More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAnton Nikë Berisha: Pse letërsia jonë për fëmijë është ende ndërgjegjja...

    Anton Nikë Berisha: Pse letërsia jonë për fëmijë është ende ndërgjegjja jonë e pikëlluar

    Brenda punës sime rreth studimit të letërsisë, që zë fill me punimin “Analogji e porosive të fantazmave në veprën Hamleti të Shekspirit dhe Istori e Skënderbeut të Naim Frashërit”, të botuar në revistën “Fjala” të Prishtinës më 1968[2], kam vështruar dhe dukuri të letërsisë për fëmijë dhe të veprave të saj. Përveç punimeve për disa vepra të veçanta të letërsisë sonë për fëmijë ose të letërsive të tjera për fëmijë, kam botuar dhe këto vepra studimore: Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit. Studim monografik. “Faik Konica”, Prishtinë 2002; Letërsia për fëmijë si art i fjalës. Shtëpia botuese “Arbëria 07”, Tiranë 2013; Veçanti të veprës letrare për fëmijë të Rifat Kukajt. Argeta LMG, Tiranë 2020 dhe Poetika e letërsisë për fëmijë. Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, Prishtinë 2020.

    Në punimet për veprat letrare për fëmijë si dhe në librat studimorë që i përmenda, kam dëshmuar se letërsia për fëmijë është pjesë e pandashme e artit të fjalës, letërsisë, dhe se ajo, si dhe letërsia për të rritur, letërsia gojore etj. përbërësin kryesor e kanë gjuhën dhe të shprehurit poetik. Kështu, përkundër veçantive që i kanë, siç ndodh me llojet e artit të fjalës që i përkasin poezisë, prozës ose dramës (për të mos i përmendur nënllojet brenda këtyre tri zhanreve) qëllim kryesor kanë ndikimin estetik në marrësin dhe pasurimin e tij shpirtëror.

    Zhvillimi dhe pasurimi i letërsisë sonë të shkruar për fëmijë pas veprave të autorëve të letërsisë sonë të vjetër dhe veprave të letërsisë së arbëreshëve të Italisë[3], që vinë pas tyre, në periudhat e më vonshme të thuash se ka ecur krahas letërsisë për të rritur. Në disa periudha letërsia jonë për fëmijë ka pasur një shtegtim dhe një rritje më të madhe, në disa të tjera, ngecje dhe rënie. Megjithatë, përherë janë hartuar e janë botuar vepra për fëmijë vlerash dhe cilësish të ndryshme.

    Siç është e njohur botërisht letërsia gojore[4], që i ka paraprijë letërsisë së shkruar për shekuj me radhë, ka krijuar bazën nga është nisur çdo vepër e letërsisë së shkruar, qoftë ajo për të rritur ose për fëmijë[5]. Edhe brenda vetë letërsisë gojore kanë ekzistuar llojet e letrare si, fjala, vjen përrallat, fabulat, këngët e fëmijëve dhe këngët për fëmijë, këngët e djepit, lojanakët etj.

    Duhet përmendur këtu rëndësinë e shumëfishtë të, fjala vjen, përrallës gojore, që bëri jetë shumë të gjallë me shekuj para lindjes së shkrimit dhe të letërsisë së shkruar. Këtë krijim letrar gojor nuk e quajtën rastësisht “kthjelltësia e poezisë mbretërore[6]”. Si e këtillë ajo bëri një ndikim të jashtëzakonshëm në letërsisë e shkruar, sidomos në prozën e shkruar[7], por edhe në marrësin, te fëmijët dhe tek të rriturit meqenëse përrallat i treguan të rriturit dhe i dëgjuan fëmijët.

    Në punimet dhe në studimet e deritashme kam ndriçuar sa afritë, përkimet, po aq dhe ndryshimin mes letërsisë për të rritur dhe letërsisë për fëmijë, që janë të natyrshme, siç janë të natyrshme dhe ndryshimet brenda vetë llojeve të prozës së shkruar: tregimit të shkurtër, novelës, romanit, po dhe ndryshimet brenda vetë llojeve të romaneve[8].

    Se veprat e letërsisë për të rritur dhe veprat e letërsisë për fëmijë janë shtresa të artit të fjalës, është dëshmuar nëpër rrjedhë te kohëve dhe se ato u përdorën nga të rritur dhe nga fëmijët. Për këtë dëshmojnë shumë shembuj. Po përmend këtu fabulën, e cila në kohën e Ezopit (shek. VII – VI para Krishtit), kur u bë shumë e njohur në letërsinë e lashtë greke, shkruhej për të rriturit, veçmas për shtresën e fisnikëve. Më vonë ajo u bë lloj mjaft i përshtatshëm dhe i përfillshëm pikërisht për fëmijë.

    Esteti italian, Benedetto Croce (Benedeto Kroçe), duke folur për rregullat e zgjedhjes së librave, që duhet t’i lexojnë fëmijët thoshte: “Libri i mirë për fëmijë është ai që mund të shijohet, pa kufizime e pa rezerva, edhe nga të rriturit. Nuk vlen për fëmijë gjithë ajo që është shkruar për të rritur, mirëpo krejt ajo që është shkruar për fëmijë duhet të vlejë edhe për të rritur në qoftë se është vepër e artit[9]”.

    Edhe autori ynë letrar, Vehap Shita, ka vërejtur me të drejtë: “Letërsia për fëmijë dhe ajo për të rritur nuk kanë ndonjë kufi të prerë që i ndan njërën nga tjetra, sidomos kur është fjala për krijuesit e saj. Shumë nga ata që shkruajnë për të rritur, shpeshherë shkruajnë edhe për fëmijë dhe – anasjelltas. Mandej letërsinë, fjalën e shkruar e të thënë artistike, e shijojnë njësoj, ndonëse secili në mënyrën e vet, i rrituri dhe fëmija […] Përrallën e bukur popullore e dëgjojnë njësoj me ëndje i rrituri sikurse edhe fëmija[10]”.

    Ç’rëndësi ka letërsia për fëmijë e kam theksuar në disa punime, po këtu mjafton të kujtoj mendimin e njërit ndër njohësit dhe studiuesit më të shquar të letërsisë për fëmijë, Paul Hazard, të vënë si moto të këtij punimi: “Letërsia për fëmijë mund të mos përfillet me kusht që të mos përfillet as bota, në të cilën një shpirt nacional formohet dhe ruhet[11].

    Duke e pasur parasysh këtë gjë them me bindje se një popull që ka pasur apo ka një letërsi të madhe për fëmijë, ka pasur dhe ka një letërsi të madhe dhe për të rritur. Ngjet kështu për shkak se ndërtimi dhe ngritja e shpirtit artistik të një qenie njerëzore kërkon mund të madh dhe shumë kohë: fillon qysh në moshën e re e vazhdon gjatë gjithë jetës. Poeti ynë, Jeronim De Rada, duke folur për poezinë dhe të bukurën që duhet ta cilësojë atë, thoshte: “[…] Edukimi i shpirtit me të bukurën është një punë e lodhshme dhe e gjatë sa edhe vetë jeta[12]”.

    Pra, shkrimtarët e mirë, përmes leximit të veprave poetike të krijuara më parë, po edhe ato në kohën e tyre, formohen duke filluar nga fëmijëria dhe pasurohen në rrjedhë të viteve. Nëse një shkrimtar nuk e ushqen (përmes leximit) vijimisht mendjen dhe shpirtin e vet me vlera letrare poetike, atëherë frytet e punës së tij do të jenë të përvuajtura.

    Një letërsi, pra dhe letërsia për fëmijë, që vendnumëron dhe nuk pasurohet, është shenjë e fillimit të zhbërjes. Nëse do të ndodhte kjo, do të kishte pasoja të rënda jo vetëm në rrafshin e mbëltimit (kultivimit) të së bukurës e të fisnikërimit shpirtëror të fëmijëve, po dhe në lëmin e diturisë, të mirësisë dhe të njerëzores. Veprat e mira letrare poetike (kur lexohen) u hapin marrësve të tyre dritare dhe shtigje të shumta, për të mos thënë të pafund; përmes tyre do ta njohin vetveten, do t’i njohin më thellësisht dukuritë dhe mjedisin ku jetojnë; do të aftësohen t’i përballojnë vështirësitë e jetës më lehtë dhe sa më me pak pasoja. Për këtë arsye është thënë me të drejtë se poezia (lexo: dhe letërsia) është më mendore dhe më e vlefshme se historia (nënvizimi im), sepse poeti e shqipton atë që është e përgjithshme, e mundshme, ndërsa historiani atë që është e veçantë[13].

    Tashmë është e njohur se vepra letrare poetike është fryt i botës subjektive dhe i imagjinatës së shkrimtarit dhe ajo përmes tekstit e shpreh këtë botë, po njëherit, përmes artit të fjalës e përfton një botë që mundëson njohjen e botës konkrete dhe të botës së brendshme, të vërtetës subjektive të njeriut, që janë dukuri të ndërliqshme dhe fshehtësi të mëdha.

    Dy janë, ndër të tjera, kushtet të cilat duhet të plotësohen që një vepër poetike të përligjë qenësinë dhe gjallimin e saj: ai që shkruan duhet a) të përdorë një gjuhë poetike sa më të pasur e të veçantë dhe b) të rrëfejë, para së gjithash, diçka të bukur në mënyrë që ai që e lexon, mund të komunikojë me atë tekst dhe si rrjedhojë të ndikohet prej tij.

    Veprat letrare poetikisht të ngritura, qoftë ato origjinale, qoftë të përkthyera, për të rritur e për fëmijë, ndikojnë dhe në ndërtimin e botëkuptimit, në plotësimin e virtyteve, sidomos në domosdonë e veprimit në jetën e përditshme, pa marrë parasysh kushtet dhe rrethanat që herë – herë krijohen; ato ia mbëltojnë marrësit ndjesinë e fisnikërisë, të shoqërizimit e të nderimit të tjetrit. Pra, letërsia në përgjithësi e brenda saj dhe letërsia për fëmijë e pasur dhe artistikisht e ngritur, nëpërmjet mënyrave të ndryshme, sidomos përmes shqiptimit të lojës dhe të argëtimit, e formon shpirtin artistik dhe frymën krijuese te lexuesi i saj.

    Shkrimtari italian, Xhusepe Fançulli (Giuseppe Fanciulli) e përcakton letërsinë për fëmijë si një mjet (mënyrë) për formimin e njeriut qysh në fillim të jetës së tij: “Letërsia për të rinj […] është një instrument i formimit njerëzor; është pasqyrë dhe shprehje e një fëmijërie e caktuar të formojë shoqërinë e së nesërmes. E para së gjithash një mjet i sigurt për arritjen e mirëkuptimit e të paqësimit midis popujve[14]”.

    Veprat letrare për fëmijë bëhen të rëndësishme për shkak se në to, siç ngjet dhe në letërsinë për të rritur, dukuritë shqiptohen përmes gjuhës poetike, figurshmërisë, simbolikës dhe metaforikes, që mundësojnë përftimin e tekstit, komunikimin me të dhe ndikimin estetik, që është një nga qëllimet kryesore të çdo krijese letrare, e cila, siç pohon studiuesi i shquar, Zdenko Shkreb[15], duhet të lexohen e të receptohen si vepër poetike e jo si fakt historik.

    Letërsinë për fëmijë e bëjnë letërsi të magjisë dhe të mrekullisë gjuha që përdoret, mënyrat e veçanta të shtjellimit të tekstit dhe të shprehurit; ngrohtësinë e rrëfimit, pastaj loja si formë argëtimi që (shpesh) gërshetohet me një humor të natyrshëm e me funksion etj. Këta përbërës zgjojnë tek fëmijët kureshtjen, kënaqësinë, fisnikërimin dhe pasurimin shpirtëror. Aldo Çibaldi (Cibaldi) thekson: “Në fjalën poetike rrjedh një jetë e imazheve (tablove) krijuese që e shndërrojnë dhe e dinamizojnë botën; arti është një lëvizje dhe një dinamikë edhe kur duket qetësisht i përmbajtur[16]”.

    Nëse e vështrojmë dhe e çmojmë në këtë mënyrë letërsinë për fëmijë, mund të thuhet se populli që i kushton kujdesin e duhur krijimit dhe pasurimit të saj, mund të ketë përparim të mirëfilltë në fushën e artit të fjalës, po edhe në fushat e tjera të jetës. Fëmijët e sotëm bëhen nesër të rriturit, ata që do ta udhëheqin shoqërinë, siç do të ndodhë dhe me fëmijët e tyre dhe me fëmijët e fëmijëve të tyre. Një rrjedhë e pandalë.

    Shumë vepra për fëmijë që përjetuan një përhapje të gjerë dhe një komunikim të madh dhe bënë një ndikim të ndjeshëm estetik në marrësin, nuk u lexuan vetëm nga fëmijët e të rinjtë, po dhe nga të rriturit. Kjo dukuri dhe ndikimi i veprave të tilla poetike për fëmijë në rrjedhë të kohëve na bën të quajmë letërsinë për fëmijë letërsi e mrekullisë (nocion i Luixhi Santuçit)[17]. Pikërisht për këto cilësi të kësaj letërsie Hazardi thotë: “[…] librat që nuk i përgjigjen unit të tyre (të fëmijëve – v. ime), që nuk i godasin sytë e tyre në mes të figurës, dhe shpirtrat e tyre me gjallërinë e formës, librat që u mësojnë atyre vetëm atë që mund të mësohet në shkollë, librat që i bëjnë të flenë e jo të ëndërrojnë, nuk i pranojnë (i hedhin)[18]”.

    Vepra letrare e mirëfilltë për fëmijë, natyrisht, i shpreh dhe i përligj në mënyrë përkatëse veçantitë e botës së fëmijëve, që janë sa të mëvetësishme, aq edhe të ndërliqshme. Tek fëmija ngjizën dhe dëshmohen çështje të rëndësishme, që pastaj bëhen burimi i jetës së njeriut si qenie: “Më pak skeptik, më pak të dëshpëruar se sa ne, fëmijët gjejnë, në kontakt me këto faqe (të librit të D. De Feo, Robinson Kruso – v. ime), forcën dhe këndelljen e instinkteve primitive të racës sonë. Kujtimet e kohëve, në të cilat paraardhësit tanë më të largët nuk bënin gjë tjetër pos bridhnin mbi dhe? Zëra të përtejmë që grishin për të dalë nga ujdhesa jonë dhe që tërheqin drejt mbretërisë që sytë tanë nuk mund ta shohin kurrë[19]”.

    Rreth letërsisë për fëmijë përballë letërsisë për të rritur shkrimtari Anatole France thotë ndër të tjera: “Nëse shkruani për fëmijë mos e bëni në mënyrë të veçantë; mendoni mirë, shkruani mirë: kjo është fshehtësia e vetme që t’u pëlqejë lexuesve të vegjël[20]”.

    Rëndësinë e shumëfishtë të letërsia për fëmijë e thekson edhe L. Volpicelli, e cila do ta “[…] fusë të riun sa më shpejt që është e mundur në art, në kulturën e të rriturve, ajo do t’i zgjidhte më së miri detyrat e veta. Dhe do të kishte më të qartë konceptin e funksionit të vet që do t’ishte të shmangte (eliminonte) sa më parë që është e mundur veten e saj, domethënë nevojën e një letërsie të të rinjve për të rinjtë[21].

    Në këtë rrjedhë lind pyetja: a nuk ndodhi kështu me veprat Pinokio, Princi i Vogël, Robinson Kruso, Udhëtimet e Guliverit, Zemra, Përrallat e Andersenit e të ngjashme, që u lexuan në gjithë rruzullin e dheut nga miliona lexues të shtresave të ndryshme, fëmijë e të rritur.

    Sipas leksikonit “Shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë” të Odhi Grillos (ku jepen të dhëna për 530 shkrimtarë që shkruan për fëmijë në periudhës 1872 – 1995) duhet të jenë me mijëra vepra letrare për fëmijë llojesh të ndryshme, disa të cilësisë shumë të lartë, që bëjnë kulmet e artit tonë të fjalës si veprat e Rifat Kukajt “Zogu i bardhë”, “Pëshurrani i gjyshit” dhe “Dita e xhufkave”[22], romani i Petro Markos “Shpella e piratëve” ose përmbledhja “Posta e porositur” e Mark Krasniqit, për të mos i përmendur të tjerat.

    Është e çuditshme që gjithë kjo letërsi dhe të gjitha këto vepra letrare për fëmijë asnjëherë nuk gjetën asnjë vend në asnjë histori të letërsisë shqipe! Libri Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë e Astrit Bishqemit (“Sejko”, Tiranë 2001, botimi i tretë i plotësuar dhe i përmirësuar Universiteti “A. Xhuvani”. Dipartamenti i gjuhës dhe letërsisë, Tiranë 2008) më tepër është grumbullim të dhënash sesa histori e mirëfilltë e letërsisë për fëmijë si art i fjalës. Të bindesh për këtë mjafton të lexohen Parathënia e botimit të parë dhe parathënia e botimit të tretë. Autori i saj shkruan: “Botimi ynë ka destinimin e tekstit shkollor të arsimit të lartë me drejtim pedagogjik” (Botimi i tretë, f. 16). Po pse atëherë e emërton Histori të letërsisë për fëmijë? Cilat janë letërsitë e tjera për fëmijë të “destinimeve” të tjera?!

    Duke sqaruar mënyrën se si e ka hartuar veprën e vet, duke shfrytëzuar disa ligjërata të tij të mbajtura në Institutin pedagogjik të Elbasanit dhe në Universitetin “A. Xhuvani” si dhe punimet e autorëve të ndryshëm që i paskësh shfrytëzuar në libër, Bishqemi shkruan: “[…] ai ende e ruan lehtë formën e kompilimit e të konspektimit, domethënë është rezultat edhe i djersës së shumë studiuesve e kritikëve tanë. Këtu janë konspektuar dhjetëra e dhjetëra recensione, është vjelur mendimi i kritikëve dhe i studiuesve tanë, që në njëfarë mënyre i konsiderojmë bashkautorë”. (f. 16).

    Këto mendime ta zënë frymë, asgjë më pak.

    Të mos e zgjatem më shumë, po i kthehem titullit të punimit për të thënë se njëmend letërsia jonë për fëmijë ende është ndërgjegjja jonë e pikëlluar, për të mos thënë e shëmtuar[23]

    Çka duhet të bëhet që një herë e mirë kjo gjendje të ndryshojë dhe letërsia janë për fëmijë të ketë statutin dhe vendin që i përket brenda artit të fjalës, letërsisë që krijohet në gjuhën tonë shqipe?

    Është detyrë që duhet të përballohet dhe të zgjidhet. Sa më shumë që të zvarritet e të vonohet pasojat do të jenë më të mëdha.

    Nuk duhet të presim që këtë detyrë të na zgjidhin të tjerët e ne të vijojmë ta nëpërkëmbim, ta përbuzim e ta mohojmë letërsinë për fëmijë nga se nuk guxojmë të harrojmë se e përbuzim dhe e mohojmë veten tonë, të tashmen dhe të ardhmen.

    Prishtinë, dhjetor 2023 dhe janar 2024


    [1]  Pual Hazard, Uomini, ragazzi e libri. Letteratura infantile. Seconda edizione. Armando Editore, Roma 1969, f. 95.

    [2]  Botuar në revistën “Fjala”, nr. 10, Prishtinë 1968, f. 6.

    [3]  Shih për letërsinë e arbëreshëve të Italisë librin tim Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2008. Botimi i dytë “F. Konica”, Prishtinë 2013.

    [4]  Shih veprat e mia Çështje të letërsisë gojore. “Rilindja”, Prishtinë 1982; Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe. (Studime e artikuj), “Rilindja”, Prishtinë 1998 dhe Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe. “Faik Konica”, Prishtinë 2017.

    [5]  Për këtë dukuri kam bërë fjalë në disa punime; shih edhe veprën time Përkime poetike. Kritika letrare. “Rilindja”, Prishtinë 1978.

    [6]  Maja Bošković-Stuli, Narodna predaja-volkssage-kamen spoticanje u podjeli vrsta usmene proze. Në „Usmena književnost kao umjetnost riječi“. Mladost, Zagreb, 1975. f. 121.

    [7]  Shih punimin tim Poetika e përrallës. Në “Rilindja”, dt. 21. 07. 1979 dhe punimin Hyrje në poetikën e përrallës. Në “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe”. “Faik Konica”, Prishtinë 2017, f. 229 – 276.

    [8]  Shih për këtë veprën time Teksti poetik. Vështrime e kritika. “Rilindja”, Prishtinë 1985.

    [9]  Shih Antonio Faeti, Letteratura per l’infanzia. La Nuova Italia Editrice. Firenze 1977, f. 13.

    Nisur nga ky përcaktim ky studiues thotë: “Fëmijët i zgjedhin nëpër raftet librat italiane që atyre u përshtatën e ata janë librat për fëmijë. Mirëpo, një letërsi për fëmijë nuk ekziston”. Shih Gianni Rodari, Scrivere oggi per i bambini. Citatin e mora nga interneti.

    [10]  Vehap Shita, Një vështrim mbi letërsinë tonë për fëmijë. Në “Jeta e re”, nr. 3, Prishtinë 1968, f. 616.

    [11]  Pual Hazard, Uomini, ragazzi e libri. Letteratura infantile, vep. e përm., f. 95.

    [12]  Jeronim De Rada, Parime të estetikës. Në Jeronim De Rada, Vepra letrare 3. “Naim Frashëri”, Tiranë 1987, f. 276.

    [13]  Shih Zdenko Škreb, Osnovni pojmovi poetike. (U povijesnom slijedu). Në “Uvod u književnost”, drugo dop. Izdanje, Znanje, Zagreb 1969, f. 227. Shih dhe Aristoteli, Qasje artit poetik. Përkthimin, studimin hyrës dhe shënimet Anton Nikë Berisha. Argeta LMG, Tiranë 2020.

    Të gjitha citimet nga kroatishtja dhe nga italishtja, nëse nuk përmendet përkthyesi, janë të autorit të punimit.

    [14]  G. Fanciulli, Scrittori e libri per l’infanzia. Società Internazionale, Torino 1973, f. 51.

    [15] Shih Aldo Cibaldi, Storia della letteratura per l’infanzia e l’adolescenza, La scuola editrice, Brescia, 1967, f. 38. Shih dhe studimin tim Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit. Studim monografik. Faik Konica, Prishtinë 2002, f. 27.

    [16]  Aldo Cibaldi, Storia della letteratura per l’infanzia e l’adolescenza, vep. e përm., f. 38.

    [17]  Luigi Santucci, La letteratura infantile. Con una conversazione fra Marcello Bernardi e l’Autore. Massimiliano Boni Editore, Bologna 1994, f. 7.

    [18]  P. Hazard, Uomini, ragazzi e libri. Letteratura infantile, vep. e përm., f. 47. Shih dhe Mark Krasniqi, Mbështetje shkencore dhe përpjekje letrare. Qëndrime e reagime IV. Prishtinë 1995, f. 253.

    [19]  P. Hazard, Uomini, ragazzi e libri. Letteratura infantile, vep. e përm.,. f. 53.

    [20] Shih Luigi Santucci, La letteratura infantile, vep. e përm., f. 65.

    [21] Shih L. Volpicelli, Dall’infanzia all’adolescenza. Brescia, La Scuola, 1952, f. 42.

    [22]  Shih librin tim Veçanti të veprës letrare për fëmijë të Rifat Kukajt. Argeta LMG, Tiranë 2020.

    [23]  Çështje më vete, për të mos them shëmtim, është, fjala vjen, mos përfshirja e veprave të Rifat Kukajt, njëri ndër shkrimtarët tanë më të mirë për fëmijë të të gjitha kohëve, në programet shkollore në Kosovë dhe në Shqipëri.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË