch vinte nga një familje e vjetër norvegjeze shumë e dalluar. Gjyshi dhe stërgjyshi i tij kishin qenë njerëz me rëndësi të madhe kishtare. Vëllai i madh i babait të tij, Peter Andreas Munch, ishte historiani i madh i Norvegjisë i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Munch ishte krenar për prejardhjen e tij. Por, kujtimet me të atin ishin të hidhura dhe e kishin lënduar gjatë, duke i shkaktuar dëme të mëdha emocionale dhe psikologjike gjatë të gjithë jetës. Munch u shpreh kështu për kujtimet e tij të fëmijërisë:

    Babai kishte një karakter të vështirë, nervozizëm të trashëguar me periudhat e ankthit fanatik që mund të arrinin kufijtë e çmendurisë … Kur nuk pushtohej nga ankthi ai sillej si një fëmijë i lumtur dhe bënte shaka e luante me ne. . . Kur na dënonte. . . ai tregohej i çmendur me dhunën e tij. . . Sëmundja dhe marrëzia ishin engjëjt e zinj që bënin roje mbi djepin tim. . . Në fëmijërinë time ndieja gjithmonë se trajtohesha në mënyrë të padrejtë, pa nënë, i sëmurë dhe me kërcënimin e të dënimit të ferrit mbi kokën time.

    Kur lexojmë këtë koment arrijmë ta dëgjojmë edhe më fortë zërin dhe jehonën e thertë të britmës së figurës në tablo, e tundohemi të zgjojmë kujtimet tona të hidhura të fëmijërisë, adoleshencës apo rrugëtimit gjatë maturisë. Me një baba fanatik deri në skaj të çmendurisë, me nënën dhe motrën e vdekur, me një motër tjetër të shtruar në psikiatri, e vetë me një shëndet të dobët, britma e Munch nuk kishte se si të ishte e heshtur, por e fortë dhe e përzier me vetë natyrën dhe universin. Ndaj, artisti guxoi të kapërcente egon e tij duke mos dashur të kufizohej vetëm nga historia e tij personale, por të krijonte një britmë për të gjithë njerëzimin. Një britmë që të dëgjohej ende edhe sot. Dhe, ai ja doli më së miri.

    Kjo britmë nuk është e bukur por e sinqertë. Ekspresionistët refuzonin të ishin hipokritë. Ata donin të hetonin të vërtetat lakuriqe të ekzistencës dhe të shprehnin dhembshurinë për njerëzit e mjerë e të pafatë. Ata refuzonin të zbulonin fytyrën e bukur të artit, ata ishin në kërkim të fytyrës së sinqertë të artit, asaj që e njeh skllavërinë shpirtërore të njeriut, e që më pas e manifeston atë si një thirrje.

    Munch u shpreh se “Arti është kristalizim.” Dhe pikturat e tij duken kristalizime të ideve të tij për fatin e njeriut nën forcat e jetës dhe vdekjes. Pavarësisht se Britma mund të na duket një tablo e shfytyruar, ajo është tejet e kristalizuar. Ajo është simboli i njeriut të ndrydhur e të zënë në çarkun e vdekshmërisë, në çarkun e përsëritjes, të cilin Nietzsche e quajti Kthimi i Përjetshëm, koncepti i cili e çoi atë deri në çmenduri. Ajo reflekton gjendjen e njeriut nën traumat e jetës dhe forcën e vdekjes, duke thirrur e ulëritur me një zë kataklizmik që dëgjohet përtej epokave, në kërkim të shpëtimit dhe çlirimit, të qenies njerëzore por edhe vetë artit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË