More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Ankthi nga vdekja – me seks kundër vdekjes

    Ballsor Hoxha: Ankthi nga vdekja – me seks kundër vdekjes

    Fillon romani “Edhe Noe kishte frikë nga vdekja” dhe jemi duke u rrëfyer, jemi duke lexuar rrëfimin para Shën Marisë. Romani menjëherë krijon akordet e komikes dhe të satirës. Thumbon, krisë dhe tallet me të njohurën dhe me dijen, qoftë edhe me historinë, religjioze dhe popullore. Jemi të ngulitur thellë në një komedi e cila na premton se do të qeshemi deri në dhembje.

    Por kjo nuk është e tëra, nën mjeshtërinë e shkrimtarit Roland Gjoza, komedia, krisja e të njohurës vazhdimisht fillon të ndërthuret me tragjedinë, vazhdimisht dëgjohen akorde të dhembshme, të përvuajtjes, të vuajtjes së personazhit. E ajo që e bën edhe më tragjike, është pamundësia e personazhit për të medituar rreth tyre, për të gjetur një hakmarrje, për të gjetur një rrugë tjetër ndaj tyre. Derisa romani nuk kalon tërësisht në një mjeshtri kthese të rrëfimit në duart e Roland Gjozës, në një tragjedi tejet të trishtueshëm dhe thellë të mbamendshëm.

    Romani i Roland Gjozës “Edhe Noe kishte frikë nga vdekja” është roman kryekëput mbi një personazh naiv i cili nuk di të shquaj të mirën e tij nga e keqja. Nuk di të shquajë mirëqenien dhe të mirëqenën e tij nga ankthi i tij. Është në ikje të përhershme në seks e “levanta” pa pasur një moment të depresionit/meditimit të ankthit dhe jetës së tij.

    Në të vërtetë vetë personazhi për të cilin bëhet fjalë në këtë roman është një fëmijë i cili plaket fëmijë kurrë pa pasur një moment të depresionit/meditimit. Kjo pikërisht fton për leximin e këtij romani, këtij personazhi përmes përmbytjes së tij në atë që Melanie Klain në Object Relations Theory e quan faza paranoide – skizoide e fëmijës, dhe po ashtu me fazën e depresionit/meditimit dhe ndarjes së të mirës nga e keqja.

    Së pari, romani i Roland Gjozës ka një shëmbëllim me shkrimet më të bukura të Isaac Bashevis Singer, me ndërthurjen e tyre të popullores dhe anekdotikes me filozofinë e jetës. Por romani “Edhe Noe kishte frikë nga vdekja” po ashtu ka shëmbëllim me deziluzionimin dhe ankthin prej vdekjes si të Ferdinand Celine në “Udhëtimi deri në fund të natës”. Ai është i pakompromis, si në populloren Singeriane po ashtu në deziluzionimin Celinean. Është roman lakuriq, dhe i pa rafinuar.

    Romani është – rrëfim – i personazhit kryesor Popit para pikturës së virgjëreshës Shën Mari. Fund e krye është rrëfim i cili flet në totale për jetën e tij: jetim, me vëllain , mavri/tregtar të çdo gjëje dhe me çdo gjë, kaluar në të mirën e jetës borgjeze para Luftës së Dytë Botërore, pastaj në të qenit i plaçkitur nga komunistët e luftës dhe pasluftës, ushtarë, dhe në fund “gjilpërë-ngulës”, infermier. Në të vërtetë thënë kështu Popi, personazhi i Popit duket të jetë një personazh i cili ka kaluar një përvojë tejet dramatike dhe i cili përmban në vete një filozofi tejet të thellë jetësore. Mirëpo Popi, është i vetëm, iluzionist – përkundër deziluzionimit që sillet tërë kohën në dhe rreth jetës së tij – dhe aq më shumë është dhe mbetet naiv në tërë jetën e tij.

    Në të vërtetë Popi ngado që shkon krijon paradoksin e tij: të qenit i dashuruar në prostitutat që i paguan; të mos dashurit të gruas së tij derisa të gjithë të tjerët lënë kokën për të; naiv që ka përvojë me të gjitha femrat që sheh në jetën e tij; i rrezikuar nga komunizmi dhe partizanët për kokë e mirëqenie, me grua e me djalin e tij, që mbijeton dhe mbetet i gjallë mbi të gjitha etj. Dhe në fund paradoksi i njeriut i cili i ka kaluar të gjitha tradhtitë, deziluzionimet, torturat, dhe edhe impotencën, e që ka porositur një vete të tij, pra portretin e tij në vend të Jezusit, e në krahët e Shën Marisë.

    Popi në të vërtetë është një personazh tejet kompleks, i pashpjegueshëm lehtë dhe i çuditshëm që kalon nëpër çdo situatë dhe torturë të jetës së tij si një ngjalë e zhdërvjelltë. Në të vërtetë të bën të pyetesh, siç edhe shkruan autori në pasthënie të romanit, a jemi duke lexuar “një lehtësi të padurueshme të të qenit”, a jemi duke lexuar një komedi, apo në të vërtetë jemi të zhytur brenda një tragjedie të rëndë të një shoqërie të tërë, derisa personazhi i Popit rri ndanë pikturës së porositur të tij dhe të Shën Marisë.

    Kompleksi i personazhit të Popit ndërtohet mbi thekset siç janë: të qenit jetim; të qenit vëlla me një tregtar të pashpirt, të dashuruarit të asaj që nuk i përket dhe të mos dashuruarit të asaj gruaje që i përket. Dhe aq më shumë të të qenit një naiv i pandreqshëm, një i iluzionuar pas seksit, dhe një ëndërrimtar i pashpirt ndaj familjes dhe gruas me të cilën është martuar.

    Duke u nisur nga e fundit, Popi edhe pse e do gruan e tij, ai nuk është i tërhequr nga ajo seksualisht, aq më shumë i dhimbset gruaja e tij e cila është “si petë e hollë brumi”. Ai ka një obsesion, gruan, cilëndo, dhe që t’ia kthej të ndenjurat, dhe mishin/tulat e saj, derisa gruaja e tij, personazhja Margarita, nuk e ka asnjërën. Personazhi i Popit në të vërtetë e dashuron gruan e tij, në latencë, por të qenit nën ankthin e vdekjes, nuk arrin ta mposhtë këtë dhe për këtë arsye asnjëherë nuk arrin ta dashurojë gruan e tij.

    Në këtë ai është një i iluzionuar pas seksit, si ikje prej vdekjes, prej familjes, prej lidhjes dhe prej përgjegjësisë, sepse për atë pas çdo gjëje rri e fshehur vdekja dhe harrimi.

    Pikërisht kjo e bën një naiv të pandreqshëm dhe të paarsye, irracional në çdo gjë që bën, si ikje dhe kërkim të shpëtimit në rreziqet dhe në torturat më të mëdha në jetë.

    Sa i përket – të dashuruarit të tërë asaj që nuk i përket – prej gruas së vëllait e deri tek prostitutat që i paguan dhe që të nesërmen ikin për front të luftës; dhe të – mos dashuruarit të asaj që i përket – prej gruas të tij që e ka martuar me pagesën prej qindra florinjsh , e deri tek djali i tij Noi që nuk zë vend në rrëfim asnjëherë, Popi është paradoks i ngjashëm me paradoksin e “Gimpell budallait” të Isaac Bashevis Singer. Që, në tërë infantilen e tij skizofrene tejkalon çdo torturë në jetë dhe mbi të gjitha del ngadhënjyes mbi to. Por dallimi ndërmjet personazhit të Gimpell të Isaac Bashevis Singer dhe Popit të Roland Gjozës është se Popi ngadhënjen mbi çdo gjë me ikjen dhe me fshehjen e tij prapa seksit, prapa të ndenjurave të kthyer ndaj tij, dhe me fshehjen brenda rreziqeve më të mëdha të jetës së tij.

    Mirëpo si në Kronotopin e Mikhail Bakhtin, njeriu e bën kohën dhe hapësirën, me këtë universin e romanit ku vepron. Në këtë, paradoksi i Popit është vetë paradoksi i kohës ku ai vepron dhe hapësirës e cila ndryshon, simulohet nga koha e saj dhe me këtë ndryshon në paradokse ku “havijari bëhet argument për të të pushkatuar”. Apo “ku shtëpia jote bëhet agrumet për të qenë armik, e më tutje argument, prapë, për të të pushkatuar”.

    Më tutje kjo është paradoksi i ndërthurjes së të mirës me të keqen dhe të vetë skizoides, si tek Melanie Klain, në Teorinë mbi Relacionin me Objektet (Object Relations Theory). Në të vërtetë Paradoksi është në ndërthurjen e asaj që është e njohur e, e cila për kohë të një nate kalon në të keqen më të madhe. Dhe përkundrazi e keqja më e madhe kalon në të mirën e përgjithshme. Megjithëse të gjitha këto janë në prapavijë të përvijimit naiv të jetës naive të personazhit të Popit, derisa rri ndanë pikturës së porositur të Shën Marisë, ato janë ndërthurja e pazgjidhshme e Kronotopit (kohës dhe hapësirës së romanit ku njeriu i bën ato), dhe të pazgjidhshmërisë së të mirës dhe të keqes si tek teoria e Melanie Klain.

    Zona paranoide-skizoide e prapavijës së personazhit të Popit është vetë Popi i cili paranojën nga vdekja dhe aq më shumë ankthin akut nga vdekja si e keqe akute dhe e përhershme, nuk arrin ta shquajë nga skizoidësia (prerja) e realitetit, nga një zonë e fazës së njerëzimit apo shoqërisë së tij në një zonë tjetër të njerëzimit, apo shoqërisë ku ai jeton, pra të pamundësisë së shquarjes së të mirës dhe të keqes. Kjo pamundësi që ai të shquaj çfarëdo dallimi ndërmjet të mirës dhe të keqes, apo të zgjidhë njërën prej tjetrës, dhe aq më shumë të zgjedh ndërmjet tyre, siç bën tërë jetën e tij vëllai i tij i madh Llazari, është pamundësi e realizimit të realitetit në tërësinë e tij, apo në mundësinë e tij.

    Në të vërtetë, në fazën e ndërtimit të marrëdhënies me objektet e tij psiqike të njeriut, në fëmijërinë e tij, gjithnjë sipas Melanie Klain, ka edhe një fazë që quhet faza e depresionit, kur fëmija, njeriu ndahet nga përjetimi dhe e kundron atë në depresionin e tij. Në këtë qëndrimi i personazhit të Popit ndaj pikturës së porositur të Shën Marisë është në të vërtetë faza e depresionit të tij, por edhe para nënës së tij psiqike.

    Gjë që sipas rrëfimit në roman, njeriu nuk e ka një moment të të qëndruarit përballë përjetimit, dhe përvojës së kaluar, por është në përhershmëri të të përjetuarit të ndryshimeve epokale dhe gjigante, qoftë në të keqen e tyre, dhe qoftë në dramën e tyre.

    Është univers, Kronotop (kohë dhe hapësirë) dhe njeri që jetojnë të ndërthurur në njëri tjetrin të pashquar dhe të pa një dallim, dhe të pa një kuptim, apo qoftë edhe të pa pritje për të ardhmen derisa e kaluara është një dhembje e përhershme dhe e pabartshme, qoftë si mirëqenie e humbur dhe qoftë si torturë e kaluar.

    Përfundim

    Romani “Edhe Noe kishte frikë nga vdekja” është rrëfim i cili të përhumb në komedinë e një naivi që është nën akthin akut të frikës nga vdekjea, por që pahetuseshëm kalon në tragjedi e cila vetëm në fund krijon dhe rikthen tërë rrëfimin në këtë akord. Në këtë komedia që e kemi përjetuar na bën me dije se në të vërtetë ajo është një tragjedi e një kompleksi tejet të rëndë dhe të pazgjidhshëm të jetës, të frikës së jetës nga vdekja, derisa vdekja është kudo dhe në tërë jetën e personazhit të Popit.

    … dhe shkova bashkë me ikonën te zografisësi…

    … bëm vend të Jezuit

    … mos se është mëkat, Popi!…

    … Jo or jo, jam marrë vesh me Virgjëreshën Mari!

    …pse qesh?…

    … ashtu kot…

    … jo më thuaj të vërtetën…

    … ti s’do të vdesësh vetëm…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË