Romani shqiptar, fillimi i shekullit XXI vetiu të ndërmend gjendjen e romanit shqiptar në fillim dhe përgjatë shekullit XX, shekullit paraardhës. Për të arritur në gjendjen e sotme të zhvillimit, ka kaluar në një proces të tërë të shfaqjes, formësimit, përdegëzimit të brendshëm në zhanre a nënlloje të ndryshme. Para momentit të tanishëm, mendojmë, se janë dy momente të tjerë të rëndësishëm, që kanë përcaktuar zhvillimin e tij pa të cilët nuk mund të shpjegohen dukuritë, prurjet, tiparet, problemet dhe kahet bashkëkohore.
Momenti i parë është shfaqja e romanit në letërsinë shqipe, lëvrimi i tij në vitet 1913-1944. Numerikisht janë botuar 23 romane. Tipologjikisht u lëvruan disa lloje, kryesisht, romani romantik historik, sentimental, realist social dhe psikologjik më shpesh me përbërës heterogjenë. Me përjashtim të dy llojeve të fundit, që lëvroheshin edhe në letërsi të tjera europiane, llojet e tjera kanë qenë lëvruar një shekull e gjysmë dhe një shekull më parë.
Momenti i dytë është epërsia/hegjemonia e tij në letërsinë shqipe, në vitet 1970-1990, kur në një vit, në Tiranë, Prishtinë, disa herë dhe në Shkup, botoheshin, zakonisht, mbi 10 deri 21, 24 tituj. Më 1975 ka qenë pika më e lartë e kurbës së tij, përkatësisht 18 tituj në Tiranë dhe 6 në Prishtinë. Në 1971 dhe 1979 janë botuar nga 23 tituj, aq sa qenë botuar në katër dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX. Poezia vazhdon të ketë epërsinë e titujve në krahasim me romanin, 2/1. (Poezia 473, romani 256). Romani ka epërsinë e lexueshmërisë, sipas tirazhit, 6/1 (në 21 vjet, 1970-1990, me një mesatare 12.000 me 2000/1900. Përllogaritja është bërë vetëm me botimet e Tiranës, sepse nuk kishim të dhënat e tirazhit për botimet e Prishtinës). Epërsia/hegjemonia e romanit ndryshon strukturën tradicionale të letërsisë shqipe. Nga strukturë e poezisë shndërrohet në strukturë të romanit, që është struktura moderne bashkëkohore e letërsive europiane me të cilat fillon të bashkëkohëzohet nëpërmjet këtij shndërrimi të brendshëm zhanror dhe, njëkohësisht, për herë të parë, bëhet e pranishme dhe e njohur mes tyre, e përkthyer në shumë gjuhë. Tipologjikisht janë lëvruar lloje të ndryshme: romani realist shoqëror, sagë, psikologjik, i realizmit socialist, historik romantik, biografi e romansuar, lloje dhe trajta të romanit modern dhe pasmodern, të alegorisë analogjike me përbërës të llojit fantastik, absurdes dhe paradoksit, antiutopisë, ironik, me strukturë mitike, anticipimit, etj
Momenti i tretë janë dhjetvjeçarët e shekullit XXI, i cili dallohet për larminë e zhanreve dhe poetikave rrëfimore realiste, moderne, moderniste e pasmoderne, të ndërthurrura e të harmonizuara, herë në shumësinë e veprës tërësore të një autori dhe, herë brenda të njëjtit roman. Si të thuhet, kjo është periudha e polizhanreve dhe polipoetikave. Ky tipar vërehet në romanet e Fatos Kongolit, Mehmet Krajës, Bashkim Shehut, Vath Koreshit, Rexhep Qosjes, Zija Çelës, Zejnullah Rrahmanit, Agron Tufës, etj.
Romani polifonik E zeza dhe e kuqja i Mehmet Krajës është një sintezë e këtij tipari, që është përcaktues edhe i stilit të tij, të zhvilluar e pasuruar në vite. Në të janë ndërthurrur zhanre dhe përbërës të romanit psikologjik, sagë, ironik, fantastik, utopik, përsiatës filozofik, etj. me trajtat e veta rrëfimore, realiste, ironike, fantastike, utopike, përsiatëse, lirike poetizuese, epiko-legjendare një sërë prej të cilave janë shndërruar në trajta të tjera, moderne e pasmoderne, që janë dhe zotëruese. Ndërkëmbimi i tyre ka përftuar shëmbëlltyrat e tri botëve të ndryshme, përballë a të mbivendosura. Njëra është shëmbëlltyra e jetës së njëmendët, atyre që ndodhin në përditshmëri dhe kanë ndodhur në histori, me konkretësi hapsinore mjediset e Krajës, buzë liqenit të Shkodrës, matanë kufirit politik, dhe në referencë kohore qindvjetshi 1912-2012. Dy janë shëmbëlltyra të botës mendimore psikologjike, të panjëmendëta, utopike, e vegimeve të dëshirave ëndërrore, dhe antiutopike, fantaziste e një bote të përtejme të vdekjes. Natyrisht, do të ishte e vështirë, në mos e pamundur, të paraqiteshin me mjetet e kufizuara të një zhanri të caktuar, që do të thotë, se ndërthurrjen e zhanreve dhe të poetikave nuk e ka zgjedhur thjesht autori si eksperiment, por e kanë kërkuar këndvështrimet e ndryshme për botën njerëzore, për rrjedhojë, edhe brendia e pasur.
Ironia
Titulli E zeza dhe e kuqja është ironik, parodizim i titullit të romanit të Stendalit E kuqja dhe e zeza. Me këtë nyje zanafillore prej letërsisë, ironia zhvillohet për mosharmoninë mes ngjyrës së kuqe dhe të zezë, që janë ngjyrat e flamurit shqiptar, simbol i identitetit dhe i historisë. Renditja e tyre është e përmbysur dhe në një këndvështrim të kundërt. E para dhe zotëruese është e zeza, simbol i të keqes, mosharmonisë në analogji me moskuptimet, mosmarrëveshjet, paaftësinë, mungesën e bashkëveprimit për të përballuar situatat qeniesore, dobësitë, veset, humbjet e shqiptarëve, të cilat janë objekti i romanit në këndvështrime të ndryshme, në radhë të parë, ironik. E kuqja, apo, e mira, heroikja, virtyti, e arritura është dytësore. Romani është ironi e kundërvënies me mendësinë, letërsinë dhe historiografinë heroizuese shqiptare.
Saga e tjetërsuar
Ironia groteske, tipari përcaktues i stilit të Mehmet Krajës, në E zeza dhe e kuqja shpërfaqet nëpërmjet strukturës ndërkohore dhe ndërtekstore të sagës. Historitë e rrëfyera nga rrëfimtari autor për tre breza: gjyshin, të atin dhe veten shprehjen më të plotë të kohës një shekullore nuk mund ta gjenin veçse te struktura e sagës me kohështrirjen e vijueshme më të madhe. Ato janë shtjelluar në tri pjesë të ndara, ose, në tre romane të njësuar, njëkohësisht dhe të mvehtësishëm. Nuk janë historitë e një familjeje të mbyllur në vetvete, ndonëse shpërfaqen mendësitë, traditat, zakonet, mënyra e jetesës, normat morale, veset, dobësitë, obsesionet, paranojat, marrëzitë, por janë bëmat e burrave të saj në marrdhënie me problemin qeniesor identitar, në referencë me ngjarjet historike të vendosjes së dhunshme të kufirit shtetëror politik mes shqiptarëve dhe pasojat e tij (1912-2012). Kalimi nga problematika familjare në problematikë politike kombëtare është një nga kapërcimet e llojit të sagës. Edhe rënja e familjeve, ndryshe nga në sagë, ka ardhur nga shkaqe të jashtme politike dhe jo prej ndonjë krimi primordial të pjesëtarëve të saj. Gjyshi, i ati dhe i biri i tij rrëfimtar nuk ndëshkohen për padrejtësi e krime. Ata janë viktima të padrejtësive politike të të tjerëve. Kështu, thelbi filozofik i sagës është tjetërsuar, në një këndvështrim të ri, me domethënie të tjera, politike. Me shndërrime të tilla problematike, mendimore dhe rrëfimtarie, saga e Mehmet Krajës është shndërruar në një lloj sage pasmoderne. Prej saj janë ruajtur analizat e thella psikologjike, referenca ndaj ngjarjeve dhe figurave historike, karakterizimi i disa personazheve me mënyra e mjete realiste.
Antiutopia në botën e përtejme
Të tri pjesët, apo, të tre romanet përmbyllen me një njësi në formë epilogu, shëmbëlltyrë e një antiutopie në botën e përtejme, e përcaktuar në përmasat kohore-hapsinore të pafundësisë dhe të asgjësë. Prej andej, hijet e personazheve, botën e të gjallëve prej nga kanë ardhur, e perceptojnë në këndvështrime të panjohura. Atje dalin nga errësira të fshehtat e tmerrshme, vrasjet prej ushtarëve dhe njerëzve të një pushteti të huaj, të cilat në jetën tokësore nuk i ka ditur kush dhe as ata mbi të cilët kanë rënë, prandaj, rrëfehen nga perspektiva e botës së përtejme, ku nuk ka asgjë të fshehtë dhe vet fshehtësia nuk ka kuptim. Heronjtë, kur dëgjojnë makabritetet që u kanë ndodhur të tjerëve, ose, kur kuptojnë poshtërimin që u kanë bërë atyre të gjallët nxjerrin mbetjet nga zgavrat e syve për të humbur lidhjet me botën e të gjallëve. Mehmet Kraja për të shtrirë përmasat hiperbolike të negativizmit nëpërmjet absurdes, paradoksit dhe fantastikes shkon larg prej zhanrit të antiutopisë, që, zakonisht, sado e keqe, ndërtohet mbi tokë. Me peshën e rëndë të krimeve, të padrejtësive, prapësive njerëzore që zbulon, e zbret poshtë, nën tokë, me pohimin e nënkuptuar, se realiteti shoqëror është më i keq dhe jo thjesht ai që njohim, që shohim me sy e dëgjojmë me vesh.