Fati i njeriut është i lidhur mgushtësisht me aktet që kryen në jetë, përkundër fati i shkrimtarit, mbruhet dhe jeton në veprat e shkruara. Privilegji i artistit dhe shkrimtarit, që varësisht vlerave ta kapërcejë harkun e jetës, shoqërohet me udhëtimin e tij në rrathët e ferrit, si një shkrim që projektoi parajsën të cilën e shijon lexuesi në çdo kohë. Ligjërata, që ka në qendër natyrën dhe ngjyresat e krijimtarisë letrare të Agim Gjakovës, nuk merr përsipër portretizimin e njeriut, krijuesit, por vetëm sa do të hedh penelata të shpejta, më tepër për të zgjuar kureshtjen e lexuesit, që të rikthejë vëmendjen nga tekstet e shkruara në kohë të ndryshme, gjithnjë duke u bazuar në sugjerimin se: hapësira letrare është kujtesa e njerëzve. , C Clark. Megjithatë, në gamën e gjerë që ngërthen, tashmë si një dukuri letrare e formësuar në motet dyshekullore, vëmendja jonë do të përqëndrohet në disa aspekte:
A – Kush është Agim Gjakova?
B – Dimensionet e shkrimit letrar
C – Dykohësia e letrares së autorit
Çështja e parë, jo rastësisht nis me një pyetje retorike, se kush është Agim Gjakova. Jeta e gjatë, e mbushur me pengime dhe peripeci të shumta, burgimet, spiunimet dhe sidomos shtegtimet në hapësirat shqiptare, dhe po ashtu, qenësia e tij si qytetar i botës, siç e thotë shpesh vetë, na fusin në ngasjen për të parë elemente që nuk i kemi vënë re, të cilat lidhen me rrethanat e mbruajtjes së materies letrare. Agim Gjakova, si dhe bijë të tjerë të Kosovës, si Selman Riza, Adem Istrefi, Sadri Ahemti, e dhjetra poetë, piktorë, shkencëtar e gazetarë, u detyrua që të ikte nga Kosova martire, e të vinte në Shqipëri, me gjasë në shtetin amë, që megjithatë në jo pak herë, doli njerkë. Në vitet ’60, të shekullit të kaluar, kur realizmi socialist, i kishte konsoliduar pozitat e veta, në skenë vjen brezi i poetëve si: F. Arapi, D. Agolli, I. Kadare, A. Shehu, e në ato fillime edhe Gjakova përmendej me emër në radhën e kësaj breznie. Pastaj, si shumë të tjerë, poet dhe shkrimtar të kohës, hyri në pjesën e fundit, pikërisht në sintagmën memece, etj. , ku ishe dhe nuk ishe. Pastaj u dyshua, pastaj për një kohë të gjatë u la në heshtje, mbeti jashtë asaj liste. Përse u nder ngrica, heshtja e gjatë, ndaj veprës letrare? Ky në fakt është fati i mbrapshtë që ka shoqëruar me qindra shkrimtarë, sepse në kohë të ndryshme, autorët dhe tekstet dalin tepër. Varësisht konteksteve, kur shfaqet dhe formësohet krijimtaria letrare e autorit, ka jo pak shkaqe, “të ndalimit” të pashpallur, që më së shumti fle në dosjen, ku gëlojnë gjurmuesit e biografive, por në mesin e tyre do të nënvizoja, se Agim Gjakova, vinte më një botë të vetën, me dhimbjen e ikjes nga trojet e përgjakura, madje me vetëdijen gjuhësore dhe letrare dhe prandaj nuk kishte shumë mundësi të bëhej pjesë e modelit të shkrimtarit të ri, pjesë dhe mekanizëm i modelit zyrtar të realizmit sopcialist. Në përpjekjen sizifiane për të qenë pjesë e letërsisë zyrtare, e ngjyresave të realizmit socialist, ma tepër dështoi, me vetëdije, ndonëse nuk i shpëtoi ngasjes së botimit të librave edhe në atë hark kohor, shtysë dhe ëndërr e secilit shkrimtar. Jeta e Gjakovës, në kuptimin e parë, është e lidhur me shkrimin, ku ndërkaq në materien tekstore, mbizotëron shkrimi letrar, si në një udhëtim imagjinar, shqiptuar në morinë e librave.
Dimensionet shkrimore
Marrëdhënia me shkrimin, e veçmas me letërsinë, qysh në krye të herës, vepra e gjerë shkrimore e autorit, ka zgjuar interes tek lexuesi, e po kaq ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe studimeve letrare, për risitë e ligjërimit dhe të shprehësisë, për lavrimin e gjithë zhanreve letrare. Parapëlqimi i vlerave, të teksteve të shkruara, së pari lidhet me larminë, e po kaq ndërthuret me zërin e një krijuesi të paepur, që megjithatë duhet lexuar ndryshe, më përtej skemave të akademizmit didaktik, çka shpaloset në fjalët e Harold Bloom, kur nënvizon: Më ka ardhur në majë të hundës çfarëdolloj argumenti që ndërthur ëndjen e leximit vetmitar me të mirën publike. (2008: 15), pra vetëm si lexim teksti. Laryshia e shkrimit, lidhet ngushtësisht me morinë e veprave, të botuara ndër vite, ku lehtësisht përveçohen:
Së pari: Poeti që ka shpërfaqur përmasat e plota të epikes dhe lirikes, madje të një sintagme të përveçme ligjërimore, gjuhësore dhe estetike, e cila shenjëzohet në nëntë vëllime poetikë. Poezia në trashëgiminë e shkrimtarit, shënon fillesat e shkrimit letrar, në motin e largët 1962, me vëllimin … dhe thonë se paqë ka në botë, megjithatë në gjithë vitet poezia ka mbet shenja parake e krijimit, si me thënë vijon, që të mbetet dashunia e parë, në lidhje me artin e fjalës.
Së dyti: Prozatori i veçantë, i cili ka shkruar për të rritur dhe fëmijë, e që madje ka lëvruar të gjitha llojet letrare, ndonëse me anësim dhe kualitet të përveçëm, shpërfaqet në lavrimin e tregimit dhe romanit, porse kohëve të fundit me një shkëlqim të vetin në tipologjinë e shkrimit të romanit, ku madje zbulohet botëpreceptmi i marrëdhënies me atdheun, kombin dhe njerëzimin, si një qarkëzim unazor, të fatit të university të qenies. Në zhanrin e romanit, shpaloset sendërtimi i tipit klasik, realist, satirik, modern, gjë që dëshmohet qartësisht në romanin e fundit, Shtegtimi i ëndrrës, botuar në 2018.
Së treti: Lëvrues i dramatikës, si autor dramash dhe skenare filmash, ndonëse janë me më pak tekste se sa në dy modelet e tjera shkrimore, çka përplotëson konturet e shkrimtarit që ka jetuar në letërsi dhe për letërsinë, duke dhënë kontribut në tipet dhe zhanret e ndryshme.
Së katërti: Pjesë unike e shenjave shkrimore, që madje shpalos njeriun aktiv, intelektualin që jeton me shqetësimet e kombit dhe të shoqërisë, është edhe publicistika, e cila shtrihet ndër vite, të dy shekujve. Kryefjala e publicistikës është Kosova martire, fati i saj nën thundrën e pushtimit serb, po ashtu aty përshkruhen dritëhijet, e kohës së lirisë dhe të pavarësisë. Krahas temës së Kosovës, në publicistikën e Gjakovës, gjen vend gjerësisht edhe problematika e mprehtë e demokracisë dhe shoqërisë shqiptare, duke u kthyer në një trajtues mendjehollë i proceseve demokratike, në të dyja Shqipëritë, në atë londineze dhe euroatllantike.
Në mesin e teksteve shkrimore të tij, vetiu spikatet letërsia, e në mesin e librave ku sendërtohet mjeshtëria artistike, veçohet poezia dhe proza, e ndërkaq të dyja kanë udhëtuar bashkarisht e madje, janë dy anë të medaljes së shkrimtarit Agim Gjakova, me vokacion të rrokshëm, si poet dhe prozator.
Dykohësia e letrares së autorit
Termi dykohësi nuk është një përcaktim formal, që është shkrimtar që ka shkruar në dy kohë, por më tepër synon që të hetojë estetikisht krijimtarinë e autorit, që shëmbëllen dykohësinë si ligjërim letrar koherent. Varësisht teksteve të botuara, në sy kohë, së pari nën detyrimin e modelit të realizmit socialist, si dhe në kohën e lirisë nga diktatura, në Shqipëri dhe nga pushtuesi serb në Kosovë, është një përpjekje për të cekur vijimësinë e shkrimit, praninë e hijedritave, e sidomos për shijuar dëshminë kreative që ngërthejnë veprat e Gjakovës. Të shkruash në dy kohë, madje në dy kohë thelbësisht të ndryshme, është një situatë e ndërlikuar, me gjasë një sprovë e vështirë, letrare dhe joletrare. Nga njëra anë është loja për tu përshtatur, me rrethanat e reja, pra të rishkruash, të ndryshosh kahje ligjërimore e kuptimore, gjer në përmbysje, gjë që ka ndodhur me jo pak shkrimtar, do të thotë të ndryshosh kaq shumë sa të mos njohësh veten. Kjo në letërsi shënon tjetërsimin, përmbysjen e mëtimeve autoriale, që përgjithësisht e kapërcejnë kohën shkrimore. Në anën tjetër, të mbetesh vetja në shkrimin letrar, që ka të bëjë me “fajësimin” pa faj, të kohës së censurës dhe vetëcensurës, që në kohën e lirisë rrëzoi nga froni jo pak zota, të pushtetit dhe jetës kulturore dhe letrare, me shumë mundësi është përpjekja për të hetuar shtegtimin real, të letrares së materializuar nga Gjakova. Në veprën e gjerë letrare, e sidomos në poezi dhe prozë, krijimtaria e Gjakovës, i përkon “honeve” autoriale, ku kohët kanë lënë gjurmë, por ndërkaq nuk ia kanë cënuar esencën e brendshme kreative, unin e shkrimtarit që projekton lirinë, si një atribut që kërkon sakrifica. Ngjizja e amzës letrare, në toposin e botës autoriale, vjen e shqiptuar në dy kohët:
– Si një zë tjetër, me shenjë të dukshme mëvetësimi, në periudhën e parë, ku boton libra me poezi dhe prozë, pavarësisht faktit që janë botuiar vëllimet me poezi … dhe thonë se paqë ka në botë 1962, Këngë e Drinit të Bardhë, 1967, Perspektivë, 1972, Obelisk, 1985, si dhe vëllimi me tregime për të rritur, Nën hijen e pavdekësisë, 1983, me tregime për fëmijë, Vjen përroi, 1979, me romanet Në kërkim të së vërtetës, 1976, Dritëhijet e një qyteti, 1982, si dhe tre skenar filmash.
– Si vijimësi e tonalitetit të vetë, në tematizimin e kohës, në qëmtimin e ligjërimit modern, ku veçohen librat me poezi, I gjuaj ëndrrat me gurë, 1995, Guxo e vdis, 1998, Deti, 1998, Kufiri imagjinar, 2003, Saga flurore, 2008, si dhe vëllimi me tregime Shtëpia në udhëkryq, 2003, romanet Herezia, 2006, A ka kund Zot, 2009, etj. , . Loja e kafkave, Korridoret e gjelbra, Mëhalla e kolegëve, Rrëfimet, për të ardhur deri te romani Shtegtimi i ëndrrës, botuar në 2018. Në periudhën e dytë janë botuar gjithsej njëzet tekste, e shumica prej tyre janë romane, të cilat sendërtojnë “Shëmbulltyrat e negativitetit ekzistencial, bazë e një pjese të madhe të letërsisë bashkëkohore…(2000: 27, Leksione Amerikane) të pohuar nga Italo Kalvinos.
Megjithatë, me rëndësi është fakti që të verifikohen kahjet ligjërimore, në të dy kohët, e dëshmuar në materien letrare, të poezisë dhe prozëshkrimit, ku veçohet fakti që në periudhën e dytë, në qiellin e lirisë janë botuar me shumë tekste dhe, në shijen time shënojnë nivel më të ngritur të shenjave letrare.