“Albumi i thashethemeve” është një nga shumë romanet e shkrimtarit Stefan Çapaliku. Një përzierje e disa teksteve artistike duke nisur nga ai letrar, bërë nga shkronjat, fjalët, frazat, paragrafët te ai muzikor dhe dramatik, i cili shpërfaqet përmes titujve emërtues të kapitujve, por edhe tensionit të brendshëm të ngjarjeve të rrëfyera, të cilat të lënë të përjetosh njëfarë emocioni që ta përcjell skena e teatrit dhe ajo e shfaqjeve muzikore operistike, të lidhura të gjitha këto me imazhet fotografike.
Një varg rrëfimesh e thashethemesh që e kanë zanafillën te kujtesa, te memoria si dhe te disa fotografi emblematike bardhë e zi të familjes Çapaliku, të personave me histori ‘’turbulluese’’, që kanë pasur marrëdhënie familjare ose miqësie me Çapalikët. Rrëfimi bëhet nga një prej personazheve, i cili e nis rrëfimin qyshse kujtesa e tij ka fuqi për të kujtuar. Janë rrëfimet e një djaloshi që rritet. Rrëfimet a thashethemet sikurse dikton edhe titulli duket se asnjëherë nuk pasurohen me trillime të reja, ato trashëgohen e përcillen me besnikëri nga njëri rrëfimtar i një breznie te rrëfimtari i breznisë tjetër. Këto thashetheme për personazhe familjarë, të qytetit apo edhe të historisë ruajnë një lloj dashamirësie për ta, nuk janë me qëllim përdhosjen e figurës së tyre, por për të shkundur pluhrin e identitetit të familjes që bën rrëfimet (thashethemet).Nga ana tjetër këto thashetheme gjallërojnë dëgjuesin, bashkëshorten e Doktorit e cila sa ka kureshtje për peronazhet e fotografuara aq edhe përjeton shokim nga zbulimet që bën për familjen, qytetin dhe sistemin.
Përpos rrëfimeve a thashethemeve që vijnë nga goja e Neni Ages, narratori kujdeset të rrëfejë edhe një histori tjetër të tij që fillimisht nuk duket se lidhet drejtpërdrejtë me albumin e thashethemeve, por me botën e brishtë të emocionit të dashurisë së parë, si dhe të tashmen e jetuar të disa personazheve që sillen rrotull albumit të vjetër të thashethemeve (Silvia një prej tyre). Një varg rrëfimesh që krijojnë një tablo të plotë të ngjarjeve të së shkuarës së largët në qytetin e Shkodrës, të ngjarjeve në fëmijërinë e rrëfyesit, në adoleshencën e tij që duket qartazi se jetohet përgjatë viteve të diktaturës komuniste si dhe të kohës së pjekurisë që jetohet në ditët e tranzicionit politikë që duket se zverdh faqet bardhë e zi të albumit të thashethemeve.
Kjo linjë e dytë rrëfimi a thashethemi vendos në qendër narratorin e paemër dhe dashurinë me ngjyrime herë platonike, herë fizike e herë intime të tij për vajzën me emrin Silvia. Silvia bëhet më shumë se një dashuri e fëmijërisë, ajo bëhet shtysa e tij drej artit, muza e tij poetike. Është për shkak të saj që Ai nis edhe i futet shkrimit, poezisë, letërsisë. Me sa duket e bukura te Silvia zgjon sesnsin e tij për të madhërishmen. Kjo linjë e dytë rrëfimi gjen shteg për t’u kryqëzuar me të parën po përmes Silvias, e cila zbulohet prej narratorit të ketë një lidhej romantike me Doktorin. Ky zbulim duket se shkund më shumë lexuesin se sa të dashuruarin, madje mund të konsiderohet si kulminacioni i gjithë narrativës. Pas këtij zbulimi ngjarjet e tjera duket sikur vrapojnë me një shpejtësi murlani për kah zgjidhja. Në këtë fazë lexuesit i ofrohen shumë ndodhi të shpejta, të cilat lëvizin tagend me albumin e thashethemeve. Ky album rikthehet me vdekjen e Neni Ages, e cila në letrën e saj kërkon t’i bëhet një foto bardhë e zi sikurse fotot e tjera të albumit. Duket se në një farë mënyre ajo kërkon të bëhet pjesë e albumit, atij albumi me figura revolucionare. Pra, kërkon të bëhet histori jo vetëm e familjes, por edhe e qytetit (në ditën e saj të vdekjes i erdhën të gjithë jetimët që pati nën kujdes).
Mbyllja e romanit nuk i përfundon thashethemet, ato do të vazhdojnë jetën e tyre në Shkodër duke u arkivuar në albume bardhë e zi a forma të tjera. Ajo që mbyllet me të vërtetë në këtë roman është një gjysmë shekulli frike e thashethemesh që patën ngrirë zemrat e një shoqërie të tërë .