More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArben Veselaj: “Vjeshta e Patriarkut” - një mrekulli e munguar e letërsisë...

    Arben Veselaj: “Vjeshta e Patriarkut” – një mrekulli e munguar e letërsisë markeziane
    në shqip

    Pak javë më parë shtëpia e mirënjohur botuese, “Onufri”, e nxori nga botimi, për herë të parë në gjuhën shqipe, njërën nga kryeveprat e letërsisë së shekullit XX –romanin “Vjeshta e patriarkut” nga nobelisti kolumbian Gabriel García Márquez. Ardhja në shqip e kësaj kryevepre të letërsisë botërore është një kontribut i jashtëzakonshëm i përkthyeses dhe shkrimtares së mirënjohur Mira Meksi. “Lulja pirate e Gabos” (Mira Meksi) në një intervistë deklaroi se ideja për ta sjellë në shqip këtë roman-sintezë të letërsisë së realizmit magjik ishte sikur t’ia mësyje oqeanit në këmbë. “Me sa duket, ishte kryqi im”, – kishte deklaruar ajo.

    Botimi në shqip i këtij romani paraqet vërtet një ngjarje kulturore për botën shqiptare. “Babai” i realizmit magjik, Gabriel García Márquez, ishte bërë pjesë e gjuhës shqipe shumë kohë më parë, me disa nga romanet e tij monumentale, si: “Njëqind vjet vetmi”, “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”, “Dashuria në kohërat e kolerës”, “Dymbëdhjetë tregime pelegrine” etj., por “Vjeshta e patriarkut” (që jo rrallëherë është konsideruar si romani më i arrirë i këtij autori) ka qenë, deri më tani, një hallkë e shkëputur në vargorin e letërsisë markeziane në gjuhën shqipe.

    Po çfarë është ajo që këtë roman e bën shumë të vlerësuar, tash e më se 50 vjet?

    “Vjeshta e patriarkut” rrëfen ngjarje të pabesueshme, fantastike, me parashenjë të qartë të një realizmi kritik, social, politik e historik. Shumë kritikë dhe studiues mendojnë se “Vjeshta e patriarkut” i përket tipit të ashtuquajtur “romani i ri historik”, por saga historike e këtij romani është dendur mirë në “vajrat” e realizmit magjik, ku realja (historikja dokumentare) shkrihet e bëhet një me të çuditshmen, e ndonjëherë edhe me të mrekullueshmen e me të mbinatyrshmen.

    Struktura narrative e këtij romani është shumë komplekse. Rrjedha e ngjarjeve asnjëherë nuk mund të parashikohet. Lexuesi çdo herë befasohet me situata të reja, të papritura. Edhe pse shpesh e humbet fillin e rrëfimit, edhe pse zëri rrënimtar zhvendoset nga një gojë e një personazhi në tjetrën, edhe pse vija narrative po ashtu zhvendoset në kohë (në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen), leximi i kësaj proze atij ia mban frymën. Duke ua dhënë sharmin shqip  “kolumbianizmave”, siç shprehet përkthyesja Meksi, mund të thuhet se kjo prozë e Gabos së madh erdhi së fundmi në shqip si një mrekulli e munguar.

    Nga “shëllira” historiko-politike e Amerikës Latine, Márquez-i e ndërton botën e pështirë – një “Republikë” e vogël në Karaibe, ku një udhëheqës ushtarak  (patriarku) krejtësisht i papenguar e ushtron dekadencën dhe egërsinë maçoiste mbi shtetasit e varfër. Në pjesën e parë të romanit Márquez-i e përshkruan pushtetin e “të pavdekshmit” – personazhit diktator, “Republika” e të cilit, edhe pasi rrënohet sërish përtërihet si pas një uragani, me tërë egërsinë dhe brutalitetin.

    Ndonëse vendet dhe personazhet e këtij romani kryesisht janë imagjinare, në fakt në to fare lehtë identifikohen vende të vërteta dhe po ashtu edhe njerëz të vërtetë. Thuhet se gjenerali (personazhi diktator) i këtij romani është përfytyrimi real mbi ish-udhëheqësin kolumbian, Gustavo Rojas Pinilla, madje disa të tjerë këtë përfytyrim e çojnë edhe më tej – deri në Spanjë – te figura e diktatorit Franko.

    Gabo na shfaq disa karaktere personazhesh imagjinare përmes të cilave i zhvillon temat e tij të preferuara, si: imperiumi (pushteti mbi jetën dhe mbi vdekjen), paranoja (frika nga asgjëja), e deri te sindroma e “optimizmit të detyrueshëm” që i çon turmat në brohoritjeve.

    Gjenerali i Márquez-it na shfaqet si një autokrat mizor, herë-herë me tipare të mbinjeriut, si një gjysmëzot, të cilin turmat e brohorasin deri në adhurim. Si një maço-burrë (lexo: maniak seksual) “Presidenti i Përjetshëm” shquhet sidomos për pushtetin mbi gratë e Republikës. Ai mban në robëri me qindra konkubina, po ashtu dhe fëmijë të panumërt të lindur nga “industria” e prostitucionit, të cilët nuk i honeps për pjellë të vet. S’ndien mëshirë e as turp kur gratë e botës i sulmon seksualisht në rrugë, në shtëpitë e tyre, kudo, sepse “pa lejen e tij nuk jeton askush në Republikë dhe se vetëm ai mund të shpërndajë lumturi për njerëzit e Republikës”. Nga rrëfimet e personazhes së çuditshme të romanit,  Bendición Alvarado, lexuesi mëson se edhe vetë gjenerali ishte fëmijë i lindur nga një akt i dhunimit seksual.

    Bendición Alvarado, në fakt, është vetë nëna e gjeneralit, e cila, si pa të keq, zbulon anën e dobët dhe të ligë të “Udhëheqësit të Republikës”. Jeta dhe vdekja e personazhes, Bendición Alvarado, e dhënë në këtë roman përmes përshkrimesh simboliste, mund të thuhet se paraqet njërën nga tablotë tipike mbi personazhin e letërsisë së realizmit magjik (arketipin), themelues i të cilit është vetë Gabriel García Márquez-i. Kur vdes Bendición Alvarado, i biri – pra “Presidenti i Përjetshëm” – për nder të saj mban një funeral të paparë e të padëgjuar: organizon një eskortë shëtitëse disajavore me arkivolin e saj, duke shkuar fshat më fshat. Menjëherë pas ceremonisë së varrimit gjenerali kërkon nga autoritetet e kishës që t’ia nisin papës në Romë një parashtresë kanonizuese për shenjtërimin e saj, por kur përgjigjja e papës vjen negative ai nxjerr urdhër për t’i mbyllur të gjitha kishat dhe vendos t’i dëbojë të gjithë priftërinjtë nga Republika.

    Në gjysmën e dytë të romanit “Vjeshta e patriarkut” sikur ndizen motorët e “fantazisë markeziane”. Gjenerali i dikurshëm egërshan, të cilit nuk i shteronin dot fuqitë dhe pushteti, gradualisht dhe disi pahetueshëm i nënshtrohet një shpërfytyrimi grotesk. Me një mjeshtëri të pashoqe Gabo sakaq e shndërron imazhin mitik të gjeneralit nga një maço-burrë autoritar, siç ishte, në një palo-plak për të cilin në shtëpinë presidenciale askush më s’çan kokën. Shpërfytyrimi që i ndodh “Presidentit të Përjetshëm” – prej një gjenerali udhëheqës me pushtet të pakufishëm, në një figurë groteske e qesharake, si pasojë e humbjes së fuqive fizike dhe mendore – është befasues. Po aq befasues është edhe përshkrimi simbolik i katandisjes së “Rendit të vjetër të Republikës”. Në një kthinë të shtëpisë presidenciale, ashtu siç dergjet në vetmi njeriu – adhurimi për të cilin ngrihej deri afër Zotit – dergjet për vdekje edhe rendi i vjetër politik. Kishte ardhur koha që bëmat e liga që kishte bërë ta vrisnin ngadalë. Dikur gjeneralin e plotfuqishëm – tani patriarkun matuf – e vrasin përnjëherësh të gjithë armiqtë e padukshëm: paranojat, tradhtitë, dyshimet, komplotet.

    Mbase duke mos dashur që kësaj vepre t’ia vetatribuojë vlerat e vërteta kritike (të cilat i ka në të vërtetë), vetë autori, Gabriel García Márquez, këtë roman e kishte quajtur “një poemë mbi vetminë e pushtetit”. Sidoqoftë, përveç kënaqësisë estetike që na jep leximi i kësaj “poeme” të letërsisë së madhe (çfarë dhe është letërsia markeziane), romani “Vjeshta e patriarkut” trand lexuesin sidomos me nëntekstin (mesazhin) që shenjon në sfond, duke e fshikulluar pa mëshirë ndërgjegjen historike e politike të Amerikës Latine, për mizoritë dhe diktaturat, të cilat i prodhoi me tepri përgjatë gjithë shekullit XX.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË