More
    KreuOpinionBiblioteka-Museum e Tiranës

    Biblioteka-Museum e Tiranës

    Nga Arshi Pipa

    Bibliotekat, pinatekat, museumet janë institute kulturore ku pasqyrohet jeta mendore e nji kombi. Këtë s’e thomi për vehte, natyrisht, por për ata qi nuk e dinë. E thomi për ata të huej, qi vijshin deri dje me na vizitue si nji vend të rrallë. Gjejshin kta zotnij, lorda plakoça të velun nga mondanitetit, gazetare kulima qi kërkojnë për shtyllat e tyne sensacionalitete, se Shqipnia asht nji vend “piktoreskt”, pak “selvaggio” por charmant” n’at “simplicityy”-n e vet natyrale, qi ka thesare të panjohuna bujarije e pyjesh virgjine etj.
    Kta zotnij na i marrim për dore dhe i çojmë – jo te Xhamija e Ethem Beut, a te Ura e Brarrit, a te Kalaja e Petrelës, se kto ma i mori vesht bota – por te ndonji prej institutevet tona kulturore të sipërpërmenduna. Dhe u thomi: Urdhnoni, Zotnij, na kemi edhe kësi llojesh tjera!
    I çojmë, fjala vjen, te Biblioteka e te Museumi. Asht e vërtetë, spjegojmë atëhere, se na nuk kemi shum biblioteka e museume. Historija e jonë, në robninë e saj pesë herë shekullore… e u thomi ktu at pak fjalë të nevojshme të zakonshme. Veç, shtojmë mandej, nji Bibliotekë e nji Museum i kemi si duhet… E u prijmë për atje. Edhe përjashta kështu bajnë. Kur viziton ndonji qytet, të drejtojnë ma parë kah monumentat ma të përmendun, shtatore, pallate, tempuj, galerina arti. Dihet se kishat janë të stolisuna zakonisht me vepra plastike nga mjeshtrat e medhej. Shpesh, kush ka mndësi, pinakotekat e museumet e edhe bibliotekat, i vendosin ndër pallate historike. Ka lezet e njikohësisht dinjitet qi nji vepër arti të ruhet në nji ndërtesë gjithashtu arti ose në nji tempull. Kështu në Firencë, pinakoteka ma e madhe e Italis ndodhet në “Galleria degli Uffizi”, vepër e Vasarit. Në pallatin Pitti ndodhet galerija e artit modern. Verës në kopshtijet e tij epen çfaqje theatrore, dhe në njenën prej sallavet të tija, “Salla e Bardhë”, koncerte. Kapela e princave “Medici”, ku gjinden disa nga skulpturat ma të bukura të Michelangelos asht në Kishën San Lorenzo. Jo fort larg ksaj kishe ndodhet nji nga pallatet ma të bukura të Rilindjes, pallati “Strozzi”. Këtu, tash vonë, vendosën bibliotekën e moçme të “Gabinetit Viesseux”. Nji tjetër pallat i vjetër: “Bargello” asht sot museum armësh e veshjesh.
    Dhe tash pyesim:
    Ata qi e vendosën bibliotekën-museumin kombëtar të Tiranës te binaja e moçme qi qe dikur e princavet Toptanas, a mos u frymëzuan prej nji ideali të këtillë? Bibliotekë e museum! Dy institute kulture të harmonizuem në nji të vetëm! Ekonomi vendi qi i ka hije shijes të madhit burr qi dijti me i vllaznue aq mrekullisht! Bibliotekë e museum bajnë dy. Shto edhe arkitekturën e pallatit ku janë ruejtë, e bajnë tri! Pallati asht në stilin klasik të traditës së madhe qerpiçane: i gjanë e i bollshëm, me çardak sa me nga kuajt, me salla të ndrituna – hygjenikisht – prej shumë dritorevet.
    Karakteristikë dalluese: shkallët i ka jashtë dhe i ka, natyrisht, si të gjitha pallatet, simetrike ndër dy anët. Kto shkalla gurit puqen në maje tue përba nën të nji hark qi në thjeshtësinë e vet “austere” ka bukurin e vet. Mbi shkallë, përpara derës së hymjes, stolisë me xhama, çelet nji terracë me parmakë hekuri ndër ana qi përban ballkonin. Prej këndej mund të soditet natyra përqark.
    Tash qi ka ardh pranvera asht nji lezet i veçantë me ndje në kët ballkon e me kënaqë syt me pamjen e oborrit. Pse harrova me ju diftue, pallati ka përpara nji copë oborr, katërkandësh i rregullt, ku bin bari pa pasë nevojë me e lagë.
    Për çdo eventualitet ashtu aty, në mes, nji pus, me nji grukë të punueme në relief t’ulët prej daltuesit t’onë ma të përmendun… mjerisht nuk më kujtohet emni. Nuk ka gja ma të kandshme se me kullotë sytë në kët jeshillëk. Por nuk mjafton. A thash se shkallat janë guri të latuem? Janë kështu për t’u-intonue me arkeologjin e kopshtit! Pse këtu ka pasë kenë dikur nji qytet greko-romak shum i përmendun. Me gërmime të zellshme janë qite në diell disa nga monumentat e vorruem. Kanë zbulue kështu nja disa shtatore pa krena, rrashta pa trupa, nja disa rrasa (jo me la tesha), ndonji qyp i madh për ufull, ndonji mbishkrim turçe qi përmende datën e aleancës së madhe turko romake të vj. 759 p.Kr. etj.
    Dojnë me dhane se sidomos nji “palosje” (panneggio) nën balkue, asht i shkollës skopane.
    Vendin e nderit e xanë disa cunga shtyllash, mermer i bardhë e laraman, me të cilin stoliseshin tempujt e Afërditës. Kompetentët e deduktojne këtë nga nji bust i gjetun aty pranë, i nji bukurije të rrallë e qi s’mundet me kenë veq se aj i Afërditës. Un jam i mendimit se ato shtylla i përkasin ndonji palestre. Prove qi nuk gabohem asht se pak metra ma lark ndodhet nji “paralele” ku ende të rijt vazhdojnë me ba ushtrime trupore. Nji gja veq më çuditë: si ka muejte me durue, njisoj me shtyllat mermeri, edhe ajo vegël druni! Sidoqoftë kto shtylla, të rëndueme në nji gjysë harku të përsosun, në trajtë orkestre me fëtyre kah dera e oborrit, janë si nji grishje për vizitorin.
    I cili teksa hyn, asht i përshendetun prej dy rojevet pa krena, të vueme simetrikisht në të djathtë e në të majtë. Dhe mos të çuditet aspak pse ata janë pa krena! Të hjedhi nji vështrim nëpër kopshte e do t’i gjeje me ndonji skutë, tue kullotë bar! Dhe do të shofi atëhere frona guri të shpërndamë simetrikisht nëpër kopësht, dhe mbi toulun njerëz qi lexojnë ose andrrojnë. Do të ketë përshtypjen se ka hy me nji anfiteatër ku lohet ndonji copë e Eskilit.
    Kjo sa për pamjen e jashtme, se për mbrenda, janë mrekullina të tjera. Nuk do të përmendim këtu ç’fat i madh asht për studjuesin me gjetë në nji vend gjana aq të ndryshme si janë libri, shtatoret, parët e yjetra, armët, veshjet e sa tjera. Ai qi don me ba studime krahazuese ndërmjet arteve të ndryshme këtu le të vije. Këtu le të vijë edhe poeti qi kërkon frymzim. N’u lodhtë prej leximit të ndonji librit, i mjafton me shëtitë sytë për rreth për me u dalldisë: këtu nji rrashtë, atje nji kukull, anash nji kanavete, ma tutje trashigimet e Ilirvet. Nji xheverdare kah e djathta, bri saj nji fyell, nji “lakuriq” kah e majta, me nji qoshe nji qyp.
    Nuk po flasim mandej për bibliotekën e cila ka ardhë tue u pastrue… deshta me thanë tue u pasunue vazhdimisht, kështu qi sot asht ma e pajisuna bibliotekë në gjithë Shqipnin. Reparti i saj i libravet të vjetër asht jashtzakonisht i pasun. Aq sa disa prej tyne janë të breme prej mijvet.
    Bile për punën e mijvet kallxohet nji ndodhi e lezetshme. Pat ardhun do kohë ma parë nji vizitor i huej – italian, me gjasë – të cilit, ndërsa kontrollonte raftet e libravet të vjetër, i pat dale nji mi. Qyqari qe trembe fort e pat ba nji kërcim të madh qi e çoi për rrezik te i vetmi vend i dyshemes qi kishte qillue pak i prishun… E si pat ndodhë edhe pak i randë rande, vojt puna qi aj ra nën aher… Tu lëshuen vrap rojtarët për me i ndihmue rrezikut… kur e gjetën kambë-kryq mbi nji turre librash qi njat-herë sa i kishin prue “taze” prej Distaptur-it tue thithë nji puro!
    Por çka dojshin aty turrat e libravet të Distaptur-it, keni me thanë ju?
    Fajin e kam vetë qi harrova me ju thanë qysh në fillim se kati i poshtëm i bibliotekë-museum-pinakotekës kombëtare asht depoja e libravet të Ministris s’Arsimit. Eh! po për me ba tamam duhej edhe kjo! Punët e mira a çohen deri në fund a s’fillohen aspak!
    I madh kishte pase kenë ky konaku i Toptanasvet, rueje Zot! Kam kenë e kam shëtitë vetë për gjithë anë. Kaq e shum sende ka zanë e prap zen se zen edhe ma. Kan mbetë kah ana e djathtë nja dy dhoma të vogla bosh. Marr lejen me ba nji sugjerim. Pse me i lane bosh në ket kohë kur po hiqet aq keq me gjetë ndërtesa? Kishe me thanë pra se mund të depozitohen aty edhe nja disa thasë groshe a patate, nga ato të caktueme bje fjala për arsimtarët.
    Ka qillue edhe Nozullimi aty pranë, larg dy hapa. Gjynah me e humbë ket rasë!
    Kam marrë vesht se nja disa njerëz, qi nuk kuptojne nji xero nga arkeologjija e nga paleologjija, po mundohen me e transferue biblioteke-museumin në nji godinë tjetër, gjoja ma të re e ma të përshtateshme për nji institut kulture të këtillë. Dhashtë Zoti mos ndodhte ky kob! Ata pseudo-artista, kushdo qofshin, të marrun mendsh nga makalushlleqet moderne, nuk po janë në shkallë me kuptue mendimin fisnik t’atyne qi e lanë bibliotekë-museumin për pesmbedhet vjet rresht te ndërtesa e sipërshkrueme. Kjo don me thanë, me nji fjalë, mos me çmue punën e të tjerëvet. Prandaj i drejtohem Kryesis se Shtetit, me nji lutje botore, qi të ndalojë, për të mirë të Kombit e për hir të traditës, çdo veprim “inovator” të kotë, tue e lanë biblioteke-museumin aty ku asht, spakut edhe për nja pesmbëdhet vjet tjera, deri sa të gjindet nji pallat edhe ma i vjetër, ma artistik se ay i Toptanasvet.
    Kan mbrrijtë me thanë – o moskuptim i kohnavet t’errta! – se të huejt qi vijnë me na vizitue mund të na tallin për këtë “babiloni” (asht fjala e tyne) kulturë. I nënshkruemi, paleolog i doktoruem pranë “Columbia University”, deklaroj solemnisht: Nuk asht e vërtetë. Un, qi ditë për natë, natë për ditë, gjindem në ndonje skaj të bibliotekës, tue kërkue, tue hetue, un qi, kur ishte dimën e ende nuk ishte vue pori në sallën e inkunabujvet, ngrohesha, tue fërkue duert, me zjarrin e kulturës e të historis zamadhe iliro-trake, un arkeologu qi kam shëtitë gjith botën për me ndeshë gjurmat e lavdishme të qytetnimit Shqiptaro-Ilir tue ja zbulue deri në rranzat e Himalaias e deri në Misir, un shkrimtari dorëshkrimet e të cilit presin me u-nxjerrë, kur t’u vijë dita, nga kanaveta e posaçme e Museumit ku janë ndrye e ruejte me kujdes, un pra flas ndryshe. Jam njeriu i bibliotekës e i museumit qysh ditën qi asht themelue. Kam pa me qinda, me mija vizitorësh të huej qi kan hy këtu, kam folë me shumicën prej tyne. Dhe të gjithë nuk kan thanë veç fjalë lavdi e bindjeje për shijen sinkretike, jashtzakonisht të hollë të shqiptarit; i cili në nji kohë kur n’Amerikë hahet dreka në kambë (për me kursye kohë) dhe bahen shtëpijat njiqind katësh (për me kursye vend) paraqitet me kët vepër të pavdekeshme si ma i madhi ekonomist – artist i shekullit.
    Do kohe ma parë, nji mik më ka ba kët vrejtje: “A nuk të duket se na shqiptaret jemi pak temerare, lamë pasunin e madhe të libravet t’onë në nji ndërtesë të vjetër të cilën mjafton nji shkrepce për me e ndezë si mullar sane, lamë trashigimet e paçmueshme t’arkeologjis s’one nëpër oborre, ku edhe nji hajdut pulash mund të hyjë, tue shkapërcye nji mur t’ultë?” Këtu indinjata ma në fund ka plasë. Por çka kujton ti – kam bërtitë atëhere, – se shqiptari, pinjolli i racës së shkëlqyeshme Ilire, aj qi poeti ma i madh englez, Haroldi, përmende me nderim për trimnin e kalorsin e tij, mundet, guxon, ban sakrilegjin, për me mendue, jo ma me krye kso gjanash? Flet puna vete: tash pesmbëdhet vjet qi biblioteka e museumi janë aty, cili u gjet me marrë e mos me këthye nji libër, ose me zhduke andej edhe vetëm nji pare ari të koleksjonevet? Shpirtin fisnik të Shqiptarit e ka çmue me kohë bota, shpirtin artist të tijin – përveç amerikanvet – e çmojme na vetë.
    E të vijë bota tjetër mandej e të thotë se nuk jemi të mëdhej!

    (Marrë nga revista “Kritika”, nr. 2, prill 1944, rubrika Jehona kulturore, botuar nën pseudonimin letrar
    të prof. Arshi Pipës, shënuar ad literam: CRITICUS)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË