More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArgëzon Sulejmani: “Krisja” si bekim ballkanik

    Argëzon Sulejmani: “Krisja” si bekim ballkanik

    Që të shkruash nevojitet të jetosh me iluzione, credo quia absurdum est. Kështu e përfundon një pasazh kuptimplotë mbi letërsinë dhe impaktin e saj në përgjithësi, shkrimtari kroat Danillo Kish.

    Pikërisht mes iluzionesh dhe absurdit hapë trasenë e vet romani i sapobotuar i shkrimtarit dhe publicistit prishtinas Ballsor Hoxha. “Bora dhe unë” – nuk përputhet me asgjë me çka mund t’u asocojë vetëm nga titulli ky roman. Prandaj, duhet lexuar dhe rilexuar disa herë për të gjetur Borën dhe mëpastaj për të kuptuar se ku gjendet Uni. Me “Uni” do të mund t’i referohem herëpashere personazhit kryesor për efekt shtjellimi por jo vetëm. Autori jo pa qëllim duhet ta ketë vënë këtë titull që lehtas e zgjon kërshërinë dhe që nuk pompon pretendime të mëdha. Më duhet ta theksoj që në krye të herës që me romanin në fjalë u miqësova shpejt sepse është nga ata botime ku vërehet me nisje që autori nuk shkruan apriori për kritikën as për lexuesin masovik por pikë së pari për veten – për veten në këto role. Do pajtohet, e besoj, secili me këtë konstatim sepse në lexim e sipër aq thellë trazohen e mëdyshen vetat sa në fund fare vetë personazhet shastisen e dyzohen aq shumë sa lexuesit mund të sikletosen me pyetjen se ku fillon njëri e ku mbaron tjetri; në një takim të mundshëm me autorin s’do mend që lexuesi mund të frymëzohet dhe për atë pyetjen kruciale: ku fillon e mbaron vetë autori te “Bora dhe unë”!? Një roman për transin dhe tranzicionin që bën mirë ta lexojë secili që i dyshon këto koncepte, për më tepër çdonjëri që i beson.

    Do përpiqem që shënimin që po lë ta bëj sa më të afërt për lexuesin duke mos pretenduar që të bëj punën e ndonjë kritiku letrar por megjithate të gjejë pika të afërta mes lexuesve dhe autorit.

    Romani në fjalë është një shtrirje rrëfimi në rreth dyqind faqe ku pothuajse takohen të shumëtat ndjesi sublime njerëzore: dashuria, empatia, paragjykimi, prindërimi, kohërimi, morbidja etj. Storja hapet me një tip prologu, me një hyrje që sipas ngjeshjes lë të kuptohet që autori e ka përpunuar gjatë dhe kujdesshëm deri pak orë para dorëzimi. Duhet thënë, kjo është veti e autorëve të kalitur dhe të mirëpërgatitur çka duhet theksuar dhe në këtë rast. Më tej, romani shtrihet në dymbëdhjetë kapituj, ku kapitulli i dhjetë mund të merret si sprovë epilogu. Vijimi edhe i dy kapitujve të tjerë tej këtyre verzioneve epiloge i jep rol bashkëautorësie secilit lexues i cili gërryen me forcat e veta drejt gjetjes së dritës në fund të një tuneli sabatoian.

    Në pamje të parë, boshtin e romanit e përbëjnë një baba dhe bija e tij. Babai ka një krisje shpirtërore që përpiqet ta shërojë dhe sëmbojë me të bijën (dhe me atë pak shoqëri që ia lejon memorja). E bija, është elementi perspektiv i një brezi që po rritet dhe që i duhet rikujtuar herë pas here që tej ingranazheve të tekno-shekullit egzistojnë do korda që na përshkojnë e ingranojnë – janë shpirti dhe e kaluara. Brezat gjithsesi e gjejnë gjuhën e përbashkët kur komunikojnë. Kjo ngjanë dhe në këtë rast, biles falë kësaj hera-herës rrëfimi anëmbanë nga e bija (bijtë) si heroinë e njohjes së realiteteve. Prandaj, autori e ka vënë të parën atë – Borën, dhe pastaj veten e vetat e tjera.

    Por, kjo përbën vetëm kalimin e shpejtë të storjes. E vërteta qëndron pak më bukurthellë se kaq.

    Pista e rrëfimit është Prishtina. Pista mbetet unike kurse kohët dhe perspektivat lëvizin si avionët në ato aeroportet fluksshumëta. Në fillim të herës e pata shënuar se ky roman më jep një përshtypje të veçantë për faktin se ngjarja nisë dhe bitisë në mikrozonën ku unë kam kaluar pjesën më esenciale të jetës, bëhet fjalë për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Nga oborret e kësaj ngrehine, gjegjësisht nga korridoret e Klinikës psikiatrike, autori nisë ngjizjen dhe ngjeshjen e këtij romani. “Bora dhe unë” ngërthen shumë Prishtinë prindërish: atë të prindërve tanë por dhe atë të prindërve të fëmijëve tanë. Është në fakt një stol brezash ku duhet të ulet secili që për sado pak nuk fluturon.

    Bambuset dhe xhinset 501 bashkë me aty-këtu slangun prishtinas të viteve të nëntëdhjeta janë sekuenca që zgjojnë nga humbëtira memorjen kolektive të një qyteti që kohës duket se i ka shitur shpirtin dhe qenjen. Bipolariteti i personazhit kryesor lidhet ngushtë me cilësimin e njëjtë përkundruall urbanes dhe kolektives së këtij qyteti. Polet e personazhit që rrëfehet në veten e parë si dhe të Prishtinës që rrëfehet në veten e tretë puqen në korridoret spitalore. Si njëri si tjetra përpiqen të gjejnë vetveten pa dashur të besojnë që “nuk mundemi dot të lahemi dy herë në një lumë”. Për më keq, sikurse tragjikja me Vëllushen e Prishtinës: mbase nuk do të mund të lahemi asnjëherë më në atë lumë. Në raport me kohën, po kjo insinuatë tragjike na mëson se ëndrrat zgjasin pak por marrin gjithë kohën e jetës, ashtu si ëndrra për ta bërë Prishtinën si Londra është më së paku një dremitje, një ekstazë e assesi një krisje që ka nevojë për një doktor. Ka nevojë për sa më shumë jetë dhe rrëfime, dhe… vetëm kaq. Credo quia absurdum est.

    Personazhi tjetër, në fakt titullori i parë sipas autorit është Bora. Bora, para se të hymë në palcën e rrëfimit, do duhej të simbolizonte bardhësinë përpara vetë personazhit në titull e rrëfim. Bardhësia galaktike, bardhësia e dërrasave, bardhësia e memorjes, bardhësia shpirtërore janë cilësi parapersonazhe që kanë një rol dominant në të gjithë historinë. Kontrasti që, guxoj të them, mund ta ketë tentuar autori me Unin është evident. Një variant titulli në këtë rast mund të kishte qenë:  “Bardhë e zi” ose “Bora dhe Skëterra”. Në secilin rast, determinanta është amullia, verbimi, rrjedhimisht përzgjimi i shqisave më të thella, le të themi emergjente.

    Kur kam nisur leximin e “Bora dhe unë”, ndër të parat bindje që më kanë shkuar nëpër mend ka qenë që të njëjtin një ditë do doja ta lexoja së bashku me fëmijët e mi. Uni, e bija, koha dhe patria. Drenusha është e bija e kryepersonazhit. Drenusha sapo ka nisur decenien e dytë të jetës dhe barra që i vie nga prindi hera-herës është tejet e rëndë për vertebrat e saja të njoma. Gjithsesi, Drenusha, që prapë mendoj që është një gjetje tej emrit dhe e cila ka të bëjë me vetitë atletike dhe mistike të së njëjtes si kapërcimi, çarja, aura, luan rolin kyç në vijimësinë e jetës së kryepersonazhit. Po Bora!? Kush është Bora!? Është vërtetë ajo një mike e Drenushës apo vetëm veta e dytë e saj!? Bora dhe Drenusha mund të jenë dyzimi mbi të njëjtin personazh në variantin më të parë, por këtë ia lëmë në dorë lexuesit dhe autorit si dhe lidhjeve te shkurtëra që do të mund të mëtojnë t’i krijojnë ata.

    Romani priret nga pak personazhe dhe shumë historira. Bici, Dafina, Jehona, Fati, Malësori. Që të gjithë pjesë të etablosë së një kohe që personazhit kryesor “i ka mbetë pikë” në jetë. Thënë me motive kadareane për “krisjen” si fenomen masovik dhe gjuhësor shqiptar, janë këta personazhe që përbëjnë “pykën” në korteksin e personazhit kryesor. Meqenëse vetë autori e lë të dyshimtë kategorizimin e këtij fenomeni, atëherë dhe ne e kemi të vështirë ta ndajmë në këtë rast bekimin nga mallkimi lidhur për të njëjtin. “Krisja” si bekim ballkanik!?

    Parapëlqej ta bëj të qartë thelbin e rrëfimit në respekt dhe kureshtje të secilit bashkëlexues. Loja e këtyre personazheve e ka fillin në Prishtinën e viteve të nëntëdhjeta, por që tentakulat i lëvizë mjeshtërisht dhe nëpër periudha të tjera kohore. Është pikërisht kjo kohë dhe disa ngjarje të saj opsesioni që mund t’i faturohet çrregullimit psikik të personazhit kryesor, përkatësisht diagnostikimit më afër mendsh të tij. Nëse në shumë raste jeni thirrur në përsëritjen si nëna e të nxënit, në këtë rast është e krejt e kundërta: përsëritja si patria e harresës. Opsesioni repetitiv është i thjeshtë: Bici dhe Dafina janë çifti që i japin ngjyra amnezisë së kryepersonazhit: ata kanë migruar në vendin e ëndrrave të asaj kohe, në Londër. Jehona është mikesha e përbashkët e çiftit dhe njëherit simpatia dominante e kryepersonazhit. Ajo vazhdon të vijë në shumë variante tek Uni dhe mbetet po ajo e idesë fillestare – e qasshmja dhe e paarritshmja. Sikurse te rasti i Borës ku mendoj që autori ka luajtur mjeshtërisht me ambiguitetin, thuajse njëjtë ndaj bindjen dhe për Jehonën. Jehona, sikurse mund të bëhet e qartë pas disa leximesh, mund të jetë një qenie pa frymë, një rezonim pa fund e krye, një jehonë nga thellësia e galaktikave ku kryepersonazhi gjenë prehje dhe qetësi të përkohshme. Personazhi tjetër, Fati ose Stalkeri sipas dominancave filmike të kohës, mund të jetë personazhi i vetëm i pa të dytë i cili ka jetuar por nuk jeton më – gjithçka tjetër insinuon në jetesë pa vetë jetën përbrenda. Fatin dhe kryepersonazhin i lidhë bashkë e bardha bojë dhe i bardhi “mall”. Bëhet fjalë për heroinën, e cila të lartpërmendurit i ka kushtuar dhe marrë jetën. Fati, si feniks vie dhe rri kaq shumë në jetën e vetë kryepersonazhit dhe në fund të krijohet bindja që e dominon atë sikurse mbarë logjikën ballkanike se, vetëm të vdekurit i kemi miq fund më fund. Ose, vetëm e vdekura jonë përbën melankoliken dhe përkrenaren e jetës sonë. Dhe këtu autori e vë në sprovë disocimin e kryepersonazhit dhe me këtë vetë botën e lexuesit.

    Zeza dhe Patria përbëjnë urën lidhëse në mes bestytnisë dhe filozofisë në vështrimin tim. Se sa mund të jetë reale kjo urë në Ballkanin e plasjeve të urave, kjo është temë më vete. Parapëlqej mos të zgjatem shumë në këtë drejtim me arsyetimin se kjo mund ta lodhë dhe stepë lexuesin. Por, në të njëjtën kohë ta motivojë dhe nxisë në lexim më të thellë se sa thjeshtë një ngjarje çarjeje personaliteti. Zeza është macja e zezë e cila me vetë ngjyrën dhe botërinë e saj mund të ndjellë ankthin, mortin apo shumësinë e vetave apo jetëve. Kur po lexoja macen në sytë e njerëzve, në mendje më erdhi së paku autori japonez Nacume Soseki me novelën “Unë jam maçok” ku në fakt flitet për jetën njerëzore në sytë e maceve. Ajo që e dominon atë rrëfim është bindja e maceve mbi abuzimin njerëzor me shumëçka, kurse definitivisht me kohën.

    Në anën tjetër Patria mund të ndriçojë një fokus të ri për lidhjen ndërmjet atit dhe dheut, më pastaj në mes asaj që pretendojmë dhe asaj që jemi të deleguar të jemi pikë së pari. Këtu mund të hapet një opus interesant, “a cul de sac”, në mes të vetave të personazhit pro dhe kundër filozofisë Heideggeriane. Cila, në fund të fundit, është e vërteta!? Ajo që iu rri më gjatë në kokë do të thoja unë. Ajo që do ta grithnit mbi dërrasat e bardha, do të mund t’u thonte kryepersonazhi. Ai me pa të dytë do shënonte me shkronja të mëdha filozofinë e jetës së vet: “i lumtur” në “palumturinë” time! Nga valët që përçon vetë romani dhe nga tallazet që i vijnë Unit nga bregdeti i Durrësit, parapëlqej që sidomos këtë mozaik ta shoqëroj me sekuenca muzikore që si sfont u rrinë shumë vetave dhe situatave në rrëfim. Çkado që të jetë – kryesisht nga Beat Generation, Lou Reed a Dylan, që në vazhimësi i referon autori. Në këtë rast, do të kisha thënë që, referencat muzikore hera-herës ma sfumonin rrëfimin meqenëse muzika është nga artet që lë impakt kohëgjatë dhe mjaftojnë pak nota të dëgjuara pavetëdijshëm në mëngjes për ta ritmuar asisoj pothuajse tërë ditën.

    Verzionet e autorit aka daljet emergjente si dhe vetë rrëfimi në tërësi e bën romanin një rebus që bashkë me përgjigjet ngre pikëpyetje vazhdimisht. Megjithëkëtë, romani priret nga një gjuhë e rrjedhshme dhe e pasur, me gjetje te kapshme dhe figuracione të pangarkuara, gjë që përbën ftesë për lexim për secilin që kërkon ta trazojë pak veten me lexim, me jetë dhe letërsi. Biles, ndajë bindjen që autori, që njihet për publicistikën eksplicite dhe referenciale, në këtë rast ka bërë një pakt me lexuesin duke i sjellë atij një roman ku të gjitha vetat mund të ndjehen si në shtëpinë e vet. Sigurisht, boshti është pak më i thellë dhe kërkon disa rilexime për të kuptuar kush është kush në rrëfimin ku vetë Uni pranon të jetë askush. Mbetet në dorën e secilit lexues të veçojë dyzimet dhe përngjeshjet e shumëta të personazheve, por, tej kësaj, ndaj bindjen që secili prej tyre do të gjejë pak nga vetja dhe mbi të gjitha do gjejë një autor që ia vlen të ndiqet në rrugëtimin e tij artistik.

    Ulqin, dhjetor 2024.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË