More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArben Veselaj: Sarkazmi dhe grotesku si kundërvënie ndaj realitetit ekzistencial

    Arben Veselaj: Sarkazmi dhe grotesku si kundërvënie ndaj realitetit ekzistencial

    (Duke e lexuar romanin “Mirë se vini zoti ambasador” nga Ardian Haxhaj)

    Në arealin letrar të Kosovës, për më shumë se 15-vjet, prozatori Ardian Haxhaj padyshim se është ndër autorët më të suksesshëm. Haxhaj bëri emër me disa romane të vlerësuara nga shtypi dhe kritika, disa prej të cilëve kanë marrë edhe çmime në letërsinë kombëtare. Këtu veçoj sidomos romanin “Kryekronika e Fushës së Kosovës” (2008), i cili përfaqëson një prej sprovave të para letrare që rreket t’i eksplorojë sagat ballkanase nën rrogozin e miteve, si dhe romanin “Kujtimet e një çifuti” (ky roman e mori Çmimin Vjetor për Letërsi në vitin 2010), me të cilin ky autor, ndër të paktët e letrave shqipe, e bëri letërsinë tonë pjesë të asaj që disa studiues e kanë quajtur “Paradigma hebreje e letërsisë së shekullit XX”.

    Por, së fundi, Haxhaj na ka dhuruar një roman disi më ndryshe nga të gjashtët sa ka botuar deri më tani: “Mirë se vini zoti ambasador”! Që në titull ai sikur na paralajmëron se është, siç do të thoshim ne gazetarët “provokativ”. Pra, me këtë titull autori sikur na fton të “kacafytemi” brenda honeve të letërsisë kritike, ku realiteti sarkastik përjetohet si aventurë leximi dhe ku shkrimtari do të na shpall disa nga “herezitë” e tij më të fundit.

    Romani ka një nota të larta të sarkazmit dhe groteskut që i kundërvihet realitetit ekzistencial. Ai kapë një fabul që shtrihet brenda një periudhe kohore mbi 30-vjeçare, kohë kur edhe ndodhin jetët dhe të bëmat e personazheve. Përmes një rrëfimi tërheqës, me një stil tregimtar të këndshëm, shpërfaqet “njeriu i Kosovës” brenda ingranazheve të procesit të gjatë dhe të mundimshëm të mbijetesës, të kërkimit të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Autori përdorë një gjuhë sarkastike dhe teksa përshkruan situata të rëndomta ato vetvetishëm marrin karakter figurativ, duke na zbuluar një botë krejtësisht groteske. Kjo gjuhë që përdorë autori jo vetëm që na grish të mos ndalojmë së lexuari, por edhe të reflektojmë për shumë çështje që na dalin parasysh gjatë të lexuarit, nganjëherë të mos pajtohemi, sikurse ndonjëherë edhe të polemizojmë me to. 

    Sikur shumë “histori” shqiptarçe që nisin si epope dhe në fund përfundojnë si komedi, edhe “historia” e Haxhajt ka këtë përfundim! Ajo gërsheton elemente imagjinare me ngjarje reale dhe na ofron një dokumentar letrar tragjikisht të bukur.

    Haxhaj ka ndërtuar një rrëfim (histori) ndryshe për Kosovën, një histori me të cilën jo vetëm se kemi vijuar të jemi të vetëmashtruar që prej shumë kohësh, por me të cilën shpesh kemi arritur t’i mashtrojmë edhe të tjerët. Thyerjen e miteve (demitizimin) e kishte provuar edhe te romani “Kryekronika e Fushës së Kosovës”, por kësaj radhe ai këtë e shprehë me një gjuhë krejtësisht të shkoqur, duke bërë një kapërcim cilësor nga një prozë alegorike drejt një proze me tone metonimike.

    Rrëfimi i Haxhajt lidhet me një dialog imagjinar që narratori – Shkodrani, bën me një ambasador të porsaemëruar amerikan, i cili bëhet gati të zbarkojë me mision diplomatik në Kosovë. Shkodrani, që për ironi kishte bërë diplomë universitare për histori, por kishte përfunduar me punë të përhershme si kamerier në njërin nga restorantet kryeqytetase ku mbahen takimet jashtëprotokollare të zyrtarëve më të lartë të shtetit, duke përfshi edhe ato  sekrete, ndien një nevojë të papërmbajtshme që t’ia rrëfejë ambasadorit një “New history” për Kosovën. Me sintagmën “Mirë se vini zoti ambasador” ai sikur dëshiron të thotë: Mirë se vini zoti shpëtimtar!

    Këtë histori Shkodrani dëshiron t’ia rrëfejë ambasadorit nga zemra e plastë, sepse ai është i bindur se në Kosovë nuk kishte mbetur njeri i gjallë që nuk ishte bërë pjesë e skemave mashtruese e kriminale, që prej atyre institucionale e deri te ato parapolitike. Pra, në Kosovë nuk kishte mbetur një autoritet tek i cili do të mund të qahej hallesh njeriu i shkretë.

    E, ndërkaq, rrëfimi i Shkodranit për ambasadorin është rrëfimi i njeriut të zakonshëm kosovar, njeriut nga më të përvuajturit, varfanjakut, të traumatizuarit nga regjimet serbe të paraluftës, regjimeve të pasluftës, njeriut çdo herë të gënjyer, çdo herë të mashtruar, çdo herë të plaçkitur, çdo herë të keqpërdorur, çdo herë të mohuar.

    Duke rrëfyer historinë e familjes së vet, në fakt Shkodrani rrëfen fytyrën e vërtetë të shoqërisë kosovare me të gjitha pamjet e shëmtuara; atë fytyrën e palavdishme të cilës klasa politike dhe institucionaliste çdo herë kishte arritur t’ia ngjiste gazin e buzëqeshjen e paqenë, ndërkohë që brenda fshihte një tjetër krejtësisht të zezë.   

    Në këtë roman Ardian Haxhaj ka krijuar një regjistër interesant personazhesh, emrat e të cilëve lidhen edhe me veprimet e tyre, si: Nuhi Dera, I Qimi Nanës, Bythëmadhja, Gremqi etj. Ai ka tipizuar me shumë prej personazheve tragjikomikë, por, njëri prej tyre, Nuhi Dera, ka diçka të veçantë: me “të bëmat” e tij ai është disi i pangjashëm në letërsinë shqipe, duket sikur është “arratisur” nga romanet e Marquez-it, apo nga ata të Vargas Llosa-s. Aventura qesharake e një fshatari kooperativist, i cili përmes mashtrimesh arrin deri tek “kurorëzimi” me statusin e “heroit” të gjallë, e bënë Nuhi Derën t’u ngjajë personazheve maçoistë te romani “Festa e Cjapit” i Mario Vargas Llosa-s. Nuhi Dera është prototipi i atyre njerëzve që quhen “profiterët e luftës”, ata të cilët në mungesë të autoritetit ligjor për më shumë se dy dekada e kanë bërë ligjin e të fortit. Rrëfimi për Nuhi Derën jepet me shumë mjeshtri. Brenda kësaj historie autori na përqas një kuptim të bartur e ironik, të hollë e të zhdërvjelltë, me argumente të huajtura krejtësisht nga jeta reale dhe nga njerëz realë, duke na përballur shpesh me tablo sarkastike, groteske e tragjikomike.  

    Me këtë roman Ardian Haxhaj ka arritur ta na zbulojë çdo aspekt të “superstrukturës” kriminale të vendit tonë. Me shumë guxim ai e vë në tallje  sentimentin heroik-kombëtar, sepse konsideron se i njëjti është keqpërdorur për qëllime nga më të errëtat. Përmes personazhit të tij, të shkretit Shkodran, autori sikur përvijon bindjen se, duke u keqpërdor ky sentiment në Kosovën e pasluftës u krijuan shumë skema mashtrimi, skema kriminale, që nga ato politiket, e deri te zhvatja me pasuritë shoqërore. Me aq sa “lejon” shprehësia letrare ai nuk e kursen aspak arsenalin që ka në dispozicion për t’i demantuar epikat e paqena të paraluftës, heroizmat e rremë të kohës së luftës, sikurse as heronjtë e paqes dhe të kinse shtetndërtimit etj.

    Në fund duhet thënë se romani “Mirë se vini zoti, ambasador” mund të konsiderohet një lament i rrallë letrar që i kushtohet krizës së madhe morale dhe ekzistenciale që ka pllakosur mbi vendin tonë që prej shumë vitesh. Qëndrimi kritik ndaj kohës së vet, edhe pse ndoshta i vetmuar, e bënë autorin e këtij romani, një zë që fuqishëm kumbon brenda ndërgjegjes së lënduar të shoqërisë kosovare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË