More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Përballë debrisit të kuptimit njerëzor ("Liria ime" nga Mehmet Kraja)

    Ballsor Hoxha: Përballë debrisit të kuptimit njerëzor (“Liria ime” nga Mehmet Kraja)

    Të lexosh Mehmet Krajën, veprën e tij, është sikur të biesh në zonën e ndërmjetme mes vetëdijes që ka kaluar në një disk që përsëritet, dhe të llumit të aeroportit të ekzistencës, ekzistencave individuale.

    Në të vërtetë është sikur të gjendesh, apo thënë më saktë të jesh i mbetur nën marrëveshjet: kohë, lumturi, logjikë etj. dhe prej këtu bota ngjanë në një gogël e cila mu sikur një botë e pabalancë, apo të humbur balancën, nuk ka madhësi, por është perspektivë nga kjo ndërmjetësi.

    Kraja si autor qysh në fillim të rrëfimeve të tij e shpartallon çfarëdo logjike të marrëveshjeve të lartcekura, dhe në këtë çdo gjë, prej grimcave kancerogjene në trupin e një nga personazheve, e deri tek një qen i humbur që vetëvritet po ashtu në aeroport, subjektivizohen brenda narrativit. Kjo mundëson që narrativi të kalojë në një situatë të manipulueshme bashkë me personazhet të cilat shthurur marrëveshjet e kuptimit dhe të strukturave të lumturisë të qëniesojnë diku ndërmjet skizofrenisë dhe të një zhgënjimi aq të thellë që rrënon çdo mundësi shprese.

    Këto personazhe, për çudinë e lexuesit janë të pajtuar në masë të madhe me fatin e tyre, me zhgënjimin e tyre kozmik dhe real dhe kanë një të përbashkët e që është shtjellimi i pyetjeve dhe gjakimeve krejtësisht të largëta e të pambizotërueshme. Në të vërtetë janë aq të vetmuar në këto strata ku zhvillohen këto situata sa që pyetjet e tyre e bartin dhembjen nga rrafshi i vetëdijes, rutinës dhe njerëzores, në kozmike të pashkatërrueshme dhe të paarritshme.

    Stratat ku ftillojnë dhe shtjellohen situatat me karakter unik Krajan, janë disa herë aeroporti i Prishtinës, mërgimi dhe edhe, në një rast edhe në emergjencën e spitalit. Të shumtën e herave personazhi në vëmendje është i ‘padukshëm’ për të gjithë njerëzit përreth, janë më shumë bartës apo thënë më saktë rezonanca e kolektiveve ku po këto personazhe qëniesojnë. Qëniesimi i tyre është i paatashim dhe i pa reagim, sikur çdo gjë çon drejt nihilizmit të këtyre forcave të cilat shpartallojnë çdo njerëzore, dhe aq më shumë të njëjtën njerëzore e nxjerrin si marrëveshje të kolektiveve.

    Të prirë për të gjetur një shkak dhe një pasojë, një fat, njeriu në këtë roman e ka të përmbysur çdo gjë që ka lidhje dhe koncept fati të njeriut, dhe e tëra është një vdekje e ngadaltë dhe e vërtetë, apo thënë më saktë një jetë kaluar murin ndarës të vdekjes dhe jetës, në një vetmi të papërcaktueshme dhe të pakapshme në pamundësinë e qeniesimit të tyre. Në një perspektivë autori, apo narratori, janë aq mizorë sa që sajojnë situatat kur më në fund duket sikur drejtësia, qoftë ajo poetike, do të ngadhënjejë mbi të ligën, ato përmbysen dhe fiton gjithsesi e liga. Kështu duke e trajtuar ekzistencën si të ftohtë, të pandjeshme dhe të pakapshme ndonjëherë në mundësitë tona.

    Ekzistenca e njeriut dhe liria

    Kjo sigurisht kujton Schopenhauer-in dhe filozofinë e tij rreth ligësisë së tokës dhe stërkeqjes së saj derisa njeriu e sheh atë si diçka pozitive dhe progresive. Dhe më tutje shtron dilemën nëse kjo vepër ka të bëjë me ekzistencializmin nihilist apo me lirinë, kjo e fundit si e përcaktueshme. Por në këtë vepër të gjithë personazhet janë të lirë, janë të deponuar jashtë marrëveshjeve dhe strukturave ku ndërtohen parimet tona mbi po të njëjtat marrëveshje, dhe me këtë janë të lirë, të lirë deri në ekzistencialen e qenies, gjë që do të thotë se janë të lirë prej çdo superegoje dhe egoizmi të tyre, janë, siç u tha më lartë të pajtuar me të qënit dalë jashtë trajektoreve të njerëzores me fat, me lumturi, me vetëdije etj.

    Ekzistencialja dhe liria janë krejtësisht të ndryshme brenda koncepteve ekzistencialiste, në to liria është robëria më e madhe e njeriut ndaj të gjitha shtyllave primordiale dhe nuk kanë të dalë jashtë tyre. Në të vërtetë, në konceptet ekzistencialiste liria është ekspozimi më i thellë dhe më i saktë i robërisë së njeriut ndaj universales dhe primordialeve të saj.

    Po e njëjta është edhe në veprën e Mehmet Krajës “Liria ime”, mirëpo këtu kjo liri është e motivuar edhe me të ligën e njeriut ndaj njeriut. Ky motiv në të vërtetë e bën veprën edhe eksplorim në personalen e njeriut, në pandashmërinë e tij nga vetë shpikjet/marrëveshjet e tij dhe ekzistenciales. Bymehjen dhe tkurrjen e këtyre shpikjeve/marrëveshjeve të njeriut me njeriun brenda i cili si një peng nuk di ku apo si të dalë jashtë tyre.

    Jo pa arsye, e shumta e personazheve janë apo përfundojnë në përafri të debrisit të botës, duke e kundruar apo edhe duke e pyetur veten, e qoftë edhe një personazh të dytë, gjë që në shumë raste është vetë narratori, për gjërat në amshim të ekzistencës. Këto personazhe janë saktësisht të shpartalluar, të zgjidhur çfarëdo atashimi me këtë botë, gjë që e bën lirinë e tyre më të zhveshur se kurdoherë tek njeriu, gjë që e bën të mundshme që të kundrohet çdo grimcë e materies apo anti materies, sipas po këtyre personazheve.

    “Liria ime” është një shpallje, e lirisë së autorit, gjithnjë duke menduar në pandashmërinë e rrjedhës së trajektores së njeriut nga tjetri në këtë botë, mirëpo ka edhe së paku një pikëpamje mbi këtë titull e që është vetë klithja e njeriut me absurdin e lirisë, me absurdin e të qënit i zgjidhur dhe detashuar nga kuptimi i botës së tij/saj.

    Prej këtu ndodhemi të hedhur (Heidegger) në pandjeshmërinë e kësaj toke ndaj njeriut, dimë të jetojmë vetëm me peshën e të qënit i izoluar brenda këtyre atashimeve siç janë vetëdija, logjika, etj. Gjë që do të thotë se liria jonë nga cilido rrafsh që shihet është dhembje. Dhembje e pamundësisë së të kuptuarit të vetë saj. Në të vërtetë ka shumë ngjashmëri, ky roman me momentin pas deklarimit të Dostojevskit “çka nëse nuk do të kishte zot?” “Atëherë çdo gjë do të ishte e lejuar!”, është më se e qartë se ky titull, kjo klithje është pikërisht klithje e njeriut se “çdo gjë është lejuar”, e deri tek pajtimi me po këtë lejim të çdo gjëje në këtë botë tonën.

    Kjo është paradoksi i ekzistenciales, përballë lirisë, apo ndërthurjes së ekzistenciales me lirinë, sa më e thellë, sa më e zhveshur njëra, aq më e dhembshme tjetra. Gjë që na kthen tek personazhet e Mehmet Krajës, horizonti i pamjeve të tyre, pikëshikimeve të tyre, të meditimit të tyre, qoftë mbi të ligën që i ka goditur e tronditur në përhershmëri, e qoftë mbi pajtimin e tyre me po të njëjtën ligësi, apo qoftë ta quajmë fund të marrëveshjes botë.

    Tregimet brenda romanit “Liria ime”

    Romani fillon në aeroport, dhe përfundon, po ashtu në aeroport, gjë që na kthen pikërisht në mbledhinë e njerëzve ardhur dhe nisur në të gjitha kahjet e botës, në mbledhinë e të gjitha halleve të botës, kështu duke e zbritur kuadrin e narrativit deri në grimcat kanecrogjene në personazhin e tregimit të parë, e deri tek një qenë i braktisur që bën vetëvrasje pikërisht në aeroport.

    Personazhi kryesor është gjithnjë me armikun e tij, qoftë të imagjinuar e qoftë nga përvoja e jetës së jetuar.

    Siç edhe pritet narrativi braktisë aeroportin për të ateruar në vende të largëta, të humbura e të humbur përbrenda debrisit të shpartallimit të të njohurisë dhe të marrëveshjeve në këtë botë.

    Por ç’i bën këto tregime, roman, siç e ka quajtur autorit këtë vepër, me qenë se nuk ka një situatë, temë apo edhe bartje të ngjarjes nga njëri kapitull në tjetrin.

    Kjo është ajo që e kam quajtur në rrëfimet e mia, asonancë e bartur e jo vetëm të zhgënjimit, dhe të ngadhënjimit të debrisi të kuptimit, por është edhe ajo që këta personazhe janë të mbetur në kufirin e fundmë të ekzistencës në vrojtim të kimerës së quajtur jetë dhe mjegullnajave të moskuptimit apo absurdit të kësaj që e quajmë botë.

    Tregimet përmbahen në një të ulur përballë debrisit të kuptimit të këtyre marrëveshjeve dhe të vrojtuarit të pafundësisë së pamundësisë njerëzore, qoftë brenda sajimit të tij qoftë brenda asaj që vazhdimisht provojmë ta përkufizojmë brenda konceptit të strukturave si ajo e lumturisë.

    Siç u tha në fillim të këtij punimi, e tëra është e rënë nën strukturat e kuptimit njerëzor, dhe gjendemi në një kontekst te simbolizuar që përmban si aurë të gjitha tregimet e kësaj vepre.

    Në të vërtetë në çdo tregim gjendemi sikur përbrenda eksplodimit të njerëzores, siç është e konceptualizuar, dhe pluskojmë në mungesën e gravitacionales së njerëzores.

    Por pse të jetë që këto tregime të jenë një roman, derisa çdo gjë është një situatë e ndryshme, një jetë e tërë e jetuar nga këto personazhe dhe po ashtu një fund, doemos, i këtyre personazheve që nuk përkon me asnjërin prej tyre? Ndoshta, autori e ka menduar një valë që ka përfshirë njerëzimin si një stadium ku shtresa e ndërmjetësisë, siç u tha në fillim, ndërmjet vetëdijes së njerëzores, dhe të llumit të ekzistencës në aeroportin e njerëzimit.

    NJË KOMENT

    1. B. Hoxha: në kët vlersim që ndoshta, mund të quhet mendje kulmore do kishte vend edhe për pak korrekturë në theksime të pretedara që nuk posedohen në vlerën e atribuar këtij Romani,me pak medyshje për lexuesin e rendomt bëhet fjalë. Gjithsesi romani LIRIA IME. M. Krajës deri me tash nga shkrimet tij romanore mbetët më i lartësuari, sigurisht deri të ndonjë tjeter që mund të ngjitet më lartë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË