Një vlerësim kritik mbi studimin “Shpikja e Mesjetës: Vetja dhe Tjetri në medievistikën shqiptare” të Doan Danit
Studimi “Shpikja e Mesjetës: Vetja dhe Tjetri në medievistikën shqiptare” i Doan Danit i botuar në vitin 2016, paraqet mjaft interes për diskutimin që i bën historiografisë shqiptare. Kjo sprovë është pjesë e debatit që zhvillohet në Shqipërinë post-komuniste mbi identitetin e shqiptarëve dhe raportet e tyre me Europën. Në këtë punim, Dani, i frymëzuar sidomos nga medievsiti i njohur Patrick Geary, zbërthen se si studimi i Mesjetës ka shërbyer si një funksion i programit nacionalist shqiptar dhe shpikjes së identitetit. Po njëlloj si Geary, Dani kërkon të dekonstruktojë narrativat që mëtojnë vijimësinë midis europianëve modernë dhe “paraardhësve” të tyre mesjetarë. Duke e parë komb-ndërtimin në Shqipëri si një projekt intelektual thellësisht të lidhur me ndërtimin e një narrative që theksonte orientimin perëndimor të shqiptarëve, Dani shtjellon se medievistika shqiptare është përshkuar nga Orientalizmi, i kuptuar si demonizim i Perandorisë Osmane dhe minimizimi i trashëgimisë bizantine dhe ndërshkëmbimeve me fqinjët. Në këtë mënyrë, akademia, në vend që të kërkojë gjetjen e të vërtetës, ka shërbyer si një instrument politik që ka synuar të krijojë mitin e identitetit kombëtar të shqiptarëve si perëndimorë duke nxitur urrejtjen për Orientin dhe fqinjët.
Për të çmitizuar këtë narrativë, Dani arsyeton se shqiptarët nuk kanë kaluar nëpër të njëjtat procese historike si Perëndimi, e prandaj ata nuk janë perëndimorë. Një nga elementet qendrore të argumentit të tij është teza se në Shqipëri feudalizmi, të cilin Dani e identifikon si një dukuri thellësisht perëndimore, ka qenë mjaft e kufizuar. E këtu, ai përplaset edhe me historiografinë shqiptare, sipas së cilës feudalizmi ka qenë mënyra dominuese e prodhimit në formacionin social të shqiptarëve gjatë Mesjetës. Rrënjën e skemës që shqiptarizon feudalizmin, ai e gjen te marksizmi dhe adoptimin e tij prej historiografisë komuniste shqiptare. Dani, nënvizon se funksioni i feudalizmit si kategori qendrore në shkrimin e historisë ishte për t’i identifikuar shqiptarët me Perëndimin dhe për t’i ndarë ata nga fqinjët ballkanikë – objektiv ky jo edhe aq internacionalist dhe marksist. Punimi i Danit, ka meritën të jetë ndër të parat studime që ngre pikëpyetje mbi eurocentrizmin e narrativës nacionaliste të historiografisë shqiptare; kjo sprovë dëshmon se sa ngushtësisht është i lidhur shkrimi i historisë me programet politike dhe mënyra se si ne kuptojmë dhe analizojmë të shkuarën formësohet nga ligjërimet hegjemone. Gjithashtu, ai nxit studiuesit shqiptarë të mos i marrin për të mirëqena kategoritë analitike që ata përdorin dhe të mos ia nënshtrojnë atyre realitetit – gjë që ndodh rëndom.
E megjithatë, disa prej përfundimeve të Danit meritojnë një vlerësim kritik. Këtu dua të diskutoj në mënyrë të posaçme mbi konkluzionin e tij se koncepti i feudalizmit ka shërbyer për të identifikuar shqiptarët me Perëndimin dhe se kjo skemë është produkt i historiografisë marksiste. Është e vërtetë se historianët marksistë joperëndimorë e kanë përdorur nocionin e feudalizmit për t’ia përshtatur historisë së vendeve të tyre brenda skemës marksiste, sipas së cilës feudalizmi ishte një formacion social që i paraprinte kapitalizmit – gjë që argumenton për rastin kinez edhe historiani Arif Dirlik, të cilin Dani e referon. Dirlik ka argumentuar se historiografia kineze ka qenë thellësisht e ndikuar nga interesat politike të ditës. Medievistët kinezë të viteve 30-të të shekullit XX, të cilët shpesh ishin edhe politikanë, e përdorën konceptin e feudalizmit si një mjet për të integruar historinë e Kinës në metanarrativën e historisë universale të marksizmit, e cila ishte thellësisht eurocentrike. Prej viteve ’80, në përputhje me objektivin e integrimit të Kinës në rrjetin kapitalist global dhe me përpjekjet e udhëheqjes së PKK-së për të gjetur një rrugë kineze të zhvillimit ekonomik, medievistët kinezë nisën të flirtonin me idenë e një feudalizmi kinez që nuk përputhej me modelin universalist marksist. Por ka edhe një pikë tjetër që Dirlik vë në dukje: në Kinë, si historianët marksistë e jomarksistë, e kanë përdorur kategorinë e feudalizmit në të njëjtën mënyrë. Madje, ai vë në dukje se qysh në vitet ’30, feudalizmi ishte pjesë e rëndësishme e zhargonit politik modernizues të Guomindangut, armikut politik të komunistëve, që deklaronte se kishte për qëllim kryesor zhdukjen e feudalizmit.
Qysh në vitet ’20, edhe Shqipëria ziente programe të ndryshme, ku në thelb feudalizmi trajtohej si “Tjetri” që duhej eliminuar. Ligjërime të tilla politike gëlonin në krejt Ballkanin, Itali, Spanjë dhe Turqi. Pra feudalizmi ishte armiku i modernizuesve, të cilët e konsideronin atë si burimin e të gjitha të këqijave dhe prapambetjes. Gurra ideologjike e këtyre programeve ishte diskursi të përparimit – gjë të cilën edhe Dani e përmend, por pa i dhënë rëndësinë e nevojshme për të kuptuar funksionin që feudalizmi ka luajtur në imagjinarin politik, e për rrjedhim edhe historiografik shqiptar. Në këtë kuptim, feudalizmi ka përfaqësuar prapambetjen dhe stanjacionin. Këtë kanë pohuar pa ndërprerje modernizuesit shqiptarë, spanjollë, italianë, grekë, turq, egjiptianë, indian e kinezë – dhe lista mund të vazhdojë edhe më. Në terma Levi-Strosian, për të gjithë pjesëtarët e këtij grupi, që kërkonin të nxehnin shoqëritë e tyre, feudalizmi simbolizonte shoqërinë e ftohtë.
Ndryshe nga sa pohon Dani, në ligjërimin politik dhe historiografik shqiptar, feudalizmi ka pasur gjithmonë ngjyrime negative dhe jo pozitive. Pushtimi dhe administrimi osman janë demonizuar rregullisht në historiografinë tonë jo vetëm për shkak të Orientit dhe Islamit, sikundër pretendojnë kohët e fundit shumë dekonstruktivistë dhe çmitizues. Argumenti kryesor i vlerësimit negativ të sundimit osman ka qenë identifikimi të tij me feudalizmin. Është pikërisht kjo arsyeja pse Perandoria Osmane anatemohet në krejt Ballkanin; jo thjesht pse ajo identifikohet me Islamin, por mbi të gjitha identifikohet me prapambetjen feudale dhe shihet si rrënja e varfërisë së kombeve të siujdhesës. Një nga arsyet kryesore të stigmatizimit të Islamit ka qenë sepse ai është vlerësuar si një sistem ideologjik që nuk nxiste zhvillimin – bindje kjo tashmë gjerësisht e kritikuar. Vlerësimin që historiografia shqiptare i bën pushtimit osman është tepër i nuancuar. Ndërsa medievistët dhe osmanologët shqiptarë theksojnë se trevat shqiptare ishin në një shkallë të avancuar të feudalizmit, ata nuk thonë se ky i fundit ishte pozitiv. Përkundrazi! Nëse ka një konstante në punën e tyre është cilësimi negativ i feudalizmit. Por ata argumentojnë se përpara pushtimit osman, feudalizmi ishte në kalbëzim dhe si rrjedhojë Shqipëria po futej në rrugën e krijimit të një monarkie absolute. Pra, kishte hyrë në fazat e para të shkërmoqjes graduale të organizimit feudal dhe ky tranzicion, nëse nuk do të kishte ndodhur pushtimi osman, do të çonte më pas në kapitalizëm. Asnjë historian shqiptar nuk ka mëtuar se në shekullin XV në Shqipëri kishte filluar të shfaqej kapitalizmi. Sipas tyre, pushtimi osman ndërpreu këtë proces pasi ricikloi një feudalizëm që trevat shqiptare e kishin kapërcyer. Si pasojë e këtij pushtimi, thonë ata, kapitalizmi do të shfaqej vetëm në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare.
Kuptohet se narrativa nacionaliste e futur brenda skemës teleologjike marksiste dhe eurocentrike mund të kritikohet në cilindo front të mundshëm. Megjithatë, konkluzionet e saj nuk duhen shtrembëruar. Marksistët dhe jo marksistët e kanë parë feudalizmin si një formacion shoqëror që pengon zhvillimin, i ndërtuar për të ruajtur stanjacionin. Kështu, rrënja e përdorimit të feudalizmit nuk do parë te marksizmi. Fundja Marksi ishte produkt i Iluminizmit dhe e gjithë teoria e tij u frymëzua prej ideologëve të “shekullit të dritave”. Marksizmi ishte produkt i shekullit XIX i cili mbarte vulën e epokës ku progresi fetishizohej dhe gjithçka që e pengonte atë demonizohej. Kuptohet që përdorimi i feudalizmit si nocion themelor në periodizimin historik e integronte historinë e Shqipërisë në historinë e Europës perëndimore, por kjo ishte më tepër një rrjedhojë se sa objektivi kryesor i historianëve, intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë. Për ta, qëllimi kryesor ishte zhvillimi i Shqipërisë, që jo pa të drejtë, e kanë parë nga modelet shekullare dhe laike europiane. Në dy shekujt e fundit, asnjë vend jo europian nuk ka arritur të faktorizohet pa përvetësuar arritjet e qytetërimit modern industrial të zhvilluara në hapësirën e Atllantikut të veriut – pjesë e të cilit ka qenë edhe sistemi sovjetik. Kundërshtarët e këtyre transformimeve janë ngritur pikërisht kundër arritjeve të Iluminizmit dhe shekullarizimit. Nën flamurin e rebelimit të dhunës së modernitetit, ata mundohen të esencializojnë Europën dhe ta identifikojnë atë vetëm me racizmin dhe imperializmin.
Të kërkojmë të kuptojmë të shkuarën dhe ta çlirojmë atë nga gjuha e urrejtjes është një gjë dhe të kërkojmë revansh nëpërmjet viktimizimit historik është një gjë krejt tjetër – praktikisht është të krijosh një gjuhë tjetër urrejtje. Emancipimi i historisë shqiptare dhe rehabilitimi i zërave të shtypur nuk vjen duke kaluar nga euroteizmi në orientoteizëm; apo në viktimizimin e Orientit, që shfaqet gjithnjë e më shumë së fundmi në Shqipëri. Ndërsa të gjithë merren me Orientalizmin, stigmatizimin e Lindjes prej Perëndimit, askush nuk diskuton dhe dekonstrukton të anasjellën: ligjërimin antiperëndimor dhe mitet e tij në vendet e Azisë dhe Afrikës. Ndoshta ka ardhur koha të studiohet edhe në Shqipëri. Shembujt për këtë nuk mungojnë.