KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Agron Tufa: “E tashmja e arrestuar”

Ballsor Hoxha: Agron Tufa: “E tashmja e arrestuar”

Mbi romanin “Arratisja e fundit e Baltazar Ketës”

Nuk jam i sigurt se “Arratisja e fundit e Baltazar Ketës” është roman distopik. Ose, së paku, problemi nuk mbaron duke e quajtur të tillë.

Distopia zakonisht e zhvendos botën. E çon në një kohë tjetër, ia zmadhon një prirje, e çon një mundësi deri në skajin e saj dhe, prej asaj largësie, na e kthen si paralajmërim. Mirëpo Agron Tufa nuk duket se ka pasur nevojë ta zhvendosë Shqipërinë për ta bërë të frikshme. Atij i ka mjaftuar ta hapë.

Pas hapjes dalin të gjitha ato që e tashmja i mban pranë njëra-tjetrës, por përpiqet t’i paraqesë si të ndara: politika dhe krimi, media dhe biznesi, familja dhe dhuna, e kaluara komuniste dhe liria e sotme. Secila ka emrin e vet, institucionin e vet dhe gjuhën me të cilën arsyetohet. Por romani i lidh derisa kufijtë ndërmjet tyre bëhen të pasigurt.

Prandaj kjo botë nuk është e frikshme sepse është e pamundur. Është e frikshme sepse është tepër e mundshme. Tirania e dikurshme, dhuna e vitit 1997 dhe mekanizmat e sotëm të pushtetit nuk qëndrojnë si tri kohë të ndara. Ato kanë hyrë në njëra-tjetrën dhe qarkullojnë nëpër të njëjtët njerëz, familje dhe institucione. E kaluara ka ndryshuar trajtë, por nuk ka humbur forcën.

Kjo është e tashmja e arrestuar e romanit. Jo një kohë që ka ndalur, por një e tashme që nuk arrin të ndahet prej asaj që ka ndodhur. Ajo ecën, prodhon lajme, zgjedhje, pasuri, dashuri dhe krime të reja, ndërsa përbrenda bart tërë atë që shpall të përfunduar. Njeriu jeton në të tashmen, por e tashmja nuk jeton vetëm në kohën e vet.

Parateksti i marrë nga Një mijë e një net e hap këtë botë përmes një imazhi: skëterra ruhet nga një mal tjetër, stuhia e përhershme e të cilit e zbut zjarrin e saj. Shpëtimi nuk vjen nga shuarja e zjarrit, por nga një forcë tjetër, po aq e skajshme, që e mban atë nën kontroll. Bota mbetet skëterrë; vetëm bëhet e jetueshme.

Kjo është ironia e parë e romanit. Njerëzit nuk shpëtojnë prej skëterrës. Ata gjejnë mënyra për të jetuar brenda saj. Disa largohen, disa përshtaten, disa harrojnë dhe disa e shndërrojnë zjarrin e saj në pushtet. Mali i stuhisë nuk e çliron botën. Ia mundëson vazhdimin.

Por Tufa nuk e shikon këtë botë nga larg, as nga maja e Everestit. Ai hyn mespërmes saj, prej një garsoniere që ngjan me morgun, në Tiranë, deri te majat politike dhe kriminale të vendit. Skëterra shfaqet e mishëruar në njerëz që dashurojnë, frikësohen, bëjnë plane dhe përpiqen të mbeten gjallë. Ajo nuk është vetëm mekanizëm pushteti. Është mënyrë jetese.

Këtu hyjnë Baltazar Keta dhe Ardian Proseku. Ata nuk janë vetëm dy protagonistë të lidhur prej të njëjtit vend, së njëjtës histori dhe së njëjtës grua. Janë dy drejtime të së njëjtës dëshirë për jetë. Baltazari kërkon të jetojë duke dalë nga kjo botë. Proseku kërkon të jetojë duke mbetur brenda saj.

Ndërmjet tyre, romani e hap pyetjen e vet më të rëndë: nëse bota është bërë skëterrë, a shpëton ai që ikën prej saj, apo ai që mëson të jetojë në të?

Dy drejtime të dëshirës për jetë

Baltazar Keta është i pari që e kupton se bota ku ndodhet nuk mund të përmirësohet nga brenda. Për të, largimi nuk është udhëtim, aventurë apo kërkim i një bote më të mirë. Është shkëputje. Ai ngjitet drejt malit, drejt asaj hapësire ku jeta bëhet pothuajse e pamundur, sepse pikërisht atje mund të shpëtojë prej jetës që i është bërë e pamundur këtu poshtë.

Mali nuk është e kundërta e skëterrës. Është vazhdimi i saj në një trajtë tjetër. Poshtë, njeriu mbytet nga politika, krimi, kujtesa dhe marrëdhëniet që nuk mund t’i zgjidhë; lart, ai përballet me të ftohtin, mungesën e ajrit dhe kufirin e trupit. Baltazari nuk zgjedh ndërmjet jetës dhe vdekjes, por ndërmjet dy pamundësive të jetës. Ai largohet nga një botë që nuk mund ta durojë dhe hyn në një hapësirë ku nuk mund të qëndrojë.

Prandaj kthimi i tij është më shqetësues sesa largimi. Ai kthehet prej një vendi prej nga, në kuptimin e romanit, nuk do të duhej të kthehej askush. Por kthimi nuk ia rikthen vendin në botë. Përkundrazi, e bën edhe më të dukshme se Baltazari tashmë nuk mund t’i përkasë asaj. Ai është i pranishëm dhe i munguar njëkohësisht: njeri që ecën ndër të gjallët, por që e ka kaluar kufirin pas të cilit jeta e zakonshme nuk mund të rifillojë.

Ardian Proseku lëviz në drejtimin e kundërt. Ai nuk kërkon daljen nga skëterra, por mënyrën për të jetuar brenda saj. Ndryshon, përshtatet, hyn në marrëdhënie, i nënshtrohet rrezikut dhe përpiqet të përfitojë nga hapësirat që hapen përpara tij. Nëse Baltazari e çon dëshirën për jetë drejt largimit, Proseku e çon drejt mbijetesës.

Por mbijetesa ka një çmim. Sa më shumë që Proseku përpiqet ta gjejë vendin e vet në këtë botë, aq më shumë bota hyn në të. Politika, media, krimi, pushteti dhe dashuria nuk shfaqen si fusha të ndara, ndërmjet të cilave njeriu mund të zgjedhë. Ato kalojnë njëra në tjetrën, ndërrojnë gjuhë dhe emër, por ruajnë të njëjtën forcë. Proseku mbetet gjallë duke u përshtatur me to, ndërsa çdo përshtatje e afron me atë prej së cilës mendon se po shpëton.

Këtu ndryshimi ndërmjet tyre bëhet dramatik. Baltazari e rrezikon jetën duke refuzuar botën. Proseku e rrezikon veten duke e pranuar atë. Njëri ikën aq larg sa humb mundësinë e kthimit; tjetri qëndron aq thellë brenda sa rrezikon ta humbë mundësinë e daljes.

Megjithatë, ata nuk janë kundërshtarë. Janë dy përgjigje të papajtueshme ndaj së njëjtës gjendje. Dëshira e Baltazarit për jetë merr trajtën e arratisjes; dëshira e Prosekut merr trajtën e përfshirjes. Njëri kërkon një vend jashtë kësaj bote, tjetri një vend brenda saj. Por romani ua mbyll të dyve atë që kërkojnë: jashtë nuk ka një botë të lirë, ndërsa brenda nuk ka një vend të paprekur.

Edhe Sesila, e vendosur ndërmjet tyre, nuk është vetëm pika ku kryqëzohen dy histori burrash. Ajo është lidhja e tyre me një jetë që ende mund të imagjinohet si e afërt, intime dhe njerëzore. Për Baltazarin, ajo mban të hapur mundësinë e kthimit. Për Prosekun, mundësinë që qëndrimi në këtë botë të mos jetë vetëm mbijetesë. Por pikërisht për këtë, ajo bëhet edhe vendi ku të dyja rrugët tregojnë kufirin e tyre.

Baltazari dhe Proseku vijnë nga e njëjta botë, nga e njëjta histori dhe nga i njëjti ankth. Ata nuk ndahen nga dëshira për të jetuar, por nga drejtimi që ia japin asaj. Dhe megjithëse lëvizin në kahe të kundërta, romani i sjell vazhdimisht drejt së njëjtës pikë: drejt një të tashmeje që nuk i lë as të ikin, as të qëndrojnë.

Bota që hyn në njeri

Bota e romanit nuk sundohet nga një qendër e vetme. Askush nuk e zotëron plotësisht dhe, megjithatë, ajo funksionon. Politika kalon në media, media në biznes, biznesi në krim, ndërsa krimi kthehet përsëri në politikë. Secila duket si fytyrë më vete, por nën fytyrat e ndryshme qarkullon i njëjti rend.

Prandaj pushteti nuk shfaqet vetëm te njerëzit që urdhërojnë. Ai jeton edhe në marrëdhëniet e zakonshme, në afërsitë, borxhet, frikën, dashuritë dhe heshtjet. Njeriu mund të hyjë në këtë rend pa vendosur kurrë të bëhet pjesë e tij. Mjafton të kërkojë një punë, një mbrojtje, një afërsi apo një rrugëdalje. Nevoja që e mban gjallë bëhet njëkohësisht hyrja përmes së cilës bota e përvetëson.

Proseku nuk futet në të si në një organizatë. Ai nuk kalon një prag pas të cilit bëhet papritur njeri tjetër. Përfshirja ndodh ngadalë, përmes një vargu lidhjesh që, të marra veçmas, mund të duken të rastësishme. Por rastësitë shtohen, ndërthuren dhe fillojnë t’ia përcaktojnë drejtimin. Në një çast, ai nuk është më vetëm njeriu që kalon përmes tyre. Është njeriu nëpër të cilin kalojnë ato.

Kështu, skëterra e romanit nuk ka nevojë për mure. Ajo nuk e mbyll njeriun nga jashtë; e bën të banueshme brendinë e vet. I jep arsye të qëndrojë, i krijon rreziqe prej të cilave duhet të mbrohet dhe pastaj i ofron mënyrat e mbrojtjes. Njeriu nuk mbahet vetëm me frikë. Mbahet edhe me shpresën se, po të lëvizë me kujdes, mund të shpëtojë vetëm për vete.

Këtu dëshira për jetë bëhet e dykuptimtë. Ajo është forca më njerëzore e Prosekut, por edhe pika ku rendi mund ta kapë. Ai ndryshon sepse dëshiron të jetojë; përshtatet sepse dëshiron të vazhdojë. Por çdo ndryshim që e shpëton përkohësisht e largon pak nga njeriu që mendonte se ishte. Nuk kemi të bëjmë me një rënie të vetme morale, të pastër dhe të dallueshme. Kemi të bëjmë me një mbijetesë që, hap pas hapi, e humb pafajësinë e vet.

Baltazari e ka kuptuar këtë në mënyrën e tij: nuk mund të qëndrosh brenda pa u prekur nga brenda. Prandaj kërkon largësinë përfundimtare. Mirëpo edhe arratisja e tij kthehet në ngjarje të kësaj bote. Emri, mungesa dhe rikthimi i tij hyjnë në qarkullimin publik; interpretohen, përdoren dhe marrin peshë politike. Edhe ai që largohet nga rendi mund të përdoret prej tij. Nganjëherë mungesa është po aq e dobishme sa prania.

Media zë një vend të veçantë në roman. Ajo nuk pasqyron thjesht atë që ndodh. I jep ngjarjes trajtën në të cilën mund të hyjë në botën publike. Një njeri mund të humbasë, të kthehet, të rrëfejë apo të heshtë; por kuptimi i këtyre veprimeve nuk i mbetet më atij. Midis jetës dhe asaj që thuhet për jetën hapet një hapësirë ku e vërteta mund të ndërrohet pa u zhdukur krejt.

Rrëfimi i Prosekut bëhet i rrezikshëm pikërisht këtu. Jo vetëm sepse nxjerr në dritë diçka të fshehur, por sepse tregon se rendi publik nuk është ndërtuar jashtë jetëve private. Ajo që duket si histori personale është e mbushur me fijet e politikës, medias dhe krimit; ndërsa ajo që paraqitet si politikë e madhe mbahet nga trupat, frika dhe dëshirat e njerëzve të veçantë.

Sesila: jeta që pret

Sesila i lidh Baltazarin dhe Prosekun, por nuk ekziston vetëm për t’i lidhur ata. Po të mbetej thjesht gruaja e njërit dhe dashuria e tjetrit, ajo do të ishte nyje e komplotit, jo forcë e romanit. Rëndësia e saj fillon pikërisht aty ku trekëndëshi i dashurisë nuk mjafton më për ta shpjeguar.

Baltazari largohet, Proseku mbetet, ndërsa Sesila pret. Por pritja e saj nuk është palëvizje. Ajo është ndoshta forma më e rëndë e qëndrimit brenda kësaj bote: të vazhdosh të jetosh pa e mbyllur atë që ka mbetur pezull. Baltazari i ka premtuar se do të kthehet, dhe kjo mundësi e kthimit hyn në jetën e saj si diçka që nuk mund të dëshmohet, por as të përjashtohet.

