Atë mëngjes, kryebashkiaku i Ravenës, Konti Xhoakino Rasponi, po rrinte mendueshëm përballë dritares. Kruante mjekrën e tij të dendur dhe shihte qiellin se si ngrysej dhe nxihej pa fund.
Ishte vjeshtë e vitit 1865. Jashtë, shiu, në fillim i ardhur në formë reshë të errta dhe të zymta, kish nisur të fshikullonte me rrebesh xhamat e dritareve të mëdha. Konti ndodhej në zyrën e tij në Bashki. Dy metra më tutje, mes letrash të hapura, kallamarit, penës së shkrimit dhe librave të shumtë, gjendeshin gjithashtu edhe fletët, ku ai po shkruante ngjarjen e çuditshme.
Kish hedhur në letër shumë detaje që kishte mbledhur mbi aventurat në jetë dhe në vdekje të qytetarit më të njohur të gadishullit. Kjo ishte arsyja pse habitej krejt. “Fama mund të jetë edhe mallkim!” mendonte në heshtje. Ndaj tani, sa më shumë mundohej t’i përmblidhte kujtimet, aq më shumë ngrysej, psherëtinte duke mërmërirë mendueshëm me sytë nga kopshti i vilës së Bashkisë.
Nuk kishte qenë aty, por po e imagjinonte goditjen e parë të kazmës mbi mur atë mëngjes maji. Ç surprizë madhështore kish qenë. Tingulli i shurdhët i kazmës, çuditërisht, vazhdonte t’i përsëritej në ndërgjegje. Ç’ishte ai tingull ashtu? Muri, siç e verifikoi vetë, kishte qenë krejt i hollë. Kur në fillim kryemjeshtri, siç tregoi më vonë, i kish rënë murit me grusht, me veshin ngjitur, dhe ai kish ndjerë boshllëkun në mes. “Këtu ka një zgavër!” kish thënë i bindur. Kish goditur akoma, dhe zhurma e boshllëkut ishte shtuar. Më pas, gjatë goditjeve me kazëm, së bashku me llaçin, tullat e thyera dhe vorbullën e pluhurit, zgavra në mur ishte zmadhuar. Ajri ishte mbushur me pluhurin e gëlqeres dhe të llaçit të shembur. Ai i imagjinonte ato goditje, të cilat, të forta dhe të vazhdueshme, i kishin depërtuar thellë në ndërgjegje.
Tek mendohej, dëgjoi të trokisnin tek dera. Tani nuk po kuptonte. Ishin goditjet e imagjinuara shurdhët të kazmës në mur, apo trokitjet e vërteta me nyjën e gishtit mbi derën e zyrës së tij?
“Hyni!” tha si nëpër gjumë. Topitja e shiut e kishte kapluar keq.
Jashtë, rrebeshi ishte bërë edhe më i dendur. Qielli ishte nxirë krejt dhe nga të çarat e padukshme të dritareve, së bashku me zhurmën e shiut të furishëm, futej edhe fërshëllima e ftohtë e erës me sqotë. Jashtë po ndodhte kataklizma e shekullit.
Më tutje, në sallën e madhe, mbi një tavolinë veshur me një cohë të kuqe, qëndronte arka e famshme e cila ishte provizorisht nën kompetencat e tij. Ç kishte brenda saj?
Kryebashkiaku, u habit kur pikasi mysafirët e paftuar. Mbasi i përshëndeti të ardhurit, me një ndjesi mes përzemërsisë dhe kureshtjes, i ftoi të uleshin në divanin përbri tij. Ishin dy zotërinj të nderuar. Njëri ishte skulptori i njohur Enriko Pazi, tjetri ishte një prift i vjetër dhe i heshtur. Nga veshja duhej të ishte një Prior nga ata të urdhërit Franceskan.
– Ç e mirë ju ka sjellë në këtë qamet? – i pyeti mbasi u prezantuan dhe kishin folur një copë herë. Ndërkohë, ai i kish bërë rrespektet e zyrës, duke i ofruar me përzemërsi nga një puro toskano dhe një gotë konjak.
– Vijmë nga Sinjoria e Firences.! – tha skulptori i cili kishte një mjekërr të gjatë dhe të ashpër. – Jemi këtu me misjon.
– Ç misjon?
– Për eshtrat e Poetit.
– Për eshtrat?!
– Sinjoria, – shtoi bujtësi, – kërkon eshtrat e tij. Dëshiron t’i vendosë ato brenda sarkofagut të gdhendur enkas për Jubileun. Pranë Mikelanxhelos, Galileut dhe Machiavelit. Varri është bosh.
– Keni ardhur mes shiut veç për këtë kërkesë?! – pyeti kryebashkiaku krejt i habitur. Nuk po u besonte veshëve. Kërkesa e tyre iu duk sa absurde, po aq edhe qesharake.
Nuk mori përgjigje.
– Është hera e gjashtë që Sinjoria Jonë po kërkon në formë zyrtare eshtrat e Poetit! – foli prifti, i cili, deri në atë moment nuk e kishte hapur fare gojën. Tani rrinte mbështetur mbi divanin e bukur dhe elegant.
– Nuk e di pse t’a përsëris prap, – ia ktheu Konti, – sepse e kam përsëritur shumë herë edhe në Parlament kur u fol për çështjen e eshtrave! Nuk bëhet kjo punë.
Kryebashkiaku bëri një pauzë reflektimi. Pastaj me qetësi, shtoi.
– Sa të jem unë i parë në këtë qytet, eshtrat e Poetit tonë Kombëtar, Sinjoria Fjorentine, nuk do t’i ketë kurrë. Ai qytet, thjeshtë nuk i meriton ato!”
– Pse flisni kështu?! – u indinjua skulptori. – Poeti është pjellë e atij qyteti. Ndër dejet e tij vlonte gjak fjorentin! Ai është babai i gjuhës së kombit. Është e natyrshme që ai duhet të prehet në qytetin që e lindi!
– Kjo që po pohoni ju, është patetike, zotëri, – iu kundërvu kryebashkiaku. – Qytetarët e saj janë sjellë shumë keq me Poetin. Në fillim e kanë dëbuar duke e dënuar në mungesë, dhe duke i shkaktuar dhimbje pa fund. E kanë detyruar Poetin të vdiste në mërgim. Ndërsa tani, kanë paturpësinë e madhe, që të sjellin këtu përfqësuesit e tyre. Në asnjë mënyrë!
– Fatmirësisht, këtë nuk e vendosni ju, – foli qetë skulptori. – Atë e vendos Shteti i sapokrijuar!
Më pas, si të ishte një armë sekrete, bujtësi nxorri nga një çantë lëkure një shkresë. Shkresa, kishte firmën dhe vulën e shkëlqesisë së tij mbretit Viktor Emanueli i dytë dhe të kryeministrit Kavur.
Kryebashkiaku u zbeh krejt në fytyrë. Gëlltiti pështymën e tij dhe ia nguli sytë letrës. Ishte një fletë-urdhëresë, ai i njihte mirë ato letra burrokratike. Me nr protokolli dhe me stemën mbretërore në skaj. Urdhëresa bombë, dalë papritur, tani rrinte e hapur mbi tavolinën e xhamtë, rreth të cilit ato, ulur, po diskutonin.
Heshtja u bë e padurueshme. Skulptori kryqëzoi gjunjët i çliruar, si të donte të thoshte: ‘të munda,’ pastaj u orvat disa herë që të ndizte puron e tij.
Jashtë shiu i tërbuar vazhdonte të fshikullonte xhamat. Tani, në mendjen e turbulluar të kryebashkiakut, së bashku me copat e gëlqeres, tullat e thyera, erës së athët të pluhurit që të irritonte sytë, ai po shquante me sytë e mendjes, fare të qartë edhe arkën e drurit. Arkë, brenda së cilës, preheshin eshtrat e njeriut më të shquar të gadishullit. Arka, tani, shëmbëllente me një krijesë jetime, e cila kishte nevojë për mbrojtje dhe kujdes.
Kryebashkiaku Rosponi, dyll i verdhë në fytyrë, me duart që po i dridheshin, nisi të lexojë urdhëresën shtetërore. Letra kishte pak fjalë. Tek e lexonte, ai bëhej edhe më keq.
Mbasi e përfundoi atë, e vendosi rishtaz mbi syprinën e qelqtë, fërkoi me shëplaka sytë e lodhur dhe iu kthye me nervozizëm, gati me zemërim miqve të paftuar.
– Jo Qeveria të ma urdhërojë. – tha i indinjuar, – por edhe vetë Shpirti i Poetit të më përgjërohej, eshtrat e Poetit nuk dalin nga ky qytet!
– Ç don të thotë kjo? – u nxeh skulptori.
– Kjo do të thotë atë që thashë. I ndjeri e ka lënë me gojë. Nuk don të prehet atje!
– Ju keni një urdhëresë shtetërore! Ju jeni funksjonar i saj. Sinjoria fjorentine ka derdhur para pa fund për ta rrespektuar Poetin e saj. Ky është një projekt mbarëkombëtar. Vetë Parlamenti e ka aprovuar atë. Unë kam punuar për 10 vjet që t’i gdhendja Monumentin Poetit. Vepra është pesë metra e lartë. Tani mungojnë veç eshtrat dhe ato, Ju do të na i jepni. Ja dhe urdhëresa shtetërore! – Kur skulptori mbaroi së foluri, ishte krejt i bindur që Kryebashkiaku nuk do ta pengonte.
Tani skulptori, i cili po zbulohej se ishte gjaknxehtë dhe i padurueshëm, kish nisur të skuqej dhe të dridhej në fytyrë.
– Ju keni lindur në këtë qytet? – ia ktheu Konti skulptorit.
– Ç rëndësi ka kjo? – Tha tjetri duke pohuar me kokë. Ndërkohë arriti ta ndizte puron e ofruar.
– Sinjoria fjorentine – vazhdoi të arsyetonte Kryebashkiaku, – i ka besuar monumentin e Poetit një ravenati. Qytet, i cili për 6 herë ka rrefuzuar t’i kthejë eshtrat e Poetit atje? Kjo më duket absurde, paradoksale?! Një ravenat puro që vjen këtu dhe përfaqëson Firencen?! Po, ju duhet të jeni i pari njeri që duhet t’a kundërshtoni këtë kërkesë të padrejtë.
– Zotëri i nderuar, – zbuti zërin skulptori. – Mua ai qytet më ka adoptuar si artist. Ajo është vatra e shenjtë e artit ku vloi fort zjarri i rilindjes. Zjarr i cili prodhoi Botiçelin dhe Mikelanxhelon. Xhoton dhe Leonardon. Unë këtu prezantoj thjeshtë vullnetin e qytetarëve të tij. Ja dhe urdhëresa mbretërore ku është. – shtoi ai. – Signoria fjorentine ka vite që pret kremtimin e 600 vjetorit të Poetit. Ndaj ju lutem, na jepni eshtrat sipas urdhëresës dhe kjo histori mbyllet me kaq.
Kryebashkiaku u ndje i kërcënuar. E pa me inat. Kishte në pamjen e tij sfidë dhe vendosmëri.
– Jo vetëm që nuk do t’a lejoj, – shtoi ai, – por as nuk kam ndër mend t’i fsheh ato rishtaz. Siç vepruan shekuj më parë, parardhësit e mi. Kur ato eshtra nuk u dhanë as me urdhëresën e Papës, imagjinoni sa të kota do të ishin orvatjet e tjera. Ato as nuk llogariten fare. Tregojnë se i ndrituri Mikelanxhelo, erdhi personalisht t’i merrte nga këtu, por nuk ia lejuan. Mjeshtri e adhuronte Poetin Hyjnor. Dhe po jua them mendimin tim qartë: një qytet që nuk e deshi për së gjalli, s’ka pse ta kërkojë atë tani, të kallur nën dhè.
– Ju kot ngulni këmbë. Ne kemi urdhëresën nga Qeveria.
– Eshtrat do të vendosen rishtaz tek varri i tij në Ravenë. Kjo ka marrë fund. Fjorentinët kanë një urdhëresë Shteti? Mos harroni se edhe unë kam ca miq në parlament, sa për ta pezulluar këtë kërkesë të mallkuar.
– Kjo që po thoni ju është e padurueshme. Është patetike. Ne kemi urdhër princëror!
– Patetike është kjo që kërkoni ju, – vazhdoi kryebashkiaku. – Poeti e ka lënë me gojë. Po e përsëris. Mos t’i treten eshtrat, ka thënë, kush më dërgon rishtaz atje. Dhe kishte të drejtë. Ku ishin fjorentinët kur nuk e deshën të gjallë? Kur e poshtëruan për së gjalli? Kur ia morën të gjitha pasuritë? Kur e dënuan me varje në mungesë? Kur e damkosën si tradhëtar i qytetit? Ku ishin ata, kur ia nxinë jetën krejt? Kur i mjeri poet, me hidhrimin në gjoks, bridhte si shpirt i dënuar nga një oborr princëror në tjetrin, duke kërkuar mbështetje politike. Strehë! Ku ishte Sinjoria fjorentine? Ku ishte? Hë më thoni! Ah po! Veç më pas. Kur vargjet e tij morën famë dhe recitoheshin gjithkund; veç më pas, u kujtuan që kishin dëbuar, përbuzur, poshtëruar, njeriun më të shquar dhe të ndritur që ky truall ka nxjerrë ndonjëherë. Ju e dini shumë mirë, që nuk ka figurë më të ndritur se sa ky Poet. –
Tani Kryebashkiaku, nga entuzjazmi dhe zjarri i shenjtë, ishte ngritur në këmbë. Ndërsa fliste sa me duar sa me këmbë, krejt i eksituar nga fjalët, gati sa nuk hidhej përpjetë. Fjalët i shqiptonte me zë të lartë.
Jashtë, shiu vazhdonte të përplasej me zhurmë mbi qelqet e gjëra. Era fërshëllente fort. Ajo vinte me uturimë, duke vazhduar të futej nga të çarat e derës dhe të dritareve. Ishte errësuar disi. Tutje, mbi tavolinën mbuluar me cohën e kuqe, rrinte e heshtur molla e sherrit. Arka më e famshme e çizmes. Mbi të, 188 vjet më parë, një prift kishte shkruar me një kaligrafi elegante, në latinisht, fjalët: “Dantis ossa ….”
– Pra ju rrefuzoni të zbatoni urdhëresën qeveritare?”
– S do mend!
Skulptori, tepër i indignuar, me një lëvizje të shpejtë, gati të pakontrolluar, u ngrit nga divani elegant dhe pa nga kolegu i tij, prifti. Edhe prifti u ngrit.
– Do ta zgjidhim ndryshe këtë çështje! – tha dhe u nis drejt portës pa e përshëndetur.
Tek ecte, nuk i bëri ballë tundimit të shihte edhe një herë nga arka një metër e gjatë dhe 60 cm e lartë, brenda së cilës, preheshin eshtrat e të ndjerit.
Kur doli, dera as nuk u përplas fort, as nuk u mbyll me kujdes, mbeti pak e hapur, si të donte të linte ende të lirë shtegun nga ku eshtrat mund të niseshin me një karvan specjal drejt qytetit të tij të lindjes. Mysafirët dolën nën shi.
Kryebashkiaku, akoma i zemëruar, shkoi drejt arkës dhe hapi kapakun e sipërm. Brenda, mbledhur së bashku, rrinin një grusht eshtrash. Nisi t’i vështronte kafkën me kujdes. Në atë zgavër, tani krejt bosh, kish lëvrirë një botë e tërë. Kish jetuar aty fort përtejjeta. E njëjta përtejjetë, ku tani shpirti i tij endej pa fund. Ju gjendej shpirti i tij vallë? “Tek Drita shpresoj!” belbëzoi Konti. Sytë i mbante të përqëndruar. Ndërsa me mend, mundohej të rindërtonte, aventurën e gjatë të atyre kockave. Që kur kishte qenë i gjallë, po ashtu edhe mbas ikjes nga kjo botë, ato të shkreta kocka nuk kishin gjetur kurrë paqje. “Ky na qenka fati i njerëzve të mëdhenj!” mendoi dhe mblodhi dëshpërueshëm buzët.
Kish filluar kjo aventurë plot fshehje eshtrash, humbje të tyre, rigjetje, varrosje dhe zhvarrosje, që nga çasti kur Poeti kishte dhënë shpirt. Para se të jepte shpirt, tek vuante nga ethet e shpejta dhe të rënda që e rrëzuan në tokë, para se ta kallnin në arkëmort, Poeti kish folur fare qartë. Por ja që fama e Poetit kish filluar të rritej gjithnjë edhe më shumë. Dhe së bashku me famën, rritej edhe zjarri i fjorentinëve që t’i sillnin eshtrat e tij në qytetin e lindjes. Hapin e parë të pendesës, fiorentinët e kishin bërë gjatë Jubileut të vitit 1350. Sinjoria, me propozim të Shoqërisë së OrsanMikeles, kish ngarkuar shkrimtarin më të shquar të saj: Xhovani Bokaçion, të shkonte në Ravenë dhe t’i dhuronte vajzës murgeshë të Dantes, Beatriçes, dhjetë fiorina ari, në shenjë dëmshpërblimi moral dhe pendese nga ana e Sinjorisë fjorentine për faktin se ishte sjellë shumë keq me Poetin Hyjnor. Murgesha e kishte pranuar xhestin e pendesës. Qytetarët e saj, kishin bërë edhe shumë orvatje të tjera. Deri edhe Lorenco il Magnifico kish tentuar, por nuk ia kish arritur qëllimit. Kishte qenë viti 1519. Papa Leone X, i cili vinte nga familja Mediçi, kish dërguar një urdhëresë papale, e cila mbante brenda edhe firmën e Michelangelos. I cili kish premtuar se do t’a gdhendte vetë varrin e Poetit. Këtë herë Françeskanët e Kishës më të madhe në Ravenë, nuk kishin nga t’ia mbanin. Urdhëresa e Papës ishte e gjithpushtetshme, ndaj duhej me doemos t’i dorzonin eshtrat e Poetit.
Por ja që delegacjoni fjorentin e kishte gjetur sarkofagun bosh. Franceskanët e Kishës së San Franceskos, sapo kishin marrë lajmin se delegacjoni ishte nisur, fshehurazi, përmes një të çare në mur, i kishin nxjerrë eshtrat e poetit nga varri o tij dhe i kishin fshehur gjethkë. Kishin mbetur në sarkofag veç tre falangje të dorës. Për 158 vjet me rradhë, vendi i eshtrave të poetit, ishte mbajtur sekret duke u trashëguar gjeneratë mbas gjenerate nga priftërinjtë e atij urdhëri. Vite më vonë, po fshehurazi, prifti Antonio Santi, kish ndërtuar një arkë, – arkën që tani kryebashkiaku Rosponi e mbante në zyrë -, dhe kish futur brenda eshtrat, duke i gjendur një vend të ri; larg sarkofagut bosh të poetit. Nga viti 1677, deri me ardhjen e Napoleonit në fuqi në vitin 1810, sekreti i eshtrave ishte ruajtur nga priftërinjtë e urdhërit me një fanatizëm të shfrenuar. Kur Françeskanëve me urdhër të Naopleonit iu desh të braktisnin Manastirin, atëherë, po fshehurazi, i kishin murosur eshtrat tek një zgavër në mur, i cili natyrisht, mbahej sekret.
Më pas, me siguri do të kishte ndodhur diçka tepër e rëndë. Një murtajë, një luftë, a ndoshta vdekje e papritur e priftit Sarti. Por e vërteta qëndronte, që asnjë nga priftërinjtë nuk ishte më në dijeni të sekretit. Eshtrat ishin shpallur zyrtarisht të humbura. Për 55 vjet të tjera, nga viti 1810 deri në vitin 1865, askush nuk dinte asgjë.
I mjeri Poet. Kur kishte qenë gjallë, ishte fshehur nga Guelfët e Zinj të cilët e kërkonin me çdo kusht ta vrisnin si tradhtarë të atdheut. Edhe tani, i vdekur, fshihej po nga fjorentinët, të cilët me çdo kusht kërkonin ta varrosnin në qytetin e tyre. Kishte ardhur edhe 27 Maji i vitit 1865. Ravenatët për 600 vjetorin e lindjes së Poetit Hyjnor, kishin ndërtuar Varrin e ri, por ah, eshtrat e Poetit kishin humbur.
Gjithçka kish ndodhur krejt rastësisht. Gjatë punëve për restaurimin e Godinës së shenjtë, kryemjeshtri po godiste me kazëm një mur të vjetër. Tek e godiste, veshi i tij i stërvitur, nuk kish gabuar. Ajo zhurmë e shurdhët, si prej grope, tregonte që përtej murit, kishte një një zgavër.
Kryemjeshtri murator Feleti ishte bërë kurjoz. Po po, kishte një boshllëk. E kish shembur murin e hollë dhe kish pikasur arkëzën e vogël. Ç kishte brenda ajo arkëz e murosur? Një thesar? Kish filluar t’i rrihte fort zemra. Kish parë anash si papagallët. Pastaj kish hequr copat e gëlqeres, fragmentet e tullave dhe me një furçe kish pastruar arkën nga pluhuri. E kish ngritur peshë dhe e kish tundur. Një kërkëllimë e shurdhët vinte nga brenda. Nuk peshonte. “Ç të ketë vallë?” kish pyetur. “Florinj, bizhu, orendi të çmuara?” Me duart e padurimit, falë sqeparit, e kish shqyer pjesën e sipërme të arkës. Zhurma e gozhdëve të ndryshkura që shqyheshin, kish prodhuar një kërrcitje që e grishte në shpirt. Një erë e rëndë pluhuri shekullor, i kish shpuar hundët. E njihte erën e vdekjes! Erën e rëndë të mykur. Kish futur dorën brenda. “Kocka!” kish thënë me dëshpërim. “Me siguri, do të ketë qenë një prift i rëndësishëm!” Kryemjeshtri ishte analfabet. Kur ndihmësi ishte kthyer, ai i kishte thënë: “Merre atë arkën aty dhe hidhe tek plehrat!”
“Ta hedh tek plehrat?!” ia kish kthyer ndihmësi.
“Po. Kocka janë. Nuk dihet se të kujt!”
Kjo ngjarje kish ndodhur me 27 maj të vitit 1865. Ndihmësi, një student 18 vjeçar, fatmirësisht njihte latinishten. Tek po e shihte arkën, i shtyrë nga një kurjozitet djegës, kish pikasur germat latinisht shkruar me kujdes anash arkëzës. “Dantis Ossa.” Anastazio Mateuçit, gjimnazistit që i lexoi, kish filluar ti rrihte zemra fort. Tre herë e kish lexuar mbishkrimin, po tre herë e kishte përjetuar gjithçka si të kish qenë në ëndërr. “Ajo arkë mbante brenda eshtrat e Poetit Hyjnor! E pabesueshme!” Nga aty fjala kishte marrë dhenë. Derisa kryebashkiaku Rosponi, Kont i nderuar, antropolog dhe njeri i kulturës, kishte ardhur me të shpejtë për të verifikuar dhe për t’u kujdesur për gjithçka. Specjalistët kishin bërë verifikimet e duhura. I mungoni eshtrave tre falangje, të cilat përputheshin krejtësisht me tre falangjet e mbetura në varrin bosh, që nga ajo kohë e largët, kur Papa i Mediçëve…. Tre falangjet që kishin mbetur tek varri bosh, përputheshin me pjesën tjetër të eshtrave që ndodheshin në arkëz. S kishte dyshim: ai ishin të Poetit Hyjnor.
Në mes të bujës, entuzjazmit dhe etheve të lajmit sensacjonal, arka, së bashku me eshtrat, ishte ekspozuar në qytet në një urnë kristali për tre ditë si relike. Ishte shkulur e tërë toskana të shihte eshtrat e Poetit. Pastaj i kishin futur në tempullin ku gjenden edhe sot e kësaj dite. Në Ravenë. Një spostim i kobshëm, kish ndodhur edhe gjatë luftës së dytë botërore. Fretërit, nga frika e bombave aleate, i kishin nxjerrë nga sarkofagu dhe i kishin varrosur pak më tej, për t’i zhvarrosur rishtaz pasi lufta kishte mbaruar.
Fjorentinët nuk e patën kurrë Poetin e tyre. Edhe sot e kësaj dite, çdo të djelë të dytë të shtatorit, një delegacjon fjorentin, shkon në Ravenë dhe i dhuron qytetit, vajin për kandilin e varrit, i cili qëndron përjetësisht ndezur.


