More
    KreuIntervistaBernard Quaritch Ltd - Dyqani shekullor i antikuarëve: Kemi pasur edhe...

    Bernard Quaritch Ltd – Dyqani shekullor i antikuarëve: Kemi pasur edhe vepra për Skënderbeun

    Bisedoi Andreas Dushi

    Bernard Quaritch Ltd është një kompani në Londër e cila, qysh prej vitit 1847 blen dhe shet libra të rrallë, dorëshkrime apo të tjera materiale të shkruara apo të shtypura, që i përkasin shekujve të shkuar. Biseda në vijim, realizuar me drejtorin aktual të Bernard Quaritch Ltd, z. Donovan Rees, nuk synon vetëm t’i paraqesë lexuesit diçka e cila nuk ekziston në Shqipëri, por edhe të tregojë se kushdo merret me librin është njëfarëlloj misionari.

    Ideja se librari është veç një shitës, bibliotekari veç një nëpunës, botuesi veç një biznesmen etj., duhet të ndryshojë. Faji për këtë përceptim nuk është i publikut në më të shumtën e rasteve, por i vetë njeriut që merret me librin. Ajo çka qysh shekullin e shkuar u tha nga filozofët e Shkollës së Frankfurtit se kultura po kthehet në argëtim i cili në të njëjtën kohë duhet edhe të prodhojë të ardhura, çdo ditë e më tepër konkretizohet në realitetin tonë. Vitrinat e dyqaneve mbushur me tituj që përçojnë drithërima dhimbjesh e tragjedishë; bibliotekarë që i punojnë dhe sugjerojnë tituj të tillë; botues që i botojnë këto tituj dhe i promovojnë me madhështi, bazuar veç në ndikim tregtar që ata kanë: më i shituri!

    Prandaj, kjo bisedë është e para e një cikli të çrregullt bisedash me të kushtuarit tempullin e librit, jashtë atdheut tonë gjeografik, si trokitës në portën e ngushtë të derës së mësonjëtores që gjendet në atdheun tonë mendor.


    Donovan Rees – Drejtori aktual i Bernard Quaritch Ltd

    A. D: Themeluesi juaj, Bernard Quaritch, ishte një nga bibliofilët më të njohur dhe njëherazi, edhe një koleksionues librash duke krijuar kështu një kompani për shitjen e librave të rrallë. Si vazhdoi misioni i tij pas vdekjes?

    D. R: Pas vdekjes së Bernard Quaritch, në 1899, kompania u mbajt nga familja e tij për një 72 vjeçar tjetër, para se të shitej përfundimisht, por që në vitin 1971 ka vetëm dy pronarë –  kushdo qëndron me Quaritch për një kohë tepër të gjatë! Ne i qëndrojmë besnikë shpirtit të kompanisë, ashtu sikurse u krijua nga Quaritch, me ndershmëri, saktësi dhe cilësi, gjëra të cilat janë thelbësore për atë që bëjmë, po ashtu edhe në një perspektivë ndërkombëtare. Për më tepër informacion rreth historisë sonë, mund të kërkoni në website-n e kompanisë.

    A. D: Sa libra të rrallë zotëroni? Në çfarë gjuhe janë pjesa më e madhe e tyre?

    D. R: Është e vështirë të jap një numër të saktë të librave që kemi, për shkak të materialit të parregjistruar të koleksionit, por mund të kemi rreth 8000 – 10000 libra stok. Nganjëherë, ndonjë librari e madhe vjen dhe e shton numrin në mënyrë të konsiderueshme. Librat i kemi në aq shumë gjuhë për të cilat ka edhe treg të mirë, por gjuhët më të zakonshme janë Anglisht, Latinisht, Frëngjisht, Gjermanisht, Italisht, Spanjisht dhe Rusisht; përveç tyre, ne mbajmë gjithashtu edhe materiale në gjuhën Kineze, Arabe, Gjermane etj..

    A. D: Në çfarë mënyre i keni siguruar ato libra? Janë njerëzit ato të cilët jua japin, apo i gjurmoni në “mënyrat tuaja misterioze”?

    D. R: Ne i sigurojmë materialet në dy mënyra: publikisht dhe privatisht, d.m.th. nga ankande dhe agjentë shitjesh, po ashtu nga individë privatë që zotërojnë materiale për të shitur. Shpesh, koleksionistët të cilët janë drejtuar tek ne për të krijuar libraritë e tyre gjatë shumë viteve, në fund janë rikthyer për ndihmë, që t’i shesin librat e tyre. Nëse një klient kërkon një libër të caktuar, ne mund ta ndihmojmë duke e lidhur me dikë për  të cilin e dimë se ka kopje që duan t’i shesin.

    A. D: A keni ndonjë libër Shqip ose libra për Shqipërinë apo Ballkanin?

    D. R: Fatkeqësisht, nuk kemi shumë materiale nga Shqipëria ose Ballkani sepse klientët tanë nuk i kanë kërkuar, por për shembull, kemi një dorëshkrim të një fjalori Arabisht – Turqisht, të shkruar në Margus (Požarevaci në Serbinë e ditëve të sotme), një bibliografi librash të shekullit të nëntëmbëdhjetë në Dalmaci dhe Kroaci dhe një vepër të hershme të shtypur në Dubrovnik. Më herët kemi pasur një numër të konsiderueshëm librash udhëtimi për Adriatikun Lindor, dhe vepra për Skënderbun. 

    A. D: Gjatë karantinës së Covid-19, si ia keni arritur të “mbijetoni”? Dhe gjithashtu, në vijim të kësaj pyetjeje, a ofroni blerje online dhe transport në mbarë botën?

    D. R: Po, kemi vazhduar të operojmë edhe gjatë pandemisë, ndonëse për fat të keq dyqani ynë fizik aktualisht është i mbyllur për vizitorët; në një situatë normale, do të merrnim rregullisht pjesë në panaire librash ndërkombëtarë, por për fat të keq, gjithçka është bërë online për këtë vit. Në website, sikurse është edhe ABE, listojmë shumë produkte që janë stok (edhe pse jo të gjitha) dhe shpërndajmë rregullisht katalogje nëpërmjet e-mail, të cilët gjithsesi mund të shkarkohen nga website ynë.

    Gjithashtu, ne publikojmë një gazetë të shkurtër me 20 – 25 risi në të gjitha fushat – ju [për ta marrë] mund të rregjistroheni në website-n tonë.

    Sigurisht ne kryejmë dërgesa në të gjithë botën dhe pranojmë pagesa në GBP, USD dhe EUR, ndonëse në disa shtete mund të ketë detyrime doganore.

    Përktheu nga anglishtja: Marinela Mundija

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË