(Shënime mbi romanin “Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit” të autorit Veli Karahoda, botuar në Prishtinë, shb Buzuku)
Shenja parake, që shpallet estetkisht në hapësirën tekstologjike të romani Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit, është mbizotërimi i ngjyresa dhe toneve postmoderne, pa harruar kurrësesi parashtresën e Gjergj Lukaçit kur shkruan: “Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën…”[1].. Prania e tipareve të postmodernes, si konceptualitet dhe parashtrim, materializohet në disa aspekte të sendërgjimit të tekstit/ligjërimit letrar. Materia e këtij romani, qartësisht ofron dy kohë, të djeshmen e largët dhe të sotmen gri, duke rrokur kështu botëperceptimin e gjerë, të ideve, sistemeve politike, besimeve, botës së qenies njerëzore, në një hapësirë të pamatshme, duke endur realisht një epope të epokës së esktremeve, në pikëpamje politike dhe ideologjike. Endja e realitetit letrar në dy kohë, në shumë pamje të bjerrjes dhe humnerës shpirtërore të qenies, madje edhe të “përplasjes” së qytetërimeve, të Lindjes dhe Perëndimit, e nxjerrë në pah praninë e postmodernes. Caqet kohore, në lëndën e shtrirë tekstologjike, shpalosen në ndërthurje dhe dhëniemarrje të ndërsjellë. Dykohësia e projektuar në këtë roman, ndërkaq më tepër sugjeron pakohësinë letrare, si një gjetje unike e identifikimit të autorit, që i pranëve dhe përplas kohët e ndryshme, duke mbivendosur mbi këto, kohën e shkrimit të tekstit, shoqëruar me frize të paprekshme postmoderne. Thurja e botës së ëndrrës apo zhgjëndrrës, në realitetin letrar, më sjell në mendje thënien e M. Kunderës: Ëndrra nuk është veçse zgjedhja e këtij lloji përfytyrimi që unë e quaj si fitoren më të madhe të artit modern.[2] Prania e dy kohëve, dy pamjeve, me gjasë të dy a më shumë qytetërimeve, me pikësynim me shpalu rezonimin e secilës prej tyre, në fatin e qenies dhe të njerëzimit, që endet në udhëtimin mes shoqërizimit skajor dhe individualizmit të ashpër dhe asgjesues të tjetrit, pikërisht ajo marrëdhënie e ndërlikuar ndërkohore, në një hapësirë të gjerë, reale dhe imagjinare, e sugjeruar më herët nga Umberto Eco, si akt i shpalljes së “ironisë intertekstuale”, vetvetiu të shpie tek vlerësimi i kohës/kohëve, nga një pikë reference autoriale, si një dëshmi e pranisë së ngjyresave postmoderne. Rimarrja e kohëve, si dykohësi e pakohësisë, shoqëruar me tregimin-rrëfimin artistik autorial, e sidomos me risemantizimin e akteve, bëmave, ndodhive, të makrobotës së romanit, në jo pak elementë thadrues artistic, shpalos rrafshet e postmodernes. Prania e marrëdhënieve të ndërlikuara ndërkohore, e semantikës ironike, shpesh herë të një sarkazme të hollë dhe mençurake, e parashtron tekstin e romanit Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit, në topikën e ligjërimit postmodern, si një optikë e shkrimit bashkëkohore, jo vetëm në letrat shqipe.
Koha si përmasë ekzistenciale
Koha, në materien e këtij romani unik, në thelbin e shenjimit estetik, pamëdyshje një tekst i pazakontë në letrat shqipe, bart një botë konkrete dhe imagjinare, si shtegtimi ekzistencial në fatin e qenies njerëzore, pavarësisht kohës dhe vendit ku jeton. Madje, si një nëntekst përformues, koha fanitet edhe si një protagonist që flet me të gjitha mënyrat, madje edhe me heshtjen zhurmuese. Një situatë e marrëdhënies ndërkohore ndriçohet nga ideja e Zh. P. Sartri se: “…letërsia afirmon menjëherë pavarësinë e saj; ajo nuk do të reflektojë më shabllonet e mendimit të kolektivitetit, identifikohet me shpirtin, d.m.th me pushtetin e përhershëm për të formuluar dhe krijuar ide [3].”Koha, dimensioni real dhe i parrokshëm, e cila na përshkon me shpejtësi rrufe, në një vepër letrare, mbase pavarësisht endjes së lëvizjes, të dinamikës së brendshme, shfaqet gati si e ngrirë. Pra kemi një ndalim të përkohshëm dhe metaforik të kohës, për të zgjuar interesimin, e po kaq me ysht prekjen e vetëdijes së qenies. Koha e ngrirë, pra koha e parashtrimit metaforik, figurohet në lëndën e gjerë të romanit:
A – Kohë e ngjarjeve, jo si rrjedhë subjektore, sepse kthimet e pranishme në kohë të ndryshme, ndërprejet dhe rimarrjet e gjendjeve ndërkohore, por më tepër si përmasë ekzistenciale e qenies, dje dhe sot, koha e luftës botërore, e sistemit socialist, të cilat shqiptohet totalisht në hapësirën tekstologjike të këtij romani. Narrativa e zgjeruar e persoanzheve/protagonistëve të kohëve, duke shenjuar kështu nivelet e kumteve ndërkohore.
B – Koha e shkrimit si tekst, e cila thuret dhe shthuret në një botë të mirëfilltë romanore, ku shpaloset “amalgama” përtejkohore, pra si një pranëvënie dhe përplasje e kohëve të ndryshme, që krijojnë premisat me pa realitetin kohor, por më tepër me shiju realitetin letrar romanor, të nginjur me thyerje dhe kapërcime, me digresione dhe sprova eksperimentale, të një romani vërtet unik. Teksti i botuar, shkrimi letrar, ka sendërtuar një libër të hapur, kurse leximi, receptimi dhe dekodimi i materies letrare, aq më tepër që kemi të realizuar një tekst shumështresor të shumëngjyror, një rebus letrar të pazakontë, në letrat shqipe, që shtegton në hemisferat e postmodernes, është një proces pa shanse përfundimi.
Struktura kompozicionale dhe romani si zhanër
Romani Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit, siç është befasues nga teksti i ngjeshur, fryma që përçon, shprehësia letrare, aq më tepër, është i ndërlikuar si kompozim strukturor, me gjasë edhe zhanror. Materia e romanit, zë fill me përkushtimin për Teki Dervishin, mjeshtrin e prozës dhe të dramatikës në letrat shqipe. Sipari i ngrehinës kompozicionale të veprës, hapet me tekstin Prolog, që ka si nëntitull Shënim i Libërlidhësit, ku autori më tepër ikën nga diskuri narrativ, por njëherit sugjeron kodet e leximit të tekstit të ndërlikuar, që përkon me modelin e prozëshkrimit në letërsinë e përbotshme. Pjesë e strukturës së kompozimit të ndodhive, të ideve dhe fluturimit në krahët e frymëzimit, janë personazhet dhe treguesit muzikor, duke bërë kështu një bashkëlidhje në mes fjalës dhe melodisë, protaginistëve dhe shenjës muzikore, në romanin që ngahera shoqërohet me emërtime, tingëllima muzikore. Tingëllima muzikore, është e pranishme edhe në formën e zhurmave tëe ndryshme që shoqërojnë bisedat enigmatike, humoristike dhe dyshuese të personazheve. Episodet e hapësirës romanore, vijojnë me Bagricki, Andante, pra kemi personazhin dhe treguesin muzikor, ku shfaqet epiqendra e realitetit letrar, që rrëfen fatin e vetë, fatin e qenies, duke sugjeruar se kemi të bëjmë edhe me tipin e romanit të personazhit/personazheve, të cilët aviten në skenë, njëri pas tjetrit, duke të futur në epokën e estremeve, tashmë të rimarrë dhe të risemantizuar. Kolja, Moderata, paraqet botën e lindjes, jemi pak më pranë gadishullit tonë, kohën e Titos, ku shfaqen rusët, gjermanolindorët, sllavët, kroatët, shqiptarët, serbët, të kredhur në mashtrim, spiunime dhe nënshtrim. Ulrika,Crescendo, prezantohet personazhi grua, si përvijim i pranisë së të dyja anëve të medaljes së qenies, ku ndeshim po ashtu dyzimin e qenies. Kornelia, Fortissimo, zgjeron hapësirën e protagonistëve, të cilat kanë rol thelbësor në mikro dhe makrobotën romanore. Gerda, Sforcado, që përkon me ardhjen në Gjermani me mision. Ayahuasca, Prestissimo, prekim realitetin, ku burrëria ka vajtur në dreq të mallkuar, siç shprehet autori. Brenda episodit futen dy copa proze, me gjasë dy tregime, Një ndarje Lutzowploz dhe Shtigjet e jetës sime I, që janë digresione në materien e romanit, por qëndrojnë edhe si njësi proze më vete. Madame Rochette, Diminuendo, përpos hapësirës romanore, ka të ndërfutur disa tekste, Shtigjet e jetës sime II, Shtigjet e jetës sime III, si dhe Shtigjet e jetës sime IV. Kirilovi, Accelerando, ku kemi edhe prozën e shkurtër, Shtigjet e jetës sime V. Drejt territ, Crescendo, ku ndeshim edhe prozën e shkurtër, me emër: Ludwig Boreliuss: Shtigjet e jetës sime VI. Mbyllja e strukturës kompozicionale të romanit vjen me titullin Finale, Alegretto. Ligjërimi letrar, që endet në romanin e V. Karahodës, pavarësisht se vjen si nëntekst, preket në ndryshimin, mbase përmbysjen e vlerave, që hidhet dritë në pohimin: “Dhe për deri sa mungesa e humanizmit është pasojë e të mbajturit anë kështu që njerëzit u duken njerëzve të tjerë jo krijesa njerëzore, po pengesa për t’u kaluar dhe forca për t’u mposhtur, dhe nuk shihet tragjedia e përbashkët po është vetëm lufta e tanishme e disave kundër disa të tjerëve…”[4]. , një situatë që vjen e ndërlikuar dhe me vlera estetike në hapësirën tekstologjike të romanit.
Narrativa e personazhit
Proza dhe shenja estetike e saj, pra edhe tipologjisë së romanit, është e lidhur ngushtësisht me narrativën, si rrëfimtar dhe atmosferë rrëfimtarie. Veçanësia, jo si rrekje me e dallu nga romanet e tjera të letrave shqipe, ose më gjerë, porse endja e magjisë së shkrimore të endur në hapësirën e romanit Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit, është fakt i dëshmuar në materien e tekstit. E veçanta në pikëpamje të narrativës në këtë roman, është sendërtimi i botës romanore, si narrativë e personazhit, madje në thelbine vetë shkrimor, është një narrativë dialoguese, me jo pak raste të anësimit nga monologim narrativ. Igor Bagricki, jo vetëm është epiqendër e romanit, porse njëherit është edhe shqiptuesi i makrobotës artistike të romanit. Narratori personazh, pavarësisht vështirësisë së pashmangshme për ta endur në parametrat ekzistues klimën estetike, sepse nga njëra anë, duhet të kundrojë gjithçka të atmosferës së përfshirë, të mjediseve të pranishme, të ndërthurjes së kohës dhe hapësirës. Nga ana tjetër, në secilin moment të lëndës tekstologjike, është krejt i përfshirë, pra është diçka më shumë së personazh i realizuar në të gjithë dimensionet, fizike dhe morale, është protagonist i atmosferës së endur. Në një kuptim metaforik, pra si epiqendër e realitetit letrar, dhe narrator i botës romanore, Igor Bagricki, është edhe alterego e autorit, konceptuar enkas kështu, duke krijuar distancën e nevojshme, por edhe duke mundësuar përfshirjen e personazhit, në gjithë shtjellat e ndodhive, të kohëve të ndërthurura, duke i dhënë dorë autorit për të sendërgjuar një tablo të gjallë të epokës së esktremeve, duke qenë një prani e padukshme, me gjasë një prani në figurën e presonazhit qëndror. Igori, si personazh, si protagonist i kohëve, e mbi të gjitha si narrator, mundëson thurjen e një realiteti letrar të njëmend, të një natyre tejet të ndërlikuar, që e shpërfaq botën e vetë, në rrafshet e frizurave të postmodernes. Igori bart mbi supet e veta, materien romanore, si përshkrim, shenjim i tipareve të personazheve, psikologji dhe portretizim, duke shënuar kështu një magji të zbulesës përmes narrativës së personazhit. Në disa pjesë të roamnit, mjeshtërisht janë futur disa proza të shkurtra, që janë tregime të ndërkallura me lëndën, por si zhanër, janë një përthyerje e pazakontë, një eksperiment i përfunduar, që endet sërish me anë të tipit të narratori personazh,duke e zgjeruar pentagramin rrëfimor.
Në vend të përfundimeve
Pasi shqytuam disa nga aspektet ma të qenësishme të formësimit të romanit të autorit, duke qenë të vetëdijshëm se anë të tjera, të dialogut të personazheve, të larmisë gjuhësore, e sidomos të stilit të autorit, mbeten si objekt leximi dhe verifikimi. Romani, pavarësisht rrugës që ka bërë, sërish mbetet zhanri kryesor i letërsisë shqipe, po kaq një zhanër i hapur, pra në proces shqiptimi, formësimi dhe realizimi të tipologjisë së zhanrit më të gjatë të prozës. Mbetet jetike pohimi Roland Barthes: Romani është Vdekje; ai nga jeta bën një fat, nga kujtimi një akt të dobishëm, e nga zgjatja një kohë të drejtura dhe domethënëse. Por ky shndërrim mund të përmbushet vetëm në sy të shoqërisë. Është shoqëria ajo që imponon Romanin…”[5]. Duke parë faktin që autori është levrues i poezisë, shkrimeve estetike dhe kritike, por më së shumti autor i disa romaneve që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të studimeve letrare, me një profil të vetin, mund të themi se romani Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit, që e paraljmëron qysh në titull fundin e protagonistit, por me nivelet e shkrimit të prozës, shënon kulmin e të mbërrimeve letrare në krijimtarinë letrare, si dhe përfaqëson një ngjarje të letrave shqipe, për ato situime letrare që ka shenjuar në këtë tekst, si një vepër me nivel estetik të dëshmuar në formësim, në strukturë, në portretizimin e personazheve, e mbi të gjitha në mjeshtërinë e rrëfimit dhe të stilit të përveçëm, si një nga romancierët më të përveçëm të letërsisë së sotme shqipe.
[1] Gjergj Llukash: Teoria e romanit, Prishtinë, Rilindja, 1983, f. 127.
[2] Milan Kundera: Arti i romanit, Tiranë, Toena, 2001, f. 92.
[3] Zhan Pol Sartri: Ç’është letërsia?, Tiranë, sh.b.elite 1998, f. 238.
[4] Benedetto Croces: Poezia antike dhe moderne, Tiranë, Elite, 1998, f. 35.
[5] Roland Barthes: Aventura semiologjike, Pejë, Dukagjini, 2008, f. 98.