More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAnton Nikë Berisha: Mbi disa qenësi të poezisë së Frederik Rreshpjes

    Anton Nikë Berisha: Mbi disa qenësi të poezisë së Frederik Rreshpjes

    Imazhi poetik si qenësi e poezisë, e komunikimit dhe e ndikimit artistik

    “Çka është një poezi lirike? Për sa më përket mua, nuk do të dija ta përcaktoja (definoja) këtë gjë të rrallë (feniks arab), këtë çudi, këtë objekt përcaktueshmërisht tejet konkret, ose të pandjeshëm për arsye se është i bërë nga fjalët, këtë bashkëjetesë të çuditshme të muzikës dhe të metafizikës, të arsyes e të paarsyes, të ëndrrës e të përgjimit[1]”.

    Euxhenio Montale

    Teksti përbërësi qenësor i krijesës poetike

    Në ligjëratat rreth stilistikës të shkallës së tretë në Fakultetin filozofik të Universitetit të Zagrebit, prof. Krunosllav Pranjiq (Krunoslav Pranjić), ndodhte të na sillte një tekst të një poezie të një poeti të shquar të letërsisë së përbotshme (të përkthyer në kroatisht), pa emrin e autorit. Ne, studentët, në bazë të analizës të tekstit, duhej të përcaktonim se cilës periudhë (rrymë) letrare i përkiste teksti, pastaj cilës letërsi dhe së fundit dhe cili mund të ishte autori i tij. Në bazë të mënyrës së vështrimit të objektit poetik, të veçantive të gjuhës dhe të sistemit të të shprehurit, ndonjë nga studentët (natyrisht jo unë) edhe ia qëllonte. Ky veprim i prof. Pranjiqit kishte për qëllim të dëshmonte se vetë teksti letrar ishte përbërësi kryesor që përcaktonte qenësinë e krijesës poetike dhe se në bazë të tij mund të vëreheshin e të ndriçoheshin veçantitë e stilit e të vlerës poetike të veprës së një autori, pa ia ditur emrin dhe pa njohur diçka nga jeta e tij.

    E përmend këtë fakt për arsye se në studimet tona letrare në shumicën e rasteve ndodh e kundërta: i kushtohet më tepër vëmendje autorit e jetës së tij se sa veprës – tekstit, duke e lidhur atë kryesisht me rëndësinë që mund të ketë pasur ose ka autori brenda një periudhe ose brenda një letërsie, rrethanat shoqërore, kulturore dhe politike që e kanë përcjellë hartimin dhe botimin e veprës e të ngjashme.

    Ky “fat” e përcolli në përgjithësi dhe studimin e poezisë së Frederik Rreshpjes, pa asnjë dyshim njëri ndër autorët tanë bashkëkohorë më të shquar e më të veçantë. Pra, mëvetësia dhe vlera e poezive të tij u lidh me pësimet dhe me burgosjet që ai përjetoi në sistemin komunist (nga mosha 14 vjeçare) dhe vuajtjet e shumta që i përjetoi edhe pas këtij sistemi, duke mbetur i pathyeshëm përballë vështirësive të jetës.

    Studiuesit e mëdhenj të letërsisë (midis tyre dhe studiuesi kroat, Zdenko Shkreb), theksojnë se të dhënat jetësore të një shkrimtari mund të ndihmojnë që të vihet një komunikim më i mirëfilltë dhe më i gjerë me tekstin letrar poetik, po teksti poetik është përbërësi i gjithëpushtetshëm dhe i vetëmjaftueshëm për përcaktimin e veçantive, të mëvetësisë, të vlerës artistike të një vepre letrare dhe të komunikimit të saj.

    Arsyeja pse duhet të nisemi nga teksti poetik kur i qasemi dhe komunikojmë, përkatësisht e interpretojmë poezinë e Frederik Rreshpjes është e qartë: teksti poetik i përftuar nga ai e përligj mëvetësinë dhe rëndësinë e tij si poet. Për këtë arsye është rrënuese të njëjtësohen jeta, vuajtjet dhe pësimet e këtij autori me tekstin e përftuar si fakt gjuhësor shprehës dhe vlerë poetike.

    Gjuha poetik, të shprehurit poetik – përcaktuese e vlerës së veprës letrare

    Nëse nisemi nga mendimi i Xhon Miltonit për librat se ato “[…] në fakt, nuk janë aspak gjëra të vdekura, përkundrazi, përmbajnë në vetvete një fuqi jetësore, që i bën ato po aq aktivë sa vetë shpirti, pjellë e të cilit janë; për më tepër ata ruajnë, si në një ampulë, forcën dhe esencën më të kulluar të atij intelekti të gjallë që u dha jetë[2]”, atëherë mund të thuhet se poezia e Frederik Rreshpjes nuk është asgjë tjetër pos fryt i shpirtit gjallërues të poetit, që shpreh dukuritë më të fshehta dhe më të veçanta të botës së tij, në të njëjtën kohë shpreh, edhe botën e tjetrit, botën e njeriut.

    Krijesa letrare poetike është e veçantë nga fakti se është fryt i botës së brendshme, i shpirtit të poetit; i përfytyrimit dhe i imagjinatës së tij që përligjet dhe komunikon përmes tekstit që përftohet. Me pak fjalë, vepra – teksti poetik i krijuar bën jetën e vet të pavarur, jashtë autorit dhe jetës së tij. Vepra letrare përftohet përmes gjuhës dhe se qëllimi kryesor i saj është të shkaktuarit e kënaqësisë – ndikimit artistik në marrësin. Të gjitha të tjerat janë të dorës së dytë. Pra, ajo që e ka kushtëzuar dhe e ka përcaktuar rrugëtimin e veprave letrare poetike nëpër kohë – jetën e tyre të gjatë – është arti i tyre, jo diçka tjetër, si, fjala vjen, tematika (Góngora duhet të jetë ndër të parët që tha se një libër i rëndësishëm mund të mos vijë nga një temë e rëndësishme). Mendimet e shprehura përmes gjuhës poetike nuk janë të rëndësishme si fakte dhe të dhëna ose gjetje konkrete për një dukuri, po, siç thekson Niçe, për shpërnderimin që ato mendime ose ato ide bëjnë tek ne[3].

    Qenësia e poezisë së Frederik Rreshpjes ndërlidhet me atë që thoshte Lascelles Abercrombie për poezinë e Vvalt Vvhitman-in: “[…] ai nxori nga përvoja e tij e fisme atë figurë të gjallë dhe vetjake që është njëra nga të paktat të mëdha të letërsisë moderne: vetë figurën e tij”, mendim që mund të plotësohet dhe me atë të Sir Edmund Gosse-s: “S’ka Walt Witman të vërtetë… Witmani është letërsia në gjendjen e protoplazmës: një organizëm intelektual…[4]”.

    Poezia që përftoi Frederik Rreshpja, sidomos pjesa më cilësore e saj e përfshirë në këtë zgjedhje, e përcakton atë në mënyrën më të mirëfilltë, përkatësisht është dëshmia më e mirë e qenësisë dhe e veçantisë së tij si poet dhe e pasurisë së tij shpirtërore krijuese.

    Gjuha poetike që përdor Rreshpja, siç ndodh te çdo poet i madh, nuk është një fakt shkencor dhe si e tillë s’ka si qëllim t’i përcaktojë saktësisht gjërat, dukuritë, po përmes shumësisë së mendimeve që dalin nga struktura përkatëse e tekstit letrar, të shqiptojë variantitet (motërzimet) e mendimeve dhe të ndikojë artistikisht në lexuesin. Këtë e ka shprehur bukur Edgar Allain Poe: “Kemi qenë veçanërisht ne Amerikanët që e kemi përkrahur këtë ide të lumtur e ne bostonianët, në mënyrë akoma dhe më të veçantë, që e kemi zhvilluar atë tërësisht. Kemi ngulitur në tru, se të shkruash një poezi thjesht për hir të poezisë e ta njohësh se ky ka qenë dhe qëllimi yt, do të thotë ta tregosh veten tërësisht të mangët nga forca dhe dinjiteti i vërtetë i poetit — por e vërteta e thjeshtë është se, nëse do t’ia lejonim vetes kundrimin në thellësi të shpirtrave, atëherë do të zbulonim menjëherë që nuk ekziston e as që mund të ekzistojë në këtë botë ndonjë vepër më tërësisht dinjitoze — më sublimisht fisnike se ajo poezi e vërtetë — ajo poezi per se — ajo poezi që është veç poezi dhe asgjë më shumë — ajo poezi e shkruar vetëm e vetëm për hir të poezisë […] Do të qe vërtet i verbër ai që nuk e përfytyron dot dallimin rrënjësor e parimor midis së vërtetës dhe aftësisë poetike të mendje-ngulitjes së një morali. Do të qe një teoricien i çmendur deri në pa përgjegjje, ai që, pavarësisht nga këto dallime, do këmbëngulë ende të bashkëpërziejë vajrat e ujërat kokëfortësisht të papërziershëm të poezisë dhe së vërtetës[5]”.

    Kur thellohemi në sistemin gjuhësor shprehës, në mënyrën e përftimit të pamjeve (të tablove, të imazheve) poetike, që sa ndryshojnë po aq edhe afrohen me njëra – tjetrën, që dëshmohen mirëfilli në këtë vëllim, atëherë nuk është vështirë që tekstin e një poezie ta përcaktojmë se është i Frederik Rreshpjes pa qenë shënuar emri i tij.

    Përmes tekstit Rreshpja shpreh dhe shpalos botën e vet shpirtërore, të ndjeshme e të ashpër, fatlume ose tragjike. Ai është i vetëdijshëm se bota e brendshme e njeriut është një burim i pafund, i paskajshëm i veçantive dhe i fshehtësive, pikërisht ashtu siç thoshte Chestertoni: “Njeriu e di se te shpirti i tij gjinden ngjyrat më tronditëse, më të panumërta dhe më të pathekshme se ngjyrat e një pylli vjeshtor…[6]”. Pra, poeti Rreshpja shpreh atë që ndien, që gjallëron brenda tij dhe bën përpjekje që gjithë ajo veçanti dhe pafundësi të thuhet sa më lartësisht përmes tekstit poetik. Kjo mënyrë e përftimit (strategji), ku çdo gjë lidhet me dukuritë shpirtërore, me botën dhe kohën subjektive, ku gjërat ndodhin ndryshe në krahasim me botën (jetën) konkrete, i jep poezisë së tij cilësinë e paanësisë dhe të përjetësisë, pikërisht ashtu si thoshte Jorge Luis Borges: “Nëse e ardhmja dhe e kaluara janë të pafundshme, nuk do të kemi realisht një kur[7]”. Me fjalë të tjera, pamjet poetike që i përfton Rreshpja shprehin para së gjithash pamjet e shpirtit të tij të trazuar e të rebeluar, tundimet dhe tronditjet, herë – herë të pazakonshme.

    Përkim dhe njëjtësim i mendimit teorik me tekstin poetik

    Frederik Rreshpja hyn në rrethin e ngushtë të poetëve tanë bashkëkohorë që, nga një anë, mendimi i tij për artin e fjalës, për poezinë dhe, nga ana tjetër, teksti poetik (poezia) që e krijon, përkojnë e njëjtësohen në disa rrafshe e përbërës. Në mënyrë të veçantë teksti që ai e përftoi, e përcakton dhe e sqaron thellësisht parimin e tij poetik dhe gjakimin e tij si krijues.

    Rreshpja qysh herët ishte dhënë pas poezisë (“Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur / I mallkuar me art”) dhe ishte i vetëdijshëm se ajo ishte një punë dhe mision që kërkonte përkushtim të mirëfilltë dhe flijim të vijueshëm (“Poezinë e kam pasë për qejf shumë […] që në poezi të bëjë diçka…”). Natyrisht, sa më shumë e pasuroi përvojën jetësore, sa më shumë që u ballafaqua me jetën dhe vështirësitë që dalin në veprimin e përditshëm, vizioni i tij prej poeti shkoi dhe u bë më i pasur dhe më i ngritur.

    Mendimet e Rreshpjes për poezinë dhe natyrën e saj herë – herë nuk janë të njëjta, ndonjëherë edhe të kundërta, dukuri që nuk është e panjohur tek krijuesit, qoftë të letërsisë sonë, qoftë të letërsive të tjera (“Pa emocione nuk mund të shkruaj. Poezinë e shkruaj në një gjendje të lartë emocionale”, thotë në një intervistë[8]). Ndonjëherë, kur poeti flet për poezinë, përdor gjuhën poetike, prandaj mendimet nuk duhet të merren në kuptimin e parë (“Nuk me intereson poezia”). Rreshpja nuk flet në mënyrë të mirëfilltë për poezinë: ai e krijonte atë, jetonte me të dhe nuk fliste për të siç flet një studiues i letërsisë. Të fliste për poezinë domethënë të fliste për veten, për poetin, siç thuhet: të pështynte përpjetë dhe t’i binte në fytyrë. Ai parapëlqente të fliste për atë që ai nuk ishte, që nuk e zotëronte, për atë që ishte e panjohur, që duhej zbuluar; poezinë e kishte të veten, ishte njësuar me të, ishte vetë poezia (“Çdo gjë që kam, e mbart me vete” thoshte Ciceroni)”. Tekstet e poezive të tij flasin në mënyrë të mirëfilltë për atë që si e mendonte poezinë si art dhe qenësinë e saj si kumt (mesazh) dhe mundësi komunikimi, si pasurim shpirtëror dhe si ndikim estetik.

    Brenda mendimit të tij dallohen sidomos dy çështje. E para ai dinte se çka shkruante “Megjithatë unë e di se çfarë shkruaj” dhe e dyta: me poezinë ishte i njësuar për një kohë të gjatë, qysh nga mosha e re.

    Në procesin e ndërliqshëm të përftimit dhe të njësimin me poezinë, Rreshpja bëri përpjekje të vijueshme që të krijojë një stil të tij: “Kam mbi pesëdhjetë vjet që shkruaj poezi dhe synoj të shkruaj çdo ditë. Lufta ime qëndron në zgjerimin e fjalorit poetik dhe në përsosjen e stilit. Jashtë modestive, tashmë unë mund të flas për një stil. Unë kam qenë një poet i vetëdijshëm e punëtor dhe kam braktisur çdo gjë për poezinë. Në punën time laboratorike, përpiqem ta gjej poetikën në çdo objekt apo ngjarje[9]”.

    Edhe një dukuri tjetër heq peshë në mendimin e Rreshpjes: poezia është krijimi mendjes dhe jo i zemrës. Me fjalë të tjera, poezia është krijesë që për ta hartuar kërkon mund e dije; frymëzimi është dukuri që e nxit krijimin, po nuk hyn në sistemin e përftimit, të shtjellimit të tekstit e të gjuhës poetike që përdoret në të: “Sipas zbulimeve të fundit poezia qëndron në tru, jo në zemër, dhe lidhet me inteligjencën”, thoshte Rreshpja.

    Rreshpja synon të jetë i kursyer kur e harton tekstin poetik; të përfshijë sa më shumë mendim me sa më pak material gjuhësor shprehës. Si kursimtar në fjalë synonte t’i përngjante Poradecit: “Më pëlqen të vazhdoj rrugën e Poradecit (është më i larti)”. Stili i mëvetësishëm nënkupton gjuhën poetike të mëvetësishme e të pasur. Poezia nuk mund të shkruhet me gjuhën e rëndomtë ose siç theksonte Rreshpja, me gjuhën që nuk përkon me natyrën e poezisë: “[…] ca libra të shkruar me gjuhë kuzhine”.

    Lidhja dhe njësimi i Rreshpjes me poezinë s’ka qenë e njëjtë në rrjedhë të kohëve; në moshë të pjekur e ka përjetuar dhe e ka krijuar poezinë ndryshe në krahasim me kohën e fillimit: “Kam vënë re se tani poezinë e shkruaj më me pasion se kur kam qenë 20 vjeç”.

    Rreshpja e thekson edhe një dukuri të rëndësishme: fshehtësinë (misterin) e nxitjes për hartimin e poezisë, siç do të thoshte poeti arbëresh, De Rada – provaninë hyjnore[10]: “Edhe ndjej një shtytje të brendshme, sikur më thotë engjëlli mbrojtës, ‘shkruaje këtë’. Se për mua personalisht, nuk do të merresha më me letërsinë[11]”.

    Poeti Rreshpja thekson se kur shkruante poezi ishte i trishtuar; ky trishtim lidhej me vetminë, që e nxiste dhe e ushqente gjithë atë që krijonte. Krahas kënaqësisë shpirtërore poezia i shkakton edhe dhimbje. Sa më shumë që ai shkruante poezi, sa më shumë që njësohet me të, me aq më shumë e ndjen vetminë (“Shkrimtari ndjehet i vetmuar gjithmonë”), peshën dhe trishtimin e saj (“Unë kam qenë trishtimi i botës”). Së këndejmi: “Kur trishtohem shkruaj, prandaj shkruaj shumë […]. Përgjithësisht kohën e kaloj në dhomën time, i vetmuar. Pastaj ‘sa me shumë të shkruash, aq me i vetmuar je’ thoshte Heminguej[12]”.

    Mendimin e mirëfilltë dhe të qenësishëm të Frederik Rreshpjes për poezinë, siç u tha, e përligj vetë poezia, tekstet poetike që ai i hartoi, për çka do të bëhet fjalë në pjesët në vijim të Parathënies. Këtu po përmend vetëm një pjesë nga testamenti i tij, që ndërlidhet në mënyra të ndryshme me mendimet e sjella më lart. Kjo shprehet sidomos në metaforën “I mallkuar me art”:

     Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur

    I mallkuar me art.

    Gjërat i shihja ndryshe:

    Nëpër shirat e vdekur

    Peshqit fluturonin drejt çerdheve të yjeve.

    Në vend të borës binin zogj në çdo dru.

    Era si ketër brente degët.

    Qante mbi mua nëna, Shënmëria ime. Ave nëna ime!

    (Testament)


    Poezi e përfytyrimeve të pasura dhe të parëndomta

    Rreshpja përftoi një poezi burimore dhe të mëvetësishme, fryt i një bote të pasur shpirtërore dhe i një përfytyrimi të parëndomtë, që dëshmohet sidomos nga poezitë e përfshira në këtë zgjedhje – si pjesa më cilësore të poezisë që krijoi ai.

    Rreshpja përmbys shumëçka nga rëndomësia e krijimit dhe realitetit konkret: përmbyset figuracioni, përmbyset metafora, krahasimi. Me një fjalë, ai krijon diçka që nuk ekziston në përditshmëri: “Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është”, thotë ai, po që bëhet e mundshme dhe konkrete në rrafshin poetik shprehës, që mundëson ndërlidhjen me atë që ka mundur të jetë ose që mund të ndodhë, të ekzistojë qoftë dhe në mendje.

    Kështu, teksti poetik që krijon Rreshpja, e zgjeron përfytyrimin për të pamundshmen, që bëhet e mundshme; në tekst gjërat bashkëjetojnë në mënyrat nga më të ndryshmet dhe brenda kohës subjektive: “Tërë shirat e botës i kërkova për ty” (Dal e të pres buzë një reje). Pra, poezia e tij është pjellë e imagjinatës, që ngrihet nga realiteti konkret, po që është e kundërta (kundërvënia) e atij realiteti. Ajo nuk është projeksion i realitetit, siç ngjet, fjala vjen, në përrallë, po është edhe realizim i atij projeksioni, bëhet vetë realitet komunikues dhe ndikues (si tekst).

    Rreshpja “flet” përmes pamjeve, tablove (imazheve), që nxitën nga dukuri të ndryshme, po përmes strukturës gjuhësore shprehin e përftojnë një botë të veçantë, për të mos thënë të jashtëzakonshme. Këto pamje shprehin qenësinë e tyre si tërësi, siç ndodh dhe me mozaikun dhe komunikimin që nxit ai, që asnjëherë nuk është i njëjtë. Pamjet poetike janë tërësi më vete; ato funksionojnë dhe ndikojnë në formën e poezisë, të vargjeve ose të një vargu. Brenda tyre bashkëjetojnë shprehje e figura të ndryshme, që s’kanë ndonjë funksion e vlerë si të veçuara.

    Në rrafshin e poezisë si pamje tërësore mund të sillen disa shembuj në këtë zgjedhje “Era përkund pikëllimin e luleve”, si grupe vargjet janë të thuash në çdo poezi, ndërsa si një varg, po ashtu mund të sillen disa, si fjala vjen, “Rrjedhin liqejt malorë nën erë” (Liqejt malorë); “Kur era e kaltër vë në gjumë valët” (Ode për detin), U shuan yjet në pëllëmbët e mia (Është një zog…)

    Koncepti i përftimit të poezisë së Rreshpjes ngrihet kryesisht mbi parimin e qenësisë së hijes, që nënkupton subjektin në një formë tjetër, të ndërmjetme, të shndërruar, po shumëfishë më të rëndësishëm dhe me mundësi të ndikimit më të madh. Pra, Rreshpja përfton tablo jo për vetë ato, por për atë që ndodh ose mund të ndodhë nga hija e tyre, ajo që të vë në lëvizje, që nxit përsiatje dhe të vë në kërkim të zbulimit dhe të njohjes. Kjo ndërlidhet me një mendim të Anton Pashkut për artin e fjalës: krijuesi i mirëfilltë nuk shqipton vetë rraptimën (zhurmën), siç bëjnë shumica e poetëve tanë, po shkaktarin e rraptimës, jehonën e saj: “[… ] nuk e tërhiqte (njeriun – v. ime) fort rrapëtimi që dëgjohej nga të gjithë, po ‘ajo’ që shkaktonte rrapëtimën. Kjo, me siguri, nuk ishte kurrfarë ikje nga realiteti objektiv[13]”.

    Pra, Rreshpja e gjakon shkaktarin e rropamës e jo rropamën vetë, për këtë arsye poezia e tij të prapëson nëse kërkon njëjtësimin me realitetin konkret, me përditshmërinë. Këtu janë arsyet që poezia e tij është cilësuar e errët, e pakuptueshme, se komunikon vetëm me poetin! Kjo është një pandehmë që vetë poezia e tij e zhbën. Poezia që ngrihet e përbëhet nga gjuha poetike, nuk mund të kuptohet (po të kuptohet siç mendon dikush, atëherë teksti i saj duhet të ketë një kuptim); shumësia e mendimeve që dalin prej një teksti poetik shpesh është e pafund dhe receptohet në mënyra të ndryshme prej lexuesve të ndryshëm; madje edhe prej të njëjtit lexues në rrethana e kohë të ndryshme. Në vend që të flasim për të kuptuarit e poezisë së Rreshpjes, duhet të flasim për mundësitë dhe format e komunikimit të saj; për degëzimin e këtij komunikimi sidomos nga lexuesi me përvojë, nga lexuesi që kërkon shumë më tepër prej një teksti sesa një mendim dhe kumt të rëndomtë. Teksti poetik shërben – duhet të shërbejë vetëm si nismë e përsiatjeve dhe e përfytyrimeve që mund e duhet të nxitë tek marrësi. Këtu qëndron qenësia e komunikimit dhe të ndikimit të secilës krijesë të artit të fjalës.

    Poezia e Rreshpjes është poezi e vetmisë shpirtërore, që i kundërvihet edhe vetë vetmisë si dukuri; është poezi e shqetësimit, e dhembjes. Këtë e dëshmojnë dhe fjalët kryesore që përdor: vetmia, dhembja, nata, mjegulla, shiu, hëna, lotët, deti, vjeshta, gjethet, vdekja, Itaka, etj. Rreshpja vështron edhe dukuri të së kaluarës, figura të shquara historike (Skënderbeu, Fishta), qytetin e lindjes, Shkodrën e ndonjë tjetër.

    Krijesat e tij poetike si shtjellime gjuhësore shprehin vizione që shumëfishohen në procesin e perceptimit dhe të ndikimit dhe si modernitet dëshmon vijimësinë e traditës së poezisë sonë moderne (De Rada, Poradeci, Camaj). Mirëpo, pafundësia dhe burimësia e përfytyrimeve të Rreshpjes i kanë bërë të mundur Rreshpjes që të shkojë një rruge tjetër, ta pasurojë dhe ta lartësojë dukshëm poezinë moderne shqiptare me përbërës të veçantë.

    Bota poetike e Rreshpjes s’është botë ëndrrash, nuk është botë e fantazisë, që ka qëllim fantazinë vetë, po botë e përfytyrimeve shqetësuese e tronditëse; e tundimeve dhe e pësimeve herë – herë të skajshme shpirtërore, që përligjen nga teksti i shtjelluar me përkushtim e dije; është vetja e poetit: vetë figurën e tij[14].

    Njëmendësia konkrete, dhuna dhe pësimet e vijueshme, ia zunë frymën poetit Rreshpja, ia prishën drejtpeshimin e veprimit e të menduarit dhe ai përmes poezisë iu kundërvë gjithë kësaj; përmes artit të fjalës kërkoi dhe e krijoi një realitet të lirë, një realitet artistik si katarsë shpirtërore me të cilin, edhe ngushëllohet, edhe mund të vihet komunikim dhe të ndikohet prej tij. Atë që i mungon poetit në jetën e përditshme, e krijon, si mbijetim, përmes përfytyrimit dhe tablove poetike. Përmes poezisë, vetja e poetit shprehet si një lloj prototipi.

    Pamjet poetike që i përfton Frederik Rreshpja s’kanë qëllim sqarues ose udhëzues, ato përftohen si një mundësi ekzistimi dhe komunikimi, siç ndodh me ikonat ose me mozaikët në muret e kishave, ku hyjnorja bëhet e zakonshme, ose e zakonshmja shndërrohet në të pazakonshmen, në hyjnoren, jo për vetë pazakonshmërinë e saj (si pazakonshmëri), po për t’u afruar e njësuar, për ta njohur dhe zbuluar më thellësisht (të zakonshmen) ose për t’iu shmangur asaj. Është e ditur se në çdo shmangie dhe kundërvënie të realitetit (siç ndodh që në çdo të mirë ka një të keqe edhe në çdo të keqe ka një të mirë) nuk shkëputet lidhja me të dhe gjurmët e saj shfaqet në formën e amëzimit, të arketipit.

    Poezia e Rreshpjes gjakon sa shpalimin e të fshehtës, të panjohurës ose të mundshmes, aq dhe shndërrimin në të. Arti modern, brenda tij dhe poezia, e ka thyer parimin se mund të ndikohet në njeriun për të mirë vetëm përmes shembullit të mirë, ndonjëherë mund të ndikohet dhe më shumë përmes një forme tjetër, një shembulli të kundërt, të keq ose të shëmtuar.


    Kërkimi i Itakës shpirtërore – kthimi kah vetvetja

    Në qenësinë e vet poezia e Frederik Rreshpjes është një kërkim i vijueshëm për përftimin e një realiteti e një bote sa më të pasur e të veçantë, që ekziston dhe funksionon vetëm përmes tekstit poetik, përmes mesazheve që ai ngërthen. Në përftimin e pamjeve – tablove poetike Rreshpja synon të jetë sa më i ndryshëm, i nduarduarshëm. Edhe pse vërehen përbërës që përsëriten, ata gjithnjë janë të tjerë dhe asnjëherë nuk kushtëzojnë të njëjtin komunikim dhe ndikim estetik.

    Poezia e Rreshpjes, siç u tha, zë fill dhe ngjizet në botën e tij të brendshme dhe e shpreh para së gjithash atë botë, po në procesin e komunikimit bëhet e tillë edhe për tjetrin, nxit dukurinë e afrimit dhe të njëjtësimit me të.

    Poeti Rreshpja nuk gjakon të japë gjithçka të një pamjeje poetike të përftuar, po jep të veçantën e saj; atë që është e rëndësishme, që mundëson fillimin e komunikimit; vetë lexuesi duhet të shtojë (ose ta heqë) atë që mungon, sipas shijes dhe aftësisë së tij krijuese e rikrijuese, sipas prirjes dhe pasurisë shpirtërorë. Poeti niset drejt një dukurive, një pamje, një përfytyrimi, po përherë kthehet tek vetja. Itaka e tij shpirtërore është e pafund; s’ka as fillim dhe as mbarim, që mund të lidhet me mendimin e teologut francez, Alain De Lille – Alanus de Insulis të shekullit XII për Hyjin: “Zoti është një sferë që mund të rrokët veç prej intelektit, qendra e së cilës është gjithkund dhe perimetri akurrkund[15]” ose me atë të Paskalit për hapësirën “[…] një sferë e pafund, qendra e së cilës ndodhet kudo dhe perimetri i saj askund[16]”.

    Mënyra e shqiptimit të dukurive në poezinë e Rreshpjes të kujton Këngën e këngëve: e dashura jeton brenda të dashurit, siç i dashuri jeton brenda saj. Shprehja hebraike “Ləki lak” shpreh pikërisht “Nisjen drejt vetvetes” (Shih dhe Zan 12, 1). Qëllimi i të dashurit nuk është ta bëjë atë (të dashurën) të veten, po ta lirojë, t’i ofrojë gjithë zjarrin e dashurisë absolute[17]. Edhe kur e dashura dhe i dashuri nuk janë afër njëri – tjetrit, ajo është krejtësisht e tij dhe anasjelltas[18]. Pra, në Kënga e këngëve dashuria shqiptohet si dukuri, si marrëdhënie, qoftë mes burrit e gruas, qoftë mes Hyjit dhe njerëzve. A. Girlanda thekson se në këtë krijesë poetike të jashtëzakonshëm secili prej të dashuruarve e paraqet tjetrin përmes përshkrimeve të imta të cilësive të përkryera të tyre, sidomos të bukurisë; bukurisë – forcës së të dashurit (5, 10 – 16) dhe bukurisë – ëmbëlsisë së të dashurës (4, 1 – 16; 7, 1 – 8), që janë përbërës të qenësishëm për Këngën[19].

    Edhe Rreshpja poet gjithnjë i kthehet vetvetes. Kështu ndodh edhe kur ai bën objekt trajtimi të dashurën, dashurinë; ai nuk e pret ta takojë atë te kroi, në ndonjë shesh ose rrugë, po buzë një reje; atje ku ai ka përftuar realitetin artistik, subjektiv; nga aty mund të vërejë më mirë të mirën dhe të keqen që ndodh brenda tij; si rrëzohen (jo bien) shirat, ylberet, yjet. Ai e di se e dashuria e tij, dashuria, është ose duhet të jetë prapa një mjegulle, aty ku s’ka dritë, ku të fshehtat janë më të mundshme, më të veçanta dhe më të papritura. E dashura e tij fshihet pas shirave (të botës së tij të brendshme), një varg i pazakonshëm, kuptimisht i pafund; sado që të përpiqemi të depërtojmë në shtresat kuptimore të mundshme të tij, prapë së prapë do të mbesë shumëçka pa u zbuluar për arsye se kuptimet e këtij teksti poetik janë të paskajshme, të pambarim. Poeti niset drejt asaj, po kthehet tek vetvetja:

    Dal e të pres në breg të një qielli,

    Dal e të pres buzë një reje.

    Vështroj si rrëzohen shirat, ylberet, yjet.

    Zbrit!

    E di që je diku pas një mjegulle.

    Venë e vinë avionët e botës.

    Po ti, në ç’shira je fshehur vallë?

    A e ke parë dhembjen time

    Si ngjitej me ulërimë nëpër qiej?

    O! Si demon i vetmuar

    Tërë shirat e botës i kërkova për ty…

    (Dal e të pres buzë një reje)

    Poezia e Rreshpjes të kujton atë që thoshte studiuesi hebre, André Chouraqui për gjuhën hebraishte që përdoret në Këngën e këngëve: “Një gjuhë e pasur nga fuqia që, për shkak të natyrës së saj, sugjeron përherë më shumë sesa nuk thotë. Ajo frymton (thith) pandërprerë në pathënshmëri, duke mbërritur e tejkaluar vijimisht kufijtë e ligjëratës. Fjalët hebraike bashkohen sipas ritmeve të trefishta të rrënjëve të veta verbale dhe, më tepër se një mendim, përçojnë vizione që qëndrojnë në shpirt[20]”.

    Vështirë është të gjendet një poezi tjetër që i përgjigjet kësaj strategjie, këtij vizioni si poezia e Rreshpjes.

    Ngjashëm ndodh edhe me poezinë “Vetëm rëra”, ku gjithë tabloja është tronditëse dhe përmasa e dhembjes shpirtërore e pafund: “Zëri im tërë jetën i vrarë”. Poeti, edhe në një gjendje të tillë (“Tani jam bir i hënës” (Djemtë e detit) nuk qahet, as akuzon, po i bën pyetjen dhembjes, e cila ngërthen një pafundësi tmerri: “Ti ç’pate, dhembja ime, që ngrite harkun?”.

    Vetëm dy re, si dy zogj, zvarriten në qiell.

    Për ku vrapojnë të bëhen shi, këta zogj?

    Zëri im fytprerë ra në duart e tua,

    Zëri im tërë jetën i vrarë.

    Ti ç’pate, dhembja ime, që ngrite harkun

    Të qëllosh zogjtë këngëtarë?

    Si shpirt i shkretëtirës u ula

    Mbi trishtimin e kësaj nate vere.

    Tani e tutje, pa ty,

    Tëra netët kanë për të qenë prej rëre.

    (Vetëm rëra)

    Itaka shpirtërore e Rreshpjes, është të qenit, etja e tij, frymëmarrja, të lëvizurit; të menduarit, është poezia që e krijon. Së këndejmi, brenda tij fillon gjallimi i çdo gjëje, që ndërtohet sipas parimeve të botës së brendshme, ku thyhen parimet e veprimit konkret (pse jo dhe të menduarit). Pra, mesazhet tronditëse krijohen dhe marrin jetë paraprakisht në botën e brendshme të poetit; aty ngjizet dhe përligjet gjithçka dhe si e tillë shtjellohet dhe shprehet përmes gjuhës dhe tablove poetike.

    Vetmia dhe dhembja – nxitëse të frymëzimit dhe të përftimit të poezisë

    Pamjet – kuptimet që nxiten dhe lindin në botën e brendshme të poetit, ku gjërat ekzistojnë dhe ndodhin ndryshe në krahasim me realitetin jetësor, në poezinë e Rreshpjes shtrihen në një hapësirë të pakufishme dhe në të shumtën e rasteve janë tronditëse, ashtu siç është bota e brendshme e poetit. Pra, teksti që përftohet nga Rreshpja kërkon më shumë mund dhe më shumë përkushtim për të vënë komunikimin e duhur me të.

    Dy dukuri: vetmia dhe dhembja, që lidhën ngushtë dhe e plotësohen ndërsjelltas njëra – tjetrën, e cilësojnë botën e brendshme të Rreshpjes.

    Vetmia, që gjallon brenda poetit, është cytësja e tundimit dhe e përsiatjeve; përmes saj përligjen përplasjet shpirtërore të shumta nga marrin jetë dhe përftohen pamjet e pazakonshme, vetë poezia.

    Vetmia, bashkë me dhunën e realitetit të jetës, e nxitin dhe e kushtëzojnë dhembjen shpirtërore, që është diçka më shumë se vuajtja. Ajo shprehet në mënyra të ndryshme dhe bëhet pjesë e tablove që përftohen një herë në shpirtin dhe në mendjen e autorit e pastaj jetësohen në tekstin poetik, siç dëshmohet nga kjo pjesë e poezisë “Stuhi”.

    Yllin jetim harruar në qiell,

    Zë përdore një re e rrëmbyer;

    Horizontet e lebetitura rrëzohen

    Dhe ikin nëpër vetëtima të thyera.

    Vetmia dhe dhembja e poetit janë të thuash të pakufi dhe asnjëherë s’mund të vihet një kufi i prerë se ku fillon njëra dhe ku mbaron tjetra. Shqetësimi dhe tundimi shpirtëror për atë që ngjet në jetën e përditshme, me fatin e tij cung dhe me fatkeqësinë e njeriut të tij, e të tjerëve të cilët pësojnë në mënyra të ndryshme nga sistemi ngulfatës dhe mungesa e lirisë së veprimit dhe e gjallimit, janë të skajshëm: poeti është në zgrip të rrënimit: “Tërë jeta ime si këto ujëra nën thika” (Varka e dhembjes sime)[21]. Tundimi dhe zemërimi shpirtëror nganjëherë marrin përmasa të jashtëzakonshme, të thuash biblike: “Dhembja ime ulërin nëpër qiell” nga se:

    Gjethe e fundit në qiellin e dimrit,

    Ikën nëpër erë si një lamtumirë.

    Ç’mesazh shpie nëpër mjegulla?

    Ç’mynxyrë do t’u kumtosh vetëtimave?

    Shkelur nga një shi i verbër,

    Ikën dhe ikën nëpër qiell,

    Gjethe e fundit, shpirt i vjeshtës,

    Si një penel nervoz.

    Ti rend t’u kumtosh vetëtimave

    Mynxyrën e dhembjes sime.

    (Gjethe e fundit)

    dhe

    Jam Noe i zemëruar me tërë peizazhet;

    Me varkën e shiut më ndjek pas kudo,

    Fati im prej shpate.

    (Stuhi)

    Rreshpja e shpreh vetminë në forma të ndryshme: edhe atëherë kur nuk përmendet, ajo ndihet në poezinë e tij: “Druri i pritjes u vesh me vjeshtë” (Rri e rri).

    Dhembja herë dëshmohet e nevojshme, herë e tund ose shndërrohet në ankth dhe vetmi.

    Hëna e shqyer në dhëmbët e vetmisë

    Çirret si egërsirë te porta

    Ylli i fatit tim lotoi në dritare

    Ku shkon, ku shkon, çfarë të thirri kështu?

    (Kujtimi yt)


    Një shelg i vetmuar, mbuluar me dimër

    Braktisur nga zogjtë dhe gjethet:

    (Vinjetë)

    Vetmia dhe dhembja mbizotërojnë në shpirtin e Rreshpjes, krahas vuajtjeve që ia shkakton dhuna e jetës[22]: “Shtëpi e vjetër kulmrrëzuar si fati im” (Shtëpia ime…); “Trëndafilat vetëtijnë në heshtje për gjëmën time” (Me hijen time të prerë nga nata) ose “Shkoj te kroi ku dimri loton nëpër gurët” (E mira ime prej lotësh). Vetmia e Rreshpjes lidhet ndoshta me atë që thoshte Ibseni: “Më të fortit janë më të vetmuarit” apo me mendimin e Bernardo Bertolucci-t (Bertoluçi): “Vetmia mund të jetë një dënim i tmerrshëm ose një pronësi e mrekullueshme”, ndoshta lidhet me trishtimin: “Fshehur pas drurëve, diku përgjon / Vrasësi i vjetër: trishtimi”. Në vetmi mendimet e poetit lartësohen dhe degëzohen më shumë; bëhen më të natyrshme, më të thella dhe më ndikuese. Ndoshta te Rreshpja vetmia përligj atë që thoshte Fabrizio Caramagna (Frabricio Karamanja): Një det që nuk del në asnjë bregdet, një urë që nuk del tek asnjë rrugë, një ngjyrë që nuk mbërrin tek asnjë dritë. A nuk e përligj gjithë këtë edhe vetëm ky varg: “Më vështron me sy prej ujit” (Diku, kudo).

    Në të vërtetë, vetmia e kthen poetin gjithnjë tek Itaka shpirtërore, te kërkimi i vetvetes, i fatit të vet, po e drejton dhe tek tjetri dhe fati i tij. Poeti Rreshpja është i vetëdijshëm se gjatë rrjedhës historike ishte përligjur fati tragjik i njeriut tonë: vetë shqiptarët janë dëshmuar armiq të vetvetes: “Dhe kuptuam se barbarët ishin ne vetë” (Barbarët). As poeti nuk i shpëtoi kësaj fatkeqësie:

    Shtëpi e vjetër kulmrrëzuar si fati im,

    Shtegu i mbuluar me lule-harresë.

    (Shtëpi e vjetër kulmrrëzuar si fati im)


    Nga çerdhja e shiut fluturoi

    Kënga e reve tërë gjëmë.

    (Daullet u varen si kufomat)

    Pikërisht tundimi brenda poetit nxit të menduarit, përsiatjet që pastaj shprehen, konkretizohen në strukturën gjuhësore shprehëse, në poezi.

    Vetmia dhe dhembja, siç u tha, e kushtëzojnë njëra – tjetrën, si vërehet në këto pamje për shumëçka tronditëse dhe të papërsëritshme:

    Ka një sorkadhe me kryqin e vetëtimës mbi krye.

    Dalëngadalë u tret te varreza e shirave.

    Vijnë dimrat dhe hanë stinët.

    Vetëm një dhembje klith ende mbi shkëmbinjtë…

    (Pastel)

    ose

    Si shpirt i shkretëtirës u ula

    Mbi trishtimin e kësaj nate vere.

    (Vetëm rëra)

    Në poezinë e Rreshpjes dhembja ka përmasë të gjerë; shkaktohet nga vetmia dhe vuajtjet që i përjeton dhe i ndien ai: “Që edhe unë jam në këtë botë pa fole” apo “Si na erdhi kjo stinë me emrin harrim!”; “Ka mbirë bari nga sytë e tu”(Elegji për nënën). Këtij pësimi vetëm vdekja do t’i japë fund:

    Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det

    Për varkat e lotëve.

    (Erdhi ora të vdes përsëri!)


    Gdhenda në breg të detit pikëllimin tim.

    Vinë dallgët dhe bëhen lot.

    (Si varka e dhembjes sime)

    Pamje poetike tronditëse të realitetit të brendshëm

    Pamjet poetike që i krijon Rreshpja, siç u tha dhe më lart, janë tronditëse nga se ato shprehin botën e brendshme të tij: shqetësimet, tundimet dhe dhembjen. Bota që përfton ai me shumë përbërës njësohet me botën e ëndrrës, kur rrënohen kufijtë e rëndomtë të mendimit e të veprimit; gjithçka ndodh brenda hapësirës dhe kohës subjektive dhe pamjeve poetike të përftuara kryesisht janë të kundërta me ato që ndodhin në përditshmëri. Për këtë arsye atyre duhet t’u qasemi, të komunikojmë brenda botës së tillë e jo të realitetit konkret jetësor. Kjo gjë e shkaktoi dhe e shkakton shpërpjesëtimin dhe vështirësinë e komunikimit dhe të ndikimit të poezisë së Rreshpjes.

    Për ta përligjur këtë mënyrë të përftimit të pamjeve, të strukturës gjuhësore poetike për shumëçka të veçanta, po sjell disa shembuj, pa ndërhyrje:

    Dhe mbi kodrat e mbuluara me borë

    Rreth zjarrit të hënës ujqit flenë,

    E mjegullat nëpër ëndrrat e tyre

    Ngjiten mendueshëm si dhentë.

    (Mbi kodrat e mbuluara me borë)


    Lëkundet qerrja e pikëlluar e shiut

    Tek lumi me brigjet e zhveshura

    Dhe rrodhën tek varreza e detit

    Gjethet që harroi vjeshta.

    (Ky shi, sonte)


    Po kthehen barinjtë por hënën e harruan ndezur në mal.

    Yjet vënë qirinj nëpër udhët e zogjve.

    (Eklogë)


    Si një krah i thyer pulëbardhe

    Kishte mbetur pak dimër nga ti

    (Mike e vjetër)


    Po të lë kështu tërë vjeshtë […]

    Ti e ke ditur që unë te stinët e kam shtëpinë,

    Ti e ke ditur që unë edhe pak bëhem dimër.

    Se vjen një kohë e kjo natë bëhet rërë,

    (Po të lë kështu tërë vjeshtë)


    Ja, u ktheva përsëri në Shkodrën e mbretërve

    Ngritur gurë-gurë

    Mbi supet lakuriq të një gruaje,

    Nga vëllezërit tradhtarë.

    Mbi degët e shirave këndojnë zogjtë

    (U ktheva përsëri në Shkodrën)


    Luanët e mermertë te pusi egërsohen në mbrëmje

    dhe lulekëmbanat si për mort tringëllojnë.

    (Si ike kështu)

    Në poezi Rreshpja nuk përdor shprehje e vargje të natyrës retorike, klithje, britma, nuk lëshon kushtrim, po përmes gjuhës dhe sistemit të veçantë të të shprehurit e ndërton realitetin poetik, përfton pamje (mazhe), tablo që e ballafaqojnë së pari me vetveten, me kohën, mungesën e lirisë së të shprehurit dhe të jetuarit, me dhunën që i shkakton njëmendësia (kulturore dhe politike) që si e tillë mund të bëhet edhe pjesë e botës së tjetrit: “Dashuria ime mund të bëhej çati e tërë botës” (Mos e mallko me ndarje këtë natë).

    Në rrafshin e dukurisë – vepër e hapur – poezia e Frederik Rreshpjes hyn në rrethin më të ngushtë të mundshëm të poezisë sonë bashkëkohore që e përligj atë në mënyrën më të thellë.

    Brenda këtij koncepti hyn edhe kjo pjesë e testamentit të tij për shumëçka shenjëzuese, që të gërryen thellësisht në ndërgjegje:

    Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka

    dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes

    të më ndjekë mallkimi i artit.

    (Testament)


    Vëllimi – “Era përkund pikëllimin e luleve”, shkrimi hyrës dhe nisma dhe mbështetja e shkrimtarit dhe e drejtuesit të shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemit, që ta botojë këtë zgjedhje me poezi, synojnë ta shmangin sado pak vrasjen e mëtejshme të poeti të madh, Frederik Rreshpjes, dhe ta zvogëlojnë mëkatin që është bërë dhe po bëhet ndaj poezisë dhe figurës së tij, qoftë në rrafshin e botimeve, qoftë në atë të vlerësimit dhe të studimit[23].

    Prishtinë, gusht – shtator 2018


    [1]  E. Montale, Sulla poesia. Milano, Mondatori 1976, f. 171.

    [2]  Xhon Milton, Areopagjitika. Në fillim ishte fjala…Shqipëroi Ajsela Koka. Botimet Dritan, Tiranë 2004, f. 71 – 72.

    Duke folur për librin Xhon Miltoni thoshte: “Kush vret një njeri, vret një krijesë të arsyeshme, imazh të Zotit; po kush shkatërron një libër të mirë, vret vetë arsyen, vret imazhin e Zotit në vetë thelbin e tij”. Shih Xhon Milton, Areopagjitika. Në fillim ishte fjala,vep.e e përm., f. 72.

    [3]  Jorge Luis Borges, Inkuizicionet e tjera. Përktheu Astrit Cani. Botimet Ideart, Tiranë 2005, f. 86.

    [4]  Jorge Luis Borges, Inkuizicionet e tjera, vep. e përm., f. 81.

    [5]  Edgard Allan Poe, Poezi dhe ese. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari. Plejada, Tiranë 2004, f. 99.

    [6]  Jorge Luis Borges, Inkuizicionet e tjera, vep. e përm., f. 121.

    [7]  Jorge Luis Borges, Inkuizicionet e tjera, vep. e përm., f. 113.

    [8]  Shprehur përmes një metaforë Gazmend Krasniqi thotë “Fredi ishte një njeri që nuk i interesonte poezia, por poezia ishte e interesuar për të” Shih Gazmend Krasniqi, Poeti i 100 lirikave. botuar në gazetën “Koja jonë”. Shih Monda – 30 Tetor 2009.

    [9]  Nga biseda e Shpëtim Kelmendit me Frederik Rreshpjen.

    [10]  Poeti arbëresh e thotë këtë në mënyrë të qartë në Parathënien, që i vë librit të parë të Skanderbekut të pafán (1872) dhe që e riboton te Një pasqyrë e shtegtimit njerëzor – 1897: “Dhe Poezia është një privilegje si dhe Profecia, nuk bëhet (nuk prodhohet) sipas vullnetit të njeriut. Vizioni i veprimit hyjnor për ndryshimin e fateve të njerëzve është një dhunti e Profetëve, përgatitja për jetën e lartësive u përket vetëm Poetëve të lindur”. Shih Girolamo De Rada, Poesie albanesi Voll. II. Uno Specchio d’umano transito. Napoli, 1898, f. 6.

    [11]  Bisedë e F. Rreshpjes dhënë gazetës “Sot”, 1 nëntor 2005.

    [12]  Bisedë me Frederik Rreshpjen, Zëri Rinisë, 25 Nëntor 1992.

    [13]  Anton Pashku, Mbi komunikimin poetik. Në “Jeta e re”, Revistë letrare, n° 4 (Kushtuar Anton Pashkut), Prishtinë 1996, f. 610.

    [14]  Shih Jorge Luis Borges, Inkuizicionet e tjera, vep. e përm., f. 81.

    [15]  Jorge Luis Borges, Inkuizicionet e tjera, vep. e përm., f. 10.

    [16]  Jorge Luis Borges, Inkuizicionet e tjera, vep. e përm., f. 13.

    [17]  David M. Turoldo, Postfazione. Në “Cantico dei cantici…come sigillo sul cuore”, Edizione San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano) 2011, f. 119.

    [18] André Chouraqui, Il Cantico dei cantici e introduzione ai Salmi. Prefazioni di A. Neher, R. Voillaume, J. Ellud. Traduzione dal francese di Vittorio Burattini. Città Nuova Editrice, Roma 1980, f. 39 – 40.

    [19]  Antonio Girlanda, Introduzione. Në “Cantico dei cantici. Novissima versione dai testi originali di Dalmazio Colombo. Milano 1998, f. 14 – 15 dhe 17.

    [20]  André Chouraqui, Il Cantico dei cantici e introduzione ai Salmi, vep. e përm., f. 39.

    [21]  Kujto vargun e njohur të Martin Camajt “Jeta ime djegagurë”.

    [22]  Në një bisedë Rreshpja thotë: “Heminguej thoshte, ‘Shkrimtari duhet të vuajë si shpata në zjarr që të bëhet një shkrimtar i mirë’, por për mua ishte e tepërt se unë s’jam Jezu Krishti”.

    [23]  Në mjegullnajën e botimit dhe të vlerësimit të poezisë së Rreshpjes e të figurës së tij, ndodhin, mjerisht, dhe gjëra të dhimbshme: edhe poezitë e një poeti tjetër paraqiten me emrin e Frederik Rreshpjes. Shih Gazmend Krasniqi, Një skandal letrar. Në “Palimpsest”. Revistë kulturore dhe letrare Online. Në këtë punim ndër të tjera thuhet: “Pashë se njëri ndër poetët më të njohur arbëreshë të sotëm, me dashamirësinë për të promovuar letërsinë e vendit të origjinës, paraqiste në rrjetet sociale një poezi të Rreshpjes, të përkthyer në italisht dhe të vendosur në faqet kulturore të atij vendi, por poezia nuk qe e poetit në fjalë […] Ka ardhur koha që prej poetit të vdekur të merret pak lavdi, por kjo prirja për ta marrë si e duan dhe jo si është, mbetet mënyra më e mirë për ta vrarë një poet. Sidomos kur atij nuk i është dhënë ende vendi që meriton. Poezitë e ngatërruara rezultojnë më të brohoriturat nga ky rreth njerëzish, megjithëse autori i vërtetë as që është në dijeni të këtij “suksesi”. Shih dhe punimin tjetër të tij për poezinë e Rreshpjes: “Poeti i 100 lirikave”. Në “Palimpsest”. Revistë kulturore dhe letrare Online.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË