More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArta Marku Qëndro: Márquez përballë Márquez

    Arta Marku Qëndro: Márquez përballë Márquez

    “Pavarësisht nga natyra e shoqërueshme dhe rehatia në dukje që i jepte jeta publike, babai ishte njeri privat, ndonjëherë edhe i mbyllur […] Përherë dyshonte në të qenët i famshëm dhe në suksesin letrar […] Na kujtonte ne dhe vetes, se as Tolstoi, as Prusti apo Borgesi nuk arritën të merrnin çmimin Nobel sikundër edhe tre shkrimtarët e tij të parapëlqyer Virxhinia Vulf, Huan Rulfo dhe Graham Grin. Shpesh i dukej se suksesi i tij nuk ishte diçka që e kish arritur vetë, por diçka që i kishte ndodhur”.

    ***

    Është babai, shkrimtar i madh njëkohësisht, fat i pak bijve.

    Them është, pasi, sadoqë në prill të vitit 2014 u nda nga bota e të gjallëve, vazhdon të jetë në biblioteka e sidomos në duar lexuesish, nëpërmjet librave të tij, historive, personazheve dhe kjo është diçka e pandryshueshme.

    Gabriel Garcia Marquez sapo është rishfaqur. Nën titullin “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes” (botimet Onufri 2021, përkth. Engjëllushe Shqarri), nuk rrëfen ai, si gjithnjë, për personazhet apo veten. Rrëfimi i takon të birit.

    Rodrigo Garcia, njëri prej djemve të shkrimtarit, shkruan skenarë, por është kaq e natyrshme që kësaj here t’i kushtohet një tjetër lloj rrëfimi. Një autorrëfim që e vë birin përballë atit. Një rrëfim i nevojshëm, i domosdoshëm. Për rrëfimtarin padyshim. Por sidomos për të tjerët. Sepse “babai u përkiste shumë edhe njerëzve të tjerë”.

    NË TË DY ANËT E VDEKJES

    Nuk ka gjë më të mirë sesa një gjë e shkruar mirë” e pat dëgjuar të atin të thoshte. E ka ngulitur fort në kujtesë, paharrueshëm edhe një lloj porosie: “Nëse jetoni dot pa shkruar, mos shkruani”. Birin nuk e shqetëson ndonjë dilemë sadoqë përballë shkrimit markesjan nuk mundesh veç të ndihesh i vogël. Momenti është special: vdekja në mes. Padyshim ka mundimet e veta ky lloj shkrimi. “Të shkruash rreth vdekjes së njerëzve të dashur duhet të jetë e vjetër sa vetë shkrimi megjithatë ngasja për ta bërë më krijon një lëmsh në fyt”. Por s’ka rrugë tjetër. Jo vetëm se është dikush që nuk jeton dot pa shkruar. Mbi të gjitha sepse vetë shkrimtari i madh “një nga gjërat që urrente më së shumti ishte se Vdekja qe e vetmja gjë në jetën e tij për të cilën nuk do të mund të shkruante”. Sigurisht, Vdekja është ajo që gjithnjë e merr situatën në dorë, nuk e lejon njeriun të vendosë përkundër vullnetit të saj. Kush e ka provuar e di mirë. Kësisoj, s’mbetet veç t’i takojë birit ta bëjë teksa është i bindur se i ati do t’ia falë shkrimin.

    Shkrimet janë të ndryshme, s’mund të ngjajnë. Jo vetëm se njëri është shkrimtari i madh e tjetri jo. Së pari dallimi qëndron te këndvështrimi: njëri e sheh nga jashtë, tjetri, nëse do të ishte e mundur, do ta shihte së brendshmi. S’ka si të ketë përputhje.

    Sidoqoftë rrëfimi ia vlen.

    ***

    “Mëngjesin e një ditëjave të marsit 2014 i telefonoj nënës dhe ajo më thotë se babai ka dy ditë që ka zënë shtratin me rrufë. Nuk është diçka e pazakontë për të por ajo më siguron se kësaj here është ndryshe. “E ka prerë të ngrënët dhe nuk do të çohet. Nuk është vetvetja. Nuk ka fuqi […] Kësaj here nuk do t’ia hedhim”, është prognoza e saj”.

    Të shkruash për vdekjen është sfidë. Një sfidë, ndoshta, e krahasueshme për nga pesha, me ballafaqimin me të, me luftën me të, me mendimin se Vdekja është më e fortë. Ne asnjëherë nuk e perceptojmë apo përjetojmë vdekjen si diçka që na përket mirëfilli. Njëfarësoj njeriu mund ta shohë tek i afrohet vdekjen e tij, por kurrë takimin e njëmendtë. Epikuri nuk i trembej: nuk do ta takoj kurrë, thoshte. Kur jam unë nuk është ajo. Kur të jetë ajo, nuk jam më unë. Por këndvështrimi filozofik është tjetër gjë e ballafaqimi në realitet është tjetër. Sidomos është frikësuese vdekja ngase “rrallëherë qëllon të na zhgënjejë” – e di mirë edhe rrëfyesi i lamtumirës së Marquez-it. Sidoqoftë, pasi ajo e ka marrë prenë e saj e është larguar me të, dikush tjetër mund të ulet e të shkruajë mbi çfarë ka parë e përjetuar.

    Cila është vlera?

    Është e ndryshme nga hera në herë, nga rrëfimi në rrëfim deri edhe varësisht faqes së ndryshme të prizmit përballë të cilit je. Vdekja është “një ndodhi që nuk vjetërohet kurrë”. Gjithnjë ndryshe, gjithnjë e re, gjithnjë e panjohur sidomos.

    Frikën nga vdekja përpiqemi ta mundim nëpërmjet ngulitjes në kujtesë të kohërave kur ajo nuk ishte. Një arsye e rëndësishme për shkrimin, kjo. Për Rodrigon aq sa për të gjithë që shkruajnë, sa herë shkruajnë një rrëfim të ngjashëm me atë të Rodrigos. Lexuesit munden të heqin paralele me veten, me rrëfimet e bëra e ato të pabëra. Me rrëfimet e pezullta që kushedi një ditë, dikush, ndoshta, do t’i bëjë.

    Në çdo rast, rrëfimi për vdekjen është i stërpikur me copëza leksionesh jete. U vlejnë të gjithëve, e kujtdo qoftë vdekja. Kur është e Marquez-it akoma më shumë.

    PYETJE & PENGJE

    “Kur vëllai e regjistron babain në spital administratorja brof nga emocionet sa dëgjon emrin e tij: “O Zot i madh! Shkrimtari? A ju vlen keq t’i telefonoj kunatës e t’ia them?” Ai i përgjërohet të mos e bëjë dhe ajo pranon me gjysmë zemre. Babain e vënë në një dhomë relativisht të izoluar, në fund të  korridorit, për ta mbajtur larg syve të botës por, pa kaluar mirë gjysma e ditës  mjekët, infermierët, sanitarët, teknikët, pacientët e tjerë, punëtorë të mirëmbajtjes e të pastrimit, mbase edhe kunata e administratores fillojnë e kalojnë para derës së dhomës së tij për t’i hedhur një sy […] Gazetarët kanë nisur të grumbullohen jashtë portës kryesore të spitalit… Kjo na e bën të qartë se sëmundja e babait do të jetë pjesërisht çështje publike. Nuk mund ta mbyllim derën plotësisht”.

    Jo vetëm nuk mund ta mbyllnin derën plotësisht por do të vinte doemos një kohë kur, përkundrazi, do ta hapnin, me vetëdije. Është fjala për Marquez-in.

    Atëherë, cili ishte babai i veshur me mantelin e shkrimtarit të përbotshëm e të gjithëkohshëm?

    Si ishte ai përballë djemve dhe gruas?

    Si punonte, kur punonte, çfarë zakonesh kishte?

    Po manitë, besëtytnitë që shpesh përzihen me ato të personazheve?

    Çfarë shkruante e çfarë humbte në pakthim?

    Si e gjykonte kohën, ikjen e saj, moshën, pleqërinë që afrohej?

    Po pyetjeve të birit si i është përgjigjur?

    Po pyetjet që biri kurrë nuk i bëri çfarë pengjesh ngërthejnë në vetvete?

    Lexuesve vijojnë t’u përvijohen paralele. Zbulojnë shkrimtarin por edhe diçka nga vetja, aty këtu…

    ***

    Rodrigo e pat pyetur të atin në fund të të gjashtëdhjetave:

    -Për çfarë mendon netëve pasi fik dritat?

    -Mendoj se pothuaj gjithçka ka marrë fund […] Një ditë zgjohesh dhe e sheh që je plak. Ja kështu, pa as një paralajmërim. Është e habitshme.

    Kur mbushi tetëdhjetë vjeç biri ia përsërit pyetjen:

    -Po tani si ndihesh?

    -Pamja nga të tetëdhjetat është mahnitëse dhe fundi është pranë.

    -Të tremb kjo gjë?

    -Më trishton pa masë…

    Ku ta dish si është pamja nga të tetëdhjetat kur nuk je tetëdhjetë vjeç?

    Ku ta dish si do të ndihesh në një moshë që është ende larg?

    Çfarë dimë me siguri është e tashmja, ndoshta. Të ardhmen përpiqemi ta përfytyrojmë, ta marrim me mend por me gjasë jemi larg realitetit. Duket sikur pleqëria vjen ngadalë, aq ngadalë qëllimisht që të mësohemi me të. Ata që e arrijnë padyshim janë fatlumët. Por u trishtokan, megjithatë, kur ajo vjen.

    Rodrigo flet për mizorinë e pyetjes së tij. Me gjasë, mizore duhet të jetë mungesa e pyetjes. Pa të kujtesës, kujtesës si një pazëll, kish për t’i munguar një gur. Shkëlqyes po aq sa gjithë të tjerët që të ndihmojnë për ta perceptuar figurën sa më shumë të jetë e mundur, pa hije.

    Çfarë është fundi? Si është ai? Se që të mos jetë, është e pamundur.

    Më vjen keq që nuk i pyeta për shumë hollësi të jetës së tyre, për mendimet më të fshehta për shpresat dhe gjërat që i frikësonin”.

    E kush nuk e ka provuar një ndjesi të tillë keqardhjeje, por gjithnjë është vonë për disa pyetje të pabëra. Dhe nuk janë pak. Gjithnjë, nuk janë pak. Rodrigo e dëshmon.

    Do të doja të dija se si prindërit e mbanin mend veten të rinj ose të kisha ndonjë ide sado të vogël se si e shihnin vendin që kishin në botë dhe kohën kur jetët e tyre ishin të kufizuara në qytetet e fëmijërisë. Çfarë nuk do të jepja për të ndenjur një orë me babain çapkën 9-vjeçar apo me nënën 11-vjeçare, kur nuk kishin si ta përfytyronin jetën e jashtëzakonshme që i priste”.

    Pengjet për pyetjet e pabëra fillojnë e përvijohen vetëm pasi vdekja ka kaluar aty pari. Atëherë kur nuk ka më kthim pas. Shkrimi mund të rikuperojë diçka si një fije që lidh njerëz nga dy botët ku gjendet secili: ai që ka ikur e ai që ka mbetur. Është njëfarë terapie, pavarësisht subjektit që ngurtëson në letër. Sikurse për Marquez-in vetë që “makinën e shkrimit kishte terapinë e tij”. Depërtonte botëve ku mund të hynte vetëm ai. Por jemi te rrëfimi i tjetrit, prej së jashtmi…

    LABIRINTE LETËRSIE

    “Kur ishim fëmijë nëna na dërgonte ndonjëherë në studion e tij për t’i thënë ndonjë gjë. Ai ndalonte së shkruari dhe kthehej nga ne teksa i përcillnim mesazhin e saj. Na shihte tejpërtej me kapakët e syve gjysmë të mbyllur me një cigare në njërën dorë dhe një tjetër që digjej në tavëll, dhe nuk përgjigjej. Nganjëherë shtoja: më duket se nuk më dëgjove ç’thashë, apo jo? Përsëri nuk merrja përgjigje edhe pasi largohesha vazhdonte të qëndronte në të njëjtin pozicion, me fytyrë nga dera, i përhumbur në labiritin e rrëfimit të tij”.

    Ndërlikimi i labirintit mund të ketë qenë një arsye pse Marquez-i, lexues i panginjur, nuk i rilexonte kurrë librat e vet. Tashmë jashtë labirintit i trembej rrezikut së gjetjes së të metave gjë që do ta bënte t’i vinte turp. Mund t’ia shkatërronte krijimtarinë. A do të guxonte të përfshihej në një tjetër labirint, tërësisht iracional, sërish?

    Gjatë punës, disa labirinte nuk e çonin në degëzime të tjera por para mureve që s’i kapërcente dot. Kthehej pas e dilte jashtë. Thërriste pastaj djemtë që ta dihmonin për të grisur versione të tëra të mëparshme të librave e për t’i hedhur në plehra. Ishte kundër ruajtjes së punëve të pambaruara. Kushedi në ç’labirinte të mundimshme ish endur teksa nuk kish dalë dot matanë.

    I rrëfen i biri duke pranuar edhe pjesën racionale. Aty gjendej besimi se disiplina e fortë ishte një nga gurët themeltarë të shkrimit të një romani që mbetej një “terren i rrezikshëm”. Aty gjendeshin libra autorësh të dashur të cilëve nuk ua mohonte rileximin, gjendeshin fjalorët dhe librat me referenca gjuhësore… “nuk e pashë kurrë të mos ia dinte kuptimin një fjale në spanjisht”…

    ENIGMAT E PËRJETSHME

    Rodrigo Garcia sheh të bijën që ka mbërritur me një tufë trëndafilash të verdhë. Nuk është një zgjedhje e rastësishme e mbesës për gjyshin. Lulet e verdha ishin të preferuarat e tij. I mbante gjithnjë në tryezën e punës. Kurrë nuk ulej të shkruante pa pasur një lule të verdhë. “Besonte se i sillnin fat” – pohon i biri. Por tashmë, ç’kuptim ka fati për Marquez-in? Ndoshta e ka një kuptim sepse mundet që vdekja nuk është fundi, kurrsesi një zhdukje. Me gjasë është kalim nga një botë në një tjetër, sadoqë ekzistencën e asaj tjetrës askush, deri më tash, nuk është kthyer të na e zbulojë. Por janë disa shenja të çuditshme, megjithatë:

    ***

    “Vonë atë mëngjes gjetën një zog të ngordhur brenda në shtëpi. Atë që dikur ishte një verandë me pamje nga kopshti, e kishim mbyllur për të krijuar një ambjent për vizita dhe për ngrënie. Muret janë prej xhami kështuqë mendohet se zogu që ka hyrë brenda, nuk ka ditur të dalë, është përplasur pas xhamit dhe ka rënë i ngordhur mbi divan, më saktë në vendin ku zakonisht rri babai…”

    Në mesditë, më njoftojnë se “babait i ka pushuar zemra”. Ishte e Enjtja e Madhe…

    “Pak kohë pasi lajmi i vdekjes së babait u bë publik, sekretarja e tij merr një mail nga një mikeshë me të cilën ka kohë pa folur. Ajo e pyet nëse e dinim që Ursula Iguaran, një prej personazheve të famshëm të tij po ashtu ka vdekur të Enjten e Madhe. Në mesazhin elektronik ka futur një pjesë nga “100 vjet vetmi” dhe kur e rilexon, sekretarja zbulon se pas vdekjes së Ursulës zogjtë e çorientuar fluturonin nëpër mure dhe binin përtokë të ngordhur…”

    Vetëm Marquez-it mund t’i ndodhë një gjë e tillë? Apo gjithnjë e për gjithkënd ca shenja të çuditshme e të pashpjegueshme fluturojnë rrotull, në ajër?  Me gjasë po, veç nuk janë sytë për t’i parë. Realiteti nuk duhet të jetë veç çfarë mundemi të perceptojmë me shqisa. Një shtresë e parë e sipërme, e dukshme dhe e prekshme është e lidhur, me siguri, me njëmijë fije me shtresa e nënshtresa. Ne herë s’e kemi mendjen, herë s’jemi në gjendje t’i dallojmë e të tjera herë harrojmë, harrojmë. Harresën qëllimisht dikush a diçka e ka futur brenda qenies njerëzore për ta bërë të pamundur lidhjen me njëra-tjetrën të fijeve të çuditshme që diçka kishin për të qartësuar. Për ta lënë përjetësisht mbështjellë nga një enigmë, nga pakuptueshmëria. Edhe Marquez-i vetë, nuk mundi të bëjë lidhje mes shtresave e nënshtresave, mes sipërfaqes mbi të cilën jetonte konkretisht dhe nënfaqeve në të cilat endej gjithsesi. Ose ndoshta e ka bërë, por vonë kur nuk mundej më të në na e rrëfente vetë me fjalë të qarta…

    Paralelet e lexuesve e pamundur të mos vijojnë të zgjaten faqeve të librit “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes”…

    DASHURIA S’KA SHPJEGIM

    Bota është e çuditshme, me fije të padukshme lidh njerëz e përvoja që s’kanë asnjë pikë përkimi mes tyre, mbërritur nga vende e kohë të ndryshme.

    Na sot mund të ishim edhe t’panjohun t’vjetër,

    Por ka në jetë një shteg që t’lidh përherë

    Vetëm me një dhe kurrë me ndonjë tjetër,

    Me sy të tillë dhe kurrë jo me të tjerë…

    Vargjet që Drago Siliqi i shkroi në Tiranën e gjysmës së parë të shekullit XX, në një formë tjetër i përcjell në fillimshekullin XXI djali i Marquez-it tek vizaton me fjalë siluetën e Mercedesit përballë të shoqit në takimin e fundmë me të:

    “Dikur kanë qenë të huaj për njëri-tjetrin, gjë që tani më duket kaq e paimagjinueshme”.

    Shkrimtari i ardhshëm pat qenë 14 vjeç dhe fqinja e tij 10 kur me të qeshur i pat kërkuar të martohej me të duke e bërë të qajë, e trembur. Ishte tepër e vogël. Kushedi çfarë e pat trembur sërish, ditën e martesës që ngurronte ta vishte vellon përpara se të bindej që burri i ardhshëm po e priste te dera e kishës. Pse i paskësh shkuar në mendje rreziku i braktisjes në altar me fustan nusërie?!

    Ja tek është tani, 57 vjet e 27 ditë më pas, përballë trupit të të shoqit. “E vështron në fytyrë, i përkëdhel ballin dhe për një çast është e padepërtueshme”. Pak orë më pas, pavarësisht nga gjithçka, ajo është e lumtur. Kur gjatë ceremonisë presidenti i Meksikës i drejtohet me fjalën Vejusha ajo reagon: No soy la viuda. Yo soy yo (Nuk jam vejusha. Unë jam unë) – thotë nën zë.

    I ka takuar asaj fati që i shoqi TË JETË, përjetësisht. Kanë qenë bashkë për më shumë së gjysmë shekulli. Gjashtë vjet më pas, sërish bashkë do të jenë. Deri atëherë ka vendosur, ndoshta ngase nuk bën dot ndryshe, “të mos falë askënd që nuk i telefonoi më babait pasi humbi aftësitë qoftë edhe për ta përshëndetur. Lista e të këqinjve është e shkurtër, por po të jesh në të, të ndihtë perëndia”.

    Nuk e njeh të tillë tolerancë një histori e madhe dashurie.

    EPILOG

    “…Çdo pasdreke prindërit merrnin një sy gjumë. Babai na porosiste ta zgjonim nëse kalonte një farë ore […] Po t’i rrije pranë apo ta shtyje pak kur e zgjoje, ai trembej aq shumë sa zgjohej duke bërtitur dhe duke tundur krahët sikur donte të mbrohej nga diçka apo dikush, i tmerruar duke gulçuar. I duheshin disa çaste derisa të kthehej në botë…

    Detaje të pazakonshme pranë një babai të jashtëzakonshëm që birit i takon t’i rrëfejë. Asnjëherë deri në fund, ama. Se fundi është i padallueshëm.

    Njeriu ka tri jetë – paskësh thënë Gabriel Garcia Marquez – publiken, privaten dhe të fshehtën”.

    E fshehta mbetet përjetësisht e tillë. Madje edhe për njerëz që jetojnë në të njëjtën hapësirë të përbashkët. Se “Shtëpia është një vend i ndryshëm për secilin nga pjesëtarët e saj”.

    Ndaj kurrë pamja nuk mund të jetë tërësisht e plotë. Disa gurë mozaikut do t’i mungojnë gjithnjë. Sa më i vjetër të jetë e sa më madhështor, aq më shumë gurë kanë për t’i munguar, por nuk e turbullojnë pamjen…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË