More
    KreuIntervistaAnna Kove: Jo vetëm për Günter Grass-in

    Anna Kove: Jo vetëm për Günter Grass-in

    Bisedoi Andreas Dushi

    A.D.: Këtë panair, e dashur Anna, romani “Daullja prej llamarine” e Günter Grass-it mori çmimin e përkthimit. Më shumë se libri, më shumë se përkthyesi apo shkrimtari, është lexuesi ai i cili ka nevojë për çmimet, sepse falë tyre, orientohet disi mes gjithë rrëmujës së botimeve. Duhet të jetë një eksperiencë e tërë ky përkthim, ndaj, para se të ndaleshim në aspekte konkrete të punës, do të doja të më tregoje një panoramë të gjerë të historisë, si dhe pse e more përsipër, në ç’kushte punove, si ju qase referencave të shumta që romani ka… Pra, pak a shumë, gjithë atë çfarë ndodhi dhe solli si rezultat këtë botim.

    A.K.: Romani “Daullja prej llamarine” i Günter Grass-it i mungonte lexuesit shqiptar. Ndaj, bëri mirë juria që e vlerësoi përkthimin e tij me çmimin më të mirë të panairit. Natyrisht, jo për të sjellë në vëmendje përkthyesen Anna Kove, por për të sjellë në lupën e kërkimit të lexuesit pikërisht këtë vepër tashmë renomme të letërsisë botërore. Botimi në vitin 1959 i këtij romani nuk bëri të famshëm vetëm Grassi-in, por riktheu në mbarë botën letrare lavdinë e romanit gjerman. Dëshira për përkthimin e këtij libri lindi tek unë mbi një dekadë më parë. Mbi një dekadë më parë kam filluar t’i shkel vendet që ka shkeur edhe Oskar Macerati, personazhi atipik i romanit. Kur m’u besua nga “Albas” përkthimi i Triologjisë së Danzig-ut, mendova se ky do të ishte “Libri im i jetës”. Grass-i vjen i treti në radhë nga nobelistët e letërsisë gjermane përkthyer prej meje, pas Herta Müller-it me dy libra të saj, dhe Hermann Hesse-s me katër romane. Por “Daullja prej llamarine” kërkonte një përkthim me pesë shqisa njëherësh. Po ashtu, për rëndësinë dhe vështirësinë e përkthimit të kësaj vepre, ky projekt u përkrah edhe nga institucione të rëndësishme, si “Traduki”, Ministria e Jashtme Gjermane, e cila mbështeti qëndrimin tim në Kolegjiumin Europian të Përkthyesve në Straelen, si edhe Fondacioni Günter Grass, duke më vënë në dispozicion të gjitha arkivat dhe protokollet e përkthimit, të mbajtura në gjallje të autorit nga takimet me përkthyesit, të cilët Grass-i i quante me të drejtë “familja e tij”.

    A.D.: Dhe më në fund, del romani, sapo u mbush java… Gjithë puna e përshkurar më lart, mundimi dhe kënaqësia e përjetuar, vjen lexuesi që e merr, e lexon dhe të shkruan (apo s’ke shumë komente pasi për shumëkënd nuk mjafton një javë që ta lexojë librin?)… Ndihesh e shpërblyer, në dy kontekste: 1. Sepse lexuesi e ka kuptuar çfarë vepre të rëndësishme i ke sjellë; 2. Sepse puna e stërmadhe po të vlerësohet?

    A.K.: I dashur Andreas, jam mjaftueshëm e rritur të mos e teproj. Me rreth 20 libra të përkthyer tashmë, emra shumë të rëndësishëm të letërsisë së gjuhës gjermane, ky roman i tejkaloi pritshmëritë e mia. Madje edhe të botuesit vetë në ditët e panairit. Unë isha e friksuar. E kush do t’i drejtohej një libri kaq voluminoz me rreth 800 faqe? – mendoja. Ndjeja disi dhimbje, se mos kalonte pa u vënë re. Por nuk ndodhi kështu, për fat. Çdo lexues i vëmendshëm ndaj letërsisë së mirë (dhe ne kemi plot të tillë) iu drejtua romanit. Madje, sapo u dha lajmi i botimit; ende pa u shpallur nga juria si përkthimi më i mirë i panairit. Grassi-i siç duket ka magjinë e tij për ta joshur lexuesin. Natyrisht, u ndjeva e shpërblyer nga vëmendja e jurisë dhe e lexuesit, si edhe nga vlerësimi e një mundi të madh. Daullja tani po bie në shqip… Tani fjala është vetëm e lexuesit të shumtë që ka blerë librin.

    A.D.: Duke folur për Grass-in, nuk duhet të lëmë pa përmendur Hesse-n, i cili po ashtu nëpër urën e ngritur prej teje, po vjen në gjuhën shqipe përherë e më i plotë. Si është ta rilexosh Hesse-n tanimë nga një tjetër prespektivë, atë të përkthyeses, jo të një lexueseje apo studiueseje?

    A.K.: Hermann Hesse dhe botimi i veprës së plotë të tij është një tjetër projekt madhor. Kjo është sipërmarrje e Shtëpisë Botuese “Dukagjini” në Prishtinë. Natyrisht, Hesse nuk është aq i panjohur për lexuesin shqiptar. Por shumë vepra të tij vijnë për herë të parë. Kolana e Hesses nisi me romanin e tij të parë; Peter Camencind, për të vazhduar me “Demiani”, “Nën rrotë” dhe “Përrallat”. Hesse ka tashmë lexuesit e tij besnikë në mbarë botën. Është nobelisti gjerman më i lexuar, më i komentuar, më i cituar. Në veprat e Hesses dominon kontrasti midis shpirtit dhe jetës, veprat e tij të hershme ndikohen fuqishëm nga psikanaliza, ndërsa ato të mëvonshme nga filozofia indiane. Lexuesit i duan shumë të tilla romane. Edhe pse shumë nota autobiografike ato përshkruajnë njerëzit në konflikt ekzistencial me mjedisin e tyre – dhe kjo ndodh në çdo kohë e në çdo hapësirë. Ta lexosh Hessen si përkthyese, do të thotë të lexosh edhe rritjen e tij si shkrimtar, si mendimtar kozmopolit tolerant dhe humanist: nga Peter Camenzind, 1903, ku unë e nisa përkthimin me tekste identifikimi për adoleshentët dhe brezin e ri që rebelohej kundër kufizimeve sociale e deri te “Loja e rruazave prej qelqi”, 1943, ku momentalisht po punoj, Hesse projekton botën utopike të elitës intelektuale, krijon idealin e ri të “mbretërisë së shpirtit”, si kundërvënie ndaj mohimit shpirtëror të nacional-socializmit.

    A.D.: Po të krahasojmë realitetin me pritshmëritë, në ç’nivel i shihni marrëdhëniet mes kulturës shqiptare dhe asaj gjermane, në të dy rrafshet, pra gjermanja në Shqipëri dhe shqiptarja në Gjermani?

    A.K.: Ah, sa më dhemb kjo pyetje. Pse? Ja po e shpjegoj. Prania e kulturës gjermane në Shqipëri është jo rastësorë, por e institucionalizuar; shteti gjerman investon shumë që kultura dhe gjuha gjermane të gjejnë ehon e tyre në një kulturë si jona. Më lejo të kujtoj këtu që çdo vit organizohet nën kujdesin e Ambasadës Gjermane dhe të gjitha institucioneve gjermane të pranishme në Shqipëri “Tetori gjerman”, po ashtu zhvillohet Java e Kulturës Austriake me mbështetjen e Ambasadës Austriake; këtë tetor patëm në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit edhe ekspozitën e Panairit të Frankfurtit “German Stories” me praninë e vetë Drejtorit të Panairit të Frankfurtit, zotit Juergen Boss, i cili zhvilloi një takim me Ministren e Kulturës dhe me kryetarin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, zotin Ymeri, për një prani më të madhe të librit shqip në Frankfurt. Edhe Zoti Oliver Zile, drejtuesi për 30 vjet i Panairit të Leipzigut, e vizitoi këtë nëntor Panairin e Librit. Pro Helvetia zvicerane ndihmon shumë në përkthimin e autorëve të Zvicrës në shqip. Zyra e Institutit Goethe në Tiranë mbështet po ashtu mes projektesh shumë aktivitete letrare dhe kulturore.

    E anasjella është dëshpëruese. Me aq shumë shqiptarë e shqipfolës në botën gjermanike, ende nuk e kemi një Qendër të Kulturës Shqiptare. Mbase jemi shteti i vetëm ballkanik që nuk e ka një qendër të tillë. Janë për t’u përshëndetur nismat e grupeve dhe njerëzve me vizione patriotike, si edhe ato të Qendrës së Botimeve të Diasporës me qasjen në gjuhët europiane të disa autorëve shqiptarë. Por kjo nuk mjafton. Ngritja e qendrave të kulturës shqiptare nga shteti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës në qytete të rëndësishme si Berlini, Vjena apo Cyrihu është tashmë emergjente, mendoj unë. Përveç azilkërkuesve të hershëm, kanë shkuar në ato vise të punojnë a të studiojnë edhe shumë të rinj viteve të fundit. Në asnjë mënyrë s’duhet të lejojmë që ata ta humbasin kontaktin me gjuhën, letërsinë dhe kulturën e vendit të tyre. Jemi vonë. Shumë vonë.

    A.D.: Si Grass-i, edhe shumë autorë të tjerë gjermanë apo të rajonit, e po ashtu autorë shqiptarë në gjermanisht dhe në vende të rajonit, janë mbështetur nga programi i rrjetit TRADUKI. Edhe Shqipëria në Leipzig ishte në një hapësirë të dedikuar për të pikërisht nga ky rrjet. Në vazhdën e pyetjes së mësipërme, sa kontribuon TRADUKI pikërisht në forcimin e këtyre marrëdhënieve dhe, përveç tij, ka të tjerë instrumente që përdoren apo janë të vlefshëm në këtë kontekst bashkëpunimi?

    A.K.: Nëse ka një institucion që ka kontribuar në komunikimin mes letërsive të rajonit të Ballkanit dhe të vetë rajonit me botën gjermanike, ai është rrjeti i përkthimit “Traduki”. Partneri zyrtar i të cilit në Shqipëri është Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Natyrisht që “Traduki” mbështet përkthimin e letërsisë më të mirë. Por janë botuesit ata që vendosin mbi autorët që duan të përkthejnë. Përmes ndihmës së Tradukit, botuesit shqiptarë kanë sjellë në shqip autorë shumë të rëndësishëm të letërsisë gjermane, si: Thomas Bernhard, Walter Kempowski, Franz Kafka, Paul Celan, Ingeborg Bachmann, Günter Grass, e deri te të gjallët e suksesshëm, si: Herta Müller, Robert Menasse, Clemens Meyer, Judit Schalanski, Durs Grünbein, Teresia Mora, Peter Stamm, Olga Grjasnova, Peter Handke etj. Ndjesë, se nuk mund t’i përmend dot të gjithë. Kam bërë një publikim me të gjithë emrat e autorëve të rajonit të përkthyer në shqip dhe të autorëve shqiptarë të përkthyer në gjuhët e rajonit, i cili gjendet në faqen e Tradukit dhe QKLL-së. Dua të përmend së fundmi edhe mbështetjen për përkthimin e fituesit të Çmimit Ndërkombëtar “Booker” për vitin 2023 të bullgarit tashmë të famshëm, Georgi Gospodinov, që do ta kemi vitin tjetër. Po ashtu, në stendën e Shqipërisë në Leipzig kanë qenë vit pas viti, në dijeninë time, edhe shumë autorë shqiptarë, të cilët në vitet e fundit kanë pasur fatin të jenë të përkthyer në gjermanisht. Por edhe në këtë rast për përkthimin e tyre e vendosin vetëm botuesit. Ata gjermanë. Institucionet mbështesin.

    A.D.: Sikundër e thashë te prezantimi në krye, ju jeni shkrimtare, dhe vëllimi i fundit me tregime “Kambanat e së dielës” u nominua edhe për Çmimin Evropian të Letërsisë. Po me kaq shumë kohë të dedikuar përkthimit, mendoni se ndoshta pa dashur, po i hyni në hak krijimtarisë tuaj?

    A.K.: Po. Përkthimi ka pushtuar gjithë kohën time. Është një ankth i papërshkrueshëm zgjimi nga gjumi dhe rendja drejt fletëve, që presin shqipen time të bëhen fjalë. Përkthimi është po ashtu akt krijimi. Ndaj edhe emri i përkthyesit vendoset në kopertinë pranë atij të autorit. Kjo ndodh thuajse në gjithë botën e letrave. Disa botues shqiptarë po ashtu e dinë tashmë rëndësinë e emrit të mirë të përkthyesit parë atij të autorit në kopertinë, si garanci e padiskutueshme për cilësinë e librit. Natyrisht që egon time të krijueses do ta ushqente më mirë një emër i vetëm në kopertinë. Por nuk më ngop kjo gjë. Nuk i them dot ato që kanë thënë shkrimtarët e përzgjedhur t’i përkthej. Ndaj kam vendosur prej disa vjetësh, që kur u botuan “Kambanat e së dielës”, t’i kushtohem me pasion e me kohë të plotë përkthimit dhe jo shkrimit. Nëse do të kisha diçka për ta bërtitur mes germash nën emrin tim, me siguri do ta kisha gjetur kohën. Mbase edhe ky është mision po njësoj i rëndësishëm: çfarëdo që nuk e them dot vetë, ta them mes përkthimit të më të mëdhenjve të letërsisë gjermane. Ata kanë se çfarë të na thonë edhe ne, shqiptarëve.

    A.D.: Në fund, si dikush që merret tërësisht me librin, nga të gjitha pikëpamjet e mundshme, si e shihni gjendjen e tij sot kur shumëkush ankohet për përkthime të dobëta, kur botuesit tregojnë se nuk gjejnë dot redaktorë dhe sidomos, kur lexuesit e shmangin letërsinë shqipe (në shumicën e rasteve, jo për fajin e tyre) dhe kur të gjitha këtyre, u shtohet statistika e 82% të lexueshmërisë në vend?

    A.K.: Skeptikë ka në çdo kohë. Sa lehtë është të përbaltësh! Po kush e ul shpinën të punojë, ta bëjë natën ditë mbi libra e fjalorë, të lotojë e të lëngojë, të merret me filigramet e fjalëve, nuk ka kohë të ankohet. Unë krenohem me koleget dhe kolegët e mi. Të gjitha gjuhët dhe autorët e mëdhenj e kanë tashmë një zë të fuqishëm përfaqësimi në shqip. Përkthimi është sot në ditët e tij më të mira. Larg kaosit dhe përkthimeve të dobëta të viteve ‘90-të. Përkthyesit janë pasuri e këtij vendi, ata nuk bëjnë vetëm letërsinë botërore, por vigjilojnë mbi atë çka ky komb ka më identitare: gjuhën shqipe. Duhet të vlerësohen më shumë. Sa i takon shmangies që lexuesi i bën letërsisë shqipe, mund të them vetëm mendimi tim subjektiv si individ. Jemi vend i vogël, dhe te ne shkruhet shumë. Ndonjëherë shumë e për lumë. Të gjithë duan të botohen. Ndonjëherë më duket se ka më shumë shkrues sesa lexues të letërsisë shqipe. Për ta shmangur disi këtë gjendje në tollovinë e botimeve dhe minimizimin e numrit të të ashtuquajturve apo të vetëquajturve poetë e shkrimtarë, do të doja që edhe te ne të ekzistonte autoriteti i agjentit letrar, i cili jep garancitë te botuesi në emër të autorit. Kemi nevojë të ulim numrin e shkruesve, të zhdukim të shkarashkruesve e të rrisim atë të lexuesve. Dëshiroj shumë që aq vizitorë dhe blerës sa pati Panairi i Librit 2023 të jenë edhe lexues. Mbase edhe janë. Ashtu siç nuk më pëlqen të dyshoj në dashuri, nuk dua të dyshoj edhe te kjo ngjarje e bukur e librit!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË