More
    KreuMuzikëAnisa Jaupaj: Nikolla Zoraqi, krijuesi i të gjitha gjinive muzikore

    Anisa Jaupaj: Nikolla Zoraqi, krijuesi i të gjitha gjinive muzikore

    Sado që të krijojmë, përsëri i mbetemi borxh kohës që jetojmë. Dhe është i lumtur ai shkrimtar apo artist, që këtë borxh e pakëson sa më shumë. Kjo arrihet me punë këmbëngulëse e me pasion. Këto ishin fjalët e tij, fjalë të vërteta për këdo që mendon se një jetë është pak për prodhimtari. Në rastin e tij, ai dha shumë, për aq pak sa jetoi. Diti të vlerësonte dhe të shfrytëzonte në maksimum kohën për punën krijuese. Këtë dëshmon opusi i tij krijues, me përmbi njëqint vepra të të gjitha formave e gjinive të muzikës, përmes të cilave u bë një ndër zërat më të rëndësishëm të muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.


    Nikolla Zoraqi indi më 24 janar të vitit 1929 në Tiranë, kur vendi sapo kishte hyrë në një regjim të ri. Familjarët e cilësuan si “djalë dëshiri” pasi, që në vogëli, ndërsa hidhte hapat e parë, kishin dalluar tek ai temperamentin e vrullshëm, shpirtin kurajoz që e shtynte drejt prapësive, që jo rrallë herë e bënin të sëmurej.

    Nikolla u rrit i rrethuar prej tingujve muzikorë, – i ati, Grigori, edhe pse në mënyrë autodidakte, i binte harmonikës – të cilët, pak e nga pak dhe natyrshëm i ushqyen dashurinë për artin. Ndër faktorë të tjerë, që ndikuan në qasjen e tij ndaj muzikës, mund të veçohen, për shembull, filmat pa zë të shoqëruar me piano, që ai i shihte shpesh në kinema Nacional pranë shtëpisë së tij, apo Banda Mbretërore teksa luante në rrugët e qytetit, aq impresionuse për djalin e vogël, sikurse edhe pjesëmarrja në korin e fëmijëve të drejtuar nga Padër Shllaku pranë Kishës Katolike në qendër të Tiranës. Edhe pse më i vogël ndër të tjerët, Nikolla dallonte për zellin dhe dashurinë për muzikën. Të gjitha këto si dhe geni familjar – duke filluar nga katërgjyshi, i cili ishte skalitës veglash, stërgjyshi violinist, xhaxhai mandolinist, e siç u përmend, babai që luanate me aq dëshirë në harmonikë – përcaktuan në mëmyrë të vetvetishme rrugëtimin e tij të ardhshëm në muzikë.

    Në moshën gjashtë-vjeçare kishte kërkuar me ngulm të kishte një violinë të tijën dhe, për fat të mirë, kjo dëshirë e zjarrtë iu plotësua pas pak kohësh. Violinën ia dhuroi një i afërm i familjes, që njëkohësisht u bë edhe mësuesi i tij i parë në instrument. Me kalimin e muajve, e motra, Evanthia, që në atë kohë kishte lidhur jetën me baritonin e njohur Mihal Ciko, kuptoi që ato pak mësime ishin të pamjaftueshme dhe se Nikollës i duhej një mësues i vërtetë, një muzikant profesionist prej të cilit të mund të fitonte baza të qendrueshme, që do të mund ta shpinin përpara drejt një rruge më të sigurtë artistike. Nëpërmjet Cikos, që për të nuk ishte thjesht bashkëshorti i së motrës, por edhe një muzikant i formuar dhe i përkushtuar në punën e tij në Radio-Tirana ku, midis të tjerash, kishte afruar një grup kolegësh (Tefta Tashko Koço, Tonin Guraziu etj) për drejtimin dhe zhvillimin e të rinjve të talentuar, iu krijua mundësia që të merrte mësime prej muzikantit italian Umberto Rampi. Pas muajve pune të palodhshme, Rampi, përveç dhuntive natyrore, spikati te ai intuitën, fantazinë dhe shpirtin këmbëngulës të udhëhequr nga logjika e një njeriu të fortë, çka kompozitori i ardhshëm do ta dëshmonte gjatë gjithë jetës.

    Krahas mësimeve në violinë, Nikolla shumë shpejt nisi të luante në orkestrën simfonike të Radio-Tiranës, fillimisht të drejtuar nga Rampi dhe më pas nga Mustafa Krantja. Në lojën e tij, djaloshi i vogël karakterizohej nga serioziteti dhe korrektësia, çka tërjoqi menjëherë vëmendjen e Krantjes, i cili nuk ia kursente lëvdatat duke mos lënë rast pa e përgëzuar.

    Në fillim të viteve ’40, Nikolla adoleshent, me disa shokë të tjerë të talentuar, krijoi një orkestër të vogël me të cilën nisën të jepnin shfaqje për banorët e lagjes, për të luajtur më pas në sheshet përpara shtëpive. Me zgjerimin e grupit, pas çlirimit të Tiranës u krijua i ashtuquajturi “Ansambli i lagjes së re” (Rruga e Kavajës). Edhe pse në moshë ende të re, të gjithë sa e njihnin shquanin tek ai punëtorin e palodhur, këmbëngulës e të përpiktë, të pajisur me një ndjenjë rregullsie që çdokush do ta kishte zili. Ishte pikërisht në këtë moshë, në të cilën ai tregoi edhe një tjetër tipar të rëndësishëm të personalitetit të tij, vetëdijen atdhetare dhe guximin për të vepruar në ato ditë të vështira që po kalonte kryeqyteti në prag të çlirimit; falë tij dhe këllëfit të violinës, celula antifashiste arriti të nxirrte prej Radios dhe të shpëtonte prej rojeve gjermane dy llampat e zërit rezervë, që do të ruheshin në familjen Zoraqi. Llampa u përdorën në mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 1944, kur zëri i Radio-Tiranës nisi të ushtonte në qytetin e lirë.

    Gjatë viteve të shkollimit në Liceun Artistik të Tiranës (1946-1950), Nikolla Zoraqi u dallua mes të tjerëve për eksigjencën dhe vullnetin në studim që, në saje edhe të talentit që i kishte falur natyra, u rrit dhe u zhvilluan si violinist. Kjo ishte gjithashtu edhe koha kur ai shfaqi shenjat e para të kompozitorit të ardhshëm. Nga bashkëmoshatarët cilësohej si “super star”i shkollës, violina e të cilit nuk njihte pushim dhe dëgjohej nëpër katet e godinës deri në orët e vona të mbrëmjes. Nxënës i shkëlqyer në të gjitha disiplinat, artistike e të përgjithëshme, Nikolla u dallua edhe si organizator i veprimtarive artistike, një përvojë kjo që e kishte fituar që prej kohës kur luante në orkestrën e Radios dhe në “Ansamblin e lagjes së re”. Kjo cilësi nuk kishte si mos u binte në sy drejtuesve të Liceut, të cilët i besuan, krahas të tjerave, edhe organizimin e aktiviteteve më të rëndësishme të shkollës. Ai herë shfaqej si violinist e herë si dirigjent, duke kompozuar njëkohësisht edhe pjesë të vogla për violinë. Në sajë të arritjeve të spikatura, me përfundimin e studimeve të mesme Nikolla Zoraqi punoi për pak kohë si pedagog i shkollës “Jordan Misja”. 

    Në vitet 1950-51 Zoraqi kreu shërbimin ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore, ku fillimisht luajti si violinë e parë (spalë) e orketstrës së drejtuar nga Gaqo Avrazi dhe më pas si asistent dirigjent i këtij të fundit. Në ansambël qëndroi deri më 1958, kur u bënë të njohura edhe krijimet e tij të para. Në vitin 1955, Ansambli i Ushtrisë kishte shkuar në Kinë për një nga koncertet e rradhës. Atje, delegacionit shqiptar, iu kërkua një kantatë e shkruar për nder të miqësisë shqiptaro-kineze, dhe krijimin e veprës ia propozuan Nikollës. Pa asnjë dilemë, ai iu përvesh punës dhe arriti ta shkruante veprën brenda ditës, të cilën e orkestroi vetë dhe e drejtoi po vetë.

    Pavarësisht punës këmbëngulëse dhe orëve të gjata të studimit në instrument, ëndrra për t’u bërë violinist iu pre në mes: nuk iu dha e drejta e studimit për violinë, por për kompozicion në Konservatorin e Moskës “P.I. Çajkovski”, ndërkohë që një bursë e tillë iu ishte dhënë shumë të tjerëve, që e meritonin shumë më pak se ai, ose aspak. Pa u menduar gjatë, ai gjeti kurajon të thyente instrumentin dhe t’ia dergonte në zyrë drejtuestit më të lartë të arteve të asaj kohe. Më së fundi, shpirti krenar dhe pasioni i thellë për muzikën triumfuan përmbi indinjatën; ai vendosi t’i kushtohet plotësisht kompozicionit. 

    Me vajtjen në Moskë, për Nikollën nisi një etapë e re dhe e rëndësishme jetësore. I gjendur larg familjes, me të cilën ishte aq shumë i lidhur, ai gjeti forcën për të vazhduar pëpara. Lidhjet me të afërmit në Tiranë tashmë i mbante përmes letrave, një korrespondencë e tërë që ai shkëmbeu me secilin prej tyre. Kujdesej që t’u shkruante veçmas edhe nipërve e mbesave, Zhanit, që edhe ai kishte të trashëguar të njëjtin pasion si Nikolla për violinën, dhe Ketit të vogël që kishte nisur të vinte duart në piano. Sa herë i jepej mundësia, u dërgonte partitura me ndonjë prej miqve që kthehej në Shqipëri, hera-herës edhe në rrugë postare.

    Në këtë letërkëmbim të gjatë, Nikolla rrëfen me zemër të hapur për gjithë rrugëtimin e tij studentor, duke u ndalur në çdo detaj të mundshëm. Në Konservatorin “Çajkovskij” të Moskës studjonin të rinj nga vende të ndryshme të botës, pjesa më e madhe e të cilëve të një niveli akademik shumë të lartë. Të riut nga Tirana iu desh kështu të përballej me një sfidë të madhe; duhet të kapte ritmin dhe të ecte përpara, pavarësisht boshllëqëve që kishte trashëguar për shkak të asaj çka i kishte ofruar shkolla muzikore shqiptare e sapoçelur. Në letërkëmbimin me Cikon, ai theksonte se hendeku para të cilit gjendej ishte shumë i madh, gati i pakapërcyeshëm dhe, për tejkalimin e këtyre vështirësive, të cilat as i kishte imagjinuar, nuk kishte zgjedhje tjetër përveç se të përballej me murin e lartë para të cilit ndodhej, ta kapërcente atë me kujdes e me durim dhe të kalonte në anën tjetër.

    Gjithë kohën ia kushtoi studimeve dhe aktiviteve të pasura kulturore të kryeqytetit të ish BS, nuk dinte ç’ishte pushimi, kridhej i tëri në traktatet e disiplinave teorike, studjonte njëkohësisht me orë të tëra në piano. Duke kuptuar se kompozicioni ishte një profesion, që vështirë se mund të zotërohej prej kujtdo, Nikolla u bë kritiku më i madh i vetes. Prandaj, duke shfletuar letrat e tij, të krijohet përshtypja se ai lëvizte si një tren që nuk ndalej në asnjë stacion, por vetëm rendte me shpejtësi përpara. Në vitin e dytë të studimeve në Konservator, pedagogu i kompozicionit, profesori J. Shaporin, duke u njohur me ambicien e tij, i kërkoi që të shkruante një kuartet harqesh, një detyrim shkollor ky i programuar për vitin e katërt dhe që studentë të ndryshëm nuk arrinin ta kryenin me sukses. Por për Nikollën kjo ishte një sfidë, ndaj edhe përveshi mëngët dhe u zhyt në studime. Shqetësimi kryesor i tij në ato vite nuk kishte të bënte thjesht me faktin që duhet të kryente Konservatorin dhe të diplomohej si kompozitor. Përtej kësaj, atë e mundonte mendimi se çfarë do të mund t’i jepte muzikës shqiptare pas kthimit në atdhe, se a do arrinte të gjente shprehjen e tij origjinale dhe të zinte një vend të rëndësishëm në traditën e re muzikore të kohës.

    Pas prishjes së Shqipërisë me ish Bashkimin Sovjetik, Nikolla, si shumë të rinj të tjerë që studjonin në atë vend, u detyrua të kthehej në atdhe pa arritur të diplomophej. Por, edhe pse kreu vetëm dy vite të konservatorit, ai ia kishte mbërritur të pajisej me baza të forta dhe të qendrueshme të mjeshtërisë së kompozicionit. Në Moskë gjeti gjithashtu edhe vajzën me të cilën do të ndante jetën dhe do të krijonte familje, sopranon Gjinofeva Heba, me të cilën kishte njohje të hershme që prej kohës së Liceut, ku ajo studjonte kanto. Fati e deshi që ata të dy të rigjeheshin në Moskë.

    Pas kthimit në Tiranë, Nikolla Zoraqit iu besuan detyra të ndryshme, punoi si drejtues muzike në Shtëpinë Qendrore të Krijmtarisë Popullore (1961-64), si drejtues i redaksisë muzikore në Radio-Tirana (1966-71), dha kontributin e tij pranë ILA si pedagog i jashtëm (deri në vitin 1983) dhe që prej vitit 1971 e deri në fund të jetës ishte kompozitor në krijimtari të lirë.

    Nikolla Zoraqi

    Nikolla Zoraqi ka shkruar me qindra faqe muzikë, të cilat e përcaktojnë atë si një ndër kompozitorët më prodhimtarë të muzikës shqiptare. Në ato faqe të veprave të tij ai lëvroi të gjitha gjinitë muzikore, duke filluar nga kënga e thjeshtë, muzika e dhomës, te ajo koncertale, simfonike e deri tek gjinitë e mëdha skenike si opera dhe baleti. Vitet 1960-70 mund të thuhet se u bënë përcaktuese në zhvillimin e tij si kompozitor, tashmë të një faze pjekurie, e cila jo vetëm që u shenjua fort në krijimtarinë e tij të kohës, por edhe luajti një rol vendimtar për muzikën që ai do të shkruante gjatë dy dekadave në vazhdim. Kësaj kohe i përkasin përafërsisht kompozoi 30 këngë dhe romanca, gjithësecila me frymëzime të ndryshme poetike, nga tingëllimet e forta heroike apo marshuese e deri te lirizmi pasional apo prania e intonacioneve të muzikës popullore qytetare të Shqipërisë së mesme. Mes tyre dallohet një ndër arritjet e shquara të këngës shqiptare, Dhuratë për ditëlindje, me tekst të poetit Fatos Arapi. Ai ishte i mendimit, se duke i kushtuar një vëmendje të veçantë muzikës vokale (është fjala për gjinitë e vogla), do ishte në gjëndje të organizonte më lehtësisht dhe të arrinte drejt krijimeve të mëdha me përbërje vokale, instrumentale, orkestrale apo skenike, çka në të vërtetë u konfirmua plotësisht përmes krijimeve të llojit të së njëjtës periudhë si edhe të viteve të mëvonshme.

    Ndër arritjet madhore të Zoraqit në këtë fazë të pjekurisë krijuese veçohen: më e famshmja mes gjashtë uverturave, “Uvertura Festive” (1968), e papërsëritshme për harenë dhe energjinë që e përshkon dhe e luajtur me dhjetra herë si brenda ashtu edhe jashtë vendit; baleti Cuca e maleve (1974) me libret të Loni Papës dhe opera Komisari (1975) me libret të Dritëro Agollit, dy vepra që shënuan një hop të ndjeshëm cilësor në zhvillimin e gjinive përkatëse në Shqipëri dhe që i hapën rrugë krijimit të një opere dhe tre baleteve të tjerë gjatë viteve 1980, opera komike Paja (1989), baletet Tokë e pamposhtur (1977), Shote dhe Azem Galica (1982) dhe Joniada (1984).      

    Fragment nga baleti Shote dhe Azem Galica

    Kjo krijimtari e pasur në fushën e muzikës skenike e bëri atë një figure qendrore të operës dhe baletit shqiptar. Në të vërtetë, Zoraqi kishte filluar me kohë të mendonte për përfaqësimin e tij si kompozitor operistik. Tentativa e tij e parë në këtë drejtim zë fill aty rreth mesit të viteve 1960 me operën Teuta (emri i vajzës së tij), e cila mbeti e papërfunduar për shkak të censurës së kohës, pasi libretisti ishte person i padëshiruar për regjimin, për të vazhduar më tej me fillimin e viteve ’70 kur iu rivu krijimit të një opera të dytë, me titull Fundi i Golemëve, që nuk arriti të vihej në skenë për shkak se nuk trajtonte një temë aktuale – ishte koha e lëvizjeve revolucionare kur Shqipëria po hynte në fazën e izolimit të thellë. Gjithsesi, duke iu referuar subjekteve që trajtoi, mund të thuhet se Nikolla Zoraqi ishte ndër të paktët kompozitorë të kohës, në mos edhe i vetmi, që i dha veprës së tij dimensione të gjera historike duke trajtuar ngjarje dhe personazhe që nga periudha e lashtësisë, historia e mëvonshme e popullit shqiptar e deri te jeta e përditëshme.     Vepra e fundit e kompozuar nga Nikolla Zoraqi, si për ironi të fatit, është Koncertino (1990) për violinë dhe orkestër, përmes së cilës ai duket se i rikthehet dhe evokon edhe një herë pasionin e tij të hershëm për violinën. Koncertino u luajt parën hertë në vitin 2016, me solist Tedi Tola.

    Nikolla Zoraqi ndërroi jetë më 9 shtator të vititi 1991. U nda nga jeta shpejt, por la një katalog te pasur e të larmishëm të krijmtarisë, për të gjithë muzikatët që do vinin më pas.

    Bibliografia

    Zoraqi Kastriot, Nikolla Zoraqi (1929-1991) Tiranë, 2006

    Ciko Zhani, Nikolla Zoraqi Jeta mbaron, vepra vazhdon Tiranë, 2009

           Datë 24/01/2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË