More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArben Veselaj: Dy mënyrat e leximit të romanit “Dosja H.”

    Arben Veselaj: Dy mënyrat e leximit të romanit “Dosja H.”

    Romani “Dosja H.” i shkrimtarit më të shquar shqiptar të kohës sonë, Ismail Kadare, është një nga ato veprat e letërsisë së madhe që sa herë lexohen të rrëmbejnë dhe të ngashënjejnë në misteret që ndryjnë brenda (diçka si Mujsi dhe zanat). Në veprat si këto një lexues i kultivuar, ndërsa rreket për të zbërthyer një mister do të zbulojë, ndërkaq, një varg misteresh tjera.

    Kështu ndodh edhe me “Dosjen H.” Me sa duket vetëm një mister si eposi mund ta ketë fuqinë kaq të madhe ngashënjyese e joshëse.

    Tani që e rilexova edhe një herë “Dosjen H.” (pas disa vitesh nga leximi i parë), mu shtua edhe një dilemë tjetër: si të lexohet ky roman? Si një thriller policor, apo si një roman politik i letërsisë ballkanike të shekullit XX?

    Në shumë vepra të tij Kadareja rrek ta shpërfaq historinë reale në një tablo të gjerë imagjinare, për të na rrëfyer anët e errëta e të pathëna të saj, por te “Dosja H.” kjo histori reale seç është e mbështjellë me një mister mu si dhe vetë “çështja homerike”.

    Duhet nënvizuar faktin se misteri mbi eposin është temë e preferuar në disa vepra të Kadaresë, qoftë në prozën imagjinare, apo edhe në veprat eseistike. Për Kadarenë mister mbi misteret në eposin legjendar është “mekanizmi” i tij: si funksiononte ky mekanizëm i “kujtesës kreative” dhe si ishte ruajtur eposi si  “edicion” i mëvetësishëm dhe kompleks deri në ditët tona (diçka si kujtesëharresa)?

    Dy “kryekëngët” e poetit të verbër mitik, Homerit, “Iliada” dhe “Odiseja”, shpërfaqen hera – herës si enigma në disa prej këtyre veprave, por më shumë se epet është dramaturgjia (tragjedia) e grekëve të lashtë, e gatuar pikërisht nga brumi këngëve homerike, ajo që e ka shtyrë Kadarenë t’i shkruajë disa nga “sprovat” më të bukura e më mbresëlënëse të letërsisë së tij.

    Te romani “Dosja H.” historia në fakt është një ritregim imagjinar mbi dy protagonistë realë: dy epikologët amerikanë me prejardhje irlandeze, Milman Perry dhe Albert Lord, të cilët në një kontekst hipotetik letrar përballen me absurdin e botës shqiptare.

    Epikologët e vërtetë, Milman Perry dhe Albert Lord, shndërrohen nga Kadareja në protagonistë imagjinarë të romanit: Maks Roth dhe Vili Norton. Ata ndërmarrin një ekspeditë në Shqipërinë e kohës së Monarkisë, aty diku mes viteve 1933 e 1935, duke pretenduar ta gjejnë gjellën homerike për t’i dhënë përgjigje misterit të krijimit të epeve legjendare. Plani i tyre ishte i thjeshtë: t’i gjenin bardët shqiptarë të epeve dhe t’i regjistronin këngët e tyre në shirit magnetofoni, për t’i hedhur pastaj në tavolinën e punës për t’i analizuar, krahasuar dhe në fund për ta vërtetuar teorinë e tyre të “shkencës grindavece”, homerologjisë.

    Dy epikologët priren nga bindja se Shqipëria ishte vendi i fundit ku do të mund t’i vërtetonin tri hipotezat e tyre: Si ishin krijuar epet homerike rreth tremijë vjet më parë? Pse epet pësonin ndryshim nga bardi në bard? dhe si transformoheshin epet në raport të zhdrejtë midis kujtesës dhe harresës?

    I konsideruar gjerësisht si roman që trajton “çështjen homerike”, “Dosja H.” në fakt mund të lexohet edhe si një “Spy Thriller”. Mu në kohën kur lexuesi nis të zhytet në misteret e eposit, Kadareja, ndërkaq, i kthehet një historie spiunazhi sikur të ishte një thriller i Agatha Christie-t.

    Ardhja në Shqipërinë monarkiste e dy epikologëve amerikanë nuk shihet si diçka normale, përkundrazi. Ata shpallen nga shteti shqiptar të dyshimtë, spiunë që kishin ardhur për t’i spiunuar punët e Mbretërisë. Maks Roth e Vili Norton do të shkaktojnë jo pak shqetësime, sidomos te organet e sigurisë së shtetit. Sakaq do të vihet në lëvizje një pjesë e madhe e aparatit të spiunazhit shqiptar, për ta kapur në flagrancë komplotin amerikan të kamufluar nën rrogozin e një “misioni homerik”.

    Kadareja këtu na jep një seri përshkrimesh mbi jetën dhe mbi njerëzit e një qyteti provincial shqiptar ku dy epikologët zënë qëndrim të përkohshëm në një hotel. Me groteskun e tij të papërsëritshëm ai e përshkruan mizerablen orientale të shtetit shqiptar të viteve ‘30-të të shekullit të kaluar. Imazhi i zymtë e i mërzitshëm i nënprefekturës N. na zbulohet si një ambient të cilit i ka humbur fare filli i botës së rrokshme. Si për ironi, në atë qytet, përveç kohës, edhe shumëçka tjetër është e ngrirë dhe e ftoftë, mu si ajo bota e lashtë në epos që përshkruhet me vargun: “Shum’ po shndrit nj’ai diell e pak po nxeh”!

    Te “Dosja H.” Kadareja na jep po ashtu edhe një set portretesh me personazhe nga mizerja shqiptare: Mukadezi, apo Dezi, siç vetëquhej gruaja mendjeshkretë e nënprefektit, që bie në kurthin e një vetëintrige për tradhti bashkëshortore, pastaj spiuni Dullë Baxhaja, personazhi ndoshta më grotesk që ka krijuar imagjinata kadareane ndonjëherë, i cili, për shkak të shkathtësisë për t’i shkruar me elokuencë eseistike raportet e spiunimit, aspak nuk e meritonte detyrën e spiunit, por atë të kryetarit të Akademisë së Shkencave, etj.

    Në romanin “Dosja H.” Kadareja ka portretizuar edhe dy personazhe eksternalë që futen në skenën e romanit sikur nga një anë e errët e botës: murgun serb, Dushanin dhe eremitin shqiptar, Frrokun. Dushani portretizohet si një agjent politik i kamufluar me rrason e murgut, kurse eremiti Frrok, një fanatik i verbër që “shpellon” në të kaluarën dhe ka frikë nga “vegla ogurzezë” (magnetofoni) e epikologëve.

    Pasuesi i fundit i romanit me dy personazhet eksternalë, me sa duket, vije për ta na zbuluar një dramë tjetër të cilën e kishte provokuar “misioni homerik” në Shqipëri: konfliktin e vjetër serbo-shqiptar mbi përkatësinë e miteve ballkanase. Maks Roth dhe Vili Norton kishin “provokuar” luftë për disa këngë të vjetra, prapa të cilës, në fakt, fshihej një luftë e vërtetë për disa toka të vjetra.

    Te “Dosja H.” sikur shumëçka që është e çuditshme, çudi që të shtyn të mendosh më gjatë është edhe emri i bujtinës ku frekuentojnë rapsodët shqiptarë: Rashta e Buallit (diçka si Hani i dy Robertëve). A mund të hamendësojmë që Kadareja e ka emërtuar bujtinën ashtu duke pasur ndërmend “fshatin e rapsodëve” në afërsi të Durrësit, Rashbullin, ku gjatë kohës së regjimit komunist shqiptar strehoheshin rapsodët kosovarë të ikur nga regjimi jugosllav, midis tyre edhe njëri nga të fundmit e aedëve shqiptarë të epeve legjendare, Dervish Shaqa?

    Për fund duhet thënë se romani “Dosja H.” është një nga kryeveprat e stilit grotesk në gjithë letërsinë shqiptare, si dhe një kryevepër për eposin legjendar si monument i çuditshëm i botës së vjetër që nuk plaket e as nuk vdes kurrë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË