Romani “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” i Ridvan Dibrës
Ka një lojë dhe paradoks qysh në titullin e romanit Dashuritë e virgjëreshës Madalenë: derisa ne të gjithë paramendojmë një përdalje dhe një Hari Mata Hari në Madalenën e titullit, mirëpo vetë titulli në të vërtetë na bën me dije se bëhet fjalë për një virgjëreshë, e në këtë edhe se nuk ka ndonjë dashuri brenda po të njëjtës, së paku të llojit të cilin e nënkuptojmë nga ky titull! Gjë që qysh në fillim fillon lojën e shënjimit të kuptimit, ndërmjet asaj që presim dhe asaj që është në të vërtetë, lojë e cila na bën me dije se në fund ka vetëm shënjim dhe ai bartet pavarësisht tekstit fizik dhe pavarësisht qëllimit të tij.
Paradoksi i radhës në romanin e autorit Ridvan Dibra “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” fillon me uzurpimin e hapësirës letrare të autorit nga personazhja e tij, me rrëfimin e saj. Në të vërtetë ajo e krahason dhe e kundërshton rrëfimin e vetë autorit nga një vepër tjetër për vetë personazhen. Kjo duke krijuar hapësirën e quajtur – differance – të teorisë së Dekonstruksionit, e që është hapësirë e mospërputhjes së përhershme të shënjimit, shënjimi duke qenë i përhershëm dhe i pandalshëm i cili gjithnjë ikë nga kuptimi i vendosur.
Në të vërtetë ky paradoks është – çarja – (differance e Dekonstruksionit) të pushtetit të autorit, duke krijuar një hapësirë të re, të rrëfimit dhe me këtë të atashimit dhe të shënjimit të këtij teksti. Kështu duke na dalë disa shtresa, disa korniza të rrëfimit të këtij teksti.
Romani Dashuritë e virgjëreshës Madalenë është tekst i cili shtrinë përmbajtjen e tij rreth gruas, vajzës dhe femrës, jetën e saj të projektuar që prej statistikave globale e deri tek mësueset. Është, në sipërfaqësoren e tij, roman kritikë ndaj paramendimit dhe modelimit që i bëjmë secilës grua në secilën pamje dhe situatë.
Teksti ka tri thyerje, të triat lidhur me qendër: himenin/virgjërinë si – hata -. Derisa dashuria nën shënjimin e po të njëjtës del e pakuptuar dhe a panjohur nga ne. Aq më shumë që ajo më kompleksja në mes këtyre dyjave, zhvirgjërimi, del si një “vrimë e zezë” e njerëzimit në të cilën është përpirë njeriu.
Në të vërtetë, të tria këto janë shënjime për gruan dhe në këtë differance, apo himenin, – çarjen – e të vërtetës mbi gruan, të vetë asaj që teoria e dekonstruksionit e njeh si – undecidability – (Pavendosmëria). Ky term përndryshe dhe në të vërtetë, është i lidhur me shembullin direkt të Himenit të gruas. Sipas teorisë së dekonstruksionit, derisa himeni është edhe i munguar e edhe prezent, apo asnjëra; apo është as e jashtmja as e brendshmja e trupit, apo të dyja; ai krijon pikërisht – pavendosmërinë – e kuptimit njerëzor. AI si fenomen fizik/inekzistent del si paradoks i tërë filozofisë që nga Aristoteli, duke qenë se logjika nuk e pranon një gjë që edhe të jetë edhe të mos jetë në të njëjtën kohë. Gjë që do të thotë se – pavendosmëria – është ajo hapësira ndërmjet të vërtetës, një e vërtetë e – pavendosur – e cila qëndron me gjithë dallimin dhe ndryshimin dhe mospërmbushjen e të vërtetës e cila e përkufizon.
Kështu teksti i romanit “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” për të hapur/çarë këtë pavendosmëri të të vërtetës mbi gruan, së pari krijon qendrën e tij, dhe që është pikërisht dhe me qëllim autorial, si në teorinë e dekonstruksionit, vetë himeni i personazhit “virgjëreshës”.
Himeni i personazhit “virgjëreshës Madalenë” si qendra e tekstit të autorit Ridvan Dibra, është shënjimi që shkakton thyerjet e narrativit dhe komplekset e jetës dhe të përvojës. Të gjitha rrënohen, ngritën dhe rrënjosen në jetën e “virgjëreshës” me qendrën – himenin – e saj.
Qendra e romanit gjithherë është momenti, apo edhe baza ku – çahet – kuptimi, ku shënjimi ikë nga kuptimi në shënjimin e radhës. Në këtë – himeni i virgjëreshës – si shënjim i një kënaqësie, jot vetëm të saj, dashnorëve të saj, por edhe të lexuesit, gjithnjë në paramendim, në pritje dhe në nënkuptim, bëhet fiksimi i shënjimit, por, duke iu kthyer asaj që morr shembull me titullin e këtij romani, ai gjithnjë ikë në një kuptim të ri.
Kjo qendër e Himenit, që në të vërtetë del edhe e jashtmja edhe e brendshmja e një gruaje, të shënjimit të tekstit të romanit Dashuritë e virgjëreshës Madalenë, është i ndërtuar në tri periudha, tri – çarje – dhe tri kulminacione të përvojës së personazhit kryesor “virgjëreshës”.
Kulminacioni/thyerja, apo ekzistenca/mosekzistenca e himenit të saj, apo e jashtmja/e brendshmja e çarë e jetës së saj, shfaqet në 15 vjetorin e “virgjëreshës” me – himenin – e saj në pritje për zhvirgjërim. Në ankthin për zhvirgjërim, në bartjen dhe projektimin e zhvirgjërimit të saj nga statistikat, shoqet e shoqëria në tërësi. Ajo/ai, himeni, edhe zhvirgjërohet, pa asnjë romantikë, pa asnjë kënaqësi, avanturë apo perversitet apo edhe premtim. Ai është një neveri i cili kalon në shenjim të tërë raportit mashkull femër për “virgjëreshën”.
Mirëpo teksti – çanë – tërë kompleksin adoleshent të virgjërisë/zhvirgjërimit femëror në perspektivën e adoleshenteve, duke shënjuar zhvirgjërimin si mjet për të arritur pushtetin mbi “botën e të madhit”. Në të vërtetë derisa të gjitha shoqet e saj mburren për jetën e tyre seksuale dhe e marrin për dele të zezë “virgjëreshën” ajo shtyhet po nga kjo për të kryer aktin e zhvirgjërimit pa asnjë dashuri dhe asnjë plan apo edhe atashim, dhe atë pikërisht në “tualetin më të pistë të shkollës” së saj. Dhe pikërisht kur e ka kryer këtë akt, kupton se është e vetmja e cila është zhvirgjëruar. Gjë që krijon shënjimin e ekzistencës/mosekzistencës së himenit, dhe të të brendshmes/të jashtmes së jetës së saj të pa qenë dhe të qenë në të njëjtën kohë.
Guximi i saj për të përkitur, për të marrë pjesë në botën e përvojës, të të madhit, me zhvirgjërimin e saj, krijon shtresën e parë të qendrës së tekstit duke e krijuar bazën e narrativit rreth himenit të saj, si shënjim i “vrimës së zezë” të shoqërisë ku jeton “virgjëresha”.
Kulminacioni/thyerja, e brendshmja/e jashtmja si shtresë e dytë e qendrës së tekstit të romanit të Ridvan Dibrës, shfaqet, në 25 vjetorin, ditëlindjen e jetës së “virgjëreshës”. Në këtë me himenin e saj “vënë myk” nën neverinë e zhvirgjërimit, në neverinë që i ka shkaktuar zhvirgjërimi dhjetë vite më herët.
E brendshmja/e jashtmja e saj, mosqenia dhe qenia e saj është tërësisht e lidhur po ashtu edhe në këtë periudhë, me himenin e saj. “Virgjëresha” krijon më në fund një lidhje romantike, dhe në tërë romantikën e dashurisë i jepet partnerit të saj, në bisedë, duke i treguar tërë historinë e saj të “tualetit më të pistë të shkollës”. Dhe është pikërisht kjo që e kthen atë në pikën zero të himenit/trupit/shpirtit të saj, duke qenë se partneri i saj, i cili në tekst martohet me shoqen e saj, po ashtu të zhvirgjëruar, e dëbon “virgjëreshën” me arsyen se nuk është e virgjër.
Himeni i “virgjëreshës” në këtë është prapë e brendshmja/e jashtmja e saj, në shënjimin e mungesës së dashurisë, mosnjohjes së dashurisë, dhe të panjohurisë mbi dashurinë. Por kjo duke qenë gjithherë e jashtmja e cila duhet mbajtur nën pushtetin e burrit përmes virgjërisë, dhe e brendshmja e saj duke qenë gjithherë e shënjuar nga himeni i saj.
Kjo duke krijuar shtresën e dytë të qendrës së tekstit, që do të thotë se shoqëria thellohet më tutje në himenin e “virgjëreshës” duke qenë se është i vetmi shënjim, i vetmi kuptim i dashurisë. Shoqëria thellohet edhe më tutje në “vrimën e zezë” të himenit të “virgjëreshës” duke e përmbysur çdo shënjim të dashurisë për shënjimin e himenit të saj, si nënshtrim.
Shtresa e tretë dhe e fundit, e cila e rikthen shënjimin e tërë tekstit pikërisht në himenin e “virgjëreshës” dhe po ashtu shënjimin në lexuesin në pritjen e tij dhe në premtimin që e ka thurur ai/ajo për këtë tekst, është shtresa ku personazhi i “virgjëreshës” arrin 40 vjetorin e saj.
Tanimë ajo e mësuar me neverinë e mashkullit në raport me atë, e mësuar edhe të masturbojë e edhe të manipulojë, është në kërkim të lindjes së një fëmije dhe për këtë është e gatshme edhe të sakrifikojë mbi neverinë e saj për meshkuj, por gjithsesi me kuletë të mbushur. Mirëpo pikërisht në dyzetvjetorin e saj, ajo arrin të kuptoj, dhe për fat të keq me partnerin e saj seksual, se vetëm aty dhe në dyzet vjetët e saj është duke e humbur virgjërinë. Gjë, që shkon edhe më tutje, e ndanë atë nga partneri i saj, pikërisht në kundërshtim me refuzimin që pëson në Dashurinë e saj në 25 vjetorin e saj, e që është për shkak të të qenit e virgjër.
Prandaj qendra e tekstit, dhe me këtë shënjimi i shoqërisë dhe vetë gruas dhe përvojës së saj në shoqëri, është e ndërtuar me himenin e personazhit “virgjëreshës” në qendër.
Himeni i saj asnjëherë nuk ka ekzistuar, dhe ai gjithherë ka qenë aty, deri në fund. Himeni i saj asnjëherë nuk ka qenë e jashtmja e jetës së saj, si pushtet, apo përvojë apo arritje, dhe ai në të vërtetë gjithnjë ka qenë në të kundërtën, si ikje prej tij, shënjimi i arritjes së saj. Himeni i saj kurrë nuk është zhvirgjëruar në të vërtetë dhe gjithherë ka qenë problemi i saj si zhvirgjërim, dhe në të kundërtën, ai ka qenë i zhvirgjëruar qysh në fillim dhe gjithherë ka qenë i virgjër. Thënë shkurt ajo arrin suksesin e saj në neveri ndaj himenit të saj, dhe himeni i saj është vetë përqendrimi i tërë shoqërisë ku ajo jeton, e ai kurrë nuk ka qenë, dhe ai në të vërtetë gjithherë ka qenë aty.
Pikërisht kjo është – pavendosmëria – e të vërtetës e cila e – çanë – shoqërinë njerëzore në të vërtetën/të vërtetat e saj të përhershme. Gruaja me himenin e saj si “vrimë e zezë” e kuptimit njerëzor. Qoftë për veten e saj, dhe qoftë për tjetrin. Në të vërtetë, e vërteta e shoqërisë duke u dekonstruktuar në një himen i cili bën të jashtme jetën e gruas, dhe në të njëjtën kohë krijon tërë të brendshmen e gruas. Himeni i gruas duke qenë edhe e vërteta e gruas dhe mbi gruan, por sidomos edhe e vërteta e mashkullit dhe tjetrit për dhe mbi veten. Himeni i gruas duke qenë edhe dobësia e saj më e madhe, në kuptimin e të qenit e gjykuar në bazë të tij, si edhe pushteti i saj mbi tjetrin.