Për të tjerët, mungesa e Baltazarit mund të kthehet në lajm, dyshim, fenomen apo ngjarje politike. Për Sesilën, ajo mbetet marrëdhënie. Publikja kërkon ta emërtojë atë që ka ndodhur; Sesila duhet të jetojë me atë që nuk merr emër. Për këtë arsye, besimi i saj nuk është vetëm besnikëri ndaj një burri. Është mospranim i vendimit që bota kërkon ta marrë në vend të saj.

Mirëpo kthimi i Baltazarit nuk e çliron. Ai e bën edhe më të rëndë pritjen, sepse njeriu që kthehet nuk është më ai që mund ta vazhdojë jetën e lënë përgjysmë. Premtimi përmbushet dhe dështon njëkohësisht. Baltazari kthehet, por jo krejtësisht në botën e saj; shfaqet, por nuk rivendoset. Ajo që pritej si fund i mungesës bëhet një formë tjetër e saj.

Në anën tjetër është Proseku, njeriu i pranishëm. Ai nuk vjen nga përtej vdekjes, por nga brendia e së njëjtës botë ku jeton Sesila. Afërsia me të duket sikur mund t’i kthejë jetës trupin, çastin, të tashmen. Por e tashmja që Proseku sjell me vete është e mbushur me po atë dhunë prej së cilës asnjëri nuk ka mundur të dalë.

Marrëdhënia e tyre nuk mund të lexohet si zgjidhje e mungesës së Baltazarit. Ajo bart paqartësinë e botës së romanit, ku afërsia dhe dhuna nuk ndahen gjithmonë në kufij të pastër. Në Pargë, në hapësirën që do të mund të ishte largim nga Shqipëria dhe nga e kaluara, Labirinti shfaqet përsëri. Ndërron vendi, por jo marrëdhënia e njeriut me atë që e ndjek.

Sesila e bart këtë më herët se të dy burrat. Humbja e prindërve të saj në dhunën e vitit 1997 nuk është vetëm e kaluar personale. Është vendi ku historia ka hyrë në trupin e një njeriu dhe ka mbetur aty. Për shoqërinë, viti 1997 mund të mbyllet në një datë, në një shpjegim politik apo në kujtesën e një kaosi të tejkaluar. Për Sesilën, ai nuk ka përfunduar. Ajo jeton pas tij, por jo jashtë tij.

Këtu e tashmja e arrestuar merr kuptimin e saj më njerëzor. Nuk është vetëm sistemi i vjetër që vazhdon përmes institucioneve të reja. Është edhe jeta që nuk mund ta lërë pas atë që nuk është pranuar, gjykuar e as vajtuar deri në fund. E kaluara nuk kthehet sepse dikush e kujton; ajo nuk ka shkuar askund.

Sesila, prandaj, nuk qëndron ndërmjet Baltazarit dhe Prosekut si një pikë ku përplasen dy dëshira mashkullore. Ajo është ajo që i vë në provë të dyja. Çfarë vlere ka kthimi i Baltazarit, nëse ai nuk mund të kthehet te jeta? Çfarë vlere ka qëndrimi i Prosekut, nëse afërsia e tij bart dhunën e botës ku ka mbijetuar?

Te Sesila, dëshira për jetë nuk shfaqet as si arratisje, as si përshtatje. Ajo shfaqet si vazhdimësi: një njeri jeton duke bartur atë që bota do ta quante të përfunduar. Kjo nuk e shpëton prej skëterrës. Por ia ndalon skëterrës fitoren e saj më të lehtë: ta shpallë të kaluarën të vdekur vetëm sepse të gjallët janë detyruar të vazhdojnë.

E kaluara që ka ndërruar trup

Pyetja që përshkon romanin nuk është se çfarë ka ndodhur me tiraninë, por ku ndodhet ajo tani. Ku ka shkuar dhuna që për më shumë se gjysmë shekulli ka organizuar jetën, frikën dhe kujtesën e njerëzve? A ka përfunduar bashkë me sistemin që i kishte dhënë emrin, apo vetëm ka humbur emrin e saj të vjetër?

Përgjigjja më e lehtë do të ishte se ajo i përket së kaluarës. Regjimi ka rënë, institucionet kanë ndryshuar, gjuha politike është zëvendësuar dhe njeriu, së paku formalisht, është i lirë. Por romani i Tufës fillon pikërisht aty ku kjo përgjigje nuk mjafton. Sepse e kaluara mund ta humbë pamjen e vet pa e humbur forcën.

Ajo vazhdon në njerëzit që ka formuar, në mënyrat e bindjes dhe të frikës, në afërsinë ndërmjet pushtetit dhe dhunës. Vazhdon edhe në nevojën për mbrojtje, në heshtjen që shpërblehet dhe në të vërtetën që duhet të negociohet përpara se të thuhet. Ajo që dikur shfaqej si aparat i hapur tiranie tani shpërndahet ndërmjet politikës, medias, biznesit dhe krimit. Nuk është më një trup i vetëm. Pikërisht për këtë bëhet më e vështirë të dallohet.

Aristidhi është epiqendra e kësaj vazhdimësie, por nuk është shpjegimi i saj i plotë. Po ta mbyllnim tërë të keqen brenda tij, do ta qetësonim botën e romanit: do ta kishim përbindëshin, emrin dhe burimin e fajit. Mirëpo ai funksionon më shumë si Minotauri i një labirinti që ekziston edhe përtej tij. Është krijesë e së kaluarës, por njëkohësisht edhe dëshmi se e kaluara ka gjetur mënyrë të riprodhohet në të tashmen.

Minotauri mund të fshihet në qendër, por labirinti ndërtohet nga të gjithë. Nga ata që sundojnë dhe nga ata që ndërmjetësojnë; nga ata që përfitojnë dhe nga ata që, për të mbijetuar, pranojnë një pjesë të rregullave të tij. Kjo nuk i bën të gjithë njësoj fajtorë. Por tregon se tirania nuk vazhdon vetëm përmes vullnetit të një tirani. Ajo vazhdon edhe përmes marrëdhënieve që ka lënë pas.

Prandaj romani nuk na e paraqet të kaluarën si kujtim. Ajo është vepruese. Hyn në zgjedhje, në media, në dashuri, në trup dhe në familje. Kalon prej një brezi në tjetrin jo si tregim i mësuar, por si mënyrë jetese. Edhe kur askush nuk e përmend, ajo përcakton se çfarë mund të thuhet, kujt mund t’i besohet dhe sa larg mund të shkojë njeriu pa u ndëshkuar.

Kjo është gjurma: jo mbetja e zbehtë e diçkaje që ka kaluar, por prania e saj në një formë që nuk paraqitet më me emrin e vet. Tirania fshihet duke u shpërndarë. Sa më shumë që shoqëria bindet se ka dalë prej saj, aq më lirshëm ajo mund të veprojë përmes trajtave të reja.

Edhe puna e Prosekut është e lidhur me këtë paradoks. Si gazetar i krimeve të së kaluarës, ai kërkon t’i rikthejë ato në vëmendjen publike. Por, sa më thellë hyn në to, aq më pak mund t’i mbajë në largësinë e një kohe të përfunduar. Krimi që heton nuk qëndron pas tij. Ai vazhdon përreth, prek njerëzit e së tashmes dhe, më në fund, hyn edhe në jetën e tij.

Proseku kërkon gjurmën dhe zbulon se jeton brenda saj. Kjo është arsyeja pse hetimi i tij nuk mund të mbetet punë profesionale. Ai nuk është një vëzhgues që shikon nga jashtë. Çdo zbulim ia prish edhe më shumë kufirin ndërmjet asaj që ka ndodhur dhe asaj që po ndodh, derisa historia që kërkon ta tregojë fillon ta përfshijë.

E tashmja arrestohet pikërisht kur shpallet e ndarë nga e kaluara. Ajo ndërton pamjen e lëvizjes, ndryshimit dhe lirisë, por nën këtë pamje vazhdojnë të veprojnë të njëjtat lidhje. Koha ecën, ndërsa mekanizmi mbetet. Ndryshojnë emrat, fytyrat dhe fjalët, por njeriu vazhdon të endet në të njëjtin labirint.

Bash-Ëndrra dhe gjeografia e skëterrës

Tufa nuk e ndërton botën e romanit vetëm përmes ngjarjeve. Ai i jep asaj edhe një gjeografi: Afrati, Tirana, “Bermudat”, Parga, Labirinti, Everesti. Këto vende nuk janë thjesht pika ku kalojnë personazhet. Secili është një mënyrë tjetër e së njëjtës botë, një formë e veçantë e dëshirës për të ikur dhe e pamundësisë për të dalë.

Afrati është fillimi. Prej tij vijnë Baltazari dhe Proseku, por prej tij vjen edhe historia që do t’i ndjekë. Vendlindja nuk është strehë e humbur ku mund të kthehen për ta rigjetur veten. Ajo është vendi ku janë lidhur për herë të parë fijet e krimit, pushtetit dhe mbijetesës, fijet që më vonë do të shtrihen nëpër tërë romanin. Edhe kur largohen prej Afratit, ata vazhdojnë ta bartin atë.

