More
    KreuLetërsiBibliotekëBesnik Mustafaj: Shumësi i nitroglicerinës

    Besnik Mustafaj: Shumësi i nitroglicerinës

    Shënime për librin me poezi “nitroglicerinë”
    i Maklena F. Nika, Toena 2023

    Libri i fundit me poezi “nitroglicerinë” i Maklena F. Nika (Botimet Toena 2023) nuk është një përmbledhje e zakonshme me poezi, nga ato që, në anglisht, pa asnjë kuptim nënvleftësues, përcaktohen me fjalën “collection”, ku poezitë janë përgjithësisht njësi letrare autonome. Edhe në këtë rast poezitë mund të shkëputen e të kenë, secila, një jetë letrare autonome. Por, njëherash, krijimet këtu kanë një lidhje të brendshme njëra me tjetrën, që shkon përtej stilit të autorit, që është një përbashkues i natyrshëm në çdo përmbledhje me poezi.

    Poezitë e “nitroglicerinë” vijnë në koncept dhe në përmbajtje si plotësuese të njëra-tjetrës, për të folur me gjuhën e poetes, ato kanë një anatomi dhe një sistem nervor përbashkues, çka e bën këtë botim, në vlerësimin tim, krejt të veçantë në poezinë e sotme shqipe, madje edhe më gjerë. Autonomia e secilit krijim buron vetvetishëm nga frymëzimi i çastit, kur ai është ngjizur, domethënë nga arsyet, që ka pasur poetja për ta nxjerrë nga vetja. Pa u cënuar kjo autonomi gjatë ndërtimit të librit, poetja ia ka dalë të na e japë tërësinë e teksteve si një trup unik, funksional, duke na treguar kështu se, në fakt, frymëzimi i saj ka qenë një, gjatë gjithë kohës, sepse një arsye kryesore ka patur ajo, që e ka trazuar thellë ndërgjegjen, përfytyrimin dhe mendimin e saj. Për t’i vënë një emër një spikame të tillë, do të kisha thënë se arsyeja madhore për Maklena Nikën si njeri, e cila shndërrohet në arsye madhore për Maklena Nikën si poete është dhuna e pësuar nga njeriu modern, si ajo mbi trupin e tij, domethënë dhuna fizike, edhe ajo mbi shpirtin e tij, e njohur në të gjitha shpalosjet e veta si dhunë psiqike, psikologjike apo metafizike.

    Maklena Nika është një poete shqiptare e shekullit XXI dhe poezinë e shkruan në shqip. Ajo shprehet madje pa ndrojtje në vetën e parë. Por dhuna, që përshkruan ajo, nuk është një damkë specifikisht shqiptare. Ndjeshmëria e saj nuk lidhet as me ndonjë trashëgimi primitive të dhunës, mbrujtur në temperamentin e shqiptarit si mënyrë sjelljeje, nuk lidhet as me lajmet nga kronika e zezë që mbushin çdo mbrëmje ditarët e televizioneve të Tiranës. Të paktën në poezitë e këtij libri unë nuk kam gjetur referenca të tilla as të drejtpërdrejta dhe as të tërthorta. Poetja e sheh dhunën e ushtruar mbi njeriun modern si një fenomen të qytetërimit të kohës. Pikërisht ky realitet e shqetëson. Në shqyrtimin e saj artistik, ajo shkon shumë larg. Një pjesë e mirë e poezive janë të shoqëruara me thënie të Hipokratit. Është një zgjedhje e qëllimtë për ta patur Hipokratin në një farë mënyre udhërrëfyes në këtë kuturisje të jashtëzakonshme. Por jo Hipokratin mjek. Asaj i nevojitet Hipokrati mendimtar për ta pohuar thjesht me praninë e tij, pa tekst të posaçëm, se kjo dhunë, qoftë ajo fizike apo metafizike e ushtruar mbi njeriun, nuk është një fenomen i ri, i shfaqur në qytetërimin e sotëm, por vjen qysh nga lashtësia dhe është në thelb shprehëse e paaftësisë së njerëzimit për t’u përsosur shpirtërisht, duke shëruar te vetja prirjet mazokiste apo sadomazokiste, pra, duke u humanizuar. Kjo qasje tërësore dhe vertikale, e përshkuar nga një pesimizëm filozofik, i cili është tjetër nga pesimizmi psikologjik, e bën poezinë e Maklena Nikës të vërtetë dhe universale.

             Përfundimi i mësipërm nuk kupton vetëm qasjen ndaj temës së dhunës, por edhe gjuhën letrare të shprehjes së saj. A priori, dhuna tërheq vëmendjen e psikologut, të sociologut, të filozofit, apo, me disa forma të shfaqjes së saj politike, edhe të historianit. Poeti nuk udhëhiqet nga një metodologji studimi siç kanë dijetarët e fushave të mësipërme. Por ai ka fjalët e tij kyçe. Gjatë leximit të “nitroglicerinë” nuk më ra asnjëherë në sy të përmendej “dhuna” me emrin e saj. Dhuna dhe dhunimi janë përcaktimet e mia si lexues të përshtypjes që më mbeti në fund, një përshtypje gërryese, që ta jep vetëm poezia e fuqishme. Maklena Nika ka zgjedhur një fjalor shumë të larmishëm nga mjeksia, që i shkon bashkudhëtimit të saj me Hipokratin. Janë gjithfarë emra sëmundjesh, ilaçesh, aparatesh, me të cilat gjurmohen sëmundjet në trupin e njeriut. Do të nevojitej këshillimi shumë i shpeshtë i Fjalorit për t’i kuptuar, çka do të sillte ndërprerjen me tepri të leximit, pra, do ta dëmtonte rëndë përcjelljen e poezisë.

    Por lexuesi i “nitroglicerinës” nuk ndjen fare nevojë për t’i kuptuar këta emra. Sepse fjalët janë vetëm një element i gjuhës, janë një lloj lënde e parë, e cila bëhet gjuhë vetëm pasi kalon nëpërmjet imagjinatës së poetit të vërtetë. Kështu ndodh me Maklena Nikën. “Sëmundja” në krijimtarinë e saj nuk është një realitet imediat. Është një metaforë ose, thënë me shprehinë e saj, është një surrealitet. Në atë lartësi, gjuha e poetes funksionon si një e tërë, e pacoptueshme në njësi të vogla leksikore. Njësoj si para një vepre të mirë skulpturore, kur askujt nuk i shkon mendja te shëmtia zanafillore e gurit të gdhendur tashmë. Libri çelet me poezinë “nitroglicerinë” dhe mbyllet me poezinë “nigroglicerina ime”. Në poezinë e parë, nitroglicerina përmendet si ilaç: “…gëlltis tabletat e nitroglicerinës…/ pas sulmeve në zemër”. Ndërsa në poezinë e fundit, nitroglicerina është eksploziv: “shpërthimi i vetvetes / syhapur… / me ndezës nitroglicerinë të qelqtë”. Maklena Nika ka ndjekur rrugën më të vështirë e që kërkon mjeshtëri të madhe për të arritur te multisemantizmi. Nuk është shumëkuptimësia e fjalës në vetvete që çon në shumëkuptimësinë e tekstit poetik si një tërësi koherente, por e kundërta. Shumëkuptimësia e tekstit poetik si njësi harmonike i jep mundësi edhe njësisë leksikore të luaj natyrshëm në disa nivele kuptimore. Emil Cioran i shkruante një mikut të vet se fati mund të kuptohet vetëm përmes sëmundjes. Ai sigurisht nuk e kishte fjalën për ndonjë gjendje klinike të njeriut. Tjetërkund rrihte ai. Po të ishte sot gjallë e të lexonte poezitë e Maklena Nikës, Cioran do të shihte se nuk është i vetëm në këtë mendim.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË