Bisedë e gazetares Mimoza Hasani Pllana me profesorin e teorive dhe praktikave të përkthimit greqisht-shqip, Aristotel Spiro
Mimoza Hasani Pllana: Profesor Spiro, do të flasim lidhur me njohjen dhe përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhën greke dhe komunikimin ndërkulturor në mes Shqipërisë dhe Greqisë. Megjithatë, do dëshiroja që në fillim të flasim edhe rreth përcaktimit tuaj dhe lidhjes me Greqinë dhe greqishten, pse pikërisht ky vend dhe kjo gjuhë e vjetër evropiane?
Aristotel Spiro: Lidhja ime me greqishten është e shumëfishtë: në plan vetjak, është gjuha amtare, gjuha e familjes sime, por edhe gjuha e studimeve doktorale, në planin e përgjithshëm kulturor është gjuha në të cilën shprehet në një masë të madhe qytetërimi modern perëndimor. Lidhja ime me greqishten u bë e fortë duke kaluar nga plani vetjak në planin e përgjithshëm kulturor. Ishte kjo arsyeja, që me gjithë kushtet e skajshme të izolimit komunist, arrita ta zhvilloj këtë lidhje me greqishten dhe ta kultivoj, sigurisht duke shfrytëzuar edhe statusin sociolinguistik relativisht të favorshëm të greqishtes, e cila mësohej në ciklin e ulët (shkollën fillore) dhe pjesërisht edhe në ciklin e lartë. Unë u ndërgjegjësova se njohja shkencore e greqishtes mund të më ndihmonte të jepja kontributin tim modest në gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Këtë e konfirmova gjatë viteve të mia studentore, kur mu besua përkthimi i «Gramatikës së gjuhës shqipe sipas dialektit toskë» të Konstandin Kristoforidhit botuar në Stamboll më 1882. Kjo ishte edhe temëdiploma ime e shkollës së lartë. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri vajta në Universitetin e Athinës, ku hartova dhe mbrojta tezën e doktoratës sime mbi të folmet greke të krahinës së Delvinës dhe Sarandës, që ishte në fakt një sprovë e fituar falë përgatitjes sime gjuhësore në universitetet shqiptare (Elbasan, Tiranë).
M.: Si profesor i lëndëve, Teori përkthimi dhe Përkthim greqisht-shqip si e vlerësoni procesin e transferimit të një teksti letrar nga një gjuhë në një gjuhë tjetër?
A.S.: Nga njëra anë teksti letrar i bujtur në letërsinë pritëse shërben për të njohur letërsinë dhe kulturën ardhëse, nga ana tjetër letërsia pritëse dhe kultura që ajo përfaqëson pasuron sistemin e saj shenjor estetik me elemente të reja. Shumë letërsi kombëtare e kanë zanafillën në përkthime: le të përmendim vetëm përkthimet e teksteve biblike, me të cilat fillon historia e letërsisë së shkruar e mjaft kulturave, përfshirë edhe kulturën shqiptare. E këtu nuk e kemi fjalën për përkthimet fetare nga «Vulgata», edhe kjo e përkthyer nga teksti grek, por edhe për tekste të tjera fetare si, p.sh. Perikopeja e Ungjillit, e shkruar madje me alfabetin grek, i cili ka qenë përdorur deri vonë (në fillim të shek. XX) në Shqipërinë e Jugut, por edhe në Greqi e në studimet e albanologëve të hershëm (C.H.T. Reinhold, G. Meyer, D. Camarda, P. Fourikis etj.).
Përkthimi ishte një ndër provat e para që dha letërsia laike shqipe: le të përmendim «Iliadhën e Omirit», të përkthyer nga Naim Frashëri më 1896. Por, edhe shumë tekste shqipe të periudhës së Rilindjes Shqiptare janë përshtatje nga tekstet përkatëse greke.
Përkthimi është njëfarë negocimi midis gjuhëve dhe kulturave që ato përfaqësojnë. Kultura shqiptare e periudhës së formimit të shtetit kombëtar ka marrë prej asaj greke nëpërmjet përkthimeve apo përshtatjeve, dhe duke u shprehur gjuhësisht nëpërmjet shqipes, ka konfirmuar marrëdhënien kulturore, por është diferencuar prej saj duke krijuar fytyrën e vet të veçantë.
Vijimisht kjo marrëdhënie është konfirmuar me anë të një prodhimi të begatë përkthimor si nga letërsia e lashtë greke, ashtu edhe nga ajo e re.
M.: Diskutimet rreth ruajtjes së vlerave letrare të një teksti që përkthehet në një e më shumë gjuhë nuk kanë të ndalur, si e vlerësoni ju këtë proces?
A.S.: Diskutimi varet nga premisat e tij dhe kërkesat ndaj përkthimit. Është maksimaliste t’i kërkosh një përkthimi ruajtjen e vlerave letrare, kur ato shprehen më së pari në një gjuhë të caktuar. Nëse tek e ashtuquajtura besnikëri ndaj origjinalit përfshihet edhe shprehja gjuhësore, atëherë kërkesa për besnikëri është absurde. Përgjigjja në këtë rast është:«Lexoni origjinalin». Për sa kohë që në një përkthim ballafaqohen dy kultura të përafërta apo dy kultura që janë në kontakt midis tyre, atëherë edhe shprehja gjuhësore e përkthimit do t’i afrohet origjinalit dhe vlerave të tij letrare. Shqipja dhe greqishtja kanë shumë anë të përbashkëta, që mbështeten në mendësinë e ngjashme të këtyre dy popujve, në përvojat e njëjta historike, të cilat mishërohen sidomos në paralelet leksikore e frazeologjike, në huazimet e përbashkëta prej gjuhësh të treta (nga turqishtja, italishtja, arumanishtja etj.), në skemat e ngjashme sintaksore.
Teksti i përkthyer funksionon, gjithsesi, si një mikrosistem gjuhësor i pavarur dhe përshkohet nga ligjet e kohezionit tekstor të gjuhës mbërritëse, por është gjithashtu në marrëdhënie të vazhdueshme me kryetekstin origjinal në nivelin e tërësisë tekstore, kapitujve, paragrafëve, fjalive, frazave e fjalëve të veçanta.
Më në fund, teksti i përkthyer është edhe rezultat i përzgjedhjeve të një personi të caktuar, që quhet përkthyes, i cili ka një kompetencë të caktuar gjuhësore në gjuhën burimore dhe në gjuhën mbërritëse, si dhe një kompetencë të caktuar përkthimore. Hidhini një sy një botimi antologjik si«Poezi gjermane dhe austriake», të përkthyera me mjeshtëri nga Petraq Kolevica. Duken sikur janë poezi të një autori të vetëm. Krahasoni poezinë «Mbreti i Tulës» të Gëtes, përkthyer në shqip nga Ndre Mjeda, Lame Kodra, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci etj. Duken sikur janë poezi të ndryshme, por prapëseprapë njohja e kryetekstit ose pasja dijeni për të i rendit këto përkthime si nënvariante tekstore të origjinalit referues.
E njëjta gjë ka ndodhur me një poet grek si Kostandin Kavafis, vepra e të cilit njeh në shqip 5-6 botime nga përkthyes të ndryshëm.
M.: Cila është pjesa më sfiduese gjatë përkthimit të një teksti nga gjuha shqipe në gjuhën greke?
A.S.: Pa dyshim janë frazeologjizmat, fjalët e urta, gjëegjëzat dhe sigurisht vargu i matur, që kërkojnë energji të jashtëzakonshme, por edhe frymëzim e fantazi për të qëlluar në përkatësin e përshtatshëm përkthimor. Një pjesë frazeologjizmash midis shqipes e greqishtes ngjajnë, por ka shumë raste që nuk përkojnë. Si ta përkthesh në greqishte aforizmin «për mustaqet e Çelos», që lidhet me figurën thuajse mitologjike të Çelo Picarit? Megjithëse anekdota për mustaqet e Çelo Picarit është e njohur edhe ndër grekët, mungon frazeologjizmi që lidhet me këtë figurë. Ekziston megjithatë në greqishte një sinonim frazeologjik, që i përkthyer si sintagmë e lirë, domethënë «fjalë për fjalë» thuhet «për një kërcim pleshti», që është zhgënjyese kur dëgjohet në shqip për herë të parë.
M.: Cilat janë teknikat tuaja të përkthimit?
A.S.: Për përkthyesin nuk ka ndonjë teknikë përkthimi në kuptimin strikt të fjalës. Teknikat e përkthimit gjenden në trurin e përkthyesit, ku janë akumuluar gjithë njohuritë e tij gjuhësore si në gjuhën burimore ashtu edhe në atë mbërritëse. Teknika përkthyese është më shumë një aftësi për të vendosur një lidhje përkatësie të dykahshme (biunivoke) midis elementeve shenjore të dy gjuhëve që negociojnë përkthimtarisht. Pikërisht këtu qëndron edhe vështirësia dhe sfida e përkthimit. Që të jesh i gatshëm të vendosësh këtë lidhje të dykahshme me t’u nyjëtuar ligjërimi origjinal. Është elementi krijues i gjuhës dhe mandej aftësia krijuese e përkthyesit, i cili vendos të shprehë gjuhësisht koncepte e përfytyrime të reja, të panjohura e të padëgjuara më parë në gjuhën pritëse.
Për këtë përkthyesi, siç e konceptoj dhe siç procedoj edhe vetë, ka gjithmonë pranë mjetet e domosdoshme ndihmëse: gjithfarë fjalorësh dygjuhësh, fjalorë shpjegues, fjalorë sinonimikë, antonimikë, frazeologjikë. Por, ai nuk mjaftohet vetëm në dy gjuhët pjesëmarrëse në përkthim, jo vetëm në gjuhën burimore dhe atë mbërritëse, por përfshin edhe gjuhë të treta, të cilat kanë rëndësi në polisistemin kulturor që prodhon vlera letrare në një plan më të gjerë ndërkombëtar. Kështu, p.sh. gjatë përpunimit të përkthimit të K. Kavafit në shqip, pas versionit të parë, m’u desh që të shoh disa versione të përkthimeve të tij në anglisht, italisht e frëngjisht. Në këtë mënyrë përkthimi letrar vendoset në një mozaik më të përgjithshëm gjuhësor, ku gjuha jote mbërritëse harmonizohet në të, por ka një ngjyrë e vezullim të veçantë.
M.: Keni përkthyer letërsinë greke në gjuhën shqipe, po cilët janë autorët shqiptarë veprën e të cilëve e keni përkthyer në greqisht?
A.S.: Përkthimi letrar nga shqipja në greqisht ka qenë për mua një veprim që synon afrimin e njerëzve të letërsisë në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek, krijimi i një atmosfere komunikimi letrar e njerëzor, diçka që politika, me gjithë përpjekjet shumë pozitive që ka bërë, nuk mund ta kryejë. Duke jetuar tri dekadat e fundit vazhdimisht në Greqi, kam përkthyer krijimtari poetike të poetëve emigrantë shqiptarë, të cilat janë botuar në antologji të ndryshme ose janë deklamuar nëpër veprimtari të ndryshme të zhvilluara në Athinë. Por, një pjesë e mirë përkthimesh presin ende të botohen.
M.: A është e rëndësishme për përkthyesin njohja e autorit të tekstit, si bëni përzgjedhjen e veprës që përktheni?
A.S.: Njohja e përkthyesit me autorin e tekstit burimor nuk shpreh ndonjë lidhje të domosdoshme e të drejtpërdrejtë me rezultatin e përkthimit. Nëse njohja vjen pas kontaktit me tekstin dhe nuk lidhet me qëllime përfitimi vetjak nga ana e përkthyesit (përfitime të çdo natyre: materiale, morale etj.), atëherë ajo është e vlefshme. Nëse njohja me autorin i prin njohjes së tekstit, atëherë përpjekja përkthimore është e komprometuar. Përkthimi nuk duhet të kënaqë dëshirën për njohje të autorit, as nevojat e gjithfarëllojshme të përkthyesit, por duhet të plotësojë një nevojë estetike të lexuesve të gjuhës mbërritëse, të cilët duan të njihen me arritjet më të mira të letërsisë botërore.
Kur të gjitha këto të fundit pajtohen, atëherë njohja me autorin është jo vetëm e mirë por edhe e duartrokitshme. Ajo mund të ketë ndikim bamirës në prodhimin përfundimtar përkthimor, mund të shmangen lajthitje përkthimi, mund të bëhen saktësime formulimesh etj.
Njohja me autorë të rëndësishëm mund të çojë në krijimin e një atmosfere pozitive dhe nxitjes së marrëdhënieve kulturore midis vendeve kulturat e të cilëve përfaqësojnë gjuhët pjesëmarrëse në përkthim.
M.: Si themelues dhe drejtues i Lidhjes Filologjike Shqiptaro-Greke, a jeni të kënaqur me bashkëpunimet kulturore në mes Greqisë dhe qendrave më të mëdha të gjuhës shqipe?
A.S.: Disa fakte bashkëpunimi ekzistojnë: ka botime të letërsisë greke në shqip e më pak të letërsisë shqipe në greqisht, vizita shkrimtarësh e profesorësh në Tiranë, Athinë e qendra të tjera kulturore të Shqipërisë e Greqisë, koncerte ansamblesh folklorike e grupesh muzikore modern, por ato nuk i përgjigjen dinamizmit të komunikimit të sotëm midis shqiptarëve dhe grekëve, si dhe nevojave të vendosjes së këtij komunikimi mbi baza shkencore. Prej shumë vitesh po «ecin» programe të Ministrisë së Arsimit dhe Kulteve të Greqisë, që synojnë integrimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, ndërsa Ministria e Diasporës e Shqipërisë ka shenja që tregon se interesohet për të njëjtët nxënës. A nuk do të ishte mirë që qeveritë e Greqisë dhe Shqipërisë (ndoshta edhe të Kosovës e Maqedonisë së Veriut) të merreshin vesh midis tyre për të bashkërenduar veprimin edukativ e gjuhësor?
Mund të duket absurde, por përveç kontributit modest të Lidhjes Filologjike Shqiptaro-Greke dhe botimit të revistës së saj «Albanohellenica» ende nuk ka një qendër të studimeve gjuhësore greko-shqiptare të financuar nga shteti grek, apo një qendër të studimeve shqiptaro-greke të financuar nga shteti shqiptar. Në Universitetin e Beogradit ka rreth 100 vjet që funksionon katedra e albanologjisë. Nuk ka kuptim që Greqia dhe Shqipëria të shfaqin ende qëndrime periferike për çështje kaq qendrore.
M.: Cilat janë rezultatet që ka arritur Lidhja në funksion të krijimit të komunikimit ndërkulturor në mes dy vendeve?
A.S.: Nga viti 1999 botohet revista e studimeve filologjike
«Albanohellenica», me pjesëmarrjen e studiuesve nga Shqipëria, Greqia, Evropa dhe SHBA. Deri tani janë botuar 6 numra. Po ashtu, kemi arritur të organizojmë disa veprimtari shkencore e kulturore në Tiranë, ndër të cilat më kryesoret kanë qenë dy konferencat ndërkombëtare të studimeve shqiptaro-greke (2012, 2015), ku kemi pasur mbështetjen e Ambasadës Greke në Shqipëri si dhe bashkëpunimin e institucioneve shqiptare, sidomos të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por edhe të ministrive të arsimit dhe të kulturës. Por mbetet ende shumë për të bërë.
M.: Një nga atdhetarët e dalluar shqiptare qe kontribuoi për zhvillimin e gjuhës shqipe në Greqi ishte Anastas Kullurioti, i cili gjatë jetës së tij la gjurmë në përpjekjet për krijimin e shtetit shqiptarë, duke kontribuar përmes gazetës “Zëri i Shqipërisë”, abetares, fjalorëve dhe librave që nxori nga shtypshkronja e themeluar nga vetë ai. Ky personalitet i dalluar trajtohet pak dhe rrallë e gjejmë nëpër studimet lidhur me gjuhën dhe letërsinë shqipe në Greqi. Si Lidhje, a keni menduar t`i kushtoni një tryezë ose monografi rilindësit, Anastas Kullurioit?
A.S.: Për Kulluriotin keni shumë të drejtë. Është një figurë që duhet nderuar siç e meriton. Është arvaniti që mori pjesë aktive në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ka shkruar për të Androkli Kostallari një artikull të gjatë tek “Studime filologjike” si dhe Zihni Reso librin “Anastas Kullurioti dhe Zëri i Shqipërisë” (1981). Do ta përfshijmë në planet tona të ardhme për ta studiuar dhe evidentuar më shumë figurën e tij.
M.: Ndonëse shtet fqinjë, në universitetet greke nuk ofrohen mundësi studimi për gjuhën dhe letërsinë shqipe. A është trajtuar kjo temë në Lidhjen Filologjike Shqiptaro-Greke, a është marrë ndonjë iniciativë apo është lobuar për themelimin e studimeve për gjuhë dhe letërsi shqipe në universitetet greke?
A.S.: Kjo lidhet me atë që ju thashë më lart. Nuk ekziston një politikë studimesh albanologjike që të përfshijë edhe çështje të gjuhës, me përjashtim të çështjeve historike, të cilat për hir të së vërtetës duhet thënë se trajtohen nga disa institute me karakter historik (Instituti i Studimeve Ballkanike në Selanik dhe me degë në Athinë) apo nga ndonjë institut i karakterit think-tank në Athinë. Funksionon, gjithashtu, në Janinë Instituti i Studimeve të Hapësirës Joniane dhe Adriatike i Shoqërisë së Studimeve Epirote me një veprimtari të begatë botuese.
Siç e shohim, diçka lëviz dhe interesi ekziston. Por, në botën universitare, përveç disa kurseve të herëpashershme të gjuhës shqipe në universitetet e Athinës, Selanikut dhe Maqedonisë Perëndimore, nuk ka ende ndonjë katedër apo departament që të studiohet me themel shqipja dhe marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-greke, ku do të inkuadrohej eventualisht edhe studimi i dialekteve dhe i të folmeve arvanite.
M.: Të flasim edhe për projektet tuaja aktuale lidhur me bashkëpunimin kulturor dhe letrar në mes dy vendeve?
A.S.: Unë u jam blatuar studimeve shqiptaro-greke. Synimi kryesor është që të sigurojmë vijimësinë e botimit të revistës «Albanohellenica» dhe të përgatitim zhvillimin e Konferencës III të Studimeve Shqiptaro-Greke. Projektet kulturore-letrare hartohen dhe ndërmerren nga organizmat kompetente shtetërore në Greqi, Shqipëri e Kosovë. Ne mund të nxitim duke sugjeruar e rekomanduar hapjen e një katedre të studimeve shqiptaro-greke në Universitetin e Athinës ose në një universitet tjetër të Greqisë, si dhe hapjen dhe funksionimin e një instituti të studimeve shqiptaro-greke në Tiranë. Lidhja Filologjike Shqiptaro-Greke dhe revista e saj shkencore «Albanohellenica» janë të gatshme të mbështesin një ndërmarrje të tillë duke ofruar gjithë trashëgiminë e krijuar deri tani.
Vetëm me një bashkëpunim shumëpalësh e shumëplanësh mund të arrihen rezultatet e dëshiruara e të krijohet një atmosferë e shëndetshme e nxitëse e studimeve shqiptaro- greke dhe njohjes së popujve përmes letërsive të tyre.
– bio
Aristotel Spiro, mbaroi studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik «Aleksandër Xhuvani» të Elbasanit. Menjëherë pas diplomimit filloi punën si pedagog në të njëjtin fakultet, në katedrën e gjuhës shqipe. Ka mbrojtur doktoratën në Universitetin e Athinës (Greqi), me bursë të Fondacionit «Aleksandër S. Onassis» (2000). Ka qenë bashkëpunëtor shkencor i Universitetit të Athinës në programe kërkimore-shkencore të Ministrisë së Arsimit dhe Kulteve në ndihmë të nxënësve emigrantë shqiptarë (1996-2000), ku ka zhvilluar veprimtari kërkimore-shkencore dhe mësimdhënëse (përgatitje botimesh, hartim tekstesh, studime krahasuese dhe leksione). Më 2008-2016, pas një marrëveshjeje të posaçme ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Greqisë, punoi si koordinator në degën e gjuhës greke të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, për konsolidimin e kësaj dege. Gjatë kësaj periudhe ka dhënë lëndët «Teori përkthimi», «Gjuhësi e përgjithshme», «Strategji dhe teknika komunikimi», «Dialektologji greke», «Përkthim greqisht-shqip», «Metodikë e kërkimit shkencor». Më 2014 iu miratua titulli Profesor i Asociuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës.
Më 1997 themeloi Lidhjen Filologjike Shqiptaro-Greke dhe revistën ndërkombëtare të studimeve filologjike «Albanohellenica» (ISSN: 1108-846X, Athinë), kryeredaktor i së cilës është që në numrin e parë. Deri tani janë botuar gjashtë (6) numra të kësaj reviste si dhe një botim special në kolanën «Albanohellenica Philological Series».
Aristotel Spiro është vlerësues i jashtëm në revista shkencore në Shqipëri e jashtë saj dhe përkthyes letrar.