More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAnton Nikë Berisha: Ndriçime të qenësishme të fshehtësive të shpirtit të gruas

    Anton Nikë Berisha: Ndriçime të qenësishme të fshehtësive të shpirtit të gruas

    “Drejtpeshim harmonik i mendimit dhe i formës. Lumturia martesore ka përsosmërinë e një vepre rasiniane”[1].

    Romain Rolland

    Vrojtime të mëvetësishme dhe shumësore të dashurisë

    Ndodh rrallë që një shkrimtar të mbërrijë pikën kulmore me veprën e parë të botuar, siç ndodhi me romanin “Lumturia martesore” të Lev Tolstoit. Është e vërtetë se artin e vet lartësor ai do ta përligjë me veprat e mëpastajme si “Ana Karenina”, “Lufta e paqja” etj. Megjithatë, në këtë roman Tolstoi dëshmoi talentin dhe mjeshtërinë e madhe në hartimin e tekstit letrar e të veprës letrare si tërësi shprehëse poetike. Këtë e dëshmon dhe vlerësimi i Romain Rolland-it: Ç’bukuri shpirtërore e mbështjellë me një vello droje! I vetmi rast kur analiza e shkrimtarit nuk është therëse; ai nuk synon ta shpalosë të vërtetën në gjithë lakuriqësinë e saj. Të fshehtat e botës së brendshme zbulohen, ato nuk thuhen […] Drejtpeshim harmonik i mendimit dhe formës. Lumturia martesore ka përsosmërinë e një vepre rasiniane”[2].

    Romani “Lumturia martesore” nuk është i rëndësishëm pse e vështron dashurinë në rrafshe të ndryshme nga se dashuria është vështruar në shumë vepra letrare. Të përmend këtu vetëm “Këngën e këngëve” (Këngën më të bukur) të Besëlidhjes së Vjetër[3] – Šîr haššîrîm, siç quhet ajo në traditën hebraike, që është një vepër sublime[4], një tekst i pasur poetik që i kushtohet dashurisë sa konkrete, aq dhe shpirtërore e hyjnore. Në Këngë dashuria shprehet si realitet i krijuar nga Hyji[5] dhe që provohet në mënyrën më të thellë pikërisht nga qeniet që Ai i krijoi – nga njerëzit. Në këtë kryevepër poetike dashuria përligjet si njëra nga ndjenjat më të qenësishmet, më të fuqishmet dhe më të parrënueshmet.

    pse dashuria është e fortë si vdekja,

    pasioni është këmbëngulës si mbretëria e të vdekurve,

    flakërimet e saj janë shkëndija zjarri,

    një flakë hyjnore!

    Ujërat e mëdha nuk mund ta shuajnë dashurinë,

    as lumenjtë nuk mund ta përmbytin (8, 6 – 7)[6]

    Romani “Lumturia martesore” nuk është as e natyrës së “Komedisë hyjnore” të Dantes, ku gjithçka lidhet me bukurinë dhe me dashurinë ndaj Beatriçes; as me “Këngëtoren arbëreshe” të shkrimtarit tonë, Françesk Anton Santorit[7]. Tolstoi i qaset dhe e shqipton dashurinë në disa rrafshe, të parë e të rrëfyer në veten e parë nga një grua, ku dallohen sidomos dy rrafshe kryesore: a) drama e dashurisë së pa përmbushur (të dëshiruar, të projektuar) dhe b) fshehtësitë e dashurisë martesore, përkatësisht ngritjet dhe dramat e saj.

    Dashuria e parë ngërthen gjakimin dhe në qenësi ndërlidhet me dëshirat, e dyta i përket rrafshit konkret, është më jetësore dhe tjetër nga e para; ajo përcillet shpesh me të papritura dhe me tundime. Kjo ndodh sidomos kur lindin fëmijët dhe dashuria e çiftit martesor merr karakter – përmasë tjetër (në fjalën e urtë, kur burri në një çast e pyet gruan nënë fëmijësh se ku je, ajo i përgjigjet: Përtej djepit, përtej detit): “Burri dhe fëmija m’u kujtuan si qenie dikur të shtrenjta, me të cilët s’kisha më lidhje […]

    Jeta ime më dukej shumë fatkeqe, e ardhmja kaq e pashpresë, e kaluara kaq blozë”[8].

    Në të dyja rastet Tolstoi ka gërmuar në thellësi të shpirtit të Masheçkës (po dhe të Sergej Mihajlliçit), përkatësisht i ka shpalosur fshehtësitë dhe dramat që i ndodhin kësaj gruaje, e cila pikërisht përmes dashurisë dëshmon cilësitë më të veçanta si qenie njerëzore e dashuruar.

    Në këtë roman dashuria i njëson fuqishëm Masheçkën dhe Sergejn (të moshave të ndryshme), po dhe u shkakton tundime dhe mëdyshje më shumë se çdo ndjenjë tjetër. Ndodh kështu për arsye se, siç thoshte F. Dostojevski në romanin Demonët: “E çka është më e përjetshme sesa dashuria? Dashuria është më e lartë se ekzistenca, është kurorëzim i ekzistencës, e si është e mundur që ekzistenca të mos i nënshtrohet?”

    Bota e brendshme e gruas një fshehtësi e pafund

    Gjithë romani është i ndërtuar nga një rrëfim –tekst i menduar dhe i konceptuar me mjeshtëri. Dramat, vuajtjet dhe kundërthëniet shpirtërore, lëkundjet herë të rastit e herë të shkaktuara nga rrethana dramatike, po dhe dukuritë më të rëndomta autori synon t’i rrëfejë sa më poetikisht; t’i zbulojë, sa më shumë që është e mundur, shtresat e thella e më të fshehta të shpirtit të saj.

    Përmes rrëfimit Masheçka i shpalos sa çiltërinë e natyrshmërinë, po aq ndërliqësinë dhe tundimet shpirtërore. Ndonjëherë është e papërmbajtur për atë që synon; rrëmbehet nga çasti dhe ndjenja e përkohshme, nga dëshira të shfrenuara. Një herë tjetër bëhet e vetëdijshme se: “Jam kaq fatkeqe”, – mendoja. – “Le të më bien mbi krye edhe më tepër fatkeqësi”[9].

    Në roman Tolstoi e degëzon dhe e lartëson rrëfimin, dukuritë që lidhen me dashurinë i shqipton në shumësinë dhe thellësinë e tyre, duke gërmuar e ndriçuar të fshehtat e botës shpirtërore të Masheçkës përballë vetes dhe përballë Sergejt, po dhe përballë të tjerëve, kushtëzuar nga koha dhe mosha e saj.

    Tolstoi përqendrohet veçmas tek ndjeshmëria dhe sjelljet e Masheçkës, ku dashuria për Sergej Mihajlliçin përcillet me mëdyshje e me mundësi të veprimit ndryshe, pra shqiptohet dysia, më drejt shumësia, kundërthëniet dhe kundërshtimet. Kjo mënyrë e të rrëfyerit dhe e shqiptimit të dukurive të botës së brendshme ngjizen me pendimin, mëkatin; marrin jetë synimet përtej mundësisë dhe kushteve në të cilat Masheçka jeton dhe vepron. Ndonjëherë ajo dyshon se mos burri e ndëshkonte për diçka që e kishte çmuar më së shumti dhe për një çast ai i bëhet një person tjetër.

    Mëdyshjet e Masheçkës, po dhe të Sergejit, janë kryesisht rrjedhojë e moshave dhe e ndryshimit shpirtëror, e rrethanave dhe e gjendjeve konkrete. Herë – herë ata nuk ia dalin të kuptojnë, sidomos ajo, se dashuria nuk mbetet gjithnjë e njëjtë; është një ndjenjë e gjallë që ndryshon vijimisht. Dashuria bën që njeriu (pra edhe Masheçka dhe Sergej Mihajlliçi) t’i shohin e t’i përjetojnë dukuritë dhe vetë jetën ndryshe se sa kur mungon ajo dhe me kohë merr karakter tjetër:

    – Edhe unë jam mirë, – thashë, – por ndiej trishtim, pikërisht sepse gjithçka është kaq mirë përpara meje. Brenda vetes kam pështjellim, paplotëni, ende dëshiroj diçka, kurse këtu është kaq bukur dhe qetë. A nuk të përzihet edhe ty njëfarë malli për t’iu gëzuar natyrës, sikur dëshiron diçka të pamundur, dhe keqardhje për atë që ka shkuar”[10].

    ***

     “Po ç’dëshiroja më shumë? I mirë, i dashur, bashkëshort i mirë, baba i mirë, as vetë nuk e di se ç’më mungon”[11].

    Këto dyshime dhe kundërthënie të Masheçkës i vëren dhe i dashuri i saj, Sergej, i cili e donte atë me tërë shpirt, po jeta martesore i ka fshehtësitë dhe të papriturat e veta.

    – Po, – filloi të fliste, sikur të vijonte me zë mendimet e veta. – Të gjithë ne, por veçanërisht ju gratë, duhet ta jetoni vetë kotësinë e jetës, që të ktheheni te jeta e vërtetë; të tjerëve nuk mund t’u besosh. Atëherë ti nuk e kishe jetuar ende atë kotësi të mrekullueshme dhe të ëmbël që unë të admiroja; të lashë që të hiqje vetë dorë prej saj sepse e ndieja që nuk kisha të drejtë të të ndrydhja, megjithëse për mua kjo kohë kishte ikur qyshkur[12].

    Tolstoi e shpreh mjeshtërisht brishtësinë e shpirtit të Masheçkës; ballafaqimin me dukuritë e jetës, me gëzimet, me vuajtjet, me ligësitë. Kjo ndihmon të kuptohet jeta mirëfilli, marrëdhëniet me njerëzit, po dhe kotësia dhe dalldisja që e pushtojnë herë – herë.

    Pra, me kohë, edhe Masheçka, edhe Sergej, binden se çdo stinë e jetës ka dashurinë e vet, siç i ka të mirat, vuajtjet dhe pasojat. Ngjet kështu nga se as të dashuruarit (dashnorët) nuk mbesin të njëjtë; as koha s’mbetet e njëjtë; dashuria përshtatet me moshën, me rrethanat, me ndjenjat që vijimisht ndryshojnë, veçmas gjatë kohës martesore.

    Gjithë kjo ndërlidhet me fshehtësitë e botës së brendshme të njeriut, që asnjëherë nuk njihen e nuk mund të zbulohen në tërësinë e saj; gjithmonë mbetet diçka që të zbulohet nga se ajo botë është e pa pafund. Njeriu ngërthen brenda vetes fshehtësi dhe disa vetë; ka variante vetash: dyshe, treshe, po në rrethana të ndryshme, të papritura dhe të rënda degëzohen edhe më shumë. Gjithë kjo dëshmon natyrën e tij.

     […] e ndieja se isha e lumtur në vetvete, e lumtur sepse e meritoja atë lumturi, që lumturia ime ishte e madhe, por duhej të bëhej edhe më e madhe, se dëshiroja më shumë, më shumë lumturi[13].

    ***

     “U tremba dhe e urreva në atë çast. Doja t’i thosha shumë gjëra dhe të hakmerresha për të gjitha fyerjet; por në qoftë se do të hapja gojën, do të filloja të qaja dhe do ta lëshoja veten para tij.

    Dola nga dhoma e heshtur.

    Sapo hapat e tij nuk u dëgjuan më, kur befas u tmerrova para asaj që kishim bërë. U tremba se mos prishej përjetë ajo lidhje që përbënte gjithë lumturinë time dhe doja të kthehesha”[14].

    ***

    “- Sa bukur! – tha ai, duke u mbështetur mbi parmakë dhe shkoi dorën e tij nëpër flokët e mi të qullur.

    Ajo përkëdhelje e lehtë m’u duk si qortim, ndaj po më vinte të qaja. – E çfarë i duhet më shumë njeriut? – tha. – Tani jam kaq i kënaqur, nuk më mungon asgjë tjetër, jam krejt i lumtur!”[15].

    Faqja e parë e romanit të parë të Tolstoit, “Lumturia martesore” (Семейное счастие), botuar në periodikun «Русский вестник», prill, 1859.

    Dramat e dashurisë paramartesore dhe e asaj martesore

    Një vlerë më vete e romanit “Lumturia martesore” është se Tolstoi e vështron jetën e personazheve në një lëvizje, në ndryshim të vazhdueshëm. Sidomos e ballafaqon dashurinë paramartesore me dashurinë martesore. Nuk e bën këtë në formë të drejtpërdrejt e të thjeshtë, po përmes rrëfimit të menduar e mjeshtëror, përmes ballafaqimit dhe kundërvënies së botëve të brendshme të Masheçkës e të Sergejt, ku dukuritë dhe ndryshimet shqiptohen më thellësisht.

    Në periudhën paramartesore, dashuria është e zjarrtë, mbisundon ndjenjësimi, gjithçka vështrohet dhe përjetohet përmes flakës së saj; Masheçka niset drejt të dashurit, Sergejt, po në qenësi i kthehet vetes dhe shpreh veten, si ngjet në Këngën e këngëve: “Në Këngë e dashura jeton brenda të dashurit, siç i dashuri jeton brenda saj. Shprehja hebraike “Ləki lak” shpreh pikërisht “Nisjen drejt vetvetes” (Shih dhe Zan 12, 1). Qëllimi i të dashurit nuk është ta bëjë atë (të dashurën) të veten, po ta lirojë, t’i ofrojë gjithë zjarrin e dashurisë absolute”[16].

    Masheçka sa është e lumtur nga jeta martesore, po aq tërhiqet nga lakmia, nga kureshtja për diçka tjetër, për të paprovuarën, për të renë. Kjo e bën të paqetë; njeriu asnjëherë nuk kënaqet me atë që ka, po synon gjithnjë e më shumë. Këto trazime, tundime dhe mëdyshje shpirtërore të personazheve Tolstoi i vëren dhe i shpreh me mjeshtëri.

    “Vallë, sot do të bëhem e huaj për veten time dhe një jetë e re e përmbushjes së shpresave dhe dëshirave të mia do të shfaqet para meje? Vallë, gjithmonë do të ishte e re kjo jetë?”

    ***

     “[…] ishte një ndjenjë tjetër, – ajo e moshës së rinisë, e nevojës për lëvizje, – që nuk gjente prehje në jetën tonë të qetë”[17].

    ***

    “Dua të shkoj përpara dhe çdo ditë, çdo orë, dua gjëra të reja, kurse ai dëshiron të rrijë në vend dhe të më mbajë aty me veten”[18].

    Kjo mënyrë e të menduarit e dhe e veprimit shpesh e rrënon lumturinë dhe rrjedhën e jetës. Ndonjëherë Masheçka e tronditur shpërthen e papërmbajtur:

    “-Tani s’dua, – iu përgjigja, megjithëse digjesha nga dëshira ta dëgjoja, por më tepër doja t’ia shkatërroja atë qetësinë e tij. – Unë nuk dua të luaj në jetë, dua të jetoj, – thashë, – njëlloj si ti […] – Dua të jetoj me ty e barabartë, me ty…”[19].

    Atë që çifti ka menduar se do të ndodhë në jetën martesore dhe ajo që ndodh janë të ndryshme. Kjo ngjet, pos të tjerash, për arsye se ajo që mendohet e dëshirohet është synim, projektim, jashtë kushteve dhe rrethanave konkrete, ndërsa ajo që ndodh në jetën konkrete është tjetër: “Ëndrrat e mia dhe të atij, se si do ta shestonim jetën në fshat, u njëmendësuan krejt ndryshe nga ç’e prisnim”[20].

    Jeta dhe ballafaqimi me përditshmërinë e vënë dashurinë në rendin e dytë. Ëndrrat për jetën që do të bëjnë dhe morali i rreptë i kohës së vjetër dhe i Tatjana Semjonovnës, nënës së Sergejt, i vënë para sprovave dhe mëdyshjeve të mëdha dhe nuk përmbushet ajo që kanë menduar.

     “[…] më e keqja për mua ishte se e ndieja që çdo ditë zakonet e jetës po e prangosnin jetën tonë në një kallëp të përcaktuar, se ndjenja jonë po e humbte shpengimin dhe po i nënshtrohej rrjedhës së qetë e shpërfillëse të kohës”[21].

    ***

     “[…] gjithçka kishte ndryshuar kaq tmerrësisht, kaq pamundshmërisht. Kaq ftohtësirë në gjithçka që mund të ishte kaq e shtrenjtë dhe e afërt! Po ashtu, si në kohët e para, flas me Katjan dhe flasim për të, ulur të dyja qetësisht në dhomën e pritjes. Katja është rrudhur, është zverdhur, sytë nuk i shkëlqejnë nga gëzimi dhe shpresa, por dhembshurisht më shprehin trishtim dhe keqardhje”[22].

    ***

     “Qetësia e tij e përhershme po më pezmatonte. E dashuroja jo më pak se më parë dhe jo më pak isha e lumtur nga dashuria e tij; por dashuria ime kishte ngecur në vend, nuk ishte rritur më dhe përveç dashurisë, njëfarë ndjenje e re shqetësimi kishte filluar të më kacavirrej në shpirt. Pasi kisha përjetuar lumturinë e dashurisë me të, pak më kishte mbetur për të dashuruar. Kisha nevojë për lëvizje dhe jo rrjedhën e qetë të jetës. Doja emocione, rreziqe dhe vetëflijim për ndjenjën. Kisha tepricë forcash që s’gjenin vend në jetën tonë të qetë. Më kaplonin shkulma melankolie të cilat, si të ishin diçka e shëmtuar, përpiqesha t’i fshihja prej tij, por edhe shkulma ndjeshmërie dhe gëzimi të furishëm që atë e trembnin”[23].

    Përmes dashurisë Tolstoi e vështron edhe çështjen e qenësishme të jetosh për tjetrin, që në rrafshin shoqëror e etik është dëshmia më e lartë e vlerës shpirtërore të njeriut. Qëndrimi se duhet jetuar bashkë dhe për tjetrin (edhe në marrëdhënie dashurore e martesore) bën themelin e rëndësishëm të jetës. Rreth kësaj papa Benedikti XVI theksonte: “Vetëm gatishmëria ime ta ndihmoj të afërmin, t’ia dëshmoj dashurinë, më bën të ndjeshëm edhe përballë Hyjit. Vetëm shërbimi për tjetrin m’i hap sytë e mi për atë që Hyji bën për mua dhe për atë se si Ai më do. Shenjtërit – të mendojmë për shembull për të lumturën Terezen e Kalkutës (Nënën Tereze) – e kanë dëshmuar aftësinë e tyre ta duan të afërmin, përherë në mënyrë të re, nga takimi i tyre me Hyjin eukaristik dhe, ky takim, në mënyrë të ndërsjellë, ka provuar realizmin dhe thellësinë e tij pikërisht në shërbimin e tyre për të tjerët[24]”.

    Në kohën paramartesore kjo zbatohet nga Mashçeka dhe Sergej, po gjatë kohës martesore në ndonjë periudhë lëkundet.

    “- Për atë Zot, më kupto, mikja ime, – vazhdoi. – E di se nga shqetësimet vuajmë shumë; kam jetuar dhe e kam mësuar këtë gjë. Të dua dhe afërmendsh, nuk mund të mos doja të të shpëtoja nga shqetësimet. Ky është thelbi i jetës sime, dashuria për ty; kështu, pra, edhe mua mos më pengo të jetoj”[25].

    ***

    “Ndoshta kjo ishte një ndjenjë jo e mirë, egoiste, por kjo ndjenjë më jepte lumturi dhe më ngrinte lart mbi krejt botën. Vetëm ai ekzistonte për mua në botë dhe e quaja më të mrekullueshmin, më të pagabueshmin njeri mbi dhé, ndaj nuk mund të jetoja për asgjë tjetër, veçse për të, që të isha në sytë e tij ajo që ai më pandehte. Kurse ai më quante gruan e parë dhe më të mrekullueshme në botë, e pajisur me të gjitha virtytet e mundshme; dhe përpiqesha të isha kjo grua në sytë e të parit dhe më të mirit njeri në gjithë botën”[26].

    ***

    “Veç jeta jonë nuk ishte më e keqe nga ëndërrimet tona. S’ishte ai mund i rreptë i kryerjes së detyrës së vetëflijimit apo të jetuarit për tjetrin që e përfytyroja kur isha e fejuar; përkundrazi, ishte një ndjenjë egoiste e dashurisë për njëri-tjetrin, dëshira për të qenë i dashuruar, gëzimi i pashkak, i përhershëm, dhe harrimi i çdo gjëje në botë”[27].

    Të shprehurit poetik – qenësi e romanit

    Thashë edhe më lart se romanin “Lumturia martesore” e bën të rëndësishëm arti që e përshkon nga fillimi në fund; gjuha poetike dhe një stil gjallërik dhe i përpunuar me përkushtim e dije është një cilësi e dukshme. Tolstoi i kushton rëndësi sa objektit poetik që e vështron, po aq shtjellimit të tekstit dhe sistemit të të shprehurit. Këto shkrihen dhe e plotësojnë njëri – tjetrin.

    Për të dëshmuar këtë po sjell vetëm këta tre shembuj.

    I pari lidhet me njerëzit e katundit dhe me jetën aty:

    Tashmë dielli ishte ulur pas majave të mështeknave të shëtitores, pluhuri po zbriste në fushë, hapësira e largët bëhej edhe më e qartë, më e shndritshme nga një ndriçim anësor, retë ishin davaritur krejt, përmes drurëve dukeshin në lëmë tri maja mullarësh dhe muzhikët që zbrisnin prej tyre; prej thirrmave të larta, qerret po nxitonin, me sa duket, për të fundit herë; babat me grabujat mbi supe dhe me litar prej fije kashte në brez duke kënduar zëlartë po shkonin në shtëpi […][28]

    I dyti ndërlidhet me dashurinë para martesës, me dëshirat e zjarrta të pa përmbushura, me gjakime të papërmbajtura, për të mos thënë të shfrenuara, që kalojnë dhe në dalldi.

    Befas, përmes rruginës, andej nga s’e prisja fare, u shfaq figura e tij (kishte shmangur përroin). Me fytyrën e qeshur, gjithë dritë dhe si hoqi kapelën, e mbajti frymën drejt e tek unë. Si e pa Katjan që flinte, kafshoi pak buzën, mbylli sytë dhe filloi të ecë në majë të gishtave; tani e vërejta që ishte përfshirë nga ajo gjendje e veçantë shpirtërore që krijohej nga një gëzim i pashkak, që tmerrësisht e pëlqeja tek ai dhe që i kishim vënë emrin dalldi. Ngjante me një nxënës që u kishte ikur mësimeve; në gjithë qenien e tij, nga maja e flokut te gishti i këmbës, frymonte kënaqësia, lumturia dhe lojcakëria fëminore[29].

    I treti shpreh takimin në ballo, ku Masheçka e takon markezin D., i cili në një çast e puth. Kjo i shkakton një dramë të tmerrshme shpirtërore; një tundim të brendshëm e të ashpër, një tronditje që ndriçon fshehtësitë e shpirtit. Ajo që heq peshë është se gjithë kjo shprehet përmes një artit të madh, ku teksti cilësohet me kuptimësi të pafund:

    “Një zjarr më kaloi nëpër deje, sytë m’u errën, fillova të dridhem dhe fjalët me të cilat doja ta ndaloja, më ngecën në fyt. Befas ndjeva një puthje në faqe dhe e gjitha duke u dridhur dhe akulluar, ndalova dhe e vështrova. E pafuqishme të flisja, të lëvizja, e lemerisur, prisja dhe dëshiroja diçka.

    E gjitha kjo zgjati vetëm një çast, por ky çast qe i tmerrshëm! E pashë të gjithin në këtë çast. Kaq e afërt ishte fytyra e tij për mua: ky ballë i pjerrët dhe i ulët që dukej nën kapelën prej kashte, i ngjashëm me ballin e burrit tim, kjo hundë e drejtë, e bukur, me flegra pak të fryra, këto mustaqe të gjata dhe të lyera paksa me pomadë, kjo mjekërzë e vogël, këto faqe të rruara me kujdes dhe qafa e nxirë nga dielli.

    E urreva, u tremba prej atij, aq i huaj ishte për mua; por në atë minutë kaq furishëm më jehoi pështjellimi dhe pasioni i atij njeriu të urryer, të huaj. Kaq e papërballueshme ishte dëshira t’u jepesha puthjeve të asaj goje të vrazhdë e të bukur, përqafimeve të atyre duarve të bardha me damarë të hollë dhe me unaza me gurë nëpër gishta. Kaq më tërhiqte që të hidhesha Pa u menduar në greminën e kënaqësive të ndaluara, e hapur befas…”[30].

    Prishtinë, fund gushti –

    fillim shtatori 2023


    [1]  Lev Tolstoi, Lumturia martesore. Përktheu nga origjinali Bujar Hudhri. Botoi Onufri, Tiranë 2020, f. 7.

    [2]  Lev Tolstoi, Lumturia martesore, vep. e përm., f. VII.

    [3]  Shih Cantico dei cantici.La Bibbia. Via, Verità e Vita. Nuova versione ufficiale della Conferenza Episcopale Italiana. Edizioni San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano), 2009, f. 1360; Gianfranco Ravasi, Cantico dei cantici…come sigillo sul cuore. Edizione San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano), 2011, f. 21; Cantico dei cantici. Nuova versione, introduzione e commento di Gianni Barbiero. Figlie di San Paolo. Milano 2004, f. 17; Cantico dei cantici. Introduzione, traduzione e commento a cura di Luca Mazzinghi. Edizioni San Paolo. Cinisello Balsamo (Milano, 2011, f. 9.

    [4]  Shih La Bibbia. Via, Verità e Vita. Nuova versione ufficiale della Conferenza Episcopale Italiana, vep. e përm., f. 1360.

    [5]Cantico dei Cantici. Introduzione e commento di Tiziano Lorenzin. Edizioni Messaggero, Padova 2001, f. 7.

    [6]  Përkthimi im. Shih më gjerësisht studimin tim Kënga e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës. Me përkthim të ri të tekstit. “Faik Konica”, Prishtinë 2015.

    [7]  Shih më gjerësisht studimin tim Rreth veprës “Il Canzoniere albanese” të Françesk Anton Santorit. Studim. Con una sintesi in italiano. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2012.

    [8]  Lev Tolstoi, Lumturia martesore, vep. e përm., f. 126.

    [9]  Po aty, f. 125.

    [10]  Po aty, f. 138 – 139.

    [11]  Po aty, f. 136.

    [12]  Po aty, f. 143.

    [13]  Po aty, f. 118.

    [14]  Po aty, 108.

    [15]  Po aty, f. 138.

    [16]  David M. Turoldo, Postfazione. Në Gianfranco Ravasi “Cantico dei cantici…come sigillo sul cuore” Edizione San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano) 2011, f. 119.

    [17]  Lev Tolstoi, Lumturia martesore, vep. e përm., f. 86.

    [18]  Po aty, f. 88.

    [19]  Po aty, f. 90.

    [20]  Po aty, f. 75.

    [21]  Po aty, f. 86.

    [22]  Po aty, f. 133.

    [23]  Po aty, f. 85.

    [24]  Benedetto XVI, Deus caritas est. Lettera enciclica. Libreria Editrice Vaticana, V Ristampa 2006, f. 41 – 42. Këtë e përligjin dhe këto fjalë të Paul Claudel: “Të jeni të sigurt se dashuria për tjetrin a nuk është rruga më e shkurtër për të mbërritur tek Ai (Zoti)”? Shih Paul Claudel, Tre figure sante per il tempo attuale. Charles De Fou-cauld – Teresa Di Lisieux – Ève Lavallière. Introduzione, traduzione e note a cura di Giovanna della Croce. Edizioni San Paolo, Torino 1997, f. 19.

    Edhe Nëna Tereze thoshte “Qe dashuria të jetë e vërtetë, para së gjithash, duhet të jetësohet për të afërmin tim… kjo dashuri më shpie tek dashuria e Zotit”, që dëshmohet edhe në ungjijtë “Duajeni njëri – tjetrin! Sikurse unë ju desha juve” (Gjn 13, 34) dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” (Mt 22, 39). Shih Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali raccolti e presentati da G. Gorrée e J. Barbier, Roma, X edizione, 2005, f. 38.

    [25]  Lev Tolstoi, Lumturia martesore, vep. e përm., f. 91.

    [26]  Po aty, f. 76.

    [27]  Po aty f. 75.

    [28]  Po aty, f. 30.

    [29]  Po aty, f. 30.

    [30]  Po aty, f. 124 – 125.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË