More
    KreuLetërsiBibliotekë"Berta", tregim nga Shkëlzen Halimi

    “Berta”, tregim nga Shkëlzen Halimi

    Në studion e saj vazhdimisht shkoja në orët e mbrëmjes. Dhe sa herë që ngjitesha në katin e nëntë, më ngërthente një dëshirë që kurrë më të mos zbres poshtë. Shpesh rrugës ndalesha për të blerë lëng shege, sepse ky lëng i pëlqente shumë Bertës. Sidomos i pëlqente ta ketë gotën pranë derisa zhytej në thellësitë e pikturave, për të cilat gjithnjë thoshte se u mungon diçka.

    Gjatë atij viti korridori kryesor dhe i vetëm i katit të nëntë nuk kishte dritë dhe askujt nuk i shkonte ndërmend të ankohej për shkak të djegies së poçeve të neonit. Ndonëse nuk dukej asgjë, korridorin e gjatë e kaloja me lehtësi, pasi krejt në fund, në të djathtë, ishte vetëm një derë – ajo e studios së Bertës. Sapo ulesha duke dihatur rëndë (sepse ashensorët nuk punonin), Berta i ndizte dy qirinj, i afronte gotat plastike dhe i mbushte me lëngun e shegës. Pastaj, nën dritën e qirinjve, i hidhja një shikim të gjitha pikturave, të cilat qëndronin varur nëpër mure, ndërkaq në brendinë time krijohej një ndjenjë e çuditshme, sepse më dukej se gjendesha në një botë krejt tjetër, në një botë të qetë, të rrethuar me pamje magjike, të cilat në vete kishin pjesë të dhembjes, që nuk ishte e njëjtë me atë që endej nëntë kate më poshtë. Në fakt, ne pothuaj fare nuk flitnim, por thjeshtë e shikonim herë njeri tjetrin herë pikturat, të cilat në atë gjysmë errësire më dukej se vetvetiu plotësoheshin me ngjyrat e nevojshme. Vetëm kur më thoshte Berta se po i mbyllen sytë, atëherë e kuptoja se kishte kaluar mesnata. Pa bërë zë ngrihesha në këmbë, e mbuloja Bertën me çarçafin që e ruante në një komodinë të vogël dhe dilja duke e tërhequr ngadalë derën. Derisa zbritja nëpër shkallë, hetoja se sërishmi më kthehej ajo lodhje, ai angështim, ajo dhembje e mërzitshme, e cila shpesh edhe bëhet monotone, pa përmbajtje, sa që të vije ta urresh edhe vetveten pa pikë të fajit.

    Një natë më erdhi të ulërij në mes të shkallëve, por u përmbajtja duke u ulur për ta qetësuar dhimbjen e këmbëve. Në ato çaste ndjeva se po më rëndonte gjumi dhe u mbështeta në murin prej betoni. Kur i hapa sytë, i trishtuar nga një ëndërr e keqe, pashë se pothuaj kishte aguar mëngjesi. Sapo mora të ngrihem, ndjeva se krahu, të cilin e kisha mbështetur për murin e betonit, më ishte shtangur, më ishte bërë akull. Nuk vonoi shumë dhe më kapluan ethe drithëruese. Kur zbrita në katin përdhes, rojtari i konviktit më tha se isha bërë për spital. Më kujtohet se ai vrapoi më kapi për krahu, duke më ulur në një karrige druri. Me t’u ulur gjithçka rreth meje u mbulua nga një errësirë. Dhe, kur i hapa sytë dëgjova një zë tek më tha: je në spital.

    Me Bertën ndaheshim në hyrje të asaj godine të ftohtë. Ajo shpejtonte para se të mbyllet dera kryesore nga një plakush më fytyrë të vrenjtur, i cili aspak nuk ishte i mëshirshëm dhe nuk i bëhej vonë kur dikush, për ndonjë arsye objektive, nuk arrinte para mesit të natës të futej në atë godinë të ftohtë.

    -Herëve tjera do të jeni më të përgjegjshëm dhe do të bëni çmos që të mos vonoheni – ishte përgjigja e plakushit.

    Sa herë që shkoja në studion e saj, Berta, disi si me frikë, m’i tregonte pikturat e reja. Derisa i shikoja, ajo rrinte e shtangur dhe priste që ta jap mendimin tim. Ndërkaq unë zhytesha në brendinë e atyre pikturave, të cilat përmes ngjyrave të zjarrta ndriçonin thellësitë e shpirtit të Bertës, në pikturat e së cilës si lajtmotiv zakonisht paraqitej një portë e vogël. Dhe, pikërisht kjo portë ishte enigma e saj, për të cilën ajo kurrë nuk foli. Më së shumti më pati pëlqyer piktura, që e pati emëruar “Pritja e lindjes”, të cilën pikturë e dëmtova bukur shumë pasi në sipërfaqen e saj, përkatësisht mbi këmbën e gruas së pikturuar ranë disa pika të gjaku të gishtit tim, të cilën e gërvishta duke dashur ta vari në mur.

    Ishin ditët e fundit të qershorit të vitit 1991. Berta më kishte lënë një porosi te pastruesja e ndërmarrjes ku punoja, të cilën porosi unë e mora shumë ditë më vonë. Kot ishte munduar të më telefonojë në zyrën time, sepse po asaj dite kishte pasur defekt ne rrjetin telefonik. Pastaj, siç do të mësoj më vonë, Berta e kishte lutur shoqen e saj, Anën, që si e si të më gjejë, kurse ajo nuk kishte lënë skutë të qytetit pa më kërkuar, ndërkaq unë pikërisht asaj dite sërish u shtriva në spital për shkak të dhembjeve të padurueshme në krahun e djathtë.

    Tre ditë më vonë, pasi dhimbjet deri diku më pushuan, ika nga spitali dhe shkova drejt e në studion e Bertës. Rrugës, u ndala para një lulishte dhe mora një buqetë me lule të freskëta, sepse doja t’i kërkoja falje për mungesën e paparalajmëruar. Në katin e nëntë (jashtë që moti kishte rënë errësira), gjëja e parë që më ra në sy ishte korridori i ndritshëm. Për herë të parë i pashë muret prej betoni.

    Dera e studios së Bertës ishte gjysmë e hapur. Kur u futa brenda, ndjeva një rrëqethje. Muret ishin boshe. S’kishte asnjë pikturë pos asaj që më së shumti më pëlqente mua, “Pritja e lindjes”. Pastaj syri më kapi qiriun që e ndeza menjëherë. U ula përballë pikturës dhe shikimin e fiksova në gruan që pritet të lindë. Akoma ishin edhe pikat e gjakut tim që patën rënë mbi këmbën e saj. Ndjeva se përbrenda më zgjerohej një zbrazëti e tmerrshme. Isha në katin e nëntë, në atë shtresë të tmerrshme të Dantes, ku mungesa palosej palë – palë.

    Bertë, iu pata drejtuar asaj kur më tha se e kishte përfunduar pikturën “Pritja e lindjes”, ti nuk je e tillë në shpirt, përse ke vendosur që gruan e pikturuar ta lësh në atë gjendje, me dhembje të përhershme.

    Shpirti i pastër rrugën e ka të vështirë, më pati thënë Berta me lot në sy pasi e përgjaka gishtin.

    Një zë foshnje më zgjoi nga gjumi që, edhe sot e kësaj dite nuk e di nëse kisha fjetur apo kisha qenë në kllapi. Dhe, kur sërish i hodha shikimin pikturës, vërejta se, megjithatë, diçka kishte ndodhur. E gjithë piktura ishte larë në gjak. Shpejt e shpejt u ngrita në këmbë dhe e afrova qiriun. Pothuaj asgjë s’kishte mbetur nga ajo që ishte pikturuar në pëlhurë. Asgjë pos buzëve të gruas.

    Kur agoi dielli pashë se lulet ishin vyshkur. Më në fund u binda se Berta nuk do të kthehet më në studion e saj. Sërish, po në atë mëngjes, unë shkova në spital, ku qëndrova edhe një javë të plotë. Bertën kurrë më nuk e takova. Kurrë…

    Nganjëherë mendoj se ajo e ka hapur një nga ato portat e vizatuara në pikturat e saj dhe ka kaluar në anën tjetër, te ngjyrat e zjarrta që i ndriçonin thellësitë e shpirtit të saj…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË