More
    KreuOpinionArta Marku: Me dhembjen për veten ngarkuar në kurriz (Për dramën "Letrat"...

    Arta Marku: Me dhembjen për veten ngarkuar në kurriz (Për dramën “Letrat” bazuar mbi tregimin e Ylljet Aliçkës)

    Janë disa personazhe letërsie që të shenjojnë. Paharrueshëm. Pastaj, të shfaqen paparashikueshëm, sa herë diçka prej përditshmërisë i provokon. Kështu edhe personazhi i Markut që e kam zbuluar vite më parë në një tregim të Ylljet Aliçkës. Por, kush është Marku? Pse m’u gërvisht në lëkurë profili i tij?

    E kam lexuar, pa asnjë përjashtim, letërsinë e Aliçkës, qysh në botimin e parë të librit të parë, që asokohe kishte titullin e përgjithshëm Tregime. Sot nuk di të them nëse tregimin Letra e hasa për së pari te botimi me titull Tregime apo ai me titullin Parullat. Por ç’rëndësi ka. Fundja janë dy libra me të njëjtën përmbajtje edhe pse tituj të ndryshëm. Në fakt, në kujtesën time, tregimi është ruajtur me titullin Abetarja e ndoshta është lojë tipike kujtese. Por edhe kjo, më duket, nuk ka rëndësi. Ama, e sigurt është se Marku i atij tregimi më rezultoi  një personazh plotësisht i pashlyeshëm. Siç thashë, nga ata që gërvishtin dhe lenë shenjë. Historia e tij origjinale, unike, e bën të tillë. Një burrë i vetmuar, që e kam perceptuar si të vjetër në moshë edhe pse mund të mos ishte saktësisht i tillë. Një burrë që shkrihej me dimrin, me errësirën, me kohën e keqe, nën shiun dhe bubullimat e së cilës vejevinte brenda një nate të gjatë, sa nga banesa e tij tek dhoma e mësuesit nga qyteti.

    ***

    Ja historiza me pak fjalë: Marku, kishte nevojë për një shtëpi. Kur binte shi, sidomos kur binte shi, për të nuk kishte ndryshim në ishte jashtë apo brenda. Ndaj kishte nevojë për një shtëpi. Por duhej të formulonte një kërkesë të cilën, më pas, do ta dorëzonte në zyrat e shtetit. Kurse ai, nuk dinte në shkruante.

    Mu në mes të një nate të errët, që të vetmin ndriçim kishte dritën e fortë të vetëtimave të shpeshta, atij i vetëtin ideja se mësuesi mund të ishte drita e shpresës së tij. Dhe niset. Shiu më mirë që bije. Le të bjerë. Fundja biografia e tij nuk është aq e bardhë dhe më mirë nëse fshatarët, që shiu i ka mbyllur brenda, nuk e shohin tek hyn e del në dhomën e vogël të mësuesit nga Tirana.

    -Ma shkruaj një kërkesë mësues. Kam nevojë për shtëpi. Ma shkruaj kërkesën. Dëgjoje jetën time. Po ta rrëfej…

    Jashtë shiu vijon të bjerë me rrëshekë. Me zhaurimën e tij në  në sfond që përzihet me kërcitjen e druve që digjen në sobë, teksa Marku rrëfen, mësuesi shkruan. E harton kërkesën. Ai jo thjesht di të shkruajë, por di t’i vendosë fjalët krah njëra-tjetrës si sumbulla të vogla rubini me një shkëlqim lëbyrës.

    -Çfarë ke shkruar mësues? Lexoma letrën!

    -Dëgjoje Mark…

    Dhe mësuesi fillon të lexojë. Papritmas befasohet nga sumbullat e lotëve kësaj here, që Markut i shkasin teposhtë faqeve e i pikojnë nga mjekrra.

    -Çfarë ke Mark?!

    Por, fshatari i vetmuar qenkësh duke “zbuluar” jetën e vet, e zeza mbi të bardhë, në një letër e cila duhet të jetë kërkesa për këshillin që t’i ndërtojë atij një shtëpi të re. Se Marku nuk ka shtëpi. Se jashtë bije shi. Se Marku vetmitar e i varfër ka nevojë për shtëpi.

    Ta marrësh jetën tënde, ta vësh para syve si të jetë jeta e tjetërkujt e të ndjesh lotët të të djegin faqet… A nuk është e papritur?

    ***

    Ylljet Aliçka është identifikuar gjithnjë në letërsinë e vet me tonet e theksuara të humorit. Humor i errët, i zi shpeshherë. Ama humor që teksa e bën leximin të shkasë, varësisht ngjarjes që rrëfehet, të ravijëzon një buzëqeshje që endet në buzë. Kurse historia e Markut është disi ndryshe. Është e dhimbshme. Pa humor, pa cinizën. Është thjesht tragjike. Është filozofike gjithashtu. Se vetëm tragjizmi nuk do të mjaftonte. Është njeriu përballë vetes. Është dhimbja që ndihet më e thekshme tek e merr në duar dhe e sheh ballazi si të jetë e tjetërkujt duke qenë e jotja gjithsesi.

    ***

    Një mëngjes të dhjetorit që sapo shkoi, tek ecja rrugës, m’u përvijua Marku. E çuditshme, s’di ç’mendoja që më shkaktoi një rrëqethje.

    Si Marku i Ylljetit – mendova, – që rrëqethet tek dëgjon jetën e vet, më rrëqethi dhe mua mendimi që më kaloi vetëtimthi… Vazhdova rrugën pa më shkuar në mendje se Marku po më ndiqte. S’kaluan dy orë dhe Ylljeti më la në dorë një ftesë.

    -Eja në teatër, – më tha.

    Marku sërish! Me shkronja të mëdha në ftesë, lexova: LETRA.

    Mbrëmjen e të njëjtës ditë, gjeta vendin tim në sallën e teatrit. Përballë, në qendër të skenës një karrige dhe një llampë që varej mbi të duke u lëkundur. Një djalë i ri fishkëllente lehtas një motiv. Ishte vetëm në skenë dhe aty për aty hamendësova një ngatërresë titujsh a personazhesh. Tregimi LETRA (në kujtesën time ruajtur me titullin ABETARJA) kishte dy personazhe në fakt. Kishte Markun e pashlyeshëm dhe mësuesin që s’ka si të jetë tjetër, veçse Ylljeti vetë, i kohës së “shkurtër”, siç e ka zakon të thotë me humor, prej 15 vjetësh mësues fshati… A mos ndoshta  regjisori Salvatore Tramacero qenkësh intriguar nga një tjetër tregim dhe jo nga historia e Markut?

    Apo duhet të pres dhe pak?

    Ndoshta Roerd Toçe, që ka dalë në skenë para se publiku të fillojë të mbushë sallën dhe fishkëllen lehtas një motiv muzikor, ulur në karrigen metalike mu në qendër të skenës së zbrazët, është thjesht mësuesi. Ja, sa të trokasë dera, në mes të zhurmave të shiut dhe bubullimave, do të hyjë Marku.

    Dhe prita.

    Në sallë zërat e publikut nisin e fashiten teksa fillojnë e dëgjohen gjithnjë e më të forta zhurmat e shiut dhe bubullimat. Tashmë jemi futur në atmosferë. Jashtë sallës së teatrit bie shi i vërtetë. Por zhaurima që dëgjohet brenda, bashkë me bubullimat e forta, janë të shfaqjes. Aktori vazhdon të fishkëllejë të njëjtin motiv. Dhoma e tij gjysmë e errët është ndriçuar zbehtë nga një llampë e vetme që varet në qendër të hapësirës.

    Bie dera. Në fillim lehtë e më pas më fort.

    -Kush është?

    -Marku! Jam Marku.

    Tregimin mbi të cilën është mbështetur kjo vënie në skenë e paskam identifikuar saktë. Askush nuk hyn nga jashtë. E megjithatë dikush hyn nga jashtë. Është pikërisht Marku i tregimit të pashlyeshëm. Titulli s’ka rëndësi. (Ndonjëherë është thjesht një kapistall – s’di cili shkrimtar ma pat thënë në një intervistë). Thjesht tregimi që e kam lexuar në vitin e largët 1998 është ai që tani do ta shoh të ngjitur në skenë. Aktori është vetëm. Është ai, herë mësues e herë Mark. Monolog, dialog, monolog, dhe pastaj sërish dialog e monolog. Rrëfim aty këtu. Gjithçka nga Roerd Toçe. I vetëm në skenë.

    Marku shkon e vjen. Rrëfen. Mësuesi shkruan. Marku kërkon ta dëgjojë historinë e vet. Mësuesi lexon. Marku qan, ikën, vjen sërish dhe kërkon veç të dëgjojë jetën e vet të mjerë. Të ndjejë dhembjen deri në kockë… dhe kështu deri në fund… DHEMBJE PËR VETEN.

    Historia është e jashtëzakonshme. Aktori herë është mësuesi, herë Marku e herë zëri rrëfimtar i ngjarjes. Pastaj sërish Marku…

    Në dhomën e errët dhe të ngrohtë të mësuesit historia vetëm sa fillon. Ajo vijon më pas e gjatë, e gjatë. Me Markun ngarkuar me dhembjen në kurriz… DHEMBJEN PËR VETEN… Me një letër në dorë hyn e del… Më vonë, me të njëjtën letër sillet rrotull oborrit të shkollës:

    -HEJ TI, A MA LEXON LETRËN?

    -MA LEXO LETRËN!

    -LEXOMA LETRËN PRA!

    Fëmijët e shkollës dinë të lexojnë… por Marku kërkon më shumë. Akoma më shumë. I duhet një ABETARE (ja pse tregimin e Markut kujtesa ma paskësh ruajtur me titullin ABETARJA) … për të mbajtur gjithnjë dhembjen e vet si një diamant të zi ndër duar, që ta ketë përballë, që ta shohë, që ta lexojë vetë dhembjen e vet… Letrën nuk e ka dorëzuar në këshill. E ka ruajtur për vete. I duhet me vete, ta ketë përgjithnjë. Është jeta e tij. Vlen më shumë se një shtëpi.

    ***

    Tregimi për Markun, i botuar këtu e 21 vjet të shkuara në përmbledhjen me proza të shkurtra me titullin e përgjithshëm Tregime, në të vërtetë titullohej “NJË HISTORI FSHATI”. Në fillim të dhjetorit të shkuar u ngjit në skenë me titullin LETRA. Historia është po ajo, personazhi po ai. Vetëm se nuk bëhet fjalë për një lexim që emocionon lexuesin e mbështetur mbi një kolltuk mbështjellë nga heshtja e një dhome. Është një shfaqje teatri. Mbështjellë nga heshtja e sallës. Një shfaqje mbresëlënëse, po aq e pashlyeshme sa tregimi në zanafillë, me personazhin e tij origjinal dhe unik.

    “E para është fjala”. Por duhet regji e duhet interpretim që të bëhet TEATRI. Dhe teatri ishte. I jashtëzakonshëm!

    Ishte vetëm një mbrëmje fillimdhjetori.

    Por, fundi i janarit dhe javët e para të shkurtit, LETRËN e Ylljet Aliçkës me regji të Salvatore Tramacere  dhe interpretim të Roerd Toçes do ta ngjisë sërish në skenë. Në Teatrin e Metropolit. E unë do të shkoj ta rishoh. Të rigjej një copëz filozofi-jete, si një llampë që e mban në dorë e lëshon dritë. Ka diçka magnetike, teksti, regjia dhe loja që e bëjnë spektatorin e teatrit të sillet për një çast ngjashëm me personazhin: të kthehet në sallën e teatrit krejt si MARKU që kërkon t’i rikthehet jetës së tij të shkruar në një LETËR. Janë disa personazhe letërsie që të shenjojnë. Paharrueshëm…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË