ARS POETICA
(kanavaca e bardhë, piktori, mbase unë…)
Aty ku çasti qafën e vet pret,
ti copash je.
Ngulur, vetmisht, te këthizë e fatit.
Hutimthi,
përpara asaj pëlhure të bardhë,
preparuar për dorë,
preparuar për brushë,
preparuar për grua,
preparuar për diell.
E, në vend se gruaja,
në vend se dielli,
të del përpara deti.
Vranësira s’është trupi i gruas
që e kërkon n’ëndrra.
Je vetmitari në rrugëtimin e largët,
je ylli që ngarend të mbytet,
në hullinë e kurreshtjes, errësimit.
Asnjë Zot nuk të del zot,
qielli është i madh i errët,
i thellë i egër deti.
Je ku kthim nuk ka,
je barka e vogël që luhatet,
dridhet, përmbytet.
Në pafundsinë e pambarimtë të hamendjes,
krahësh të godet stuhia –
furtunë e fortë përpara teje.
Secili asht brenda teje thehet,
brenda teje dhemb.
Një dërrasë barku,
kalbur t’është, thyer –
brenda teje rrjedh, përfutet deti.
Trupi yt s’është yti,
gjithë derdhja e detit,
gjithë shembja e botës
mbi mishin tënd ndodh.
Në thellësinë e pamatë,
e ke prekur vdekjen,
e ke prekur shkëmbin.
Atje poshtë te fundi,
ti krahë i vë ëndrrës,
ngjitesh, noton, noton.
Ti lind në sërishje,
ti lind për ta parë diellin,
dhe trupin e gruas,
n’kanavacë e n’zemër…
DRIDHUR ZË I ZOGUT T’NDROJTUR…
Dridhur zë
i zogut t’ndrojtur;
krehur, flokënajë
e lagur e natës;
dy hije derdhur
n’njëra tjetrën;
trupit tënd ngjitur,
i vdekuri rilind…
BEKIM
Qoftë prej guri
ai trup, ai shpirt,
prej argjile qoftë,
a prej humusi,
qoftë prej bime
a prej secilit shpend,
prej bishe qoftë,
prej mali, prej malli,
qoftë prej krimbi
a prej kafshe t’butë,
prej ere qoftë,
prej drite, prej terri,
qoftë prej njeriu
a prej një djalli brinjar,
ajo e lanë…
Ujë është koha.
Bekuar qoftë!…
VLIM
I kam ndigjue
shtërzimet e gjata t’natës,
n’çastet e fundit t’shtatzanisë shenjte
dhe kam qa.
I kam pa
edhe kambët e vogla t’mëngjesit
n’lindjen e tij praptas
dhe kam qa.
Kam vlue n’zemër –
lotë gjaku kam derdhë
me këto dy sy terrine,
kur kam pa si bahet dritë
mishi i territ…
TRËNDAFIL MBI GUR…
A çahet guri,
trëndafil?…
Shtërzon të mbijsh,
shtërzon të mbijsh mbi gur,
e dita m’bëhet tirane.
Dhe gjaku
i kaltër e letrës
tiran më bëhet,
dhe drita,
që s’më ndrit,
s’më lanë…
S’të ndihmoj, më ndje!…
N’kthetra errësire,
n’kthetra embrioni
akoma m’je,
trëndafil
mbi gur!…
UDHË…
Drita lahet
në sytë e tij.
Shumë udhë,
i dalin para syshë,
e ai nuk di.
Kah t’ia mbajë,
kah t’ia mbajë,
ai rob i Zotit?…
Gjithë zori
i vjen nga e thjeshta:
udhët janë shumë
e mendja një…
MËNGJESET, BALADA T’REJA I THURIN GJAKUT…
Mëngjeset,
balada t’reja
i thurrin gjakut;
zogjtë e gurëve
me pendla drite
e vrasin urinë;
përditë
çahet gjoks i qiejve,
nga tirania e përpiktë
e skifterëve t’hekurt;
digjen gurë e qiej,
qiej e zogj;
pardon’ja eterike –
rrena masive
vazhdon ta përgjakë
jeshilenë e butë,
jeshilenë e mjerë
të fukarenjve sydiej;
si miklime engjëllore,
paketohen, shiten krimet,
e mbarsin eterin…
Gjithëçka e kuptueshme, Zot imi:
n’shekullin e kushedisatë
t’rrenës e t’gjakut,
engjëj duken tiranët,
dhe bota vazhdon të mbetet
po ajo gjëmë…
ATY ËSHTË, ATY S’ËSHTË…
Aty është,
aty s’është,
ai shelg,
ai zog.
Sytë mashtrojnë,
fryma është
shpëtim.
Shikimi është
një farfuritje
kaluese.
Drita
ka ngjyrën
e këtij mendimi…
MËNGJESI DEL PREJ GJUMI…
Mëngjesi
del prej gjumi.
Mëngjesi
sytë e vegjël
përpëlit.
Sheh
mërdhirë mbi shelg,
zogun e dimrit,
dhe dimër
i bëhet
fjala.
(Fjala,
zemër është
a stinë?…)
MËSYVE, MËSOVE, E ZURE ATË YLL…
Mësyve,
mësove,
e zure
atë yll.
Mësyj,
mëso, tashti,
si mbahet
prushi n’dorë…
(kohë n’paç,
zemër,
durim…)
DITË, DRITË E ZOTIT…
Ditë,
dritë
e Zotit,
bardhësi
e virgjër,
borë e re,
gjurmë hapash
mbi borë,
edhe gjurmë ujku,
shtrirë,
tutje, e tutje,
deri te ajo pikë e zezë
ku shikimi përgjaket…
TRISHT
Mërdhirë pasqyra,
matanë qelqit dimër.
Drita mërdhirë,
dhe mëngjesi, njashtu,
dhe zemra bërë pikë.
Lumenj të ngrirë
sheh dimri n’pasqyrë…
Mbi pikë
i pik
trishtimi…