Shkrimtari shqiptar Besnik Mustafaj ishte mysafir nderi në edicionin e 46-të të ndarjes së çmimit “Flaiano Literary”, mbi krijimet në italisht, një event ndërkombëtar që vlerëson shkrimtarët. Një pjesë e rëndësishme e ngjarjes ceremoniale, mbajtur në Pescara, ishte e dedikuar për promovimin e romanit të tij Piccola saga carceraria. Një vit pas botimit të tij, romani vazhdon të ketë një jehonë të rëndësishme në media, si dhe është mirëpritur ngrohtësisht nga kritikët italianë. Libri trajton temat e historisë së re të Shqipërisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Besnik Mustafaj bisedoi aty edhe me gazetarin e RAI-t, Lucio Valentini. Presidentja e çmimit “Flaiano”, Carla Tiboni, i dha shkrimtarit shqiptar çmimin “Flaiano Literary” me motivacionin “Për aktivitetet ndaj promovimit kulturor në integrimin Adriatik-Jon-Mesdhetar”.