More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha mbi tri tregime të Borges-it

    Ballsor Hoxha mbi tri tregime të Borges-it

    Në tregimet, Shkrimi i zotit, Lotaria e Babilonit dhe Rrënojat qarkore mund të bëjmë një përshkallëzim prej hapjes së zotit, konceptit të zotit, si tërësi e konceptueshme në një shkrim, pastaj në Lotarinë e Babilonit totalja e qëniesimit kalon në lojë, në të vërtetë dhuna kalon në lojë dhe kjo kalon në lotari, dhe në këtë rastësia brenda kësaj totaleje bëhet burim i shpjegimit qoftë të omnipotencës e qoftë të krimit më të zakonshëm. Kështu duke arritur tek tregimi Rrënojat qarkore, ku e tëra ndodh në një segment ëndërror, në një ëndërr e cila është e lindur nga ëndrra paraprake.

    Shkrimi i zotit është një kah i pambarimtë; Lotaria a Babilonit është vetë totalja e kaosit mbi të cilin thuret besimi dhe shndërrohet vetë kaosi; dhe në Rrënojat qarkore njeriu sikur bie në ndërmjetësinë e ëndërrores përkrah zjarrit, ky si zot e shkatërrim.

    Në të vërtetë këto janë tri strata Borgesiane, fillohet me atë të pambarimësisë, e kjo me njeriun e shtjelluar brenda këtij trupi, strata e shoqërores si lotari, e kjo si totale e pazotërueshme, dhe strata e ndërmjetësisë ku e tëra lind si ëndërr, duke pas qenë e shkatërruar një herë, dhe e tëra shkatërrohet po ashtu duke qenë ëndërr.

    Tri stratat Borgesiane të zgjedhura këtu hapin atë që është në konceptet e këtyre fenomeneve, dhe i tejshkojnë deri në zanafillën e lindjes së tyre: pambarimësisë së zotit; rastësisë së dhunës dhe me këtë pashpjegueshmërinë e saj; dhe rënien e njeriut  në ndërmjetësinë e shkatërrimit që është në duart e tij. por kjo e fundit në të vërtetë, krijon imazhin e pafundësisë së ëndrrës pikërisht si ëndërr për tjetrin duke qenë vetë i ëndërruari.

    Shkrimi i zotit

    Në tregimin Shkrimi i zotit ka konstruksione krejtësisht të pabesueshme dhe në të njëjtën kohë të pakapshme nga zakonshmëria e jetës. Në këtë tregim njeriu është i izoluar në një burg të cilin e ndanë me një jaguar. Njeriu “i shtyer nga fataliteti për të bërë diçka” jepet të rikujtoj tërë atë që di. Sipas traditës mbi zotin, ai rikujton zotin i cili ka parashikuar që në fund të kohëve do të ketë dëshpërim dhe shkatërrim, dhe se pikërisht për këtë zoti në ditën e parë të Krijimit ka shkruar fjalinë magjike me fuqinë e saj për të shthurur këto ligësi. Dhe se zoti e kishte shkruar fjalinë që të arrinte gjeneratat më të largëta dhe që të mos mbetet çështje e rastësisë. Por problemi është se çdonjëri prej simboleve në tokë mund të jetë vetë fjalia.

    Ky vërshim në të cilin Borges/njeriu/personazhi kërkon zotin fillon kështu:

    1.        “Një natë  ëndërrova se aty ishte një kokërr zalli  në dyshemenë e qelisë … ato vazhduan dhe u shumuan derisa e mbushën burgun dhe pata mbetur duke vdekur përfund kësaj hemisfere të zallit. Kuptova se isha duke ëndërruar: me një përpjekje të rëndë e ngrita veten dhe u zgjova. Dikush më tha: ti nuk je zgjuar në zgjim; por në një ëndërr paraprake. Kjo ëndërr është e mbyllur brenda një tjetre, dhe kështu me radhë në pambarim, që është vetë numri i kokrrave të zallit. Shtegu që duhesh rigjetur është i pandërprerë dhe ti do të vdesësh para se të zgjohesh në të vërtet.”

    Pastaj i njëjti vërshim përhapet në gjuhën e njeriut:

    2.        “Morra në konsiderim se edhe në gjuhët e njeriut nuk ka një të dhënë që nuk e përfshinë tërë universin; të thuash tigër është të thuash tigri që e ka lindur, kaprojtë dhe breshkat që i ka ngrënë, bari ku janë ushqyer kaprojtë, toka që ishte nëna e barit, hyjnia që i ka dhënë jetë tokës.”

    Më tutje ky vërshim kalon në një mekanizëm

    3.        “Pashë një rrotë skajshmërisht të lartë, ajo ishte e pafundme. Gjëra të pambarim ishin të ndërlidhura, gjëra që ishin, janë dhe do të jenë.”

    Gjë që përfundon si një shprehje, e papërpunuar dhe e pakapshme:

    4.        “Është formulë prej katërmbëdhjetë fjalëve … por unë e di se kurrë nuk do t’i shprehi ato fjalë, sepse më nuk e mbaj mend Tzinacan-in (paraardhësin).”

    Secili vizion në këtë tregim është sikur një vërshim i valëzuar. Është një kokërr zall që përmban të gjitha të tjerat, apo të gjitha së bashku, por të pandara. Nga kjo mund të përkufizojmë se Borges e dekripton Shkrimin e zotit si një shpirt, një valë, një zinxhirë i pandashëm. Por në të vërtetë këtu pyetja është nëse Borges tenton të bëjë këtë, të përkufizoj një dije për zotin, apo të bëj të kundërtën, pra të jep një fund, një qark, një pamundësi ikjeje (pikërisht arsyeja pse personazhi gjendet në burg), apo të përmbyllë qarkun e paikshëm të kësaj bote.

    Në këtë qark nuk ka një distancë, apo binarë, paralel të cilët mundësojnë vëzhgimin apo edhe përballjen e reflektimin e tokës ndaras prej saj. Aq më shumë njeriu është një “fije përkundër fijes së armikut të tij”. Gjë që na a kujton jaguarin në anën tjetër të qelisë, ndarje e cila shtynë kah bashkimi në fund të fundit. Apo, jaguari është model i (pa)mundësisë së ndarjes së jo vetëm simboleve por edhe shprehjeve në dhe të tokës.

    Pra ka dy vëzhgime në këtë, ai i pambarueshmërisë së shprehjes së zotit; dhe ai i pandashmërisë së shprehjes së zotit.

    Në pambarueshmërinë e shprehjes njeriu “do të vdes para se të zgjohet”, duke qenë se e tëra është një trup, një nënë tokë, apo një rrokullimë e cila përmbledh në vete tërë atë që lind dhe është në të dhe prej saj. Qoftë edhe nëse burgu dhe qelia ku gjendet njeriu është pika e fundimit të kësaj shprehjeje të zotit, ajo tërheqë brenda saj tërë vërshimin dhe nëpër të parakalon tërë ajo që është, apo thënë më saktë ajo që rrokulliset. Gjë që e bën shprehjen e zotit një fluks në të cilin edhe shpërfaqen të gjitha por edhe zhvillohen në të njëjtën kohë. Dhe nga këtu e bën të pamundshme qoftë distancën dhe qoftë ndalimin për të – lexuar – shprehjen e zotit.

    Pandashmëria, apo fjalia prej katërmbëdhjetë fjalëve është vetë rastësia që tenton kah zbërthimi dhe në të njëjtën kohë është pjesë e po këtij vërshimi. Borges në këtë e zgjedh një formulë fiktive: fjali prej katërmbëdhjetë fjalëve për të krijuar edhe të magjishmen në të cilën njeriu shpreson, por edhe për të krijuar një segment brenda – përkujtimit -, e kjo si krisje nëpër vërshimin e hapjes, depresionit të këtij vërshimi duke e bërë të mundshme një karakteristikë njerëzore në këtë vërshim, i cili megjithatë është i pamundshëm.

    E pambarimta dhe e pandashmja këtu qoftë e emëruar si skripta e zotit, qoftë si fjalia katërmbëdhjetë fjalëshe janë hapja e rruzullimit si pakthyeshmëri, kah, drejt përtej vetes së saj, dhe zinxhir që lind njëra tjetrën. Në fund, fjalia “ti do të vdesësh para se të zgjohesh” është pamundësia e kalimit, gjithmonë një ëndërr prapa, gjithmonë një fjalë prapa, gjithmonë një botë paraprake. Bota është pikërisht skriptë ku çdokund mund të lexosh të zotshmen, dhe ëndërr ku nuk arrihet asnjëherë mbizotërimi i pikërisht asaj që e lexon.

     Lotaria e babilonit

    Ajo që ndodh në këtë tregim të Borges është shpërfaqja e lindjes së dhunës, dhe aq më shumë ndëshkimit, dhe më tutje kalimi i saj në lotari.

    Ka shumë ironi në këtë tregim, apo thënë saktë zbulesë të historisë, si lind e krijohet ajo. Derisa lind lotaria ajo është marrëveshje e zbulimit të karakterit dhe të ritmit të rastësisë. Mirëpo, më vonë, dhe më tutje në hapjen e saj të varfërit, paradoksalisht, arrijnë të kryengriten për t’u përfshirë brenda kësaj dhune e ndëshkimit. Aq më shumë që Lotaria të përfshijë tërë Babiloninë (njerëzimin).

    Gjithnjë besimi në këtë lotari i dorëzohet të ashtuquajturës Kompanisë, e cila nuk figuron në asnjë dokument se kush është, dhe aq më shumë nuk ka një fytyrë. Në të vërtet, derisa e tëra fillon nga tepria dhe organizimi i lojërave, Kompania herë përhapet dhe herë shuhet pikërisht me përhapjen e lotarisë.

    Në të vërtetë Kompania arrin përhapjen e saj deri në omnipotencë, omnipotencë të barabratë me zotin. Me ç’rast lind problemi i fatit dhe rastësisë, apo në të vërtetë lind vetë rastësia.

    Është mënyra se si lind subjektivizimi i dhunës, jo vetëm asaj shtetërore, por edhe asaj popullore/shoqërore. Sa më shumë përhapet fjala e lotarisë, aq më shumë interpretimi i dhunës kalon në emër të Kompanisë, e Kompania aq më e përhapur, aq më omnipotente, pikërisht në pamundësinë e shpjegimit të vetë lotarisë.

    “Unë vij nga nja vend i turbulluar ku lotaria është baza e realitetit”, tregon narratori. Gjë që do të thotë Lotaria ka përfshirë tërë masat e njerëzimit dhe në këtë ka ndodhur një lëkundje e njerëzimit, gjë që duke dashur t’i ikë dhunës, ajo në të vërtetë ka hyrë në një dhunë të merituar, me gjithë paradoksin.

    Por këtu në fillimet e lotarisë përhapet bashkë me atë edhe çështja e moralit. Sepse rastësia nuk përputhet me shpërblimin, por me ndëshkimin. Shumë më vonë lotaria arrin kapitalin e rëndësisë së saj, kështu Lotaria duke kaluar në elemente jo monetare.

    Por me këtë rrënohet balansi i shoqërores dhe kolektivi arrin në kaos ku vetëm Kompania ka një të drejtë, që është ndëshkimi i pjesëmarrësve në lotari, e lotaria është kudo dhe kurdo e përhapur në kolektiv.

    Kështu Lotaria bëhet, apo shpjegohet si ndërthurje e rastësisë në rendin e botës dhe se pranimi i gabimit nuk bie në kundërshtim me rastësinë, gjë që në të vërtetë e përhumb garancën zyrtare të lotarisë.

    “Kompania shmang çdo publicitet… Ëndërruesi i cili zgjohet rastësisht dhe e ngulfat gruan që flenë në krevatin e tij, a nuk e ekzekuton, ndoshta, një vendim sekret të Kompanisë…, këto janë disa nga shpjegimet. Omnipotenca e Kompanisë arrin deri në uzurpimin e cicërimës së zogut, dhe në hijen e ndryshkut e të pluhurit, dhe në ëndrrat e agimit. Por në të vërtetë Lotaria e Babilonit është asgjë tjetër përpos një lojë e pafundme e rastësisë.

    Në këtë mrekulli të Borges në të vërtetë, si në të shumtën e tregimeve të tij jemi në botën e cila lind vetveten, nga pushteti i Kompanisë, arrihet në manipulimin e dhunës, dhuna lind rastësinë (paradoksalisht edhe rastësia bëhet dhunë) dhe në fund çdo gjë harrohet dhe mbetet vetëm kolektivi nën transin e kaosit të shkaktuar nga dhuna.

    Rrënojat qarkore

    Në këtë tregim Borges krijon një segment, ndërmjetësi të qëniesimit. Njeriu është përkundër zjarrit, në të vërtetë zotit zjarr, apo njeriu është ndanë zjarrit. Por nuk ekziston, as realiteti dhe as qënia si e njohim. Ka vetëm debris, rrënojë të njerëzimit, i cili ëndërr pas ëndrre, jo që nuk jeton, por krijon tjetrin duke ëndërruar, pra përmes ëndrrës.

    Njeriu është në ikje të vazhdueshme. Është në lëvizje konstante. Është i pahistori dhe i paardhmëri. Njeriu ëndërron njeriun, dhe e tëra është një zinxhirë ëndrrash që lindin njëra tjetrën.

    Njeriu është vazhdimisht njeriu i fundit. Sikur e tëra është rrënuar dhe ëndrra e njeriut për njeriun tejshkon këto rrënoja.

    Por pse, kjo ëndërr, ky ëndërrim, kjo ikje, dhe ahistori. Në zjarrin e gërmadhave e tempujve dhe qyteteve, ka mbetur një gjurmë zjarri dhe një rrënojë e flakëruar. Dhe është pikërisht këtu ku lind ëndrra, ëndrra për tjetrin, aq më shumë ëndrra e atij që ëndërrohet. Sigurisht ky është dëshpërimi i kalimit të njerëzores nga qënia në ëndrrën e saj.

    Por në të vërtetë zjarri në shkatërrimin e tij tërheqë ëndrrën, si reflektim i flakadanëve, shkatërrimit, dezintegrimit. Ky njeri i kallur, i cili është në ikje konstante, dhe me këtë në zhbërje konstante, mu sikur ëndrra, është pikërisht xixa e zjarreve të tempujve të djegur.

    Në të vërtetë është paradoks Borgesian, derisa zjarri e lind ëndrrën/jetën dhe njeriun brenda, ai nuk e kallë atë. Dhe është pikërisht moskallja që e lë njeriun jashtë reales, në ëndërrore, në pamundësinë e jetës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË