More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Nëpër distopinë e Shqipërisë (Për romanin “Arratisja e fundit e...

    Ballsor Hoxha: Nëpër distopinë e Shqipërisë (Për romanin “Arratisja e fundit e Baltazar Ketës” – Agron Tufa)

    Për të krijuar një distopi shkrimtarit shpesh i duhet që të gjejë mesin, jo utopinë e vendit të cilin e shndërron, por këtu, pyetemi, nëse kjo është shkathtësi e papërsëritshme e autorit të romanit “Arratisja e fundit e Baltazar Ketës”, Agron Tufës, apo në të vërtetë ai vetëm sa ka ‘hapur’ realitetin. Apo, paradoksalisht, autori Tufa me këtë të fundit ka bërë atë që “nuk bën të emërohet”. Por, atëherë lind një pyetje krejt e qëllimtë këtu: a është e fundit, kjo arratisje, apo si që thotë personazhi kryesor i këtij romani, ai do të kthehet përsëri dhe përsëri.

    Sipas paratekstit të romanit “Arratisja e fundit e Baltazar Ketës” marrë nga Një mijë e një net, bota në këtë roman është një skëterrë e cila gjen shpëtimin e saj nga një mal tjetër, i cili e ruan këtë skëterrë me stuhinë e përhershme në të, e aq më shumë për të zbutur zjarrin e botës ku jemi. Paratekst që e paraprinë dhe e përgatitë lexuesin se do t’i shfaqet një botë në pamundësi si një mekanizëm tunelesh krimi, ligësish dhe çnjerëzoreje. Apo që i është shfaqur dhe vazhdon t’i shfaqet njeriut në tërë historinë e tij, tërë kohën. Por, kjo shfaqje e kësaj bote tonë, nuk është nga larg, as nga maja e Mount Everestit, është pikërisht mespërmes saj, është e shfaqur mishëruar në të si qytetarë të saj, dhe me vullnetin për vazhdimin e llojit, të paracaktuar nga evoluimi njerëzor, e që është vetë dëshira për jetë, saktësisht nisur prej një garsoniere ‘morg’ në mes të Tiranës, e deri tek vetë Mount Everesti.

    Dhe, gjithnjë duke u ndalur në këtë paratekst, do të thotë “njerëzimi ka shpëtim nga skëterra që e jeton për çdo ditë të dhënë, pikërisht në njëlloj harrimi të përhershëm tutje, në malin e radhës, në stuhinë e gjithëkohshme”. Apo, që në të kundërtën e kësaj ironie, është i paracaktuar, pre e zjarrit të tij, peng i ligjeve të kësaj skëterre dhe aq më shumë mëtonjës i saj, në tërë luftën e të gjitha “llojeve për mbijetesë”, e ku tjetër, përpos, brenda kësaj skëterre.

    Por, para se të lexojmë “Arratinë e fundit të Baltazar Ketës”, le të ndalemi tek rëndësia e këtij romani. Sepse kur në vetëdijen tonë kolektive mbi letërsinë flasim për të jashtëzakonshmen dhe kulmoren e letërsisë sonë, dhe aq më shumë kur flasim edhe për romane të rëndësishme për vetë letërsinë tonë, ne ikim në një pikë “pajtimi”, në një pikë të pamohueshme, të padyshueshme, si për autorin si për veprën, ikim pra qysh në fillet e vetë letërsisë sonë, diku ku nuk mund të krijojmë hamendësime për përkatësi e klanizim të letërsisë. Nuk kemi një ndjesi pajtimi me arritjen bashkëkohore të kësaj kulmoreje të letërsisë, qoftë edhe si mundësi, apo qoftë edhe si mishërim i vërtetë i saj. Kur flasim për veprat e rëndësishme, apo thënë saktë për veprat më të rëndësishme të letërsisë sonë, ne flasim për tema të mëdha, gjigante, gjithsesi historike, dhe gjithsesi të dëshmuara jashtë sistemit tonë letrarë, apo gjithsesi të pranuara përmes shitjes së tyre, sikur kjo masë shpirtërore, apo thurje si masë shpirtërore matet, e jo, që lexohet. Si është e mundur të injorohet një vepër si “Arratia e fundit e Baltazar Ketës” nga Agron Tufa?, në arritjen e saj, si një kulminacion i letërsisë shqiptare bashkëkohore. Kjo mund të na sjellë në dy përgjigje të menjëhershme, moskuptimin e saj, e që është pamundësia e përballimit të kësaj katedraleje prej shpirti të letërsisë, apo mos përkatësinë e saj në këtë skëterrë, pikërisht për shkak të mrekullisë letrare që është. 

    “Arratia e fundit e Baltazar Ketës” roman, nëse jo më tutje, nën krizën e cekur të leximit mirëdashës të letërsisë bashkëkohore, që prej Kadaresë, tek Besnik Mustafaj e deri tek Tufa, ndër të tjerë, së paku në këtë lexim është një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe. Dhe duke pas thënë këtë duhet numëruar edhe arsyet e kësaj thënie. Por ajo nuk do shumë përpjekje, duke qenë se është pararojë e shoqërisë shqiptare në Shqipëri, në të gjitha drejtimet, orientimet, dhe aq më shumë mekanizmat e organizimit të saj, qoftë kjo duke qenë si mbijetesë e llojit më të fortë e qoftë si një inerci e stadit të dytë të të parës me sa u tha. Pra si rrënjë që tanimë kanë lidhur brenda kaosit të të vërtetës në këtë distopi, që mund të jetë edhe Shqipëria reale.

    Ka një arsye krejt të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë pse ka shkrimtarë, aq më shumë shkrimtarë si Agron Tufa, qoftë në jetën e tij paraprakisht kërcënimeve për vrasje për shkak të punës së tij, e qoftë në “thelbin e tij”, e që është jo vetëm ky thelb i cili e shtynë nëpër skëterra si Shqipëria distopike (nëse ajo nuk është një e tillë tashmë), qoftë në ecjen mespërmes  zjarrit të skëterrës, dhe atë vetëm dhe vetëm për të dhënë përçuar dhe përcjellë zjarrin e përjetuar të saj, dhe, apo të sajesës që është kjo botë, në realitetin që e jetojmë në përditshmërinë tonë dhe aq më shumë të përsëritur, në të përhershmen, si botë që digjet dhe në të cilën digjemi, njerëz pa një mundësi të qoftë të, mësuarit nga ajo, apo qoftë të të pranuarit të saj.

    Duke u nisur që nga emërtimi Baltazar i personazhit kryesorë lindur diku në periferinë e Shqipërisë (si në Afratin e kultivimit të kanabisit), i njërit prej protagonistëve të romanit, dhe aq shumë të referencave të panumërta të mitologjisë, qoftë religjioze dhe asaj greke, këto e mihin, e thurin dhe e gjejnë zanafillën, e krijojnë narrativin e këtij romani në njëlloj mekanizmi tunelesh të të qeniesuarit të njeriut nëpër këtë skëterrë. Kjo, sipas këtij leximi, si e përhershme e botës sonë, dhe në të njëjtën kohë si përafrim, apo simbolikë e themeluar në njerëzim. Ne vazhdimisht dekonstruktojmë mitet dhe mitologjinë, por në të vërtetë tërë kohën e jetojmë atë. Ne vazhdimisht e marrim atë si mësim për të kaluarën dhe mospërsëritjen e saj, por ajo vazhdimisht është dhe kthehet si Minotaur i mbetjeve të tiranisë së kaluar në këtë reale.

    Apo, kur kthehemi dhe pyetemi, por si qenka e mundur që jetojmë ende, nën këtë skëterrë, është një përgjigje krejt e thjeshtë për këtë, e që është në dy vektorët e ‘dëshirës për jetë’ brenda këtij romani: personazhi Baltazari, si vektor i dëshirës për jetë duke braktisur ferrin, e që është kjo botë, po sikur që ka qenë dhe si është sot, së paku në metaforën e këtij romani, dhe për të ngjitur pikërisht Mount Everestin, atë malin e stuhisë së përhershme nga parateksti; dhe në vektorin e kundërt të këtij narrativi personazhi Ardian Proseku i cili me dëshirën e tij për jetë mbahet, kapet e ndryshon edhe karakter në jetën e tij, disa herë aq më shumë, për të jetuar përbrenda kësaj skëterre, përbrenda kësaj distopie, duke e shndërruar pikërisht me këtë dëshirë të tij për jetë atë në një skëterrë të ‘jetueshme’.

    Në Shqipërinë distopike të këtij romani, ai “që venë atje nga ku nuk kthehet i gjallë njeriu”, kthehet, por jo edhe me mundësinë e të qeniesuarit në këtë botë, jo më të të djegies në skëterrën Shqipëri, por të ikjes, pavarësisht se ai i premton vetes, e gruas së tij, Sesilës (personazhes) në shënimet e tij, se do të kthehet. Dhe pikërisht kjo ngjarje, mitike, horror, tmerr, e groteskë, e peshon, e mbanë në balancë një proces të tërë zgjedhor të vendit ku ndodhë kjo, në këtë Shqipëri distopike. Gjë që bën të përfshihet dhe të lidhet narrativi, në njeriun që, në një mënyrë, gjithsesi metaforike, vazhdimisht, në atë “ku rafsha mos u vrafsha” filozofi të jetës së tij, në paradoks vazhdimisht tenton të shkojë aty “nga ku nuk kthehet njeriu”, pra në varr e që është personazhi Ardian Proseku. Mirëpo e tërë kjo duke lindur një trekëndësh dashurie dhe lidhjesh e ndërthurjesh të pafundme përmes këtij trekëndëshi, të vetë llumit, e dashurisë, të xhelozive, e të besimit, të dinamikave krejtësisht ekstreme, si që ndodhë në shoqëritë distopike si Shqipëria e këtij romani.

    Agron Tufa si autor i këtij romani, mjeshtër i dëshmuar i thurjeve më të papritura e më komplekse, thurë një shoqëri të tërë të një vendi, gjithsesi distopik, nga një gazetar krimesh, qoftë të përditshme dhe qoftë të të kaluarës, mihur tutje nëpër mitologjitë e njerëzimit, që vazhdimisht përsëriten në ne, dhe tutje deri në majën e amalgamës politike të të gjitha majave të pushtetit në këtë distopi, të quajtur Shqipëri në këtë roman.

    Dhe para se të tentojmë një thellim brenda filozofisë së këtij romani, në të gjitha shtresat e tij, prej mitologjisë, pastaj asaj që ka kaluar në mitologji të tiranisë komuniste, e deri tek mitologjia e politikëbërjes në këtë distopi të quajtur Shqipëri në këtë roman, dhe tek majat e pushtetit e që janë vetë kultivuesit dhe prodhuesit e krimit, gjejnë një balancë, në një njeri të vetëm, në një kuturu njeri, të cilit i ka mbetur vetëm një fije jete, e që është pikërisht e paracaktuara parake e njeriut – dëshira për jetë e tij – që sikur Baltazar Keta, po ashtu edhe ky, pra personazhi Ardian Proseku, e balancojnë dhe mu sikur një vrimë e zezë, një person i vetëm, e përpinë tërë botën e sajuar në një përmbysje gjigante, distopike, që megjithatë pas shumë pak kohe, rikthehet në majën e saj të përhershme, që është Publikja e këtij njerëzimi, Publikja e kësaj distopie, të quajtur këtu Shqipëri.

    Duke iu kthyer këtyre dy vektorëve, që i quajtëm ‘dëshirë për jetë’ e dy personazheve tërësisht të kundërt në çdo gjë, por si që ndodhë në romane të Tufës, i bashkon tërë universi, që nga vendlindja e njëjtë, historia e jetuar dhe aq më shumë një grua, personazhja Sesilia, ata janë njeriu në dy mishërimet e jetës, asaj të trupit dhe Proseku të shpirtit. Më tutje Baltazari i ngritur nga varri i tij, dhe Ardian Proseku, i përfshirë në të gjithë rrathët e kësaj skëterre, paradoksalisht nga kjo ‘dëshirë për jetë” e tij, shfaqin njeriun si një qenie e paracaktuar nga po kjo dëshirë, duke e rrënuar, siç ndodhë dy herë së paku në këtë narrativ, nga së paku po këta dy protagonistë të këtij narrativi , universin e kësaj bote distopike. Në të vërtetë këto dy rrënime, një herë me daljen nga varri i tij (qoftë edhe mbetur si fenomen i pashpjegueshëm, për të mos zbuluar në tërësi romanin) të Baltazarit, dhe herën e dytë me pranimin e fajit gjigant brenda narrativit nga Ardian Proseku; janë metafora, ku e para zhbënë Publiken e sajuar të kësaj distopie, dhe i dyti rrënim në anën tjetër e ekspozon të gjallë dhe siç që është, lakuriq këtë Publike të kësaj bote distopike, që mund të jetë edhe Shqipëria reale.

    Në teorinë e Dekonstruksionit, nuk ekziston asnjë karakteristikë njerëzore, që mund të zotërojë këtë botë siç e imagjinojmë, qoftë autoafeksioni i njeriut me fiziken e tij imagjinuar si kulmi i botës, apo të të tjera llojeve të fizikes për vetë njeriun. Në këtë ne e arrestojmë një të tashme, gjithnjë të imagjinuar, dhe i bindemi pikërisht këtij arrestimit që vjen prej neve, për të shmangur, për t’i ikur, ballafaqimit me skëterrën ku gjendemi, apo vetë vdekjen. Apo vetë pandihmëshmërinë tonë në këtë botë, botë që është sajesa jonë, e Publikja si sajesë manipulimi të saj. Mirëpo kjo e tashme, as nuk është e kaluar, dhe as e ardhme, aq më pak e tashme, por në të vërtetë është një fenomen, i cili në mangësitë e njeriut për ta hamendësuar, koha e kaluar gjithnjë e fshinë veten, dhe me këtë, njeriut i mbetet, në të vërtetë tërë ajo që i mbetet është të gjejë gjurmën (Freudiane) të asaj që është – fshirë.

    Duke pas parafrazuar këtë teori, thelbin e saj (për të mos u zgjatur në gjëra tejet teknike), le të pyetemi ku është tërë ajo rrjetë me tërë atë kontroll, pushtet, ligësi e katilësi, dhe aq më shumë që bartë një faj kolektiv mbi pesëdhjetë vjeçar, dhe forcë dhune? Ngjanë sikur ka humbur, ka – fshirë – veten po ky pushtet, dhe është i kaluar, përderisa jetojmë këtë të tashme të arrestuar, dhe të përhershme. Për më shumë, ku është ana tjetër, e kësaj tiranie, kësaj tragjedie me përmasa të romanit të Agron Tufës?

    Në narrativin e romanit, gjatë tërësisë së tij, por sidomos në kohën kur është hedhur në të pashpjegueshme “kthimi” i Baltazarit në mesin e të gjallëve, kur e tëra na ka mbetur ashtu si është lakuriq skëterra jonë në të cilën jetojmë, përnjëherë kuptojmë se për tërë këtë kohë është rivendosur i tërë sistemi tiranik i komunizmit, apo ai i çnjerëzores (si të dojë lexuesi) brenda pushtetit, qoftë atij mediatik, të biznesit, të politikës, e të njeriut në karakterin e tij, në ‘thelbin e tij’, gjë që e bën të ditur, sipas teorisë së Dekonstruksionit, se gjurma, e tiranisë, është vetë e tashmja, e arrestuar e jona. Se e tashmja e arrestuar e jona, përmban brenda vetes tërë të kaluarën tonë. Dhe në këtë gjurma (Freudiane) e cila shpërfaqet, e që ka për një epiqendër Minotaurin, personazhin Aristidhin e tiranisë së shkuar, i cili në degjenerimin që kë pësuar në ideologjinë e tiranisë, rigjeneron të njëjtin, duke mos e lëshuar të kaluarën kurrë në të kaluarën që është, apo duke e çarë të tashmen në gjurmën e të ligës që ka ndodhur në të kaluarën dhe që bartet në të tashmen tonë.

    Se nuk ka një të tashme, një të vërtetë aq më shumë, e dëshmon gjatë tërë jetës së tij profesionale personazhi Ardian Proseku i cili e ka për profesion pikërisht ri-aktualizimin mediatik të krimeve të tiranisë, por që në të vërtetë ajo është aq e afërt, aq e gjallë aq e kudondodhshme sa që e vë atë në një trans në të cilin humb tërë atë që ka, duke mos qenë i bindur në këtë të tashme të arrestuar. Ai është, përkundër personazhit tjetër Baltazarit, një shpërfaqje e njeriut i cili personifikon  dhe metaforizon mënyrën se si jetohet në këtë skëterrë, se si mbijetohet thellë prapa në ligjet e Darwinit, dhe se si i bëhet ballë Publikes së një distopie si Shqipëria, dhe si bartet vetë zjarri i kësaj skëterre.

    Në të vërtetë autori Tufa, në këtë kaos të të vërtetës, që është vetë e vërteta, pa një marrëveshje, pa një Vendosmëri (të përballjes së historisë së saj – Heidegger) e shfaqë personazhin Ardian Proseku si që jeton, në ndërdijen e tij, dhe çuditërisht, kjo ndërdije e dërgon atë në tërë këtë trans të tij, në dashurinë për jetë, në dashurinë ndaj një gruaje, Sesilës e cila, fatkeqësisht, i takon Baltazarit, e cila është vetë mishërimi i një gjurme tjetër, të kësaj të tashmeje e cila mendojmë se me arrestimin e saj kemi arrestuar edhe çnjerëzinë e vitit 1997, kjo duke qenë se Sesila vetë ka të humbur dy prindërit e saj në një dhunë më makabre që mund të imagjinojmë.

    Sepse, arsyeja e arrestimit të të tashmes, ndodhë pikërisht për shkak krijimit të sajesës në Publiken e kësaj skëterre, të arrestimit të kufirit të botës sonë, si sajesë, është po e njëjta skëterrë, po i njëjti ferr, në të cilin kemi jetuar në të kaluarën, apo që mund të shpjegohet krejt thjeshtë me pyetjen: çka ndodhi me çnjerëzinë e 1997, apo të tiranisë komuniste? Ku është ajo, dhe si është gjykuar dhe veçuar nga pushteti, cilido pushtet, është fjala për këtë çnjerëzi.

    Në këtë dekonstruksion, gjurma (Freudiane) ngjanë sikur e dyzuar, e përshkëllirë në seritë e krimeve kolektive, por në të vërtetë, ajo, si që ndodhë me këtë epiqendër të saj, me Arsitidhin e kësaj të kaluare, ajo është një zinxhirë transformimi dhe aq më shumë, siç e sheh autori, një Minotaur i pashkatërrueshëm, i kësaj skëterre të quajtur, përndryshe, botë e jona.

    Pra duke iu kthyer, për të vazhduar këtë dekonstruksion, kureshtjes së autorit Tufa, kureshtjes së shkrimtarit për të hyrë në këtë “Bash – Ëndërr”, për të hyrë në këtë skëterrë, ajo ndoshta është në paradoksin e cekur më lartë, si ndodhë që mbijetojmë. Por nëse e përafrojmë një “Bash – Ëndërr” në këtë, e që do të mund të ishte vetë seria e pafundme e “Bermudave” (bastioneve të krimit të të gjitha llojeve të përbashkuar pikërisht në Afratin e dy protagonistëve, Baltazarit dhe Ardian Prosekut), kur hyjmë aty, me automatizëm, në gjithë bashkëkohësinë dhe luksin e kontekstit, njeriu është në dy botë: ai i ligjit të të fortit (lexo: më të egrit) ku babai nuk bën gjë as nuk mundet, për të ndaluar dhunimin e vajzës gati se para tij, dhe në anën tjetër, ai i të ikurve, qoftë të profesorit të letërsisë Pajtorit, e qoftë të përhumburit në të përhershmen protagonistit Ardian Proseku, secili duke ikur në mënyrat e veta, duke braktisur këtë skëterrë.

    Ngjanë sikur të gjithë ikin, në këtë roman, ngjanë sikur të gjithë braktisin këtë skëterrë, ngjanë sikur nuk ka mbetur askush në këtë skëterrë. Por, pas daljes prej këtyre “Bash – Ëndrrave”, prej Pargës së Greqisë bashkëkohore, dhe me Labirinthin e saj, ku ndodhë “gjysmë” dhunimi apo marrëdhënia seksuale që nuk di të jetë ndryshe pos si dhunë!, ndërmjet Ardian Prosekut dhe Sesilës,; dhe Bermudave, pikërisht këtu na shfaqet edhe sinonimi i Jozef K., personazhit të Kafkas, që është njeriu i cili tërë kohën mundohet të bëj jetën e vetë, njerëzore, i përballur me heqakeqën e tij, në mesin e tërë pandjeshmërisë së kësaj bote, por që ruan dashurinë e tij, mu sikur Sesila e cila gati se një jetë të tërë beson në kthimin, (e premtuar) të Baltazarit të saj, bashkëshortit të saj. 

    Ky roman vazhdimisht ka një balancë: të Baltazarit si “ai që kthehet nga nuk vjen njeri” me pushtetin politik të tërë Shqipërisë distopike; pastaj të balancës së pushtetit politik me atë kriminal, pastaj të njeriut me tërësinë e kësaj skëterre, pastaj të besimit të njeriut në trupin e tij në balancë  me besimin e njeriut në çka?!, athua çfarë beson protagonisti Ardian Proseku? Ndoshta në rrugën, përvojën të cilën e ka pasur deri në aktualen e kësaj skëterre. Mirëpo, këto balanca janë metafora e ‘dëshirës për jetë’ të njeriut, qoftë edhe në një skëterrë, qoftë edhe në një distopi, që ngjanë në Shqipërinë e sotshme, ndaj të pandjeshmes së asaj që ka kaluar në distopi.

    Këta dy vektorë, ai drejt majës së Mount Everest, si bartës i zjarrit të paikshmërisë nga kjo skëterrë, vetë Baltazari, dhe në anën tjetër ai i Ardian Prosekut, që është vektor pingul në vullkanin e të tërës, dashurinë e përvujatur ndërsa vuan të gjitha llojet e dhunës së kësaj të tashmeje, sikur e kërkojnë pikërisht përbrenda “Bash – Ëndrrës”, përbrenda Kështjellës së Kafka, pajtimin, apo edhe revoltën ndaj kësaj bote. Sikur, u mungon diçka, sikur u mungon një dozë çnjerëzoreje, sikur u mungon aftësia për mbijetesë, por në paradoks po me këtë paaftësi duke e pas rrënuar të tërën, secili në mënyrën dhe fatin e tij.

    Në këtë dekonstruksion, shfaqet edhe një shenjë, e cila në gjakimin e autorit Tufa është në të vërtetë përpjekje për ta kthyer atë nga shënjimi në të cilin ka kaluar. Ai në të vërtetë, mu sikur Derrida që bën me Himenin femëror, duke e marrë për shenjë të pa fizike, të padëshmueshme, të pa të vërtetën e saj të përhershme, Tufa merr telogoninë, si shënjim i cili nuk rri, dhe as nuk vendoset si shenjë në njerëzim, as në botën e tij, por në të vërtetë është – differance – e aftësisë femërore për të zhbërë tërë këtë sajesë, tërë këtë botë me aftësinë e lindjes së Baltazarit të vdekur tanimë në dëshirën dhe përbrenda dashurisë saj me personazhin e Prosekut.

    Dhe ndoshta, pikërisht ky shënjim i kalimit të femrës, nga një shenjë fizike (lexo: shenjë e vendosur në hierarkinë e gjërave), në shënjim të një bote të largët tashmë, e bën këtë roman edhe më të rëndësishëm, në pikërisht trajtimin e asaj që ka kaluar femra, përmes morisë së femrave të cilat përjetojnë këtë skëterrë, dhe në këtë na tregojnë për një kalueshmëri, e që në gjurmën (Freudiane) është në të vërtetë gruaja e cila bartë tërë këtë skëterrë në shpinën e saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË