More
    KreuLetërsiBibliotekë"Barërat e së keqes" nga Shkëlqim Çela

    “Barërat e së keqes” nga Shkëlqim Çela

    Ra si një rrufe në të kthjellët: mëhalla konservatore “Dymbëdhjetë lisat” u bë papritur skena e një krimi! Stacionet televizive lokale nxituan ta jepnin ngjarjen si kryelajmin e ditës. Fytyrat e folësve që nga ekranet, megjithëse të mësuara me gjithfarë ndodhish e ngjarjesh të habitshme, nuk mundën ta fshihnin dot një hutim të sinqertë. Çne vrasje tek “Dymbëdhjetë lisat”?! Një mjedis i qetë, ku klasa e mesme kalon në limonti jetët e mesme dhe ku e vetmja zhurmë që ndihet është ajo e korrjes së herëpashershme të barit para shtëpive. Vërtet që bota po çmendet, Xhejms, nuk është vetëm ngrohja globale, as edhe ajo shakaja e keqe,sipas së cilës si lojtari më i mirë i golfit, ashtu edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, janë të zinj. Sikundër këngëtari më i mirë i rap-it është i bardhë. Jo, jo, gjërat po shkojnë vërtet shumë larg! Si dreqin shkojnë e vrasin postierin në një mëhallë ku njerëzit ruhen mos trembin ketrat dhe ushqejnë gjer edhe korbat me koncentrat të blerë enkas?! Pastaj, a nuk thuhet “mos e vrit lajmëtarin”? Kushedi ç’lajm të zi do të ketë sjellë, i ziu postier… qyqari.

    Ishte vërtet e pashpjegueshme se ç’e kishte sjellë punën deri aty. Në mesditën e qetë të mes-javës, një të mërkure pa karakter e pritshmëri, pak pasi postieri kish mbërritur me makinën e bardhë, të vogël e paqësore të postës, ishte dëgjuar një krismë arme, e po ashtu fare pak më pas ishte dëgjuar kuja e urgjencës dhe e makinave të policisë.
    Shkakun e vrasjes e morëm vesh më vonë. Ishte një motiv i dobët, siç u thonë tani shkaqeve vetjake për krim. A nuk i dëgjojmë kaq shpesh? Mirë thua që bota po merr kot, shtohet obeziteti dhe dobësohen motivet – më fal, e di që nuk ka vend për shaka, aq më tepër për shaka të dobëta, por gjithë fajin e kishin ato lulet që njëri nga gjitonët i kishte mbjellë rreth kutisë së postës: ca erëza të çuditshme mesdheu që ne i njohim vetëm përmes shishkave e kutive të vogla tek raftet e erëzave në shitoret organike dhe tregun e bujkut, por që na qenkeshin edhe bimë të vërteta, gjithfarë lavandrash e nenexhikësh e rigonesh që rriten në ato nahije të botës, erëza që e joshnin postierin, kushedi pse, njërin prej postierëve më saktë, thashë nuk dihet pse, për kushedi ç’arsye, fare kot xhanëm, një sebep duhet për jetëshkurtërin, ose mbase ishte nga ato anë, thashë nuk dihet pse, por nejse. Ai i ndjeri teksa fuste shukun e zarfeve dhe revistave në kuti, rrinte me gjatë se zakonisht të merrte atë erëmim, që kushedi ç’i kujtonte, e mallëngjehej ashtu, me fllad rivierash e brigjesh mesdheu që i shohim tek-tuk në TV, dhe njëri nga gjitonët, tek e shihte ashtu si të përmalluar, ra në dyshim se mos postieri i bënte isharete së shoqes, e cila për dreq edhe qëllonte të ish aty pari shi kur s’duhej, duke prerë ndonjë trëndafil-a, duke pirë ndonjë kafe për qejf-a, dhe aq është. Idili i pandehur është gjëja më e lehtë për t’u ngjizur, përkimet në këto raste s’mungojnë kurrë, janë ngjitëse ojnat, mu si kotja prej gjumit, e kështu mllefi i gjitonit erdh e t’u bë si një krusmë përbindëshe në zgavër të shpirtit e lukthit, derisa një ditë mori armën dhe … krisëm…, e qëlloi pa një, pa dy…
    Ndaj nuk duhen sjellë bimë të huaja, Xhejms, ndaj edhe në aeroporte të pyesin mos ke marrë dhe të huaj, bimë të huaja, mos ke fjetur pranë gjedhësh të huaja… S’u thonë kot bimë eterike, kupton, kushedi ç’dehje ka marrë i ziu postier, ç’kushtrim i vjetër i sojit të vet e ka thirrur, në pastë qenë nga ato vise sikundër thua, imagjino të jetosh në të atillë vend të mbushur me lloj-lloj sherebelash e çajrash endemike, e dhjozmash të çuditshme, e këngësh të vjetra që i bëjmë në shkollë, nuk është çudi që dëgjojmë për të vrarë aq shpesh andeja… ruajna Zot e të faleminderit që s’na linde atje, në ato ckërka e shkëmbinj sirenash plot me fole gjarpërinjsh e kushedi ç’akrepë helmues e fiq të nxehtë hardallosës shkëmbi e deti. Meqë ra fjala, bari ynë para shtëpisë ngriti krye përsëri, duhet prerë, gjitonët kanë dy orë që kanë filluar. Ç’pret akoma, Xhejms?

    Fragment nga libri i ri “Barërat e së keqes”,
    botimet Çabej

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË