More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Hulumtim i poetikës melodike noliane

    Behar Gjoka: Hulumtim i poetikës melodike noliane

    Përmbledhja me poezi, Albumi i Nolit ose Mall e brengë, siç e përcaktoi Kuteli, në vitin 1943, kur e botoi poezinë e autorit, pra “veprën ëndërrore”, simbas formulimit të Konicës mbi krijimtarinë autoriale, përfaqëson pasqyrën e verbit poetik, të këtij mjeshtri të fjalës, i cili shkroi dhe na la poezi që e pasurojnë pentagrimin estetik të letrave shqipe. Shfletimi i poezive të poetit vullkanik (një term i Kutelit), që madje në tanësinë e vetë sendërgjon poezinë tingullore/ritmike, vetiu na sjellë në mendje sugjerimin e Harlod Bloom, teksa shprehet: …poezia është një thirrje profetike që meriton pa diskutim kurorën e letërsisë imagjinare.. (2008: 69), madje pavarësisht ngjyresave personale dhe toneve kushtruese, që përgjithësisht përçon materia letrare e librit me poezi të Nolit, kësaj figure me shumëplanësi, kontributesh dhe veprash, për atdheun, kombin, kulurën dhe letërsinë shqipe. Megjithatë, kundruar në distancë kohore, madje edhe të konteksteve të leximit dhe interpretimit, tashmë ama poetike e F. S. Nolit, mund të zbulohet dhe kundrohet në brendësinë e ligjërimit, nëse e vendosim në marrëdhënie me semantikën dhe shprehësinë që bart, varësisht disa aspekteve:

    I – Rileximi si shkas imediat me hetu vatrat e larmisë ligjërimore

    II – Premisa për kalimin e poezisë shqipe, nga lëvrimi klasik në ligjëratën moderne

    III – Poezia melodike dhe ritmike noliane

    IV – Gjurmë të poetikës autoriale

    V – Atmosfera poetike e kohës së shfaqjes së Nolit si poet

    I – Rileximi si shkas imediat me hetu vatrat e larmisë ligjërimore

    Letërsia, në përgjithësi dhe, veçmas poezia, si perëndeshë e artit të fjalës, zbulohet dhe ridemensionohet pas secilit lexim, e sidomos të rileximeve të pandërprera, ky i fundit, parë si proces i domosdoshëm nga dija letrare, si një akt përlindës i vatrave të shumëngjyrta të teksteve letrare, pra edhe të peozisë së Nolit. Në procesin e rileximit, pamëdyshje ka vlerë sugjerimi i C. Klark, kur në mes të tjerash, nënvizon: “Koha e veprave nuk është koha e kufizuar e të shkruarit, por koha e pafundme e të lexuarit: hapësira letrare është kujtesa e njerëzve.“ (2001: 63, tek libri Qytetërimi, Shtëpia e librit, Tiranë 2001.) Në këtë proces, të leximit dhe vlerësimit të krijimtarisë së shkrimtarit, gjithashtu nuk duhet harruar ideja e Friedrich Nietzsche: …dija jonë artistike në të vërtetë është iluzore, sepse si të tillë, nuk jemi identikë me qenien, që duke qenë krijues i vetëm dhe shikues i vetëm i kësaj komedie arti, krijon në të dhe gjen në të kënaqësi të përjetshme. (2001: 61, pohim i bërë në librin “Lindja e Tragjedisë”), që realisht na jep dorë me hy në marrëdhënie me atmosferën poetike të përmbledhjes Mall dhe brengë, e po kaq në shtegtimin e poetikës së librit, në kohë dhe hapësirë. Rileximi i materies poetike të librit Album, është një shkas tjetër, me shku më përtej leximit tematik, autobiografik dhe problemor, mënyra të verifikimit dhe interpetimit të pranishëm, por ndërkaq procesi rilexues, shërben si shtysë me u ndal te tekstet poetike, vetëm të materia letrare, si oaze të pasura shprehësie. Në këtë gjendje letrare të përveçme, të rileximit në distancë kohore dhe po kaq, në kontekste të tjera, kuptojmë:

    – Se Mall dhe brengë, është model i lirikës së një spektri të gjerë, duke zënë fill qysh nga lirika politike, shoqërore, elegjiake, biblike, satirike, madje edhe intime, duke pasuruar kështu lirikën e poezisë shqipe.

