Disa studentë më ftuan në një takim për letërsinë dhe ashtu siç prisja më drejtuan pyetjen themelore.
A po zhduket letërsia? Po shkrimtarët për çfarë duhen tani?
Prej kohësh unë nuk hutohem nga asgjë dhe natyrisht nuk u hutova as nga këto pyetje që vërtiten shpesh edhe në kokën time. Letërsia nuk ka më rolin që ka pasur në shoqërinë njerëzore. Qiriu i saj është më i shkurtër se njëqind vjet më parë dhe drita e saj më e dobët.
Letërsia më e mirë e kohërave është shkruar atëherë kur Perëndimi u shkëput nga tirania fetare dhe teknologjike e Mesjetës, pra nga kontrolli mbytës i kishës. Kur shtypshkronjat që filluan të shtypin kopje në seri dhe libri u fut në çdo shtëpi, shkrimtarët francezë, rusë dhe gjermanë kuptuan se mund të zëvendësonin magjistarët, princat dhe priftërinjtë që ishin yjet e kohës. Bota vërtitej rreth këtyre tre zanateve. Klerikët kishin në dorë të shkuarën, princat të tashmen, kurse magjistarët të ardhmen.
Mirëpo shkrimtarët u treguan më të zgjuar duke bërë diçka që askush s’e kishte bërë më parë. Ata bashkuan në një libër të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ata mund të tregonin jetën e vjetër më mirë se priftërinjtë dhe të parashikonin të nesërmen shumë më bukur se magjistarët.
Kështu shkrimtarët u bënë më të besueshëm, jo vetëm sepse ishin më të talentuar se gjithë të tjerët por edhe sepse ndryshe nga princat dhe priftërinjtë ata nuk kishin asnjë përgjegjësi edhe nëse gënjenin. Me ta nuk mërzitej njeri edhe kur ia fusnin kot.
Por kur librat filluan të numërohen si biznes shkrimtarët sajuan një marifet për të shitur sa më shumë. Ata sollën në letërsi njerëzit e thjeshtë. Ndryshe nga tekstet fetare, heronjtë e letërsisë ishin burra me vese, gra mëkatare, të burgosur, të varfër, të uritur, kumarxhinj, spekullantë, maskarenj dhe tradhtarë. Këta njerëz që në Bibël gjithmonë zhdukeshin ose ndëshkoheshin, në letërsi mbijetonin dhe në shumicën e rasteve edhe fitonin. Ndryshe nga Bibla që predikonte vetëm të mirën, në letërsi e keqja dukej e bukur, e shijshme dhe argëtuese. Një njeri i keq në letërsi nuk është gjithmonë i keq. Ky është truku më i madh i shkrimtarëve. Ata ndryshuan shijen e të keqes duke e bërë të shijshme, të bleshme dhe të gëlltitshme.
Megjithatë kur nuk kishte shtypshkronja shkrimtarët vuanin shumë. Edhe kur ishin të mrekullueshëm, librat e tyre lexoheshin nga shumë pak njerëz. Të mësuar me shtypjen e miliarda librave në vit, njerëzit e ditëve tona nuk e kuptojnë dot se sa vuanin shkrimtarët që nuk shkonin dot nëpër shtëpitë e lexuesve.
Komedia Hyjnore e Dantes kopjohej me dorë, një proces që mund të kërkonte qindra ditë pune nga dhjetëra skribë që bënin vazhdimisht gabime ortografike. Është njëlloj sikur punëtorët e shtypshkronjës bashkë me redaktorët, korrektorët dhe librashitësit të shtojmë secili nga një rresht apo të heqin nga një paragraf nga romani yt. Kërdinë më të madhe letrare e ka pësuar Homeri që kopjohej nga një pergamenë në tjetrën, prandaj Odisea është një punë e përbashkët në bashkëpunim me mijëra e mijëra shkrues që i kanë shtuar kësaj epopeje ankthin për jetën e përditshme, inatin vetjak me perënditë dhe pasionet e tyre tokësore. Të dyja këto kryevepra dhe shumë të tjera si to, patën fatin e keq të shkruhen para shpikjes së shtypshkronjave në vitet 1500.
Kurse Don Kishoti i Servantesit që u shkrua më vonë, doli nga shtypshkronja me një tirazh fillestar prej 1500 kopjesh dhe u zhduk për pesë javë. Shtypshkronjat, pra teknologjia shpëtuan nga zhdukja qindra shkrimtarë të mëdhenj siç vranë mijëra shkrimtarë të vegjël të cilët u poshtëruan kur tirazhet filluan të numërohen. Bekimi dhe mallkimi i teknologjisë do i ndjekë shkrimtarët gjithmonë.
Prandaj pyetja nëse teknologjia do ta zhdukë një ditë letërsinë bashkë me shkrimtarët mbetet.
Ka shumë raste kur letërsia i ka shpëtuar shkrimtarët. Pesëqind vjet më parë leximi i vargjeve të Dante Aligerit duhet të ketë qenë një nga kënaqësitë më të mëdha estetike të kohës. Sot nuk e di sa italianë mund ta shijojnë leximin e Dantes dhe sa banorë të këtij planeti mund ta lexojnë Odisenë e Homerit që shpëtoi nga pluhuri vetëm kur u bë film. Nëse do kryhej një sondazh se sa njerëz i njohin aventurat e Odisesë nga filmat dhe sa i njohin nga leximi i Homerit rezultati dihet. Në 100 mijë njerëz ndoshta Homerin e kanë lexuar më pak se dhjetë. Gjithë të tjerët kanë parë filmat apo kanë përtypur versione të vulgarizuara, pra të rishkruara të Odisesë bashkë me qindra ilustrime që i janë bërë kësaj vepre për nxënësit e shkollave të gjithë botës. Nëse nuk do kishte shtypshkronja, albume dhe kinema, Odisea, Penelopa, Circja dhe Agamemnoni do kishin pasur fatin e ca barinjve të pasur grekë që ziheshin për një grua e cila nuk u kuptua kurrë cilin donte nga dy burrat e saj.
Këto ditë po lexoja kryeveprën mistike të një shkrimtari persian të shkruar në vitin 1177. Autori quhet Feriduddin Attar kurse poema që mban titullin kozmik Kuvendimi i Zogjve, tregon se si një ditë gjithë shpendët e botës u nisën në një udhëtim për të gjetur prijësin e tyre. Në fund, nga miliona zogj arritën vetëm 30 syresh, pra vetëm ata që kuptuan se prijësi i tyre ishte bashkimi. Pra uniteti. Fabula e zogjve që kalojnë shumë sakrifica gjatë udhëtimit të mençurisë, pra të iluminimit, është e njëjtë dhe për njerëzit. Zogjtë janë metafora e qenies njerëzore e cila nuk krijon dot progres pa bashkëpunim. Kjo poemë e gjatë ka një vend nderi në raftin e mrekullive letrare të shkruara ndonjëherë. Historitë janë fantastike, maksimat janë superinteligjente, humori është i tragjik, subjekti është aktual, gjetja është magjepsëse, koloriti është magjik, urtësia është e thellë, kurse vargu i ngjan një melodie që nuk e humb asnjëherë ritmin dhe freskinë e lartësive të mendimit.
Ta lexoje këtë elegancë artistike një mijë vjet më parë, atëherë kur është shkruar, duhet të ketë një qenë një fanepsje që kushedi sa njerëz ka tronditur. Ky është rasti kur letërsia merr dimensione terapeutike. Shëruese. Shpirtrat që ka pastruar kjo poemë duhet të jenë më shumë se zogjtë e botës në atë kohë. Natyrisht leximi kolektiv i Kuvendimit të Zogjve duhet të ketë mbledhur më shumë turma se kinematë e sotshme dhe stadiumet e tejmbushura ku 22 burra zhvishen për një orë e gjysmë duke ndjekur një top në mënyrë banale.
Mirëpo njerëzve të sotshëm që dalin nga kinematë dhe stadiumet kjo fanepsje tronditëse nuk u bën po atë efekt që u bënte atyre shpirtrave që nuk i njihnin filmat dhe futbollin një mijë vjet më parë. Nëse në një nga sallat e Tiranës dikush do lexonte Kuvendimin e Zogjve, as dhjetë veta nuk do duronin dot deri në fund. Unë mësova për këtë vepër nga një ish-kryeministër i ditur francez që herë pas here flet për libra të shquar në Instagramin e vet. Nëse nuk do kisha Instagram ndoshta nuk do kisha mësuar kurrë asgjë për Kuvendimin e Zogjve dhe mistikun Feriduddin Attar që përveç të tjerave ishte edhe farmacist edhe shitës parfumesh siç ndodhte në atë atë kohë kur ilaçet dhe aromat tregtoheshin bashkërisht si melheme binjake të trupit dhe shpirtit të kulluar.
Megjithëse e mbaj veten si një lexues të duruar, kur më në fund futa në dorë përkthimin shqip të Kuvendimit të Zogjve e kuptova se nuk kisha vullnet ta lexoj deri në fund këtë poemë që ka shëruar miliona shpirtra. Njëlloj si Homerin dhe Danten nuk lexoj dot më as farmacistin e mençur iranian që ka një varg shumë më të bukur se dy të parët. Është pothuajse e pamundur ta ndjekësh udhëtimin e zogjve deri në fund sepse ndërkohë që ata kapërcejnë njëra pas tjetrës shtatë luginat e dijes, sakrificës, dashurisë, varfërisë, habisë dhe vetëplotësimit të ka zënë gjumi disa herë. Nuk di sa njerëz përfshi edhe mistikët e sotshëm iranianë mund t’i shkojnë deri në fund kësaj kryevepre. Ta lexosh pa ndërprerje duhet të jetë një stërmundim, një torturë artistike me të cilën nuk ia vlen ta ngarkosh mendjen e njeriut modern që edhe pa këtë tepricë artistike është shumë e ngarkuar me qindra informacione që hyjnë dhe dalin aty nga të gjitha cepat e globit.
Por letërsia e vjetër na tregon shumë për mënyrën e jetesës së njerëzve dikur. Kuptohet se ata kanë pasur shumë kohë të lirë. Nuk e di nëse është fat apo fatkeqësi por ata mund të rrinin disa ditë duke lexuar pa pushim ndërkohë që këtë mbushje kohe e quanin argëtim. Të lexoje 12 mijë vargjet e Odisesë dhe 9 mijë vargjet e Kuvendimit të Zogjve ishte njëlloj sikur të rrije tre ditë pa dalë nga kinemaja. Mbushja e kohës ishte një punë më vete për njerëzit e dikurshëm. Por kur koha u mbush me punë të tjera dhe me kënaqësi të reja, përveç letërsisë, atëherë edhe puna e shkrimtarëve ndryshoi. Sidomos teknologjia duket sikur është armiku kryesor i letërsisë së sotshme.
Kohën që një grua e viteve 1800 ia dedikonte fëmijëve, larjes, gatimit dhe romaneve, një grua e ditëve tona ia jep punës, transportit, familjes, vetes, pasqyrës, qejfit, Instagramit dhe burrit. Koha që ka një grua e shekullit tonë për të lexuar është ndoshta pesë herë më e vogël se ajo e një gruaje që ka jetuar dyqind vjet më parë. Si mbushës të kësaj kohe pa fund, shkrimtarët e shekullit 19 shkëlqyen më shumë se të gjithë shkrimtarët e kohërave. Askush nuk përsërit dot një brez si ai i Pushkinit, Gogolit, Dostojevskit, Tolstoit, Turgenievit, Çehovit, Hygosë, Balzakut, Floberit, Zolasë, Aleksandër Dymasë, Bodlerit, Dikensit, Bajronit, Oskar Uajldit, Gëtes, Hajnes, Mark Tuenit dhe Edgar Allan Posë. Një shekull me letërsi kaq madhështore dhe ndikuese ndoshta nuk do ketë më. Është e pabesueshme ta mendosh se gjithë këta yje kanë lindur shumë afër njëri-tjetrit. Është njëlloj sikur gjithë yjet e qiellit të mblidhen në një parcelë dhe të shkëlqejnë aq fort saqë t’i mbushin sytë me një dritë të përjetshme.
Por natyrisht lindja e kaq shumë shkrimtarëve në një shekull ka një shpjegim. Ajo nuk është rastësi që varet nga uji i atyre viteve, nga ajri apo nga pozicioni i yjeve të atij shekulli por nga disa faktorë të tjerë. Teknologjia, pra shtypja e librave në masë dhe qarkullimi tyre si biznes, pra futja në çdo shtëpi, ka qenë arsyeja e parë. Nëse shkrimtarët e asaj kohe nuk do kishin marrë kaq shumë kënaqësi nga lexuesit e tyre nuk do kishin shkruar dot kryeveprat që shkruan. Shkrimtarët e mëdhenj janë produkt i lexuesve të mirë.
Faktori i dytë ishte koha e lirë. Burrat dhe gratë lexonin sepse nuk kishin televizor, nuk shkonin nëpër stadiume, nuk kishin makina për të bërë weekend, nuk kishin Instagram, Facebook, revista mode dhe supermarkete për të blerë xhingla të kota. Njerëzit e zhveshur nga luksi i sendeve të panevojshme, ishin lexuesit më të mirë që njerëzimi ka njohur ndonjëherë. Nuk e di kur do i vijë botës më kjo racë lexuesish perfektë, të duruar dhe të shkolluar si ata që i i erdhën Evropës dyqind vjet më parë.
Sot ka më shumë lexues, ka më shumë shkrimtarë, ka më shumë botime por nuk ka letërsi kaq të pastër, dhe kaq plotë të cilës nuk i mungon pothuajse asgjë. E parë si një galeri me personazhe, letërsisë së shekullit të 19 nuk i tepron askush dhe nuk i mungon askush, përveç ndonjë roboti apo alieni që mendja e shkrimtarëve të asaj kohe i injoronte si mbetjet e kuzhinës letrare. Pra si fijet e prasit që presim para se ta hedhim në tenxheren me mish.
Në vitin 2025, në gjithë botën u botuan rreth 4 milion tituj. Njëqind vjet më parë, në vitin 1925 janë botuar rreth 150 mijë tituj, kurse në vitin 1825 rreth 15 mijë tituj kanë dalë nga gjithë shtypshkronjat e planetit. Kapërcimi është i paimagjinueshëm. Marramendës. Si mund të lexojnë njerëzit kaq shumë kaq shpejt.
E megjithëse sot shkruhet njëzet herë më shumë se para njëqind vitesh, ndërkohë që arsimi i ka shtuar botës miliarda lexues, sërish pyetja a do ketë më shkrimtarë bëhet kudo, përfshi edhe nga studentët e një universiteti në Tiranë siç më ndodhi mua.
Kushdo që e bën këtë pyetje pickuese ka parasysh inteligjencën artificiale. Pra frikën se teknologjia që ka nxjerrë dikur shkrimtarë të mëdhenj nga pluhuri, mund t’i zhdukë fare shkrimtarët e sotshëm. Nuk është çudi që pas pesëdhjetë vitesh, shumica e romaneve të shkruhen plotësisht ose pjesërisht me AI. Një shkrimtare japoneze që fitoi çmimin më prestigjioz të këtij vendi para dy vitesh pranoi se rreth 15 për qind e librit të saj ishte shkruar nga inteligjenca artificiale. Nuk është e papritur që bashkë me mësuesit, bankierët, financierët, arkitektët dhe shumë profesione të tjera një ditë të zhduken edhe mjekët e shoqërisë njerëzore. Shkrimtarët. Bota mund të mbetet shumë shpejt pa shkrimtarë dhe kandidatë për çmimin Nobel të vitit 2078 mund të jetë një aplikacion kinez, një start-up korean dhe një teknoamfib norvegjez që ka shkruar një poezi për pyjet e këtij vendi. Ndoshta vetë shkrimtarët do konkurrojnë me inteligjencën artificiale e cila nëse sot ka arsye, nesër mund të ketë ndërgjegje dhe pasnesër mund të ketë shpirt, humor dhe trishtim.
Nuk them dot se kjo do jetë një ditë e keqe për njerëzimin siç nuk them dot se do jetë një ditë e mirë. Ndoshta nuk do jetë e mirë për shkrimtarët si qenie njerëzore. Ata mund të zhduken. Por nga ana tjetër kjo ditë nuk do jetë e keqe sepse letërsia do vazhdojë. Njerëzit do kenë nevojë që dikush të përshkruajë fëshfërimën e erës në xham, lotët e fëmijës së sapolindur, marrëzinë e shkaktuar nga deliret, bashkëjetesën frymëzuese me kafshët shtëpiake dhe emocionet e vetmisë së pakthyeshme. Të gjithë këto ngjarje të shpirtit që sot shpjegohen nga shkrimtarët, nesër mund t’i bëjë dikush tjetër: makinat. Apo siç i ka quajtur dikush thinking machines. Makinat që mendojnë. Pra shkrimtarët mund të zëvendësohen nga makinat që e kuptojnë edhe më mirë jetën tonë, dashurinë, çmendurinë dhe vdekjen. Atëherë letërsia do jetë po kaq e fuqishme dhe po kaq e nevojshme sa ç’ka qenë dikur. Por ndoshta mund të jetë edhe më e bukur. Lexuesit e saj do jenë njerëzit kurse shkrimtarët do jenë makinat.
Kushdo që në fund të këtij shkrimi do pyesë si ka mundësi që një shkrimtar të flasë për zhdukjen e shkrimtarëve do marrë përgjigjen që morën studentët.
Letërsia do vazhdojë, pavarësisht se nga kush do shkruhet.