Në këtë gjeografi shfaqen “Bermudat”, bastionet ku format e ndryshme të krimit nuk qëndrojnë më pranë njëra-tjetrës, por bashkohen. Aty politika nuk e lufton krimin, biznesi nuk ndahet prej tij dhe pushteti nuk ka nevojë ta fshehë plotësisht prejardhjen e vet. Gjithçka hyn në gjithçka tjetër. Njeriu që futet brenda nuk humbet sepse nuk di nga të dalë, por sepse çdo dalje e çon në një hyrje tjetër.

Kjo është Bash-Ëndrra e romanit: një ëndërr e përbashkët që askush nuk e ka zgjedhur dhe nga e cila askush nuk zgjohet i vetëm. Ajo përmban ëndrrën e pasurimit, pushtetit, shpëtimit, dashurisë dhe largimit. Por, sapo njëra prej tyre duket se po realizohet, zbulohet lidhja e saj me makthin që kërkonte ta kapërcente.

Bash-Ëndrra nuk është vetëm mashtrim i vendosur nga lart. Po të ishte e tillë, njeriu mund ta njihte dhe ta refuzonte. Ajo funksionon sepse ndërtohet edhe nga dëshirat e atyre që jetojnë brenda saj. Secili hyn me diçka njerëzore: me nevojën për siguri, para, dashuri, njohje apo një fillim tjetër. Pastaj ëndrra e tij lidhet me ëndrrat e të tjerëve, derisa dëshira personale bëhet pjesë e mekanizmit të përbashkët.

Edhe Parga, që në pamje të parë është jashtë kësaj bote, nuk sjell çlirim. Largësia gjeografike krijon për një çast mundësinë se personazhet mund të dalin prej historisë së tyre. Por Labirinti shfaqet edhe atje. Dhuna nuk ka mbetur në Shqipëri, sepse nuk është vetëm pronë e një vendi. Ajo ka kaluar në marrëdhënien ndërmjet njerëzve, në mënyrën si afrohen, si dëshirojnë dhe si e humbin kufirin e tjetrit.

Prandaj skena ndërmjet Prosekut dhe Sesilës nuk mund të përcaktohet lehtë as si afërsi, as si dhunë. Pikërisht kjo paqartësi e bën të rëndë. Marrëdhënia seksuale nuk del jashtë botës së romanit; ajo e përmbledh atë në trup. Dëshira kërkon bashkim, ndërsa brenda saj vepron forca. Afërsia premton dalje nga vetmia, por mund të bëhet vazhdimi më intim i skëterrës.

Everesti qëndron në skajin tjetër. Atje Baltazari nuk kërkon më një vend më të mirë brenda botës, por kufirin ku bota nuk mund ta ndjekë. Megjithatë mali i stuhisë së përhershme nuk është utopi. Ai nuk ofron jetë, por një afërsi tjetër me vdekjen. Baltazari ikën nga zjarri duke hyrë në akull; nga një pamundësi e jetës kalon në një tjetër.

Kështu, lëvizja e personazheve krijon përshtypjen se të gjithë po ikin. Profesori Pajtor largohet në mënyrën e vet; Baltazari ngjitet; Proseku endet; Sesila pret një kthim që do ta nxirrte nga pezullia. Por ikjet e tyre nuk e zbrazin skëterrën. Ato vetëm i zgjerojnë kufijtë e saj.

Tufa e ndërton këtë botë si një Kështjellë pa mure të jashtme. Nuk dihet saktë ku fillon, sepse njeriu është tashmë brenda saj. Edhe rruga për t’u larguar është pjesë e ndërtimit. Afrati, Tirana, Parga dhe Everesti duken si vende të largëta, por romani i lidh si dhoma të së njëjtës hapësirë.

Prandaj pyetja nuk është më se ku mund të ikë njeriu. Pyetja është nëse ai mund të dalë prej mënyrës së jetesës që e ndjek nga një vend në tjetrin. Sepse skëterra më e plotë nuk është ajo që nuk ka dalje. Është ajo që e shndërron edhe daljen në një nga rrugët e saj.

Trupi që nuk bindet

Brenda kësaj bote ku politika, kujtesa dhe krimi kalojnë nga një trajtë në tjetrën, romani vendos edhe një pyetje më intime: çfarë bart trupi prej asaj që ka kaluar? Jo vetëm çfarë mban mend njeriu, por çfarë vazhdon të jetojë në të edhe kur vetëdija e quan të përfunduar.

Këtu hyn telogonia. Jo si e vërtetë biologjike që romani kërkon të dëshmojë, por si fantazi e trashëgimisë: mundësia që trupi i gruas të ruajë gjurmën e një burri të mëparshëm dhe ta bartë atë në një jetë të krijuar më vonë. Në marrëdhënien ndërmjet Sesilës, Baltazarit dhe Prosekut, kjo ide bëhet më shumë se çështje prejardhjeje. Ajo pyet nëse ajo që ka munguar mund të vazhdojë përmes një trupi tjetër.

Baltazari, i humbur dhe i kthyer pa mundur të kthehet plotësisht, mund të lindë përsëri në jetën që krijohet ndërmjet Sesilës dhe Prosekut. Por kjo nuk është ringjallje e thjeshtë. Nëse fëmija do të bartte gjurmën e Baltazarit, ai njëkohësisht do të vinte prej trupit të Sesilës dhe marrëdhënies së saj me Prosekun. Prejardhja nuk do të mund të mbyllej më në një emër të vetëm.

Këtu telogonia e çrregullon rendin që zakonisht kërkon ta zotërojë trupin e gruas. Ky rend dëshiron të dijë kujt i përket fëmija, cila marrëdhënie është e ligjshme, cili burrë vazhdon përmes tij. Romani ia kthen kësaj kërkese një trup që nuk jep përgjigje të pastër. E kaluara, e tashmja, dashuria, humbja dhe dhuna mund të jenë të gjitha të pranishme në të njëjtën jetë.

Rreziku do të ishte që Sesila të shndërrohej vetëm në enë të vazhdimësisë së dy burrave. Por fuqia e figurës qëndron diku tjetër. Trupi i saj nuk është vendi pasiv ku Baltazari dhe Proseku lënë shenjat e tyre. Është vendi ku shenjat humbin pronarin. Ajo që hyn në të nuk del më e paprekur, nuk ruan kuptimin e parë dhe nuk mund të rikthehet si pronë e atij që e ka lënë.

Në këtë kuptim, trupi i Sesilës punon kundër Publikes së romanit. Publikja emërton, ndan, shpall fajtorin dhe viktimën, të gjallin dhe të vdekurin, të shkuarën dhe të tashmen. Trupi i saj i përzien këto ndarje pa i pajtuar. Ai bart atë që rendi publik dëshiron ta ketë përfunduar dhe prodhon diçka që rendi nuk mund ta përcaktojë deri në fund.

Edhe himeni, në mendimin e Derridas, e humb sigurinë e shenjës së vendosur. Ai është menduar si kufi ndërmjet para dhe pas, paprekshmërisë dhe marrëdhënies, pastërtisë dhe humbjes së saj. Por kufiri nuk dëshmon atë që shoqëria kërkon prej tij. Shenja fizike nuk arrin ta stabilizojë të vërtetën morale që i është ngarkuar.

Telogonia kryen një lëvizje të ngjashme në roman. Ajo duket sikur kërkon ta vendosë në trup një të vërtetë të prejardhjes, por përfundon duke e bërë prejardhjen të papërcaktueshme. Në vend që ta mbyllë gruan brenda shenjës biologjike, e hap trupin si një hapësirë ku koha nuk ecën pastër nga e kaluara drejt së ardhmes.

Kjo nuk e idealizon trupin e gruas dhe as nuk e vendos jashtë dhunës. Përkundrazi, gratë e romanit e bartin skëterrën në mënyrën më të drejtpërdrejtë: përmes humbjes, përdorimit, frikës dhe dhunës seksuale. Por pikërisht trupi që pushteti kërkon ta shënjojë, ta zotërojë dhe ta vendosë në hierarkinë e vet, mbetet edhe vendi ku shenja mund të mos bindet.

Nëse e tashmja e arrestuar përpiqet ta mbajë secilën gjë në vendin e vet, trupi i Sesilës e çan këtë rend. Brenda tij, Baltazari mund të jetë njëkohësisht i humbur dhe i pranishëm; Proseku baba dhe jo i vetmi fillim; e kaluara e përfunduar dhe ende e aftë të krijojë pasoja.

Jeta që mund të lindë prej kësaj nuk është pajtim. Ajo nuk e shëron dhunën dhe nuk i bashkon në harmoni ata që janë ndarë. Është diçka më e trazuar: dëshmia se bota nuk mund ta kontrollojë plotësisht atë që vazhdon pas saj. Përballë një rendi që trashëgon pushtetin dhe krimin, trupi prodhon një trashëgimi që nuk pranon një zot të vetëm.

Arratisja që nuk përfundon

Në fillim pyetëm nëse kjo është vërtet një distopi. Pas gjithë kësaj rruge, përgjigjja mund të jetë edhe më e pasigurt. Romani i ka shenjat e distopisë, por nuk ka largësinë e saj. Nuk ndërton një të ardhme të frikshme për të na paralajmëruar mbi atë që mund të vijë. Ai hap të tashmen dhe na tregon çfarë tashmë jeton brenda saj.

Prandaj “arratisja e fundit” e Baltazar Ketës përmban një kundërshti. Ajo quhet e fundit, por Baltazari premton të kthehet. Ai largohet prej një bote në të cilën nuk mund të jetojë dhe kthehet në një botë ku nuk mund të zërë më vend. Arratisja nuk mbyllet as me largimin, as me kthimin. Ajo vazhdon ndërmjet tyre.

Proseku nuk arratiset në të njëjtën mënyrë. Ai lëviz përbrenda botës, ndërron rrugë, role dhe afërsi, duke shpresuar se diku në këtë lëvizje do ta ruajë jetën. Por edhe udhëtimi i tij është arratisje: jo largim nga vendi, por shmangie e vazhdueshme e fundit që e ndjek. Filozofia e tij “ku rafsha mos u vrafsha” është njëkohësisht humor, frikë dhe mënyrë mbijetese.

Megjithatë, as Baltazari dhe as Proseku nuk janë vetëm viktima të një mekanizmi të gjithëfuqishëm. Secili e çrregullon botën në mënyrën e vet. Kthimi i pashpjegueshëm i Baltazarit e trondit rendin publik, sepse fut në të diçka që nuk mund të administrohet. Pranimi i Prosekut e ekspozon po atë rend nga brenda, sepse njeriu që ka kaluar nëpër mekanizmin e tij ia kthen Publikes atë që ajo është përpjekur ta mbajë të padukshme.

Për një çast, një njeri i vetëm duket se mund ta përpijë botën që e ka rrethuar. Por bota nuk mbetet e rrënuar. Pas tronditjes, ajo fillon të mblidhet përsëri, të prodhojë shpjegime, të rregullojë pamjen e vet dhe ta kthejë çarjen në një ngjarje tjetër të konsumueshme. Publikja mbijeton edhe duke përfshirë atë që e demaskon.

Kjo është forca më e errët e së tashmes së arrestuar. Ajo nuk e ndalon ngjarjen; e përvetëson. Nuk e ndalon të vërtetën të dalë; ia ndryshon vendin derisa ajo të mos kërcënojë më. Edhe kthimi nga vdekja, edhe pranimi i fajit, mund të hyjnë në qarkullim si lajm, spektakël dhe material politik. Rendi nuk fiton sepse asgjë nuk ndodh. Fiton sepse mund të vazhdojë pasi gjithçka ka ndodhur.

Por romani nuk e mbyll njeriun plotësisht në këtë fitore. Dëshira për jetë që e shtyn Baltazarin të largohet, Prosekun të mbijetojë dhe Sesilën të presë, është e njëjta forcë që i fut në kurth dhe që njëkohësisht nuk lejon të përfundojë gjithçka. Ajo nuk është e pastër, heroike apo e pafajshme. Mund të prodhojë ikje, përshtatje, dhunë dhe besim. Megjithatë, pa të, skëterra do të ishte e përkryer.

Rëndësia e romanit të Tufës qëndron këtu. Ai nuk e përshkruan Shqipërinë vetëm si vend të kapur nga politika dhe krimi. E sheh si një botë ku e kaluara ka hyrë në mënyrën si njerëzit dashurojnë, frikësohen, kujtojnë dhe kërkojnë të jetojnë. Historia nuk qëndron mbi personazhet si shpjegim; ajo kalon nëpër trupat dhe marrëdhëniet e tyre.

Për këtë arsye, romani nuk është vetëm rrëfim mbi një shoqëri të dështuar. Është rrëfim mbi pamundësinë e njeriut për ta ndarë jetën e vet nga bota që e ka prodhuar. Njeriu përpiqet të ikë prej saj me trup, me dashuri, me harresë, me të vërtetën apo me një ngjitje drejt majës. Por çdo rrugë mban një pjesë të botës prej së cilës niset.

A është kjo arratisja e fundit e Baltazar Ketës? Ndoshta po, nëse “e fundit” nënkupton kufirin ku një njeri nuk mund të shkojë më larg. Por jo, nëse arratisja është dëshira për të dalë nga një botë që vazhdon të kthehet brenda nesh. Atëherë ajo nuk përfundon me Baltazarin.

Ajo fillon përsëri sa herë që njeriu e kupton se skëterra nuk është vetëm vendi ku jeton, por edhe ajo që ka mësuar të quajë jetë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË