More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: "Parakalimi" - një fragment drame e A. Pashkut

    Behar Gjoka: “Parakalimi” – një fragment drame e A. Pashkut

    Trashëgimia letrare e dramatikës së Anton Pashkut, përpos dy tragjedive moderne, siç edhe i pati përcaktuar vetë shkrimtari, përkatësisht Gof dhe Sinkopa, shqyrtuar në të gjithë elementët e vetë, nga studimtaria e shqipes, përfshin edhe fragmentin e dramës Parakalimi, një tekst relativisht i shkurtër, krahasimisht me dy tekstet e tjera të autorit. Prania e këtij fragmenti drame, krijon një situatë të re dhe jo pak të ndërlikuar, për trashëgimin dramatike të autorit, e cila duhet të marrë një përgjigje:

    a – Natyra e këtij teksti dramatik, në të gjithë treguesit, sidomos si dialogim dhe replikë ndërmjet personazheve të episodit, që pamëdyshje tregojnë shenjat thelbësore të tipologjisë së dramaturgjisë, parë në marrëdhënien e ngushtë me dy veprat e tjera, që i përkasin tragjedive moderne, pra me këtë tekst të shkurtër dramatik, pasurohet tipologjia e zhanrit të lëvruar prej Pashkut.

    b – A ka ndonjë mundësi hipotetike, që autori ta ketë përfunduar si tekst drame, pra që më në fund të kemi të bëjmë me një dramë në të gjithë përmasën e vetë, dhe dikur në një të ardhme të afërtë, të na bjerë në dorë, pikërisht dorëshkrimi i plotë i dramës, që do të përplotësonte kështu rolin e plotë të Pashkut në shkrimin dramatik?

    Ky fragment teksti, që është ribotuar në vitin 2005 në Prishtinë nga shtëpia botuese Faik Konica, ndërkaq e përmbledhur bashkë me prozën për fëmijë, por edhe me disa nga tregimet fantastike, siç i pati emërtuar vetë shkrimtari, të shkruara në dy variante gjuhësore, pra në gegnishte dhe në gjuhën e njësuar, që në fakt përbën një anë tjetër të kontributit të shkrimtarit, që do të kërkonte verifikim dhe interpretim krahasimtar, të kësaj dysie gjuhësore, pra të shkrimit të prozës edhe me gjuhën e njësuar, por edhe me variantin e gegnishtes. Ky fakt shënon ndërkaq edhe dy versione të mirëfillta letrare, çka përbën edhe vlerën më të madhe të tyre, vlerësinë estetike, për momentin përmbyll pjesën përfaqësuese të dramaturgjisë moderne të realizuar prej shkrimtarit. Nga ana tjetër, me shumë gjasa, më tepër e shtruar si një hipotezë, që do të kërkonte hulumtime të gjera, si do të ishte drama e përfunduar, ose si janë në të gjithë hapësirën e tekstit, elementët kryesorë dramatikë. Nëse ka gjasa, që ta zbulojmë ndonjëherë në dorëshkrimet e autorit (gjë që do të gjurmohet pranë familjarëve të tij), mbase edhe të vijimit të këtij teksti, që për nga stilemat dhe ngjyresat shqiptimore lidhet me tipologjinë e shkrimit dramatik të autorit. Në pikëpamje të llojit letrar, pra të tipologjisë shkrimore dramatike, ky tekst do të duhet shqyrtuar dhe verifikuar, se a është pjesë e konceptimit të autorit, si tragjedi moderne, të emërtuar nga vetë shkrimtari, pra sikurse dy tekstet e tjera, të cilat i kemi të plota, apo më së shumti i përket tipit të dramës, siç e pati shënuar vetë autori, diku në fillim të fragmentit? Emërtimi nga vetë shkrimtari, pra vetëm si një fragment drame, ashtu si edhe ka emërtuar si tragjedi moderne, dy tekstet e tjera dramatike, të cilat i kemi të plota, dëshmon më tepër se është tejkaluar përcaktimi i këtij teksti si lloji letrar, si dhe pjesa tjetër, duke e zgjidhur vetë problemin e llojit letrar të këtij fragmenti, që më tepër paraqitet si një tekst drame.

    Filozofi jetësore

    Kolizioni dramatik, që dihet se shënon një nga shenjat ekzistenciale të dramatikës si gjini unike letrare, pavarësisht llojit dhe tipologjisë, i pranishëm në fragmentin e dramës Parakalimi, bazuar vetëmse në tekstin dialogues, që na ka rënë në dorë me atë hapësirë tekstologjike, si dhe në mënyrë të veçantë me nëntekstin rrezonues të tij, që bart dhe përçon, më në fund qartësohet se i përket rrafshit etik dhe filozofik jetësor. Pra, në hapësirat e tekstit të fragmentit Parakalimi, shfaqet një pamje konkrete dhe e bazuar në thelbin mental të njeriut, krejt të zakonshëm të popullit, mbi shanset e jetës. Filozofia mentale jetësore e njeriut të thjeshtë, krejt të zakonshëm, që rreket të mbijetojë në këtë realitet, të vrazhdë dhe telendisës, madje siç na shpaloset në tekstin e këtij fragmenti drame, veçanërisht kjo ndjesi e pazakontë, artistikisht përftohet nga kjo përplasje e ashpër e dy koncepteve reale:

    Së pari: Kali i bardhë, që duket se na vjen këtu si një simbolikë e gjetur dhe funksionale, i cili bart mbi supet e veta, po kaq edhe një mesazh të rrokshëm mental të popullit, të mençurisë së rrokshme popullore, të fatit të bardhë. Me shumë gjasa, bart dhe përçon diçka më tepër të uratës dhe garantimit të fatbardhësisë, së qenies njerëzore, që ndërkohë përfaqëson vetëm njërën anë të medaljes, pra të pranisë së mençurisë dhe filozofisë jetësore, e cila shenjohet me një formë të gjetur të kontrasti të thekur, bardhë e zi, ku ngjyra e bardhë, për shkak të paqtimit dhe ardhmërisë, që sjellë me vete, është më e pranishme dhe më e dëshirueshme për vetë qenie njerëzore.

    Së dyti: Fatin e zi, po kaq të vlertë si detaj artistik, që e ndjekë fatin e njeriut në çdo hap që hedh, si individ dhe komunitet, si me thënë kjo gjetje stilistike, e një antiteze bardhë e zi, përfaqëson atë pjesën e mistershme, pra kalin e zi, i cili në mentalitetin e filozofisë popullore, paralajmëron fundin e zi, kobin dhe katastrofën. Por, paragjykimi mbi mbrapështinë që bart ngjyra e zeza, shpaloset prej këtij fragmenti të tekstit dramatik, ku vjen e plotë zezona, madje si një fund i pashmangshëm i vijimësisë së qenies njerëzore. Në këtë përplasje konfliktuale, të ashpër sa nuk rrëfehet, të madhe ngjyrash të forta, ku ngjyra e zezë që përthkeson kontrastin përballë të bardhës, është edhe më e fortë dhe po kaq më shkatërruese, njëherit, si dëshmi e rrokshme e paragjykimit mbi spektrin e ngjyrave, sepse vërtetë e zeza, të tmerron, por e bardha e akulltë e borës, a nuk ndikon në jetën e njeriut po kaq fortë?

    Vënia përballë e këtyre dy koncepteve, të jetës si mbijetesë dhe të filozofisë mentale popullore, që në hapësirat e fragmentit, rrinë përballë dhe materializojnë kontrastin e fortë, me shumë gjasë e dy ngjyrave të forta dhe të përndezura, që përfaqësojnë një marrëdhënie mentale dhe paragjykuese, të hershme dhe bashkëkohore, të spektrit bardhë e zi, të cilat në këtë episod shkurtimor, vijnë përmes kalit të bardhë dhe të zi, si dhe vetë ato janë dy ngjyra të cilat, shëmbëllehen dhe çnjgjyrosen në njëra-tjetrën, një vështrimi ky tipik i mjediseve shqiptare, por edhe i rajonit të gadishullit tonë. Në fakt, e bardha dhe e zeza, të vëna përballë, përfaqësojnë dy simbolika, të ndryshme dhe të përkundërta, të shqiptimit të rrokshëm letrar, çka ka bërë që kolizioni dramatik, limfa ekzistenciale e veprave dramatike, të ngrihet mbi një rrafsh etik dhe filozofik, thellbësisht jetësor dhe po kaq edhe realist në formësimin e situatës dhe dialogut ritmik. Po ashtu, në konceptin e fatit, me shumë gjasa të fatalitetit, që sendërton kontrastin, përmes dy ngjyrave, bardhë dhe zi, një ndërthurje që nuk shpie në shkrirjen e ndërmjetshme, por vetëmse në pak zbehje të secilës prej këtyre ngjyrave, bën pjesë edhe një element tjetër përbashkues, pra kali, që dihet më së miri që simbolizon lirinë si veprim dhe ëndërr. Pra, në konceptin e autorit, e dëshmuar në këtë fragment teksti, të dyja ngjyrat, bardhë e zi, janë në garë dhe në vrapim të pandërprerë, gjë që sigurohet nga fakti i përzgjedhjes së kalit, si simbol i lirisë dhe vrapimit, vështruar nëpër të gjitha kohërat, qysh prej antikitetit e deri në kohët moderne.

    Dialogu identifikues

    Në pikëpamje të teknikës shkrimore, pra të shpalimit letrar, të poetikës së dialogut, por edhe e veprimit, në këtë fragment të dramës së emërtuar Parakalimi, hetohet një tipar përbashkues/afrues, i lidhur ngushtësisht me natyrën e tekstologjisë së tragjedive moderne, qoftë në pikëpamje të identifikimit dhe shpalimit të personazheve, e po kaq të vetë ritmikës me të cilën shkëmbehen replikat. Materia e këtij teksti dramatik, pavarësisht se kemi me një fragment të shkurtër, pra end nuk kemi në dorë gjithë veprën dramatike (nëse ka një të tillë), por duke u nisur vetëmse nga sekuencat e tekstit, përpos të tjerash, na mundësohet:

    – Identifikimi tipik i personazheve të fragmentit, si tipa dhe karaktere, si përfaqësues të tipave dhe mjediseve të caktuara, të pranishëm në këtë hapësirë, sepse përgjithësisht ligjërimi dialogues i tyre, replikat e ndezura, në atë ritmikë dhe ngjyresë, veçon dhe tipizon protagonistët e fragmentit, si Vetoni, epiqendra e fragmentit të dramës, Ekremi dhe Nana. Kjo e fundit, në skenën vjen fillmisht si za, e mandej si prani fizike, duke u bërë më interesante si figure e skalitur e këtij teksti, në kuptimin e befasisë që buron nga paprania e pritjes, si figurim karakteri.

    – Identifikim i plotë karakterizues, tipikisht gjuhësor, batutat e shkëmbyera kaq rrufeshëm, ku përbashkësia e lavrimit të gegnishtes dhe të gjuhës së njësuar, jo vetëm nuk ka penguar nuancat dallimore, të mënyrave të veçanta të ligjërimit, përkundrazi ka qenë një mënyrë e gjetur, estetike dhe karakterizuese, e tipizimit dhe karaketerizimit të tyre, si tipa dhe figura të skalitura, që bartin psikologjinë e kohës. Kështu zani i Nanës, përpos të tjerash, në fakt në atë kontekst dramatik, na sugjeron një prani fantastike, të natyrës së jashtëzakonshme, teksa shprehet:

    – Prrallën? … At kalin e bardhë si bora e paske pa në andërr?! Tiparin e jashtëzakonshëm, si tonalitet dhe ngjyresë fantastike, cilësi letrare e rrokshme në një pjesë të krijimtarisë së autorit, pra në prozë dhe dramatikë, që e përpush frazën në një gjendje të ngritur estetike. Ky tipar shkrimor bëhet më i prekshëm në tregimet fantastike, por e ruan me funksion letrar kur shprehet si Nana, teksa thotë:

    Kali i bardhë edhe ma tutje hingëllonte në kodër. (2005: 311), që përfaqëson vetëm njërin krahë të simbolikës së ngritur, në situatë dramatike në këtë fragment, pra vetëm të bardhën dhe fatbardhësinë. Nga ana tjetër, vetë pohimi i Vetonit, në njërin nga episodet, një figurë mirëfilli realiste, që ndërkaq bart atributet e një situim tjetërsojshëm:

    – Sot asht afati i fundit për me dorëzue njifarë punimi në redakësi. , që duket se e zbret situatën dramatike të këtij fragmenti, në realitetin konkret, në kohën reale të një ngjyrese autobiografike, madje duke krijuar gjasën, që mundet me bisedu shlirshëm, pa drojë dhe ngurrim, për kuajt e bardhë dhe të zinjë, të cilët përveçse janë një vështrim metaforik krejt i rrokshëm, shpërfaqin një situatë dramatike simbolike, që e anëson fragmentin nga ngjyresat e tragjedive moderne.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË