KreuLetërsiBibliotekëArbër Selmani: Dimitrij dhe Koreografia e Ditëve të Qeta (poemë)

Arbër Selmani: Dimitrij dhe Koreografia e Ditëve të Qeta (poemë)

1
Mëngjeseve ndjejmë uturimën e detit
se qyteti ynë është patjetër bregdetar
zogjtë sillen vërdallë, të tillë që këto vise s’i njohin
unë lëmoj dorën e tij
ai u bën hije vetullave dhe sheh ditët e mira, brenda valëve, po vijnë.

2
Një varkë që harrojmë se është e jona
s’pushtohet mjaftueshëm nga uji i kaltër
gjithçka ngadalë po kthjellet, edhe dashuria ime për të
edhe pëllumbat, edhe epshi i një poeti
edhe punonjësit e furrave të bukës.

3
Ky s’është një nga qytetet ku kemi lindur
ato ishin vende që sot s’ekzistojnë më.

4
Në shtëpizën tonë
Dimitrij bën kafenë ndërsa unë shfletoj gazetën
një gotë ujë afër
një gotë ujë i bën mirë çdokujt
gurabijat e copëtuara janë për krijesat me sqep
aty, në pragun e dritares, fluturojnë nga goja në gojë.

5
Dimitrij lexon antologjinë e poezive të Persisë
Dimitrij bën joga, sa s`ka hyrë në dhomë ngrohja globale
Dimitrij u flet luleve, si të ishte Dielli vetë
Dimitrij shkruan, lundron nga fleta në fletë
Dimitrin e lë zemra për shegë
Dimitrij merr nektarin dhe më mbush mua
Dimitrij më puth në ballë, në epiqendrën e mirësisë
shohim të dy se si tërmeti i erës shkund drunjtë.

6
Një xhami e bardhë, me aromë të salepit
nis këngën, këngën e ardhjes së avdesit
edhe fluturat në këtë qytet janë më të lumtura
më aktive, më të shkundura, më të zgjuara
hutuar në udhëkryqe, veturat ritëm krijojnë
Dimitrij ma puth dorën, me turpin e një fëmije që ka faj
që ka faj dhe pret ta ndëshkojnë.

7
Dimitrij ma puth dorën e djathtë, dhe të majtën, dhe qepallat, dhe fundin e buzëve, dhe zgjatimet e mustaqeve
vetëm një detar mund ta puthë kësisoj anijen para daljes në betejë.

8
Mesdita s’vonon, si lajmet në radion me antenë
ai ha shalqi, unë ha pjepër
ai shikon saksitë, çdo stinë, ditë për ditë
ky qytet është kryeqytet i frutave
ky qytet ka biçikleta por pak biçiklistë
Dimitrij ha edhe lëvozhga portokajsh
Dimitrit i shijojnë edhe kajsitë ende pa ngjyrë nga mosformimi
Dimitrit i rrjedh në këmishë lëngu i pjeshkës
dera e jashtme e shtëpizës kërcet, e pavendosur si ditët e vjeshtës.

9
Janë dy goblenë me korniza marokiene
një tavolinë druri, në mes të qilimit, si shesh
fqinjët e kanë kohën e gjumit, engjëjt po ashtu mbyllin sytë
një flladitëse lëviz, arrin deri te qerpikët e tij
dhe i jep zjarr zjarrit të zemrës sime.

10
Dimitrij më sheh dhe s’më pengon kurrë
unë shkruaj novelën që shpesh përplaset e thatë në mur.

11
Ky s‘është një nga qytetet ku kemi lindur
kjo s‘është krahina e fëmijërive tona të para.

12
Kur cingëron telefoni, e dimë që janë miqtë e tij
ose dikush që thërret dhe rri në qetësi
ose motra, ose Alexei, vëllai
ose ndonjëherë gjithçka është kaq e qetë
sa plot gjëra i ndjej
dhe stepem sa bukur është të jesh rob i Dimitrit
muzë e një ekzistence
muze ku përkohësisht derdhet një trup
arsye për të hapur flatrat e një përqafimi
shtyllë e një shprehjeje dashurie.

13
Para trembëdhjetë vjetësh, më 13 tetor
blemë bashkë këtë shtëpizë
që i ngjan një kënge të Lauryn Hill.

14
Këmishat me drapër janë të tiat
këmishat më rinoshe, me lule, janë të miat
kuzhina është e fshirë me hirin e një behari
lugët, pirunët, vitaminat, kaktusët, kuzhinë fshati
unë hekuros për ditëlindjet ku na ftojnë
unë vallëzoj kur dua, kur ka një fustan të padukshëm në mua
unë çelem, si oktapod, i lumtur,
mërzia, me raste, s’na lëndon sa presim
Dimitrij, Dimitrij im, koreografishëm shkund sofrabezin.

15
Pjesa më e mirë e Dimitrit janë krahët e tij
atome qimesh të vogla, në lëkurën si plastelinë
e kafshoj, pa të keq, siç kafshohet buza e poshtme,
kur luan kitarë, ndaloj, s’e bëj dot
Dimitrij qëndis si jazzman i shkolluar
është mëkat ta pengosh njeriun e duruar.

16
Një ditë, të gjithë do të ikin
edhe unë, edhe Dimitrij.

17
Punët e vogla kërkojnë angazhim
Dimitrij hap telefonin dhe i uron dikujt ditëlindjen e pesëdhjetë
unë pastroj gotat e kristalta
mund të kemi mysafirë sot
dikush përherë kthehet
dikush e çmon finesën time në kuzhinë.

18
Dimitrij propozon të shkojmë në një koncert filarmonik
Dimitrij pëlqen ekspozitat pop-up të artistëve hippie
në hapësira ku shkel vetëm këmba e qenit
Dimitrij dashuron një thrift të paplanifikuar
Dimitrij, pos Betovenit, dëgjon çdo gjë nga muzika klasike
Dimitrij vdes për ‘In this Heart‘ nga Sinéad O‘Connor
Dimitrij pëlqen limerikët
në mes të ditës, i djersitur, afër makaronave që po ziejnë.

19
Përpos meje, është ai, i vetmi
që ndonjëherë ka pasur lejen të vozisë
veturën time.

20
Asgjë më s’numërohet vetëm – e imja –
ndjesë vargut të pashpirt, ndjesë
e imja është kohë e kryer e tejshkuar.

21
Ngatërresat edhe vijnë, se njerëz prej gjakut jemi
ai më sheh, unë kundërshtoj
ai lëshon pe, unë si gozhdë insistoj
ndoshta ananasi s’duhet vënë në recetën e tortës
ndoshta i duhet më shumë ledhatim brumit
ndoshta një parfum më i butë i duhet dhomës sonë të gjumit
ai duhej ta uronte motrën time për diplomim, s’e bëri
dhe fjalosemi, me folje të matura fjalosen shikimet tona të epshta,
si ditët e fundmajit në Lezhë.

22
Piloti i televizorit është një prurje gjermane
Dimitrij ka lindur në Bonn
gjermanët duhet patjetër të krenohen, të krenohen,
të teprohen në oqeanin e krenarisë
ku vetë, në fund, mbyten.

23
Butonët janë të zinj, fjalët janë në gjermanisht
e kuqja është e rrezikshme, lart në të djathtë
objekti është i bardhë, pa personalitet
më ngjan me një copë buke drejtkëndëshe.

24
U qëndroj pas perdeve nga Ballkani
ai, me përulësi fituesi, bën me dorë nga llambat dagsolstadiane*
bëjmë pakt që ora 17:00 e çdo dite
është koha kur kërcehet mes dy thelbeve që jetojnë
nën qenien e secilit njeri.

25
Dy banane në pjatën mbi tavolinë
dy banane gati të gjelbra, bashkë largojnë vetminë
shohim një film për një grua që flet me krijesat brenda akuariumit
dhe shohim, me gojët që dridhen, se si dashuria
ka qindra krahë dhe versione.

26
Dimitrij pëlqen librat e mi
dhe ngjyrën e mureve të banjos minimaliste
çdo ditëlindje, një suvenir rus i shtohet folesë sonë
çdo pranverë, një perim i padëgjuar troket në kopshtin tonë.

27
Të gjitha fotografitë tona
tregojnë njëzetë vjet diferencë në moshë.

28
Dimitrij është i imi për arsye që as dy dekada s’mund t`i përthekojnë.

29
Dimitrij më dërgoi sokaqeve të Madridit
unë e hodha në lagjet e Ulqinit
Dimitrij vodhi prej meje në Brukselin me kravatë
unë zbërtheva lëkurën e tij në tokën e Oslos
Dimitrij ma dhuroi albumin tonë, vendosur në raftin e librave
unë strehova frikën e tij, sa herë ajo nxori kokë
Dimitrij më dha ujë deti në Barcelonë
Unë i dhashë ujë jete nga çdo krua që ekziston në mua.

30
Po të shpërbëhej Dimitrij në miliona pendë
do të vrapoja si i marrë ta haja secilën,
çdo degëz
secilën pore.

31
Po të zbutesha unë në trosha buke
s’e di sa i uritur do të ishte ai
për mua?

32
Mbrëmja është e qetë
pa shpjegime, pa shumë filozofi
troket dera, disa herë, s’përgjigjemi
ushtarët, të rrugës do të mbesin përgjithmonë
Dimitrij copëton arrat e kërrcëta
piktura në mur ka kohën kur i fle ngjyrat e ndezura
koka ime është mbi këmbën e tij të majtë
ai sheh prapë detin
unë shoh, nga poshtë, mjekrën e tij që ndryshon si hyjnitë.

33
Nesër gjithçka mund të harrohet.

34
Nesër gjithçka mund të përsëritet me ty, Dimitrij.

Shëngjin, 24-28 qershor 2026

1* Dag Solstad — shkrimtar norvegjez, vdiq në vitin 2025.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË