More
    KreuOpinionAnthony Hopkins: Veproni sikur është e pamundur të dështoni

    Anthony Hopkins: Veproni sikur është e pamundur të dështoni

    Çdokush që e ka ndjekur Anthony Hopkins-in në Instagram kohët e fundit, është gostitur me një pamje nga afër të anëve të shumta të tij. Kemi Hopkins-in emocional që luan në piano për macen e tij Niblo, në vilën në Malibu; Hopkins-in qesharak që bën kërcimin e këngëtarit Drake në rrjetin social TikTok; imituesin që bën theksin e aktorëve Sly Stallone dhe Arnold Schwarzenegger; mbajtësin e plot këmishëve Hawaiiane me natyrë e shumëngjyrëshe.

    Por, ndoshta më shpesh nga të gjithë këto ka qenë Hopkins-i frymëzues dhe filozofik – i cili i bën thirrje brezit të ri sot se, pavarësisht gjithçkaje që po ndodh për momentin, ata mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre (në korrik ai postoi këtë gjë: “Urime të diplomuarve të vitit 2020… Kam lexuar diku, nuk e mbaj mend nëse ka qenë te Testamenti i Vjetër, ose mendoj ka qenë një shaman, dhe ky shaman tha – kishte thatësi, bagëtitë po ngordhnin, njerëzit po vdisnin në shkretëtirë – dhe shamani tha, ndërtoni digat… Ndërtoni digat dhe shiu do të bjerë”).

    Kanë kaluar shumë dekada qëkur Hopkins, i cili tani është 82 vjeç, hoqi dorë nga pirja e shpeshtë e alkoolit dhe nga shkaktimi i telasheve, por ai është sërish një individ enigmatik, e rreziku i ndryshimit të papritur të temperamentit, qëndron ende. Ky rrezik ka qenë esenca e tij si aktor – nuk e dije kurrë se çfarë apo kush do të vinte më pas, qoftë nëse po luante Mbretin Lir në skenën e Teatrit Kombëtar apo po fitonte një çmim Oscar për portretizimin e tij të Hannibal Lecter-it, vrasësit serial në filmin Heshtja e qengjave. Në vitin 1973 ai u largua në mes të produksionit të Makbethit; dy vite më pas piu gotën e fundit. Nga ajo kohë ai është kthyer në një nga yjet më prodhimtarë të Hollywood-it, duke u bërë kandidat edhe për katër çmime të tjerë Oscar për filmat Dita e mbetur, Nikson, Amistad, dhe këtë vit, Dy Papat. Jeta e tij mund të kishte qenë një histori e talentit të shpërdoruar, por është një histori shëlbimi. Dhe është padyshim shtetari i mençur e i vjetër në moshë me zërin e ëmbël nga Uellsi jugor që më flet prej Malibusë, jo antiheroi me pëshpërimën kërcënuese ose zërin çjerrës.

    Ai më tregon çdo gjë për postimin motivues. “Ai postimi për të diplomuarit e vitit 2020, po mendoja se sa shkatërruese mund të jetë për një brez të tërë të rinjsh që sapo dalin në jetë, e papritmas pedagogu i tyre nuk është më. E kam fjalën, ç’do të ndodhë? Prej kësaj më erdhi ideja, sepse unë në jetë kam besuar dhe kam përfytyruar një rezultat të fuqishëm. Veproj sikur gjithçka është e mundur. Veproj sikur besoj. Edhe nëse, ndonjëherë, gjithmonë ka dyshime, por kur këto dyshime vijnë, unë i mposht dhe besoj se do të funksionojë. Veproni sikur është e pamundur të dështoni”.

    Në të shkuarën ai ka thënë që nuk është i sigurt se në çfarë beson nga njëra ditë në tjetrën (“Zoti, Santa Claus, apo zana Tringëllimë”). Sot, ai duket se ka mbërritur në përfundimin se çfarëdo force që ekziston, vjen së brendshmi. “Kam mbijetuar gjithë këto vite, e pavarësisht dyshimeve apo të kaluarës sime, habitem vazhdimisht dhe mendoj se ka të bëjë me – këto janë fjalë të fuqishme – besimin në një lloj energjie që zotërojmë brenda vetes. Unë nuk jam psikiatër, nuk jam filozof, asgjë prej këtyre, por… është diçka që ndoshta e kam shfrytëzuar kur isha i vogël. Dhe jam i bindur se mund ta bëjnë edhe fëmijët e sotëm. Besoni në të, besoni dhe shiheni veten tuaj brenda një së ardhmeje të fuqishme”. 

    Shqetësimi i tij për brezin e ri ka rezultuar në një projekt disi të papërshtatshëm (për ata nga ne që nuk na hiqet nga mendja figura e Hannibal Lecter-it që ha mëlçi), por sidoqoftë të admirueshëm. Ai po nxjerr qirinj e difuzorë aromatikë, dhe një parfum Anthony Hopkins (i frymëzuar nga aromat e fshatit të fëmijërisë së tij në Margam, pranë qytetit Port Talbot në Uellsin jugor), në mbështetje të fushatës Asnjë Fëmijë i Uritur, të nisur nga shoqata bamirëse Share Our Strength. “Kishim rreth një vit që punonim me të e më pas karantina ndryshoi rrjedhën e jetës, duke na sjellë nëpër mend vështirësitë e mëdha që kanë prekur familjet në të gjithë botën, veçanërisht fëmijët që nuk shkojnë dot në shkollë. Është diçka shkatërruese kjo që ka ndodhur dhe gjithçka që mund të bëj është të ofroj një vizion pozitiviteti që njerëzit mund ta kapërcejnë këtë”.

    Paketimi do të përfshijë pikturat e Hopkins-it, sepse përveçse është një nga aktorët më punëtorë të Hollywood-it, ai është edhe një piktor disi i njohur, për të mos përmendur edhe kompozitor, veprat e të cilit janë regjistruar dhe luajtur në skenë nga Orkestra Simfonike e Birmingham-it. Ashtu si Richard Attenborough, ai mund të jetë aktori më i mirë i brezit të tij, por mesa duket në mendjen e Hopkins-it të ri, dalja në skenë si aktor ishte diçka dytësore.

    Muzika ishte dashuria e tij e parë dhe kur ishte fëmijë, improvizonte në piano. “Doja të bëhesha pianist”, thotë ai, “dhe krejt rastësisht u bëra aktor”. Atij gjithashtu i pëlqente të vizatonte kur ishte fëmijë, dhe mendonte të bëhej karikaturist. Megjithatë jo për shumë kohë. “Takova një burrë që punonte te gazeta e përditshme Western Mail, i cili ishte vetë artist e karikaturist, dhe më tha, ‘Ah, kërkon zotësi të madhe’, ndaj hoqa dorë nga kjo ide…”

    Iu desh një gjysmë shekulli që të merrej sërish me pikturë, i nxitur prej gruas së tretë, Stella Arroyave-s, e cila kishte parë shkarravinat që ai bënte mbi skriptet e filmave. “Ajo është burimi i energjisë”, thotë ai. “Pa vizatimet e mia dhe më tha ‘Ti duhet të pikturosh – thjesht bëje’. E njëjta gjë me muzikën. Më dëgjoi teksa luaja një pjesë muzikore dhe tha, ‘Çfarë është kjo?’ Unë ia ktheva, ‘Nuk e di, thjesht diçka që e krijova qindra vite më parë. Dhe ajo më tha, ‘Epo, duhet të bësh diçka me të’. Ndaj e përshtata për orkestër dhe ajo ia dërgoi dorëshkrimin André Rieu-së. Ai e luajti e unë nisa të kompozoj më shumë”.

    Shumë nga pikturat e tij janë vepra ekspresioniste që të trazojnë, në të cilat sytë e ngulët kanë një zjarr Hopkins-esk që vjen nga thellësitë e kanavacës. Një vorbull ngjyrash neoni, boja e përhapur gjithandej si një pastë e trashë. Janë edhe peizazhet, disa prej tyre Hopper-eske, të tjera më impresioniste. “Nuk jam i mirë në ndjekjen e udhëzimeve dhe nuk mund të ulesha në lëndën e artit e të vizatoja një mollë”, thotë ai. “Në fillim mendoja, ‘Nuk mund të pikturoj’. Megjithatë një zë tjetër më tha, ‘Epo, provoje njëherë, askush nuk do të fusë në burg nëse nuk funksionon’”.

    Njëra pikturë, Ballo në hënë, përmban kafshë të egra, përfshi një elefant rozë me qerpikë flirtues, të mbështjella rreth kokës së një burri të vjetër në moshë, ndoshta një referencë kjo kur shkoi me gjyshin e tij në cirkun e Port Talbot-it, në vitin 1947. Është një moment i cili shfaqet në një nga kompozimet e tij muzikore, dhe fëmijëria në një familje të klasës punëtore në Margam paraqitet vazhdimisht si frymëzim në veprat e tij. Ai ishte fëmijë i vetëm, djali i një bukëpjekësi. Babai ishte një burrë i rreptë që e mësoi të qëndronte me këmbë në tokë. Ndërsa mamaja i nxiti anën muzikore, duke i blerë një piano të vogël për £5. Një nga pikturat e tij tregon dy punëtorë të çelikut, kokat e tyre ovale të ngjashme me ato të piktorit Munch, duke ecur krah për krah, teksa kontrasti baritor i këtij peizazhi industrial shfaqet në një kompozim orkestral paksa nostalgjik, të quajtur thjesht Margam. “Jam përditë i vetëdijshëm për të shkuarën time”, thotë Hopkins. “Një pjesë të mirë të kohës ëndërroj sikur jam kthyer atje. Qëndrova pak kohë vitin e kaluar për realizimin e një dokumentari mbi jetesën time në Uells, dhe e çova nëpër mend kthimin aty”.

    Do të ishte një rrugëtim i gjatë pas deri te momenti kur, të paktën në shkollë, ai nuk ishte i lumtur; shumë nga problemet që e shqetësonin kur ishte i ri, ai i lidh me këtë kohë. “Nuk kam qenë dhe aq i zgjuar kur isha në shkollë”, thotë ai. “Më shihnin si fëmijë i mbrapshtë dhe, sigurisht, në moshën e adoleshencës, ndihesha tejet i zemëruar e i hutuar, dhe nuk dija se ç’rrugë të zgjidhja. Më dukej sikur nuk kisha asnjë shpresë. Dhe mbaj mend që i thashë babait, ‘Një ditë ke për ta parë’. Më kujtohet, kanë qenë Pashkët e vitit 1955, dhe ia thashë me bindje të plotë babait, i cili në fakt më inkurajonte gjithnjë. Ia thashë sepse notat i kisha shumë të këqija. ‘Një ditë’, thashë, ‘ke për ta parë’. Dhe më kujtohet që nga fundi i atij viti fitova një bursë te Kolegji i Muzikës & Dramës i Uellsit Mbretëror, e brenda 10 viteve në jetën time ndodhën gjëra të jashtëzakonshme. Ende kthej kokën pas dhe pyes veten se si ndodhën. Mendoj se erdhën prej atij momenti të rëndësishëm”.

    Sigurisht, gjatë rrugës ka hasur edhe në vështirësi. Ai tregon një histori kur në vitin 1960 udhëtoi nga Uellsi drejt teatrit Old Vic për një provë, dhe regjisori i tha, “Ah, a e di, ndoshta një ditë, por nuk mendoj se e ke aftësinë tani”. Njëzet vite më pas, i njëjti regjisor erdhi në dhomën e zhveshjes së Hopkins-it kur ky i fundit po luante rolin e një manjati të tmerrshëm gazete në Teatrin Kombëtar, në dramën me titull Pravda të dramaturgut David Hare, dhe i kërkoi falje. “Kështu qenka jeta”, thotë Hopkins me moskokëçarje.

    Në vitin 1965, ai u ftua prej Laurence Olivier-it që t’i bashkohej Teatrit Kombëtar. I ri e ambicioz siç ishte, ai u bë shpejt qendra e vëmendjes. Në autobiografinë e tij, Olivier mban mend që ia dorëzoi Hopkins-it rolin e Edgar-it në dramën Kërcimi i vdekjes të dramaturgut Strindberg, sepse ishte me apendicit: “Një aktor i ri në moshë në teatër me perspektivë të shkëlqyer, i quajtur Anthony Hopkins, më dubloi dhe mori rolin e Edgar-it si një mace që ka miun midis dhëmbëve”.

    Hopkins kujton atë periudhë dhe më pas punën me David Hare-n për dramën Pravda në Teatrin Kombëtar në vitin 1986, si dy momentet më të lumtura në teatër. Megjithatë, mesi i viteve ’80 shënoi edhe fundin e tij si aktor skenik. Performanca e fundit u realizua në vitin 1986, ku luajti Mbretin Lir me regjisorin Hare. Po trokiste Hollywood-i. Peter Hall, drejtori i atëhershëm i Teatrit Kombëtar, thotë me keqardhje, “Ky ishte Shekspiri i fundit i Tony-t, dhe është trishtim që mbaroi aty”.

    A pendohet ai që u largua nga teatri? “Thjesht ndjeva se nuk po e përballoja dot. Nuk e bëja dot aktin. Dua të them, nuk isha shumë social. Mendoja, ‘Ende nuk përshtatem’. Më pas rrethanat ndryshuan, mbërrita në Amerikë, luajta te filmi Heshtja e qengjave dhe kjo ma ndryshoi disi drejtimin, e mendova me vete, “Ndoshta duhet të vazhdoj këtë”.

    A do ta merrte ndonjëherë parasysh mundësinë e kthimit në skenë? “Pesë vite më parë kam punuar me aktorin Ian McKellen për filmin Kostumisti. E admiroj atë, Juli Dench-in dhe të gjithë ata që e kanë këtë këmbëngulje, këtë ambicie për t’u ngjitur në skenë. Unë, për fat të keq… ndoshta jam tepër nervoz për ta ekspozuar atë anë të vetes sime. Nuk mendoj se e kam fuqinë për të qëndruar, nuk mendoj se e kam karakterin që të përsëris të njëjtën gjë çdo mbrëmje. Jo, nuk kam asnjë dëshirë që të kthehem. Vetëm nëse ka një ofertë të jashtëzakonshme – dhe do të më duhej të mendohesha dy herë”.

    Njëherë David Hare i tha Hopkins-it se ishte personi më i zemëruar që kishte takuar ndonjëherë. Dhe në një dokumentar të emisionit Southbank në kohën kur ai dhe Hopkins po punonin për Mbretin Lir në vitin 1986, Hopkins tha, “Tërbimi i Lirit është kaq shpërthyes… e zbulon të gjithin… Unë e kam atë tërbim”. Nga i ka ardhur ky tërbim i brendshëm dhe si ka mësuar ta kontrollojë?

    “Mendoj se kishte të bënte me… kohën e fëmijërisë, kur isha i paqëndrueshëm, që nuk përshtatesha… Nuk ishte një tërbim shpërthyes apo ndonjë zemërim i tillë. Ishte thjesht energji… Unë thjesht e quaja energji, një energji e mospërshtatjes. Nuk mund ta shpërdorosh të gjithë kohën duke u ndier i tërbuar vazhdimisht, sepse jeta është tepër e shkurtër dhe ka për të dëmtuar. Ndaj unë kam qenë thjesht me fat që mbijetova gjithë këto vite dhe po, kam jetuar dy jetë… Ndonjëherë kujtoj jetën time përpara 40 vitesh dhe mendoj, Zot, sa problematik kam qenë. Nuk ndihem krenar për të shkuarën time. Nuk do ta shmangja dot, e tillë ka qenë për mua. Por nuk jam krenar për gjërat që kam bërë. Kam shkaktuar ca dëme. Dy njerëz me të cilët punoja ndërruan jetë, i dhanë fund sepse shkatërruan jetën e tyre. Jo, edhe unë atë rrugë kisha marrë dhe mendova, ‘Falë Zotit që shpëtova prej saj’. Unë nuk jam evangjelist. Nuk jam as predikues. Jam i lumtur që shpëtova prej atij makthi sepse nuk ishte i këndshëm. Nuk isha shumë i sjellshëm, por një njeri vërtet i shëmtuar. Ndaj përgjatë viteve mendoja me vete, ‘Qetësohu, qetësohu’. Jam thjesht me shumë fat që jam gjallë”.

    Ai thotë se rreziku i marrjes së virusit Covid-19 e ka detyruar të refuzojë rolin në një film me Kenneth Branagh-in (“një nga aktorët e mi të preferuar”). Megjithatë ai është ende i entuziazmuar pasi u shpall kandidat për aktorin më të mirë suportues të çmimit Oscar, për filmin Dy Papat, ndërsa gruaja e tij e ka caktuar aktor në një film që ajo e ka shkruar vetë dhe është regjisore, të titulluar Elyse (transmetohet nga data 4 dhjetor), ku Hopkins luan rolin e një psikiatri që ndihmon një grua të re në moshë, e cila pëson një krizë mendore. Gjithashtu, në dhjetor del edhe filmi i dramës së mirënjohur të Florian Zeller-it, Babai, në të cilin Hopkins është një burrë që po zhytet në çmendi. Pas Festivalit të Filmit Sundance më herët këtë vit, revista Vanity Fair e përshkroi si “një pjesë e shkëlqyer aktrimi, që është aq e saktë dhe këmbëngulëse teksa shpaloset. Të kujton përse Hopkins gëzon këtë status të nderuar që e ka pasur prej kaq kohësh”.

    Vetë Hopkins thotë, “Është një nga filmat më të mirë ku jam përfshirë. Pesë vitet e fundit kanë qenë të mrekullueshme për mua, pasi kam punuar me Richard Eyre-in, Ian McKellen-in, Emma Thompson-in, dhe tani ky me Olivia Colman-in. Një periudhë vërtet e jashtëzakonshme”.

    E kështu vazhdon, duke u përgatitur me rigorozitet për pjesët e aktrimit, duke pikturuar, duke luajtur në piano, duke shkruar skriptin e një filmi që zhvillohet në Uells, duke u dhënë strehë maceve dhe qenve, e duke veshur këmisha Hawaiian-e me vetëbesim (vijnë nga një dyqan në Hawaii që quhet Jams World) – një përzierje e ndërlikuar e mençurisë dhe e një djaloshi serioz të klasës punëtore nga Port Talbot. “Vazhdo të buzëqeshësh, vazhdo të qeshësh, kjo është gjithçka që mund të bësh”, thotë ai, teksa mbyllim intervistën.

    Përktheu David Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË