More
    KreuForumi mbi përkthiminBerton Sulejmani: Disa këshilla përkthyesve të veprave letrare nga maqedonishtja në gjuhën...

    Berton Sulejmani: Disa këshilla përkthyesve të veprave letrare nga maqedonishtja në gjuhën shqipe

    ExLibris – sponsor medial i konferencës shkencore ndërkombëtare, “ÇËSHTJE TË GJUHËS, LETËRSISË DHE PËRKTHIMIT LETRAR”.
    Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë

    Në këtë kumtesë do të trajtojmë disa nga gabimet më të shpeshta që i kemi vërejtur gjatë përkthimit të veprave letrare nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe. Gabime kemi vërejtur edhe te përkthimi i titujve të veprave letrare, të njësive frazeologjike, të toponimeve etj. Teoricienët e përkthimit letrar, prej kohësh, janë të ndarë në dy grupe: ata që janë për përkthim besnik dhe ata që janë për një përkthim të lirë. Andaj, një përkthyes i mirëfilltë letrar, duhet ta dijë se kur duhet të jetë besnik ndaj gjuhës së veprës origjinale dhe kur të ketë liri gjatë përkthimit.

    Në çështje të përkthimit lirisht mund të themi se shumë njerëz na dalin trima, shumë të ditur. Madje, mund të ketë edhe nga ata të cilët gjatë jetës së tyre dy-tre libra nuk i kanë lexuar, por vazhdimisht japin mendime nga të gjitha anët, pa kuptuar se ç’është përkthimi, thelbi i tij. Dhe të tillëve, për fat shumë të keq u besohen, veç tjerash, t’i “masakrojnë” tekstet e ndryshme, madje edhe tekstet që u kushtohen të padjallëzuarve, fëmijëve. Teoricieni i njohur i përkthimit Gjorgjes Munin (Georges Mounin) jep dy mënyra përkthimi: 1. Me syze të tejdukshme, lexuesi lexon një vepër sikur ta ketë shkruar një fqinj i pallatit. Gjuha e huaj nuk ka lënë asnjë shenjë mbi përkthimin; 2. Me syze të errëta, këto janë përkthime ku lexuesi e ndjen përnjëherë se po lundron në një territor të huaj. Fryma e gjuhës së huaj ndihet përmes tërë veprës[1].

    Përkthimi është një veprimtari psiko-gjuhësore ushtruar nga dikush me gojë a me shkrim me qëllim komunikimi midis bashkësish a individësh që nuk flasin të njëjtën gjuhë. Në rastin e përkthimit letrar, kjo veprimtari ka një rezonancë “estetike”[2]. Sot ekziston në botën e qytetëruar një shkencë e përkthimit që quhet traduktologji (në shqip mund të thonim përkthimologji). Përkthimi është edhe zanat, por kur themi “zanat”, na shkon mendje te fjala “artizanat” e cila fillon me fjalën “art”. Me këtë dua të them se përkthimi është edhe art. Është i tillë sepse përkthyesi letrar, gjatë procesit përkthimor kryen ndër të tjera një përvetësim estetik të një realiteti gjuhësor (artistik a të një lloji tjetër) që vetë rrjedh nga një përvetësim tashmë estetik i një realiteti jashtëgjuhësor. Po e them më thjesht: Fan Noli nuk e ka hedhur në letër një ngjarje që e ka jetuar vetë drejtpërsëdrejti, por çka ka lexuar të shkruar tashmë nga Shekspiri. Kemi krijim në rrafshin gjuhësor, meqenëse Shekspiri nuk e ka shkruar “Hamletin” , për shembull, në gjuhën shqipe, por në atë angleze; në gjuhën shqipe atë e ka shkruar Fan Noli; domethënë se në shqipe atë e ka shkruar Noli. Për ta ilustruar këtë, mund ta krahasojmë përkthyesin me skulptorin; ky, kur gdhend, ka zakonisht një model para syve, këtë model nuk e ka krijuar ai, atë ai vetëm do ta rikrijojë, sigurisht sipas mënyrës së vet, duke e përvetësuar artistikisht, në një lëndë tjetër, e cila do t’i bindet frymëzimit të tij. A nuk bën edhe përkthyesi të njëjtën gjë? Sigurisht që po. Por, është e vërtetë që nuk e mëson dot notin pa u futur në ujë, veçse me siguri bëhesh notar më i mirë duke e racionalizuar praktikën, përvojën tënde prej notari[3].

    Teoricienët e përkthimit, prej kohësh, janë ndarë në dy grupe:

    ata që janë për përkthim besnik – janë më afër jo vetëm ideve, por edhe fjalëve të tekstit origjinal;

    ata që janë për një përkthim të lirë – janë më larg formës e, shpesh, jo fort pranë ideve të tekstit origjinal.

    Për të qenë më konkrekt, do të ndalemi te përkthimi i titujve të veprave letrare. Praktika e përkthimit ka treguar se zakonisht titulli i një teksti – roman apo vjershë qoftë ky – përkthehet në fund, pasi është përkthyer teksti në tërësinë e vet. Përkthyesi e sheh titullin jo vetëm me syrin e përkthyesit, por edhe me atë të lexuesit të cilit i drejtohet teksti i përkthyer. Përkthyesi mund ta ndryshojë pjesërisht a tërësisht titullin e tekstit të përkthyer.

    Në shumë raste të përkthimit të titujve, kemi të bëjmë me përkues të plotë, sepse vetë titujt janë pa nëntekst, si për shembull: Les Miserables / Të mjerët. Por, Edmond Tupja na jep një shembull konkret për këtë, pra për rastet kur nuk kemi të bëjmë me një përkues të plotë: gjatë përkthimit të novelës me titull L’Invitation të Klaud Simonit (Claude Simon), nobelist francez, fillimish e përktheva Ftesa, por, ngaqë në këtë novelë flitet vazhdimisht për pesëmbëdhjetë të ftuar, ia dhash trajtën Të ftuarit – shkruan Tupja.  

    Libri i Prustit Un amour de SwamNjë dashuri e Suanit (përkues i fjalëpërfjalshëm), por pasi në libër bëhet fjalë për historinë e njërës prej dashurive të Suanit, pra ky personazh nuk kishte dashuruar vetëm një herë, andaj përkthmi më i natyrshëm është Kur dashuronte Suani. Mirëpo, po të kishte dashuruar vetëm një herë,  kështu do të mund ta përkthenim Një dashuri e Suanit.

    Edhe te përkthimi i veprave letrare nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe kemi vërejtur lëshime qysh në përkthimin e titutllit të veprësa. Libri i Sllavko Janevskit (shkrimtar maqedonas) Села зад седумте јасени – Fshati prapa shtatë drurëve të frashërta (përkues i fjalëpërfjalshëm). Para se ta bëjmë përkthimin përfundimtar të titullit të veprës në fjalë, është mirë të shihet se mos titulli në maqedonisht është ndonjë frazeologji. Sipas mendimit tim, po, është frazeologji, sepse në vepër askund nuk flitet për drurët e frashërta, por për fshatin e largët, për fshatin që ndodhet në ndonjë malësi të thellë. Andaj përkthimi më i natyrshëm është Fshati pas shtatë kodrinave.

    Njëjtë, pra kujdes të veçantë, përkthyesit duhet të kenë gjatë përkthimit të njësive frazeologjike, si: nga a-ja e deri te zh-ja (nga fillimi deri në fund) од а до ш (e jo siç e kemi vërejtur në përkthimet nga maqedonishtja në gjuhën shqipe *nga a-ja deri te sh-ja, sepse shqipja zh-në e ka shkronjë të fundit dhe duhet të jetë nga a-ja e deri te zh-ja); Кратко и јасно = shkurt e shqip e jo: shkurt e qartë etj.

    Krahas frazeologjive, përkthyesi nuk mund t’i shkruajë, bie fjala, emrat e përveçëm në trajtë të pashquar, duhe u mbështetur në gjuhën nga e cila përkthejmë si, p.sh.: * Nëna e Anton i çoi fëmijët te dhoma duhet: Nëna e Antonit i çoi fëmijët te dhoma etj.

    Për në fund, jam i bindur se roli i përkthyesve shqiptarë ka qenë, është dhe do të jetë shumë i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare e për gjuhën shqipe, sidomos në epokën e teknologjisë, përkthesit e mirëfilltë, po japin ndihmesë edhe në krijimin e fjalëve të reja (bukëthekëse këmishënate etj).


    [1]  Marrë nga libri i Qemal Muratit, Manual i thënieve për gjuhën, Prishtinë, 2011, f. 247-248.

    [2]  Edmond Tupja, Këshilla një përkthyesi të ri, (botimi i dytë), Onufri, Tiranë, 2000, f. 11-12.

    [3]  Po aty, f. 13-18.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË