Pjesë e marrë nga monografia “Petro Marko – shkrimtari i lirisë”, në kuadrin e 110 vjetorit të lindjes së shkrimtarit, në proces botimi
Formulimi i poeti për materien e librit Lejania – largësia, vargjet që flasin nga varri, jo vetëm pse vargjet, tekstet në prozë, sikur vijnë nga bota e “përtejme”, por ato vijnë nga ngjizja e letrares, si bashkëshkrim i poezisë dhe prozës. Në letrat shqipe, në njohjen time, natyra dhe tipologjia e shkrimit të tekstit Lejania, shënon një rast unik. Jemi në një udhëtim vetmitar, nisur nga jeta, diku në matanëjetë, një udhëtim nëpër rrathët e ferrit, në kërkim të parajsës së vargjeve. Kur po mbaronte durimi dhe shpresa, se dikur do t’i zhvarroste poezitë e tij, diku atje larg në Spanjën trime, që ia vuri si nënkresë dëshmorit të lirisë, Ramiz Varvarica, poeti ulet në tryezën e shkrimit, për ta ringjallur pengun dhe mallin e krijimit. Një zjarr përdjegës po ia digjte zemrën, po ia përvëlonte mendimet, e prandaj lëshohet në krahët e shpirtit, me kujtime përmallimi, lëshohet me turr, si dikur në fushën e betejës, në epopenë e lavdishme të Spanjës, në kërkim të shpirtit që pati mbetur larg, në kërkim të vargjeve, që dikur i pati varrosur. Ka diçka legjendare, mbase diçka krejt mitike dhe të pashpjegueshme, në gjithë këtë sipërmarrje, gati ka një lodërtim paradoksal, si për ta ndalur kohën, me gjasë për ta kthyer mbrapshtë, mu si në një zhgjëndërr.
Model i sinkretikës letrare
Hapësira tekstologjike e librit Lejania, është një model i sendërtimit të sinkretikës letrare, që ka ardhur në këtë formë, varësisht gjendjeve emocionale të autorit, kredhur në botën e kujtimeve, të nevojës për t’i ringjallur vargjet e lëna në Spanjë. Gjurmë të brendashkrimit të ndërthurjes së poezisë, prozës dhe dramatikës, të bashkëvendosura në të njëtën strukturë letrare, që e përvijon praninë e sinkretikës letrare, e ndeshim në disa prej romaneve, site Hasta la vista, Qyteti i fundit, Një natë e dy agime, që botohet në vitin 1989, me shkurtime me titullin Nata e Ustikës, Një emër në katër rrugë, e ndonjë tjetër. Në rastin e librit Lejania, prania e sinkretikës letrare, është diçka tjetër, është një model i shkrimit letrar, pikërisht në këtë formë brendashkrimi letrar. Është konceptuar dhe bashkëlindur si tekst në këtë formë, në këtë strukturë ekzistence, ku kufijtë e poezisë me prozën apo me dramatikën, gjellijnë në një gjendje pezullie letrare dhe shpirtërore, pothujase të pamundur, për ta përcaktuar tipologjinë e lidhur kaq ngushtësisht të gjinive të ndryshme letrare. Megjithatë, për nevojat studimore, jo për ta shpjeguar, por për tu përpjekur për të hedhur dritë te brendashkrimi, si dëshmi e sinkretikës letrare, me vlerë hetimi, shenjimi, zbulimi të secilës shenjë të pranishme:
– Poezia, materia parake, dhe materiali bazë, për të mundësuar ekzistencën e ngrehinës së librit Lejania, ku gjejmë të realizuar sinkretikën letrare, e cila hapet me poezinë ROMANCERO ITERNACIONAL (prolog), një dialog poetik sipëror me poetin dhe dëshmorin Alfredo, e materializuar me vargje të lira. Për të vijuar me Ligjërimi i Dhembjes (vargjeve të mia), të shkruara me vargje të lira, si një personifikim-prozopope i vargjeve të varrosur diku larg, në Spanjën legjendare. Resataurimi, vargje në spanjisht dhe shqip, si një akt përlindës i vargjeve, tanimë të “zhvarrosura”. Intenerari i tingujve, ku prania e heroit të kohëve moderne, ringjall madhështinë e betejave dhe të dhimbës. Shkrova atë natë në Karkason, sërish e realizuar me vargje të lira, me vargje malli për Shqipërinë, që djeg e përvëlon. Figueras, është copa e Shqipërisë që autori e ka marrë me vete. Barcelonë, ku shprehet dashuria për të dy atdhetë, për Shqipërinë dhe Spanjën që ka ardhur si vullnetar i lirisë. Në Albacetë, rishfaqet prania e mallit për Shqipërinë. Në Sierra Morena, Në Badajoz, Intermexo, Brigjeve të Ebros, si një tablo poetike, e derdhur me poetikën e vargjeve të lira…..
– Proza, si materie letrare, është gati në nivel të barabartë me poezinë, e pranishme në librin Lejania. Ajo, vendoset pas ose para poezive të librit, duke qenë si pjesë organike e teksteve. Proza, shkruar gati me ritëm poetik, ose jep informacion për luftën, për protagonistët pjesëmarrës, ose kryen funksionin e një kodi për ta dekoduar/zbërthyer tekstin poetik. Shpesh, në hapësirën tekstologjike, proza vjen e ndërtuar me një ritëm, gati melodik, që e shpie situatën shkrimore deri në sendërgjimin e prozës poetike, që i qëndron karshi dhe shumë pranë teksteve poetikë të librit.
– Dramatika, ka raste në këtë libër, që teksti vjen në formën e shkrimit dramatik. Dialogu që zhvillohet në faqet 40-41, në mes poetit dhe të dashurës, pra siç e pohon autori, Lotja dhe unë. Në faqen 80, ndeshim përsëri dialogun dramatik, në mes Unë dhe ajo. Kurse në faqet 91-92, kemi një dialog në mes Amadas dhe Amados. Situata e dialogut në mes tyre, rishfaqet edhe në faqet 95-96.
Poetika e vargjeve të lira
Fakti që pjesa dërrmuese e vargjeve, të librit Lejania, krahas pranisë së teksteve në prozë, është realizuar me vargje të lira, të cilat krijon mundësinë dhe premisat, për të hetuar poetikën e vargjeve të lira, të poezive të përfshira në këtë libër. Lëvrimi gjerësisht i poezive me vargje të lira, e sidomos aureola stilistike, në secilën prej poezive, krijon gjasat reale për të prekuar dinamikën e shkrimit poetik, ritmikën e brendshme të vargjeve të lira, ku është kaluar sprova e hershme, e lëvrimit të vargjeve të lira qysh në vitin 1934. Jemi realisht në hartimin e poetikës personale, me vargje të lira, me një siguri të dëshmuar. Titulli i librit Lejania – Largësia, si dhe nëntitulli, spanjisht e shqip varri i vargjeve të mia ndodhet shumë larg, paralajmërojnë se poeti është vënë në një shtegtim makabër dhe absurd, sikur po rend drejt ferrit dhe matanëjetës, ku gjithsesi, poezia e secilës situatë ligjërimi, e vargëzimit të matur apo të lirë, poetika e saj përlindëse, e largon terrin dhe vetiu hap portat e dritës, diku për te jeta, duke lartësuar amshimin e dëshmorëve, por edhe të vargjeve të vorrume, bashkë me trimin dhe bashkëluftëtarin, Ramiz Varvarica…
Metafora e përgjakur
Materia poetike e librit Lejania – Largësia, i kushtohet: Poetit Alfredo nga Italia proletare e Leopardit.[1] , prej aktit heroik të kryer nga poeti trim, që qëndroi vetëm përballë rrezikut, duke shpëtuar shokët, në mes tyre edhe poetin Petro Marko. Metafora e pazakontë e shqiptuar në vargjet: Lulëkuqet me gjak e vaditën/dhe ajo nisi të këndonte/legjendën heroike të jetës/me vargjet e barit të njomë/pranë burimit të jetës/kështu që kujtesa/kurrë nuk shteron…[2], ku akti i rënies dëshmor e lartëson, birin e Italisë, kurse magjia e fjalës, e paraqet si hyjnore gjithë ndihmesën e dhënë në fushën e betejës: Unë jam një poet/dhe këndoj me sy hapur./Them gjërat që shoh,/ato që unë pashë në tokën e ndezur:/klithma e tinguj,/këngë e ulurima., që vjen si një përmendore fjalësh nga poeti për poetin, vullnetarin e lirisë, që sakrifikojë jetën e vetë, për shokët, pra për jetën. Përmbyllja e poezisë: burimin e pashterur të dëshmorëve,/ku era – legjendë/nanuris Lirinë![3], është tingëllima ma e bukur e kënduar për ata që mbrojnë jetën. Nga ana tjetër teksti në prozë, portretizon ngjarjen, e njëkohësisht sugjeron kodin e leximit të vargjeve. Pohimi: Ndërsa po ngjitesha, ai vazhdonte mbrojtjen tonë me mitralozin “Maksim”. I kishte vendosur fletoret e poezive të tij në gjoks[4], një turbullirë ndjesish në çastin kur avitet vdekja, e poezia e ka përjetësuar ikjen trimërore, si vullnetar i lirisë.
“Lejania” – ringjallja e vargjeve
Në shqip Te varri i vargjeve të mia, kurse në spanjisht (e përkthyer) Ndodhet shumë larg varri i vargjeve të mia., duket se bartin kodin e bashkëlidhjes së fatit të vullnetarit të lirisë, që lidhet përjetësisht me fatin e vargjeve të poetit, si një jetë e dytë e matanjetës. Peizazhi që ofrohet, në prozë:…aty te Katër Ullinjtë, përballë Caspes (në këndin ku Guadajupa derdhet në Ebro., si një përshkrim i përimtësuar i mjedisit të luftës. Pamja është vërtet fatale: Ramizi mbi mitralozin “Maksim” i përgjakur, më pa dhe u përpoq të nxirrte ndonjë fjalë nga goja e mbushur me gjak…, si një përshkrim i detajuar dhe sublim, i çastit të rënies heroike të Ramiz Varvaricës, në fushën e betejës, si vullnetar i lirisë. Për të mbërritur gjer të akti i pazakontë: Çantën time plot me vargje të shkruara në Pirene e në Madrid…bashkë me degën e ullirit ia vendosa si nënkresë Ramizit, që e shtrimë me kujdes në varr… Kujtesa dhe akti, kur ndërroi jetë heroi, pra kur ra dëshmor dhe poeti, gjendur në atë moment, bëri diçka të pazakontë, që bashkë me trimin varrosi vargjet, që të mos binin në duart e fashistëve, nëse plumbi do lëshohej mbi atë. Pra, vargjet u varrosën që të ruheshin nga armiku, e në gjithë jetën, ngulur në mendje dhe zemër, në shpirt e vetëdije, si një akt përtej njerëzor, sepse luftë ishte e tillë, ku rreziku qe pranë, dhe kishin ardhur për lirinë, kishin ardhur për njerëzimin, e rënia në fushën e betejës, ishte sakrifica për të ruajtur jetën.
Dhimba krenare
Dialogu që zhvillon poeti me vargjet, sikur me një njeri, gjallë apo i vdekur, shënon një befasi etike dhe estetike. Në episodin e parë, lëshohet pasthirrma kozmike: Unë ju varrosa!/Të më falni!/Besoj se më kuptoni/Ju/që porsa kishit lindur/në agimet/perëndimet/e stinës kuqfshanore.[5], të realizuara me vargje të lira dhe të një angazhimi luftarak. Vargjet e pjesës së dytë: Unë ju mblodha/në hapësirën/e planetit në furtunë! Episodi i tretë është një përmendore për të rënët, ku në vargjet: si vorbull sulmesh e kundërsulmesh,/parada e ritirata/e gjer në Ebro/në Ebro, në Ebro,/në Ebro/Ku ra i pari Asimi/Në Gondesa e Caspet, ku ra edhe Ramizi -/stacione këngë e gjaku, Klithma për vargjet, e lëna larg, e varrosura bashkë më dëshmorin, vetëm sa përforcon dhimbën krenare, për dëshmorët e lirisë. Vargjet: O vargjet e mia!/o pika e gjakut të ndjenjave të mia!/O nota jete të gëzimeve/dhe hidhërimeve të mia/o shokë të pandarë/të shqetësimeve të mia!, ku gërshetohet personifikimi, sikur po flet me njerëzit, me apostrofimin, me thirrjen nga shumë larg, ku melodika e vargjeve të lira, sendërgjon tingujt e dhimbës krenare. Fill pas vargjeve vjen teksti i shkurtër në prozë, ku pohimi: Pasqyra e viteve te ecjeve mbi litarin e hidhur te kolona e ëndrrave[6], është kod i leximit të vargjeve të krenarisë së dhimbjes, që e sjellë të gjallë frontin me sakrificat e shumta. Vargjet e mëposhtme: Dhe, tani, kur shikon në pasqyrë,/shikoj me dashuri e përgjërim/Ramizin që rron,/kurse ju, o vargjet të mia/keni vdekur…keni vdekur,/por jo për gjithmonë.[7], me këtë bisedë imagjinare me trimat e rënë në luftë, por edhe me vargjet e dashura, rindizet shpresa për sjelljen në jetë të vargjeve. Episodi i pestë, e rikthen përsëri vëmendjen nga makthi i poetit: O vargjet e mia!/Ku, ku jeni?/Ku flini?/ O nism’ e embël e ëdrrave të mia/O këngë e bukur e shpresave të mija!, si vajtim i dyfishtë për shokun e ngushtë dhe për vargjet e mbetuar larg. Në vargjet: Dergjeni në sierrat e Aragonës/të bëra hi e pluhur/me kokallat e tretura/të Njeriut të rrallë… Në këtë poezi, përveç tekstit në prozë, që rimerr dhe dekodon vargjet, pra i kontekstualizon ato, në rrethanat e ashpra të luftës, janë përfshirë edhe njëzet e dy vargje në spanjisht, që krijojnë aureolën e kohës së Luftës së Spanjës.
Restaurimi i vargjeve
Pjesa Restaurimi, hapet me një trajtesë, gati apokaliptike, realizuar me imagjinatë të përndezur në frontin e luftës, shkruar në prozë. Tipari mbizotërues është solidariteti human i vullnetarëve të lirisë, që zgjojnë adhurimin për luftëtarët, e më shumë për ata që bien dëshmorë, dalëzotës të jetës. Gjëja befasuese, njëherit edhe më e bukur, është përshkrimi i dashurisë, së autorit me Loten, austriaken me sytë e saj fis qielli, siç e përcakton autori. Portretizimi i plotë në pasazhin: …ajo leshëverdhë e gjatë me fytyrë ovale dhe me gojë të harmonishme, me dy buzë të plota si luleshtrydhe dhe të pjekuar shumë., japin bukurinë e vajzës, por diçka më tepër edhe ndjesinë e hollë, me të cilën e ravizon autori. Dashuria e tyre, ka shpërthyer si zjarr, mu në zjarrin e luftës, në një orë përvëluese, gjë që zbulohet pa kurrëfarë droje. E ndjej më pranë shikimin e syve të saj dhe për një çast harroj se ku jam, ku vete, urdhërat e presë “Kujdes! Kolona e Pestë! Materia e vargjeve, sikur është ngjyer, njëherit në zjarrin e luftës, si dhe në përvëlimin e dashurisë. Vargjet: Unë i fal gjithë vargjet e mia për një që/jeton/në paqe. Kjo është në mish e në kockë,/dëshira ime e fundit…[8], sërish derdhur me vargje të lira, të cilat zbulojnë spikamën e poetit, në ato momente të zjarrit të dyfishtë.
Kuptohet se në këtë situatë të ndezur, rëndësi ka poezia, teksti poetik, e poeti del në plan të dytë: Në dyert e botës./Jam duke i thirrur ditës me duart e mia të/lagura/në dyert e botës,ndërsa shtohet besimi i/gjakut./Jam një njeri thellësisht i ndjekur nga gjithë fatkeqësitë,/po fatbardhësisht shpresa vetëm rritet.[9], që shqiptohet si një përmbysje totale. Stilema poetike, pëson një ngjitje, në dyvargëshin: Le ta ujitim bashkë, me gjakun tonë,/lulen e fundit…, e shprehur përmes metaforës së pazakontë. Atmosfera e luftës, jepet me lakonizëm befasues: Këtu koha formë nuk ka,/i ngjan ujit endacak/që lumi dot nuk e mban… Fuqia poetike, fiton status emblematik, në vargjet: Një ditë me të vdekurit e pavdekur do të/jemi tok.Kurse në rreshtat e prozës, ku ndeshim situatën: Vargu nuk është një notë e kompozimit të mendimit fluturues pa nxitjen e pa timon që lind e shkrihet në hapësirën e pafund të harresës.Fill pas këtij shtjellimi, mbërrijmë gjer te përgjithësimi befasues në vargje: Ato rritin dhembjen/Ato…/Kur zemra vuan, ato këndojnë.[10], dhe papritur shpirti i autorit, kthehet te deti, te dallga: Heshtin të gjithë./Deti! Deti! Sa dallgë që nuk kthehen më. Megjithatë, kënga e parë, gjithnjë simbas vargjeve është: Spanjë, o Spanjë!/Njeriu, Historia, Legjenda/-ja dhe unë drejt teje renda të këndojnë., më në fund për të ardhur te thelbi: Shpëto ëndrrën tonë/të nesërmen tonë. Në këtë zjarrëllimë beteje, e shpëton dashuria e madhe për Loten, ndonëse lufta dhe vdekja janë kaq pranë: Janë varrosur kufoma,/aroma/e lule/Janë varrosur heronj legjendarë/kordhëtarë/e hamenj,/e hamenj,/Atlas e Ulisë-/Po vargje kurrë!, ndërkaq zbulojnë për lexuesin absurdin e absurdeve, varrimin e vargjeve, për të shtegtuar mandej, tek përqasja me mjeshtrat e fjalës, me Homerin, Danten, De Radën, Migjenin…
Bardi i kohëve moderne
Rikthimi për të vargjet e varrosura, solli te lexuesi një libër unik, si Lejania – Largësia, bashkë me aktin përlindës të vargjeve të futura në varr, shoqëruar me fuqinë e fjalës poetike, dedhur përmes vargjeve të lira, e po kaq të pranisë së rapsodit-bardit të kohëve moderne. Epopeja e Luftës së Spanjës, në mes vullnetarëve të lirisë dhe fashizmit, vetiu u shëndërrua në një skenë gjigande, ku luheshin fatet e njerëzimit. Lufta afroj njerëz nga e gjithë bota, rizgjoi vlerat e humanizmit, si solidariteti njerëzor. Mbi të gjitha, lufta absurde, e rizgjoi nevojën për dashuri, me shumë gjasa ridimensionoj përmasat e saj. Dashuria në kohën e luftës, në zjarrin e betejave, është një bekim, një arratisje për te jeta. Ky teatër absurd, me luftëtar të vendosur përballë në front, me çeljen e portave të dashurisë, kishte nevojë që të dëshmohej. Kush më mirë se sa rapsodi, siç ka ndodhur mot e jetë, në historinë njerëzore, mund ta jetësonte në vargje dhe rrëfime, këtë epope të kohëve moderne. Duke qenë kohë moderne, pra një histori e kohëve moderne, në vend të rapsodit, parapëlqej ta quaj bard i kohëve moderne, ndonëse bëjnë të njëjtën gjë, këndojnë në këngë epopenë e secilës kohë.
Në pjesën Intenerari i tingujve, shfaqet raspodi-bard, me një rol të qartë të kronikanit të epopesë së Spanjës, ku fatet njerëzore ndërthuren me përvëlimën e dashurisë. Në vargjet: Kam parë të përvëlohet fytyra e një kufome, vashë ezmere,/me nofulla të hapura/si goja e një kitare., që zbulon para lexuesit pasojat e tmerrshme të luftës. Nga ana tjetër, shenjtërimi i sakrificës vjen e shqiptuar në vargjet: Dhe poeti Garcia Lorka,/i plagosur me pesë pëlumba,/recitonte vargjet e fundit, sjellin përmasat e humbjes dhe sakrificave në fushën e betejës. Një batërdi humbjesh, e pikërisht në këtë çast para lexuesit vjen e plotë edhe pamja e dashurisë: Do të këndoj mishin që ti nuk ke,/sytë që të mungojnë,/flokët që dikur luanin me/erën,/buzët e tua të kuqe që/puthnin…, ku simfonia e luftës, krejt natyrshëm, në këto vargje, ndërthuret me simfoninë e dashurisë, zjarrit që ndezi shpresën. Kur je larg Shqipërisë, për çudi ajo të mungon shumë. Fill pas shprehjes: Që të jesh internacionalist, duhet të jesh më parë nacionalist!, vijnë vargjet për Shqipërinë: Në sytë e mi ngarkova malet dhe brigjet e Shqipërisë/Zërin tuaj e dëgjoj,/o lisa shekullorë…[11], me një ton tepër të ngritur. Më tej shpërthen dashuria pa kufi për atdheun e poetit, sikur në vargjet: O Shqipëri!/O) ëndrra ime!/Të lashë në lëngatë/me të gjallë të vdekur…[12], ku apostrofimi i dy vargjeve të parë, thërret pranë Shqipërinë, e cila është larg, mbi të gjitha me të gjallët e vdekur, që zbulon dhe paralajmëron tragjedinë që e pret Shqipërinë. Thirma apostrofike: O mëmëdhe dhe atdhe,/a e shqipeve fole![13], ky poeti vendos ekulibër në mes dy përcaktimeve, mëmëmdhe për toskët, e atdhe për gegët, ku secili emërtim ka parasysh Shqipërinë. Bardi i kohëve moderne, arrin gjer në shqiptimin e vargjeve migjeniane: Rini, agimi po bie/dhe goja prej lubie e tiranëve/mban natën me premtime,/po ti, Rini,/Shikoj njerëzit të ulur ose në ecje,/që të vështrojnë sikur thonë/”Nxirre dufin tënd![14], ku vargu dhe fjala, ngjiten në zenit, e fill pas vargjeve kemi një shprehje në prozë: Për disa çaste më dukej vetja si mbi re-mbi ato re të kuqe, që tej e tej mbulonin qiellin e Spanjës.[15], duke zbritur në tokë, duke ardhur në realitetin konkret të Luftës së Spanjës. Përveç shumë vargjeve në gjuhën shqipe, në këtë episod, kam edhe tetë vargje në spanjisht. Atmosfera e luftës, ankthit prej barotit, është mbizotëruese, gjë që konfirmohet nga shprehja: Ai vjen këtu për të dhënë jetën për Njeriun quhet poet! Quhet Njeri! G. F., djalë i vetëm i një minatori francez. Në zjarrin e luftës, i vjen në mend Migjeni, poeti modern i shqipes, që zbulohet në vargjet: Që këtej sot përshndes,/Migjenin, shokun tim!/Dhe i them:/Millosh vëlla/këtu grushti i Vegjëlisë/gjigandohet çast e orë., për të kaluar në gjendjen tjetër, që zbulon larminë e unit të poetit, që shqiptohet në vargjet: Dashuria çdo gjë që përkëdhel kjo erë/Këtu shqiptoj lirisht fjalën Liri/këtu shqiptoj lirisht fjalën Dashuri!, për ta mbyllur me trevargëshin: si kënga – bori – alarmi universal,/që sot gjëmon nga goja e përgjakur e/Spanjës. Edhe pse në luftë në Barcelonë, mendja dhe zemra i rri në atdhe, fill pas vargjeve: deti i paanë i valëve të jetës,/ deti i paanë i valëve të ndjenjave,/dallgë edhe valë,/ valë edhe dallgë. , ku asociacioni i bregdetit të Dhërmiut, paralelizon me dallgët e jetës. Për tu rikthyer sërish te malli për atdhe, që shqiptohet në vargjet: Sado larg që të jem/edhe nën sierra të mbulohem,/zërin tënd do ta dëgjoj,/o dallgë monotone./që lag në shekuj kështjellën/e ëndrrave tona!/O Shqipëri!/O Shqipëri!/Shpatë e përgjakur…, e poeti tanimë ka dy atdhe, që me po atë adhurim dhe dashuri, u këndon pa pra: O Spanjë!/Spanjë e përflakur,/Spanjë e përgjakur!/ja lotët e detit/që shkumëzojnë/dhe turbullojnë/gjakun tonë./Ti je harku i triumfit/të ëndrrave tona!, ku ndërkaq ndeshim edhe katër vargje në spanjisht.
Episodi Në Albacetë, edhe pse në zjarrin e luftës, mendjen dhe zemrën autori, i ka te atdheu, çka shpaloset në vargjet: O Shqipëri,/O Këngë,/O Lot,/O Ëndërr e madhe që ndez,/majat ku lindin shqiponjat!/Të mbart në gjak e në shpirt dhe tani, , vargje të forta, të lidhjes së birit me mëmëdheun, ku veçanërisht apostrofi i përsëritur shqipton përmallimin, e po kaq përshkallëzimi i pranishëm, duke e thirrur këngë, pra gëzimi më i madh. Lot! Dhimbja e pakufishme, një Ëndërr, që përfaqëson shpresën për të ardhmen. Adhurimi i paskajmë për atdheun, vijon në vargjet: ti o Shqipëri,/imazh që me hijen tënde/më mbështjell,/me emrin tënd/më përjetëson/se në gërmadhat e tua shekullore/ngrihen tempuj bese dhe shprese., ku bardi i kohëve moderne, ose rapsodi i përjetësisë, jetën e lidh me atdheun, ku dashurinë dhe përndërimin i ka në gji, edhe aty në zjarrin e luftës. Vargjet: O pasqyrë e kaltër/e shpirtit tim të përflakur,/ti je mbështetje e krahëve të mi/mes zjarrit të mortjes./Të dua,/dhe dëshiron të të kem,/edhe sikur hi e pluhur të bëhem…, ku ngjet e pabesueshmja, dashuria e ka mundur luftën, e ka mërguar tutje, shumë larg. Kontrasti në mes dy botëve, në mes humanes dhe fashizmit, i cili shpaloset në dy vargje: Po…ne jemi ushtarë të jetës,/kurse ata, ushtarë të mortjes.. Teksti në prozë i episodit Në Sierra Morena: Dhe tani, nën dritën e kësaj hëne lorkiane, këtu në Estramadurën e ashpër, kur kam përballë ushtarët e fashizmit, të vrasësve të jetës![16], ku jo vetëm ndërron teksti nga poezi në prozë, por realisht ndërron atmosfera…Jemi në frontin e luftës. Në episodin Në Badajoz, tanimë me anë të gjendjes së përmbysur, spërkatet tmerri i luftës, bardi përsëri e vijon këngën e hidhur në vargjet: Zjarr gjak e metal të bëra një/le të derdhim kujtimet e natës me hënë…[17], duket sikur e ka shkërmoqur çastin e orës së dashurisë. Në vargjet: Amado, më kujto!/Më shkruaj me gjak, më qëndro pranë në transhe., e tanimë flet pushka dhe këndon gjaku. Në episodin Intermexo, fiton status më vete Rapsodi, kronikani i jetës dhe betejave. Qysh në krye, praninë e rapsodit, vetë atë, e kam emërtuar si bard i kohëve moderne, ku rrethana i kanë ndërthurur fatet, njerëzit, këngët, si dhe ato që i këndojnë dhe i përhapin. Teksti në prozë: Një ditë luftë baras me një shekull jetë! Një orë luftë, baras me gjithë brendinë e tragjedive të Eskilit e gjer te Shekspiri!, si një parathënie e vargjeve pasues: Nata po bie! Dhe ajo të kërkon e të kërkon/me këngën e premtimit në buzë.[18], për të vijuar me vargjet: Natë, o natë e fundit e Njeriut/plot zogj krahë – yje në yj/të qiellit në zi… Ky pasazh, me praninë e prozës, të vargjeve dhe të dialogut Amada – Amado, është pjesa më e plotë, e realizimit të sinkretikës letrare, të pranishëm në librin Lejania. Ndërhyrjet e rapsodit/bardit të kohës moderne, më tepër se ndërprerje, janë pauza stilistike të befta. Vargjet: S’ka kuptim jo koha/kur dashuria është e dënuar/me pranga në zemër/e me rojë në sy., si për të plotësuar kështu kuadrin e mohimit, me vargjet pasardhës: O zemër e botës pa zemër,/zemër e dashur,/shqetësimi yt,/gjemb në zemrën time…, ku poetika endet përmes mendimit të hapur, si dhe ku flet teksti drejtëpërdrejtë. Bardi i kohëve moderne, i pranishëm në fushën e betejës, si yllin polar, veçon: MADRID! MADRID!/Nga llogoret e tua/mbaje larg vdekjen/nga Dashuria!, një kryemesazh i vargjeve të librit Lejania. Për të ardhur te vargjet: Natë pa flamuj, pa ëndrra, pa yje,/me predha, me gjyle, me thika dhe topa/pështyn në ballin e bishava të Romës…, për ta mbyllur me metaforën kozmike: E putha historinë/si buzën e Amadës… Episodi Brigjeve të Ebros, ka në fillim një tekst proze. Klima e përndezur e luftës është e pranishme, gjë që paraqitet hapur: Vdekja ishte e lirë të vinte në çdo çast: ditën, natën, perëndimeve, agimeve…, kurse vargjet përçojnë diçka tjetër: dhe Deti ëndërronte/si syri i një peshku në sterë. Pamja e shkëlqimit të plotë të ëndrrës që projektohet nga poeti, vjen në vargjet: Kur qeshte pranvera në,/Spanjë,/qershitë në lulëzim/përkuleshin për të puthur/tokën/me buzë të zmadhuara,/si shkuma e etur e agimit, si kontrast me atmosferën e luftës, me tmerrin e saj. Bardi i kohëve moderne, këndon pambarim: I shoh damarët e tu, o Spanjë,/të burojnë e pastaj përsëri të mbushen/I shoh të palgosurit të qeshin!/dhe kufomat që varrosen, ëndrra të/bëhen. , ku sakrifica e Spanjës, mbron jetën dhe kthehet në ëndërr dhe shpresë. Përplotësimi i sakrificës sublime, vjen përmes drithmash në vargjet: po vdekja me plumba në kraharor/është këngë që zgjon jetën…Sakrificat e pafund, megjithatë si kapak, kanë humbjen e dashurisë: Prehu e dashur,/me ëmbëlsinë tënde, /me pastërtinë tënde,/me bukurinë tënde,/me dashurinë time!
Epilogu i ringjalljes së poezive
Episodi Vargjet e Fundit, ofron një gjendje pezullie letrare, që vështirë të përcillet nga tronditja e madhe, pa shembjen e dijes dhe nënvetëdijes. Vargjet: Në xhepin e një fashisti të vrarë/gjeta një letër,/një letër nga Roma: “Baba, /i dashur baba,/aman mos u vra..[19], një thirrje naive dhe hyjnore, që lëshon rrufetë e mallkimit mbi luftën, e po kaq mbi nxitësit, që e ndezin luftën edhe për hobi të habitshme. Ebro, lumi i përgjakur, pa e marrë përsipër shpjegimin, kjo situatë figuron tmerrin, detin e gjakut. Pamja fatale, skicohet e gjallë në vargjet: Lumi Ebro u mbush me kufoma/dhe të plagosurit vdesin për ujë, e mandej kuadri plotësohet me vargjet: Buzë Ebros, i gjakosur, /shoku Diego lëngon shtrirë, ku tmerri mbizotërohet nga ngjyra e përgjakur. Rimarrja e situatës: Buzë Ebros i gjakosur/heshti Diegoja i shtrirë/se mbi të kalojnë tanket/për ta shirë…, ku gjëma uluret në kupë të qiellit. Teksti në prozë, në vijim e rikthen në pikën e fillimit, dashurinë për shokun e vrarë, po ashtu dashurinë për vargjet që “flenë” në varr, ndonëse shpirti i poeti i pati ringjallur. Teksti në prozë: … në sytë e mbetur hapur të Ramizit unë shikoja kalvarin dhe epopenë tonë…shikoja Shqipërinë time, shikoja historinë time… Më tej, autori shkruan: Ndjenja e mirënjohjes, e dashurisë, e respektit për shokun tim, për trimin shqiptar më nxiti të veproja pa humbur çastin…, ku realisht përjetohet në atë shkallë dhimbje, momenti i rënies së bashkëluftëtarit. Në kulmin e dëshpërimit, vijon rrëfimin: …bashkë me një degë ulliri prej tokës iberike, ia vendosa si nënkresë dhe mendova: “Nëse një ditë edhe unë vritem, vargjet e mia do të jenë gjithmonë pranë teje, vëlla Ramiz…, kaplohesh nga dy ndjesi, sikur u mbush zbrazëtira, teksa rilindën vargjet, në fakt vitet vetëm sa e kanë kthyer në humnerë humbjen, gjë që merr vlerë në vargjet e fundit: Ka bilbila që këndojnë/në hapësirë/dhe në tytat e pushkëve të shokëve të mi/Ka bilbila që këndojnë,/ këngën e fitores.
Tiranë – parëverë 1983 – vjeshtë 1983.
[1] Petro Marko: Lejania, Tiranë, OMSCA-1, 2002, f. 7.
[2] Po aty, f. 8.
[3] Po aty, f. 11.
[4] Po aty, f. 10.
[5] Petro Marko: Lejania, Tiranë, OMSCA-1, 2002, f. 17.
[6] Petro Marko: Lejania, Tiranë, OMSCA-1, 2002, f. 20.
[7] Po aty, f. 21.
[8] Po aty, f. 33.
[9] Po aty, f. 33.
[10] Po aty, f. 35.
[11] Po aty, f. 50.
[12] Po aty, f. 50.
[13] Po aty, f. 51.
[14] Po aty, f. 53.
[15] Po aty, f. 53.
[16] Po aty, f. 84.
[17] Po aty, f. 85.
[18] Petro Marko: Lejania, Tiranë, OMSCA-1, 2002, f. 89.
[19] Po aty, f. 109.