    – Dëshmi e unit poetik aktiv (të angazhuar), që madje shkon gjer në rebelizëm të pamëshirë, në hetimin e vesit dhe plagëve shpërfytyruese të genit arbnor.

    – Materia poetike shqipton përmasat e poezisë ritmike, që shpesh zbret në tone kushtruese/luftarake, me gjasë e shkrimit poetik tingullor.

    – Shprehësia poetike, shpalos një ekuilibër të pazakontë të mesazhit që shpallet hapur, me mënyrën ritmike të thënies, që dukshëm ridimensionon poezinë e vargjeve të matur, gjithsesi me anësim të beftë kah ligjërimi i poezisë së mendimit, gjë që shpaloset me ritmikë të brendshme dhe të jashtme, duke tonifikuar kështu poezinë melodike dhe me ritëm të theksuar.

    II – Premisa për kalimin e poezisë shqipe, nga lëvrimi klasik në ligjëratën moderne

    Substanca e gjerë poetike e vëllimit Mall dhe brengë, tashmë e parë në brendësinë e vetë, sidomos në skicimin dhe plasimin e shqetësimeve të atit shpirtëror dhe të njeriut të angazhuar, në trajtimin e problematikave të kohës, e lidhur ngushtë me shprehësinë, emocionale dhe melodike, përçon shenja letrare unike:

    E para, materia letrare, e tanësisë dhe secilit tekst me poezi, shënon cakun më të ngritur të ligjërimit poetik, me vargëzim të matur, ku madje teksa ndeshesh me vrundullimën e vargjeve kushtruese, ke ndjesinë e një rimishërimi të lavrimit letrar, që më në fund i ka braktisur “liqenet e qeta” andërrimtare të romantikës së shekullit të 19 dhe troket në portat e jetës së njeriut të revoltuar ndaj padrejtësive, duke i shpallur dhe demaskuar pa hezitim ato. Prania e poezisë melodike, në një kuptim, e përafron me poezinë e Mjedjes, vetëm në aspektin e muzikalitetit, që të poezia e Nolit, vjen me vrundullima vullkanike, kurse ritmika e shtuar, e jashtme, por edhe e brendshme, tonet uluritëse të thënies, të problematikave të mprehta politiko-shoqërore, në një aspekt tjetër, natyrshëm e shpien nga poetika migjeniane, gjithsesi duke mbetur një ligjërim vetjak. Porse në të dyja rastet, pra të pranisë melodike, nuk është fjala këtu për pikëpërkime, por kryeisht për klimën e shkrimit të poezisë, në pjesën e parë të shekullit të XX, që pati shumë rryma, larmi ngjyrash dhe praktika shkrimi të poezisë.

    E dyta, libri poetik Album, ndërkaq përfaqëson një premisë të beftë shkrimore, me gjasë një pikëtakim të poetikës së vargut të matur, me kahje të ligjërimit modern, pra të anësimit dhe hapësirës së poezisë së vjershërimit të lirë. Hetimi i kësaj situate, të pazakontë në lavrimin e poezisë, gjithsesi parashtrim i një hipoteze, deri në momentin e shkrimit të poezive nga autori, gjellon dhe shpirtëzohet në lexim, rilexim dhe interpretimin e teksteve me poezi, që trashëgojmë nga F. Noli.  Megjithatë, në sugjerimin për ta parë si premisë, në mes dy poetikave të vargëzimit klasik dhe atij modern, realisht ka disa nuanca dhe shenja domethënëse, që e justifikojnë hedhjen e kësaj hipoteze, të qenësisë si premisë për kalimin e ligjëratës së poezisë shqipe, tashmë në poetikën e modernitetit:

    – Anësimi i rrokshëm në hapësirën e teksteve, të ligjëratës poetike noliane nga mendimi, që madje shprehet hapur, pa kurrëfarë droje, gjithsesi pa e braktisur ndjenjën dhe emocionet, gjë që preket në pjesën dërrmuese të poezive të F. Nolit, që sendërtojnë një rebus poetik, të bashkëlidhjes së emocioneve me mendimin e drejtëpërdrejtë.

    – Sendërgjimi i teksteve poetike, pra pjesa më e madhe e poezive të përmbledhjes Mall dhe brengë, edhe me një ritmikë befasisht të brendshme, tipar i poezisë moderne, por edhe me ritmikë të jashtme, që është më e thekur, gjë që tregon shenjat e ligjërimit tradicional, duke përvijuar kështu tipologjinë e poezisë unike.

    – Shprehësia e tonifikimit të poezisë melodike, thellësisht tingullore dhe ritmike, brenda një vargu, që e buçet mendimin dhe emocionin, por edhe e shtrirë në tekstet e poezive, të librit Mall dhe brengë, si një tipar krejt vetjak, në shkrimin e poezisë në kohë dhe hapësirë, në letërsinë shqipe.

    III – Poezia melodike dhe ritmike noliane

    Hapësira tekstologjike e përmbledhjes Album, pjesa dërrmuese e poezive të autorit, krahas aspekteve formësuese që theksuam, është një vatër ligjërimore, ku sendërtohet poezia melodike dhe ritmike. Prania e shenjave të tilla, është vënë re qysh në vitin 1943, në parathënien përcjellëse të botimit të librit, M. Kuteli, kur analizonte poezinë Thomsoni edhe Kuçedra, në mes të tjerash shkruan:… ka sulm retorik dhe vargje që na japin, intuitivisht, përshtypjen e zhurmës së detit që rreh pa pushuar, me rreptësi, anët, ose si zhurma e bombardimit të një kështjelle. (1998: 10), gjë që vihet re edhe në poezi të tjera të Nolit, mbase në shumicën e tyre. Thurja e një poezie të tillë, ku ngjizet dhe shqiptohet linja melodike, përngjiturazi me të poetika ritmike, madje shpesh herë me tonet e trompetës luftarake, të cilat dinamizojnë shkallën emocionale dhe shprehëse poetike. Ngjyresa melodike/ritmike, e tingujve të fortë, shpesh tejet luftarak, shpalohet në disa mënyra:

    A – Anësimi i shprehësisë së tanësisë së vargjeve poetike të përmbledhjes Mall e brengë, nga shkalla e ngritur emocionale, madje gjer në shpërthime bubullitëse dhe vullkanike, që kanë lidhje me tipin e un-it tepër aktiv, shpesh herë tepër zemërak. Shkalla e ngritur emocionale, ndërkaq përcillet me densitet figurimesh, të hartimit të poezive, pothuajse formaliste, në kuptimin e artikulimit melodik të gjendjeve, të cilat vijnë përmes rrokjeve dhe fjalëve ritmike, një tipar që bartet në gjithë poezinë e Nolit. 

    B – Një shenjë tingullore e dukshme, është edhe prania melodike/ritmike, midis vargjeve të ndryshëm, apo edhe të strofave. Kështu në strofën e parë të poezisë Hymin i Flamurit: O Flamur gjak, o flamur shkabë,/O vënd e vatr’ o nën’ e babë,/Lagur me lot, djegur me flagë,/Flamur i kuq, flamur i zi. (1998: 27), ku madje me kaq denduri figurash, e sidomos me praninë e ritmikës melodike, e apostrofimit dhe të rimës së puthur, në trevargëshin e parë, elementë të shprehësisë poetike, të cilat ndikojnë për të fanitur para lexuesit imazhin e flamurit. Situatë të qartë melodike, gjithsesi varësisht ritmikës së rrokshme, shpaloset edhe në vargjet e poezisë Rent, or Maratonomak: Rent, or rent, rent e u thuaj./Se u-çthur ordi e huaj,/Se betejën e fituam/Dhe qytetin e shpëtuam,/Rent, or rent,/Rent, or maratonomak! (1998: 54), ku duket qartësisht se melodia ritmike realizohet me anë të përsëritjes së fjalës –rent, që përsëritet pesë herë, në këtë strofë, plus një herë, në refrenin përmbyllës. Melodia tingullore, përcillet edhe përmes rimës së puthur të katër vargjeve të para të kësaj poezie, ritmike dhe melodike. Kurse, apostrofi thirrmor, Or Maratonomak, bashkë me epitetet karakterizuese, shpërndërrohet në një refren ritmik, melodik të toneve kushtruese, që bashkëshoqëron dhe formëson ritmikën e pazakontë të materies poetike.

    C – Melodia ritmike, brenda vargut, ndërkohë përfaqëson mënyrën adekuate për sendërtimin e poezisë tingullore dhe ritmike noliane.  Tipari stilistik, i tingëllimës brenda vargut, gjendet i shtrirë në shumicën e poezive të vëllimit Mall e brengë. Vëmë re se në dyvargëshin e poezisë Hymin i Flamurit: O Flamur gjak, o flamur shkabë, ku kemi të pranishëm përsëritjen e apostrofit: O Flamur, që vetiu e shton shprehësinë e vargut, por që ndërkaq pasohet nga theksi ritmik trokaik, tek fjalët –gjak, -shkabë. Në vargun tjetër:  O vënd e vatr’ o nën’ e babë, ku melodia ritmike vjen kryesisht nga bartja e apostrofit, si dhe nga ritmi trokaik i tetërrokëshit. Ose në dyvargëshin e poezisë Thomnsoni dhe Kulçedra: Te Ura, te Ura,/Vraponi, o burra, kemi të shprehur melodinë brenda vargut, si përsëritje e frazës –Te Ura, si dhe bashkëtingëllimën midis dy vargjeve, nga prania e rrokjes –ra, në të dy vargjet. Në vargun e parë të poezisë Shën Pjetrri në Mangall: Fryn’ e çfryn veriu, melodika tingullore dhe ritmike përftohet nëpërmjet antinomisë –fryn dhe –çfyn, si dhe të përsëritjes së rrokjes –ry. Po ashtu, në vargun e parë të poezisë Marshi i Barabbajt: Allalla, o rezil e katil, allalla, ku ritmika melodike fitohet nga përsëritja e fjalës –allalla, dhe prania e gërmave –ll (4 herë), – l (2 herë). Kurse vargu: O i çgryer, i zhyer, i vyer për hu, tashmë e përçon gjendjen tingullore përmes aliteracionit, njëherit e paraprirë edhe nga pasthirrma. Në vargun e poezisë Syrgjyn-vdekur: Syrgjyn-gjallë e syrgjyn-vdekur, kemi të përftuar melodinë ritmike, brenda vargut, kryesisht nga përsëritja e fjalës –syrgjyn, me të gjithë tingujt përbërës. Teksti i poezisë Shpell’ e Dragobisë, është ilustrimi më i qartë i ritmikës melodike, që bart materia poetike, por që fiton peshë të pazakontë në vargjet: Dif dragonj i Dragobisë, ku aliteracioni e shqipton qartazi ritmikën melodike, të një mesazhi kushtrues/luftarak. Po ashtu, në vargun e parë të poezisë thelbësisht melodike: Rent, or Maratonomak: Rent, or rent, rent e u thuaj. , kemi të shpallur melodinë ritmike, brenda njësisë së një vargu, që plasohet nga përsëritja e fjalës –rent. Po te kjo poezi, ndeshim në ligjërimin e pazakontë: Gryka si gjyryk të çfryn, që e shqipton hapur dhe me vrundullimë, melodinë ritmike, me anë të përsëritjes së rrokjes –ry (3 herë), si dhe të tingullit –y (4 herë), që duket se përftojnë aliteracionin unik të poetikës noliane.

    IV – Gjurmë të poetikës autoriale

    Poezia e F. Nolit, e përmbledhur në librin Album, të përcjellur nga M. Kuteli me titullin Mall e brengë, në udhëtimin e gjatë për te lexuesi, ka dëshmuar ndikimin e vetë, që para së gjithash lidhet me endjen e një poetike vetjake, e një shenje të mëvetësishme autoriale, e cila gjendet brenda vargjeve të librit, si dhe në hapësirën e komunikimit me lexuesin. Në mes gjurmëve të poetikës noliane, do të veçoja:

    Së pari: Komunikimi i hapur parak dhe, pa ekuivok, që gjendet në shtypin e kohës, kryekëput si një reagim i atypëratyshëm, në lidhje me ndodhitë për atdheun dhe jetën personale. Duke qenë reagime të menjëhershme, pashmangshëm vargjet dhe poezitë e autorit, e përçojnë përvojën dhe shenjën personale. Kjo formë e hapur komunikimi, unike në kumte, e përcjellur në shtypin e kohës, në gazeta dhe revista, është tipike për Nolin, ndonëse si praktikë komunikimi qe bërë e zakonshme në letërsinë shqipe, sidomos të asaj kohe, si dhe dëshmon ndikimin e menjëhershëm të poezisë së autorit. 

    Së dyti: Në vitin 1943, prej përkujdesjes së Dhimitër Paskos, u mblodhën dhe u sistemuan, madje edhe u botuan prej tij, shoqëruar me një parathënie të zgjeruar, të analizës së plotë të thënies dhe art’thënies, të vlerave të shumta estetike, të poezisë së autorit, ku përvijohen tiparet ma qenësore të shkrimit poetik nolian, në shumicën e treguesve shkrimor. Me botimin e vëllimit poetik Mall dhe brengë, tanimë krijohen mundësitë për të rrokur përmasat e poetit, pasi që zbuluar poezia e tij, botuar në shtypin e kohës, e veçmas të laryshisë poetike, që bart substanca letrare.

    Së treti: Thelbi poetik personal, në të dyja gjendjet letrare, pra e komunikimit me poezi të veçanta në shtypin e kohës, por edhe me anë të librit Mall dhe brengë, ndërkaq ka mundësuar ngjizjen e një poezie, ku mesazhi dhe forma shprehëse, janë derdhur në një ekulibër unik, jo fort të zakontë në poezinë shqipe. Madje, nga rileximi i poezive, në distancë kohore, të vargjeve të larmisë, të leksikut të pasur, që përdoret gjerësisht, kam bindjen se Noli, varësisht poezive të kësaj përmbledhjeje, është edhe poet i formës, sepse në secilën poezi, zbulohet shkalla më e lartë e përkujdesjes për ta përcjellur te lexuesi, me një shkathtësi shprehëse, shpesh shpërthyese, sikur në një shpërthim vullkani.

    Së katërti: Libri poetik Mall dhe brengë, për shkak të pranisë së plotë të vargëzimit me vargje të matura: tetë, dhjetë, trembëdhjetë, pesë, gjashtë, shtatërrokëshit, si dhe të mbizotërimit të strofës katërshe, kuaternës, të bind së është poet i vargjeve të matura, ndonëse tepër të nginjura me melodikë ritmike. Megjithatë, duke mbetur në natyrën e vargjeve të matura, në vjershërimin e Nolit, ndërkaq ndeshen disa nuanca, me gjasë disa pika këputje (ndërprerje, përthyerje), që kanë të bëjnë vetëm me artikulimin e melodisë ritmike dhe jo me thyerjen e vargut, një situatë tipike e poetikës së vargëzimit të lirë, të ndryshme nga poetët e mëparshëm, ku mbizotëron vjershërimi i matur, pa asnjë nuancë tjetër:

    – Pika e këputjes në fillim, pra theksimi melodik ritmik, siç ngjet te poezia Thomnsoni dhe Kulçedra: Te Ura, te Ura,/Vraponi, o burra, të cilat realizohen me vargun gjashtërrokësh, por edhe të përsëritjes së rrokjes –ra, katër here në të dy vargjet, për të vijuar shkrimin e poezisë me katër vargje të tjera, me trembëdhjetërrokësh.

    –  Pika e këputjes (ndërprerja, përthyerja), gjithnjë e vendosur në fund të strofës, që madje është më e përhapur në poezishkrimin e autorit, ndërkaq mundëson shprehjen e poezisë tingullore dhe ritmike. Kështu në vargjet e poezisë Jepni për Nënën, pika e këputjes (ndërprerja, përthyerja), vjen në dyvargëshin: Mbahu, Nëno, mos ki frikë/Se ke djemtë n’Amerikë. , që pason më gjashtë vargjet fillimtare, ndonëse të dyja pjesët janë shkruar me tetërrokësh. Në poezinë tjetër, Mosiu në Mal, pika e këputjes, bie pas tre vargjeve, sendërtuar me dhjetërrokësh, kurse vargu i fundit, përcillet me pesërrokësh. Kurse poezia Shën Pjetri në mangall, e ka të vendosur pikën e këputjes, fill pas tre vargjesh me pesërrokësh, e pas tyre kemi vargun me katër rrokësh. Në vargjet e poezisë Sofokliu, pika e këputjes, vjen fill pas trevargëshit me tetërrokësh trokaik, dhe përcillet me vargun me pesë rrokje.

    Së pesti: Poet i melodikës ritmike, që madje shpesh herë arrin gjer në shkallën e kushtrimit nxitës/luftarak. Poezia melodike, tipike ritmike, në hapësirën tekstologjike, thuret brenda një vargu, një strofe dhe përgjithësisht, ngjyros poezinë e vëllimit Album. Melodia ritmike përftohet edhe nga përdorimi i gjerë i apostrofit, shkallëzimit, enumeracionit, metaforës dhe satirës, mjete kryesore stilistike, që e mundësojnë artikulimin tingullor dhe ritmik, si dhe nga pikat e këputjes, në fillim apo në fund të vargjeve.

     V – Atmosfera poetike e kohës së shfaqjes së Nolit si poet

    Dalja e poezive të para të Nolit, në shtypin e kohës, në pjesën e parë të shekullit të njëzet, që shpesh herë nga dija letrare emërtohet edhe si “shekulli i artë”, më të drejtën e përveçimit të vlerave estetike, që barten në hapësirën tekstologjike, i lëvrimit të letërsisë shqipe, ngjet në një atmosferë poetike të larmishme:

    – Vijonin të shkruanin ende, mjeshtra të shkrimit të poezisë, si: N. Mjedja, A. Z. Çajupi, A. Stavri Drenova (Asdreni, që madje futi në poezinë shqipe formalizmin), Z. Skiroi, Gj. Fishta, F. Shiroka etj. , si një zgjatim i rrokshëm i poezisë me natyrë romantike, pavarësisht ndryshimeve të pranishme në mes tyre, që plazmohej me vjershërimin e metrikës së matur.

    – Në këtë periudhë, në skenën e letrave shqipe, shfaqen dy poet, nga më të veçantit në letrat shqipe, gjithkohor dhe gjithhapësinor, nga njëra ana “poeti qiellor”, Lasgush Poradeci, dhe në anën tjetër “poeti i ferrit”, që shqipton dhe formëson poetikën e vargut të lirë, Millosh Gjergj Nikolla, (Migjeni), të cilët me poetikën e shqiptaur në vargjet e tyre, shënojnë maja të lavrimit të poezisë.

    – Në këtë klimë të pasur të ligjërimit të poezisë, të laryshisë së rrokshme, në gjuhën shqipe, të toneve dhe ngjyresave të ndezura, futet Noli, me poezinë e mirëfilltë personale, si reagime të atypëratyshme, pa hyrë në garën e mëtimit për tu shpallur poet. Por, ndërkaq poezia e këtillë, pati forcën e hapur ndikuese te lexuesi, të kumtimeve të forta të aspekteve personale, si dhe të problematikave të kohës, sidomos të lamive politike dhe shoqërore, duke sjellë kështu një model shkrimi unik, në letrat shqipe. Botimi i librit Mall dhe brengë, prej M. Kutelit, krijon fytyrën e plotë të poezisë dhe të poetit, krejt të veçantë, që lindet në gjirin e letërsisë shqipe, në një atmosferë të ngjeshur me përvoja të pasura dhe përplot laryshi të shkrimit poetik.

    Literatura

    1 – Noli, Th. S: Albumi/Mall e brengë, SH. B Naim Frashëri, Tiranë 1998.

    2 – Bloom, Harold: Si dhe përse të lexojmë, Botimet DUDAJ, Tiranë 2008.

    3 – Ceneth, Klark: Qytetërimi, Shtëpia e librit, Tiranë 2001.

    4 – Nietzsche, Friedrich: Lindja e tragjedisë, SH. B UEGEN, Tiranë 2001.

    5 – Kuteli, Mitrush: Parathënia e librit Mall e brengë, (botuar për herë të parë në vitin 1943), e ribotuar në vitin 1998.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË