Ëndrra si shumësi dhe fshehtësi kuptimore dhe si vizion gjallimi
Nga shumësia e dukurive që bëhen objekt vështrimi në romanin “Vegjetariania” të Han Kang-es, dy prej tyre ngrihen mbi të tjerat. E para është ëndrra, ndërsa e dyta vdekja, që në tekstin e veprës janë të kushtëzuara ndërsjelltas dhe mundësojnë që jeta konkrete (me vështirësitë dhe trazimet e saj të vijueshme) të shihet në thellësi. Vetë natyra dhe cilësia e tekstit, lloji i rrëfimit dhe shtjellimi i lëndës së romanit, t’i kujtojnë, dashur e padashur, një varg veprash nga e kaluara. Të përmend, fjala vjen, Procesin e Kafkës, Silvia-n e Nervalit[1], Pedro Paramo të Juan Rulfo-s[2], Duke e harruar njëëndërr të Bogesit[3] ose në letërsinë tonë “Oh-in” e Anton Pashkut. Pjesa e dytë e romanit të Han Kang-es “Njolla mongoliane” t’i kujton në shumë përbërës dy veprat Porrteti i Dorian Greit tëOscar Wilde [4] dhe Vdekja në Venecie të Tomas Man-it[5].
Është e njohur se ëndrra dhe vdekja janë bërë objekt vështrimi poetik në veprat letrare qysh në lashtësi, ndoshta dhe në krijimet e para të artit të fjalës që u bartën gojarisht prej një individi te tjetri dhe prej një brez te tjetri, që me shekuj i kanë prirë letërsisë së shkruar.
Në një varg krijimesh të letërsisë gojore të popujve të ndryshëm, po dhe të popullit tonë, ëndrra është nxitja kryesore e gjithë asaj që ndodh dhe rrëfehet. Kjo ndodh sidomos në përrallë, njëri ndër llojet më të rëndësishme të prozës gojore, e cila me qenësinë e shtjellimit të tekstit dhe të mënyrës së shqiptimit të dukurive, i afrohet botës së ëndrrës, edhe pse për disa përbërës ndryshon thellësisht prej saj[6].
Në veprën e parë letrare të shkruar, të plotë që na ka mbërritur nga tradita e hershme letrare sumere – babilonase – “Epi i Gilgameshit”, të shkruar me kunja në pllaka të argjilës mbi katërmijë vjet më parë, gjashtë herë ëndrra paralajmëron ose shënjon diçka të rëndësishme për ndërtimin e mëtejshëm të rrëfimit dhe të veprimit në këtë ep, që lexohet me ëndje edhe sot e gjithë ditën. Njëri nga rastet (nga kënga e pestë) lidhet me përshkrimin e ëndrrës së Enkidujit para se të ndeshen (ai bashkë me Gilgameshin) me Humbabën, me ç’rast është dhënë një tablo e jashtëzakonshme e natyrës – gjëmimit të qiellit, lëvizjes së reve, trandjes së tokës, por edhe «reshjes» së vdekjes, që bazën e ka në realitetin konkret në natyrë dhe në përvojën jetësore të njeriut.
gjëmonte qielli, toka e tërë trandej,
të zezat re t’stuhisë po afroheshin,
shumë të errta mblidheshin në grumbuj;
ndriçonte vetëtima, rr’feja shkrepte,
përherë shkonin ret’ duke u zgjeruar,
si t’ishte duke reshur binte vdekja[7].
Në këtë ep të lashtë e dëshmojnë rëndësinë e tyre të jashtëzakonshme sidomos tri dukuri: etja për jetë, dashuria dhe vdekja[8], të cilat e bëjnë thelbin e sistemit shtjellues dhe kuptimor edhe të romanit “Vegjetariania”.
Rrëfimi – shqiptimi nga ”Syri i brendshëm”
Bota që përligjet në romanin “Vegjetariania” është e ngjizur nga imazhe vegimore dhe përfytyruese, të vrojtuara e të shprehura nga “syri i brendshëm”, nga shtresat thellësore të botës së brendshme të njeriut – të personazheve të veprës, të cilat veçohen dhe përshkohen nga tundime dhe ankthe, nga mëdyshje, nga pasiguri dhe kotësi, nga zbrazëti të veprimit dhe të gjallimit.
Të pikëzuara e të “zbuluara” nga brendësia, ato dalin më ngjyruese, ma të ndërliqshme (komplekse) dhe bëjnë ndikim më të madh. Vetëm nga rrafshi i këtillë brendësor “kapet” dhe shprehet thellësisht zëri tragjik dhe i pangjyrë i Jonhej-t, që më shumë i përket një bote tjetër sesa botës – gjallimit të përditshëm, po dhe i vetë shoqërisë në të cilën jeton.
Nga çasti i ëndrrës tronditëse, ku mbisundon gjaku dhe simbolika shumësore e tij (dhe vendos të mos hajë më mish) ajo “frymon” midis qenies dhe mos qenies; midis synimeve e dëshirave dhe pamundësisë së përmbushjes së tyre, të pamundësisë së përballimi të pengesave të mëdha që shfaqen, prandaj rrjedha e jetës shndërrohet në tundime e pësime dhe mbështillet me velin e vdekjes jo si frikë, po si gjakim, si prehje dhe shpëtim.
Në roman ëndrra ka kuptim sa shumësor, aq dhe thellësor, që shtrihet dhe përbëhet nga elemente të rrafshit vertikal dhe horizontal: “Po këtë ëndërr sikur e kam parë tashmë. Pafundësish, shumë herë. Dhe brenda saj – ëndrra që kisha parë” (f. 27).
Të gjitha këto që i përmenda bëjnë realitetin e romanit “Vegjetariania” dhe si botë e këtillë komunikon me marrësin dhe ndikon në të.
Pra, ëndrra në këtë prozë shenjëzon zbulimin e fshehtësive të botës së njeriut, po është dhe dëshmi e dhunës dhe e zhveshjes së realitetit jetësor. Kjo përligjet edhe me fjalët e burrit të Jonhjes “Kishte ngecur (Janhja) në këtë ëndërr të mbyllur për mua, ku nuk më shpinte asnjë rrugë”(f. 16).
Ngjashëm ndodh, fjala vjen, dhe me funksionin dhe kuptimin e ëndrrës në veprën e Nervalit[9], “Silvia”[10], për të mos i përmendur të tjerat. Çështjet që heqin më së shumti peshë në këtë novelë me vlera të jashtëzakonshme[11], janë përfytyrimi dhe ëndrra, që këmbehen në mënyra të ndryshme. Sa më shumë që të synosh t’i përcaktosh rrafshet realë dhe përfytyrues (vegimorë), aq më tepër bindesh se ato janë të njëjtësuar dhe të pandashëm. Ëndrra i mundëson autorit të novelës dëshmimin dhe realizimin e imagjinatës krijuese, një liri të jashtëzakonshme veprimi për strukturimin e objektit artistik, një gërshetim e ballafaqim, po edhe kundërvënie të ndjesive, të dukurive dhe të çështjeve të ndryshme, që nuk i përkasin vetëm një vendi e një kohe. Me botën e saj të veçantë ëndrra i mundëson të shfaqë ndjenja që nuk mund të shprehen në mënyrë kaq të plotë kur vendosen e ngjasin në realitetin konkret. Në botën e ëndrrës janë të rrënuara rregullat dhe kufizimet e realitetit të përditshëm, në të njëjtën kohë e në të njëjtin rrafsh, shqiptohen e njësohen gjëra e mendime të kohëve e të natyrave të ndryshme; ato i nënshtrohen ndjesive dhe logjikës së botës së brendshme, shpirtërore dhe mendore, gjallojnë dhe veprojnë në mënyrë të pavarur e të pakufishme.
Edhe autorja, Han Kang, e përdor ëndrrën për arsye se ajo është shprehja më vetjake e ndërdijes dhe e përvojës së njeriut si krijesë shoqërore dhe mendore. Brenda botës së ëndrrës s’ka kufi, as kohorë, as hapësinorë. Vendet dhe kohët janë subjektive, shkrihen në njëra – tjetrën dhe gjallojnë brenda një bote që funksionon dhe komunikon mbi parime subjektive; kohët e lagëta bëhet të afërta, ato të afërta largohen deri në pafundësi. Sa fiton përshtypjen se diçka është më parësore, më e rëndësishme, vëren (dhe bindesh) se kriteret e tilla nuk janë pjesë e asaj bote. Ngjarjet e mëdha, luajnë rolin e atyre të voglave, të voglat çmohen si kryesore ose vlerat e tyre dalin të barabarta ose kanë pak vlerë.
Pra, ëndrra në këtë roman është përbërës i qenësishëm i gjithë asaj që ndodh dhe shprehet për arsye se, si thekson Freudi, ëndrrat janë pjesë e formimit psikik “të pasur nga kuptimet koherente”, që “[…] e mbyllin në një gëzhojë arre psikologjinë e neurozave[12]” ose, siç vë në dukje Fromm-i, ëndrrat tona bëjnë pjesë sa në natyrën tonë irracionale, aq dhe në natyrën tonë racionale[13]. Të përmend këtu vetëm të dhënën se qysh në Besëlidhjen e Vjetër ëndrra ndërlidhet me metafizikën e ekzistencës[14].
Duke folur për ëndrrën si shumësi dhe fshehtësi kuptimore dhe si vizion (projektim) i mundshëm i lirisë shpirtërore, po dhe si pjesë e realitetit konkret jetësor, Jorge Luis Borges, thekson: “Ëndrrat janë krijime estetike dhe s’ka dyshim që janë shprehja estetike më e lashtë[15]”.
Qenësinë e përftimit të botës poetike përmes ëndrrës, siç ndodh dhe në romanin “Vegjetariania”, ndoshta e shpreh më së miri ky mendim i shkrimtarit anglez, Dunne: “Çdo njeriu ëndrra i fal një përjetësi të vogël që i lejon të shohë të kaluarën dhe të ardhmen e tij të afërt[16]“ ose ai i Shekspirit se njeriu është i bërë nga i njëjti brumë si dhe ëndrrat.
Së këndejmi, mund të thuhet se ëndrra në procesin e shqiptimit poetik të botës në këtë vepër të Han Kang-ës bëhet vetvetiu pjesë e zhgjëndrrës dhe shpreh dramatiken e brendshme të njeriut, ashtu siç thekon Borges-i se e kaluara jonë a nuk është një varg ëndrrash? Çfarë ndryshimi do të mund të bëhej midis kujtoj ëndrrat dhe kujtoj të kaluarën, të shfaqura si arketipa ose si vazhdimësi?
Në romanin “Vegjetariania”, në qenësi, ëndrra është kundërvënie dhe mohim i realitetit konkret, po përmes këtij mohimi që përligjet në tekst, ndërtohet njëmendësi (realiteti) e veprës, realiteti që të vë në tundim dhe ndikon dukshëm. Kjo ngjet për arsye se në jetë njeriu vuan, dëshpërohet, zhgënjehet, përjeton pësime dhe fatkeqësi të ndryshme; veprimet e tij janë të kufizuara, në shumicën e rasteve synimet dhe dëshirat mbesin vetëm si të tilla.
Pra, si pjesë e realitetit shpirtëror, ëndrra është e kushtëzuar nga realiteti jetësor, nga ajo që njeriu përjeton dhe pëson në jetën e përditshme, nga tundimet, vështirësitë dhe të papriturat në veprimin konkrete; nga dëshirat më të fshehta, nga joshjet dhe lakmitë (që shpesh nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë) nga vegimet dhe përfytyrimet më të pazakonshme.
Kjo dëshmohet nga sjelljet dhe pësimet e personazheve. Kështu, fjala vjen, i ndodh dhe piktorit, kunatit të Jonhjes: “Një e dy mendonte sikur kjo të ishte ëndërr dhe si ta bënte atë të vërtetë” f. 62).
Thënë përmbledhtas, ëndrra përligj një realitet shpirtëror që ekziston brenda mendjes së njeriut dhe funksionon në mënyrë krejtësisht të mëvetësishme, po që mund të ketë ndikim të shumëfishtë dhe në jetën e përditshme. Ernesto Sabato thoshte: “Për një ëndërr mund të thuhet gjithçka, përveç se është një gënjeshtër[17]”.
E drejta për të jetuarit dhe e drejta për të vdekur
Romani “Vegjetariania”, siç u tha, synon, përveç të tjerash, t’i zhveshë maskat e realitetit jetësor konkret, që dëshmohet përmes tekstit – rrëfimit; përmes cilësive shprehet rrjedha e fatit të një gruaje të martuar. Ajo bëhet viktimë pikërisht e realitetit, e marrëdhënieve që e cilësojnë shoqërinë, jo vetëm në vijën horizontale. Jeta e saj dëshmon faktin se mungon liria e jetës që individi duhet ta bëjë, liria e përcaktimit vetjak, mundësia e zgjedhjes së shtegut ku individi vendos lirisht si ta përmbushë jetën e vet dhe t’i bjerë asaj në fund sipas vendimit të vet e jo siç e përcakton tjetri. Mirëpo, jeta e bën të kundërtën: i prapëson dhe i zhbën dëshirat dhe synimet, shpesh është dhunuese në forma të ndryshme: “Pashë ëndërr përsëri. Dikush vrau një njeri, dikush tjetër e fshehu kufomën padukshëm […] Nëse vrava unë, atëherë cilin? Mbase ty? Ishte një njeri shumë i afërt për mua. Ose jo, mbase, ishe ti që më vrave…” (f. 27).
Jeta është e përshkuar me pësime dhe është sprovim i vijueshëm i durimit dhe i vuajtjeve (Nëna Tereze thoshte: “Vuajtja kurrë nuk do të zhduket krejtësisht nga jeta jonë. Pra, mos keni frikë. Vuajtja është një përçues i dashurisë nëse e shfrytëzoni dhe, para së gjithash, ia kushtoni paqes së botës[18]”), jo vetëm për disa çaste, që dëshmohet dhe nga teksti i romanit. Gjithçka ka filluar nga fëmijëria: “Vetëm kishte duruar sa i kujtohej, që nga fëmijëria” (f. 172). Kjo përligjet edhe nga fjalët e piktorit, kunatit të Jonhjes: “Ai kishte jetuar në errësirë. Në këtë botë bardhezi, të privuar nga ngjyrat, mes të cilave kishte kaluar jeta e tij, në këtë botë, i mrekullueshëm dhe i vetmuar, para tij u mbyllën të gjitha dyert” (f. 105) ose ajo që thotë motra e Jonhjes: “[…] ajo e ndjeu veten fëmijë si dikur, për më tepër. Një fëmijë që s’kishte jetuar kurrë në këtë botë” (f. 172).
Shprishja shpirtërore dëshmohet në rrafshe e në forma të ndryshme edhe tek të tjerët. Kështu, kunati, ndërsa Jonhja shkon në kuzhinë, atij “Megjithatë, para syrit të tij të brendshëm i vizatohej balli i vogël dhe vithet e saj, të zbukuruara me petale lulesh nga skicat e tij të panumërta” (f. 78). Me pak fjalë, ëndrra dhe vegimi – përfytyrimi këmbehet me realitetin konkret dhe bëjnë realitetin e ndërliqshëm të veprës.
Pra, jeta njësohet me atë që në roman thuhet për kohën: “Koha është një dallgë mizorisht shpërfillëse”. Në një çast dëshpërimi të pafund këtë e thotë dhe vetë personazhja kryesore e romanit, Jonhja: “Askush nuk më kupton… Edhe mjeku, edhe infermierët, të gjithë njësoj. Madje as përpiqen të më kuptojnë” (f. 166).
Në realitetin e tendosur, shpesh të përmbysur, njeriu u jepet prapësive (ndahet burri nga gruaja, kunati i vardiset kunatës, njerëzit u dorëzohen epsheve, joshjeve dhe shfrimit seksual; ëndrrën synon ta bëjë realitet dhe, në rrethana të vështira, në tundime të skajshme, realitetin ta bëjë ëndërr.
Në këtë ndërliqësi frymëmarrje dhe pësimi, klithja e Jonhjes, e personazhit kryesor, është thellësisht tragjike, për të mos thënë rrënuese: “Pse nuk më lini të vdesë?”
Kjo klithje kuptimisht thellësore dhe shumësore rrjedh nga fakti se ajo “E kuptoi që ishte e vdekur prej kohësh”.
Në qenësi romani është një gërmim në tronditjet, në tundimet, në trazimet dhe në pësimet shpirtërore të njeriut, që konkretizohet përmes personazheve të romanit; është ndërtuar mbi parimet e mozaikut: ngjarjet nuk e ndjekin vijimisht njëra – tjetrën, po rrëfimi përftohet mbi bazën e pjesëve, të pamjeve që degëzohen kuptimisht dhe bëjnë ose mund të bëjnë tërësinë.
Romani ka ngritjet dhe zbritjet e veta. Pjesa e parë më shumë është kërkim i asaj që duhet të rrëfehet sesa rrëfim i ngritur poetikisht, që ngjet dhe në pjesën e tretë “Përflakje e pemëve”. Kjo vërehet në rrafshin e gjuhës poetike, të shprehurit poetik, ku dëshmohet një ngritje në pjesën e dytë – “Njolla mongoliane”.
Duhet thënë se vlera e romanit përligjet më shumë në rrafshin e makrostrukturës së tekstit se sa në atë të mikrostrukturës.
Në mbyllje të këtij punimi mund të them se romani “Vegjetariania” e Han Kang-ës të ballafaqon e të vë në komunikim me shumë dukuri që mund t’i kesh lexuar edhe më parë, po të shprehura e të konkretizuara në një mënyrë të mëvetësishme, që sa janë tunduese aq dhe ankthore dhe përligjin fatin e njeriut. Them kështu për arsye se një vepër letrare është e vlefshme (heq peshë) edhe për atë që përmes tekstit të saj poetik zgjon dhe nxit te lexuesi (marrësi) jo vetëm për atë që thuhet ose ndodh, po edhe për atë që mund të kujtojë ose mund të merret me mend.
Prishtinë, fund nëntori 2024
[1] Shih punimin tim rreth kësaj vepre “Silvia” e Nervalit një kryevepër poetike e dashurisë së trazuar. Në veprën time “Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore”. Faik Konica, Prishtinë 2022, f. 205 – 241.
[2] Shih Juan Rulfo, Pedro Paramo. Roman. Rrafshina në flakë. Tregime. Përktheu nga origjinali Bajram Karabolli, Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2015.
[3] Shih punimin tim Ëndrra si shumësi dhe fshehtësi kuptimore dhe si vizion. Në veprën time “Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore”. Faik Konica, Prishtinë 2022, f. 186 – 201.
[4] Shih Oscar Wilde, Portreti i Dorian Greit. Përktheu Klodian Bruçi. Pema, Prishtinë 2018.
[5] Shih Tomas Man, Vdekja në Venecie. E përktheu Beatriçe Balliçi. Shtëpia botuese Beqir Musliu, Gjilan 2017.
[6] Shih punimin tim Hyrje në poetikën e përrallës. Në “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe”. Faik Konica, Prishtinë 2018, f. 229 – 276, sidomos pjesën Përralla, miti ëndrra, f. 240 – 245. Shih dhe Parathënien në Anton Berisha, Myzafere Mustafa, Antologji e përrallës shqipe. Rilindja, Prishtinë 1982.
[7] Epi i Gilgameshit. E përktheu nga gjermanishtja dhe e plotësoi me shënime Anton Nikë Berisha. Botimi i tretë. Argeta – LMG, Tiranë 2008, f. 62.
[8] Shih parathënien time Vepër që i kushtohet tmerrit të vdekjes dhe qëndresës së njeriut. Në Epi i Gilgameshit. E përktheu nga gjermanishtja dhe e plotësoi me shënime Anton Nikë Berisha. Botimi i tretë. Argeta – LMG, Tiranë 2008, f. 5 – 29. Botimi i parë “Rilindja”, Prishtinë 1984, botimi i dytë “Naim Frashëri”, Tiranë 1990.
[9] Zherar dë Nerval (emri i vërtetë Zherar Labryni – Gérard Labrunie 1808 – 1855).
[10] Shih Zherar dë Nerval, Silvia. Shqipëroi nga frëngjishtja Beatriçe Balliçi. Me një parathënie nga Anton Nikë Berisha. Beqir Musliu 2019.
[11] Shih dhe veprën time Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore. Faik Konica, Prishtinë 2022, f. 205 – 241.
[12] Shih Francesco Grisi, I sigari di Brissago. L’anti personaggio della maschera letteraria. Bietti, Milano 1972, f. 14.
[13] Erich Fromm, Gjuha e harruar. Një eksplorim në historinë e interpretimit të ëndrrave e miteve, nga letërsia primitive në veprën e Frojdit e të Jungut. Përkthyer nga Kujtim Ymeri. Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë 1998, f. 84.
[14] Shih Francesco Grisi, I sigari di Brissago. L’anti personaggio della maschera letteraria. Bietti, Milano 1972, f. 10.
[15] Jorge Luis Borges, Ligjërata,. Përktheu nga frëngjishtja Feride Papleka, Tiranë 2013, f. 42.
[16] Jorge Luis Borges, Ligjërata. Përktheu nga frëngjishtja Feride Papleka, Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2013, f. 29.
[17] Ernesto Sabato, Para fundit. Ese. Përktheu nga origjinali spanjisht Orjela Stafasani. OM, Prishtinë 2018, f. 45.
[18] Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano 2003, f. 141 – 142.