Bisedoi Andreas Dushi
Kjo është ndër bisedat më të veçanta që kam bërë ndonjëherë. Lyubkan e takova në Tiranë në festivalin letrar “Tirana Gate”, ishim edhe bashkë në njërin prej paneleve të tij. Gjatë drekës në ditën e të fundit para se Andriy të ikte nga Shqipëria, më tregoi për familjen, luftën dhe vajzën e vogël që në bodrumin e shtëpisë mbyllte veshët për të mos dëgjuar bombardimet.
Lexova disa pjesë nga letërsia e tij, përkthyer në anglisht dhe i pëlqeva shumë. Prandaj edhe i kërkova një bisedë për lexuesin shqiptar që sigurisht, nuk e njeh, ndonëse ai vetë e njeh mirë Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin pasi kjo ka qenë edhe fusha e tij e studimit.
Intervista vonoi për shumë arsye; së fundmi më tregoi foto nga llogorja e luftës ku gjendej përkrah miqve ushtarë. Por ndihem i lumtur që tanimë u realizua dhe që po botohet, shoqëruar nga dy poezi të tij, njërën prej të cilave e lexova gjatë atij festivali, unë në shqip, Lyubka ne ukrainisht dhe Madzirov përkthimin në gjuhën maqedonase.
Temat e rrahura në këto pak pyetje i qasen çështjeve që lidhen me Ukrainën e Shqipërinë në terma letrarë e historiko – social; lidhen me botuesit e studiuesit, por mbi të gjitha, krijojnë atmosferë të bukur e të veçantë për secilin lexues.
Andriy Lyubka është poet, shkrimtar dhe eseist ukrainas. Ai u diplomua në Shkollën Ushtarake të Mukaçevës, filologji ukrainase në Universitetin Uzhgorod dhe studime ballkanike në Universitetin e Varshavës. Autori i veprave me poezi, tregime dhe ese si: “Tetë muaj skizofreni”, “Vrasësi”, “Të flesh me gratë”, përmbledhja me poezi në përkthim gjermanisht “Notaufname”, etj.
Romani “Karbid”, nominuar në listën e ngushtë të 5 librave më të mirë të vitit nga BBC Ukraine; përkthimi polak u rendit në listën e ngushtë të çmimit të Europës Qendrore Angelus, 2017. Fitues i çmimeve “Debutimi”, 2007 “Kyiv Laurels”, 2011. Mban çmimin letrar të Fondacionit Kovalev (SHBA) dhe u bë laureat i Çmimit Shevelov për librin më të mirë të eseve të vitit 2017 në Ukrainë. Ai është anëtar i PEN ukrainas. Ai është gjithashtu përkthyes nga gjuha polake, kroate, serbe, angleze dhe kurator i dy festivaleve ndërkombëtare të poezisë. Jeton në Uzhgorod.
A.D: Tani që Ukraina është në luftë, si është gjenda e letërsisë atje? Si po e ndikon lufta letërsinë e sotshme ukrainase? Dhe dua t’ju pyes, mendoni se është e mundur të krijohet art në luftë?
A.L: Është e qartë se letërsia në Ukrainë ka bërë një hap pas, sepse sot gjëja më e rëndësishme është ruajtja e jetës, vetëmbrojtja. Lufta shkatërron civilizimin, shkatërron kulturën, i kthen njerëzit në një gjendje primitive, biologjike. Por kjo është gjithashtu një luftë kundër kulturës tonë, kundër identitetit tonë sepse Putini beson që Ukraina është një komb që thjesht nuk ekziston. Prandaj ne po luftojmë gjithashtu për kulturën dhe gjuhën tonë, që do të thotë, për identitet. Dhe këtu letërsia luan një rol. Përgjatë luftës, është thuajse e pamundur të lexosh e të shkruash, sepse ky process kërkon përqendrim. Në ajrin plot ankth, një njeri nuk mund të qetësohet dhe të futet brenda botës artistike, ka një stres dhe tension të madh. Është thuajse e pamundur të shkruash një roman gjatë lufte. Por është mjaft e mundur të shkruash një poezi – rreth dashurisë, miqësisë, rreth frikërave apo shpresave tuaja. Lufta është kohë e poezisë. Të shkruarit dhe të lexuarit e poezive ndihmon ukrainasit të mundin frikën, të shpërfaqin emocionet, letërsia është bërë mjet i ndihmës psikologjike.
A.D: Kur ishit në Tiranë për festivalin letrar “Tirana gate”, zgjodhët të lexonit një poezi për dashurinë. Në tërësi, mendoni se një luftë mund ta frymëzojë një poet të shkruaj për dashurinë?
A.L: Dashuria është krijim dhe krijimi është e kundërta e shkatërrimit dhe kaosit. Prandaj, për mua, antonimi i luftës nuk është paqja, por krijimi, ndërtimi. Kur dikush ndjen rrezik, kujton ata që do, ata që dëshiron të mbrojë. Për kë është gati ta japë jetën? Kjo është, lufta ndihmon të kuptosh kë dashuron në të vërtetë, çfarë dhe kush janë të rëndësishëm në jetën tënde.
A.D: Fatkeqësisht, të paktën në Shqipëri, lexuesit shumë shpesh hutohen lidhur me letërsinë ukrainase sepse ata/ ne e shohim atë si pjesë e letërsisë ruse. Si poet e studiues, mund të na thoni ndonjë veçanti të letërsisë ukrainase? Diçka që e bën atë unike, të veçantë?
A.L: Së pari, në Ukrainë është shkruar gjuha ukrainase. Për hir të faktit se Ukraina ka qenë e pushtuar nga perandoria ruse, ukrainasit e njohin gjuhën ruse. Por rusët nuk e kuptojnë gjuhën ukrainase dhe nuk mund ta lexojnë atë, pasi këto gjuhë kanë goxha ndryshime. Sipas meje, tipari kryesor i letërsisë ukrainase është humori i saj. Vepra jonë e parë, shkruar në gjuhën modern është “Eneida” e Ivan Kotlyarevskyi. Është botuar në 1798 dhe është një parodi zbavitëse e udhëtimeve të Eneidës së Virgjilit. E qeshura ishte përgjigjja ukrainase për imperializmin, i tallnim vendimmarrësit dhe pushtuesit. E njëjta edhe në vitet ’80, kohë kur ra Bashkimi Sovietik – fillimisht letërsia jonë u kthye në një parodi dhe vetëm atëherë njerëzit i përmbysën udhëheqësit komunistë. E qeshura është gjithashtu optimizëm, dashamirësi. Sepse ukrainasit janë një komb paqësor dhe i mirë, në jemi quajtur gjithashtu grekë (fushakë, fshatarë). Ne s’e duam luftën dhe nuk duam të sulmojmë njeri. Por nëse dikush vjen në tokën tonë – do të luftojmë!
A.D: Gjatë viteve, vetëm pak nga shkrimtarët ukrainas kanë ardhur në gjuhën shqipe, shumica syresh klasikë. Keni ndonjë sugjerim për botuesit lidhur me letërsinë e sotshme ukrainase që mund ta prezantojë Ukrainën në një kontekst ndërkombëtar, e veçanërisht shqiptar?
A.L: Është gjithmonë çështje shijesh, por unë do të rekomandoja listën në vijim: Yuriy Andruhovych, Serhiy Zhadan, Oksana Zabuzhko dhe Yuriy Vynnychuk. Aty mund të gjesh romane serioze, histori dedektive, prozë historike dhe tekste feministe. Ka gjithë ato mes të cilëve mund të zgjedhësh. Veçanë do të rekomandoja një histori të shkurtër nga Osip Turyanskyi. Është novela e parë ekspresioniste në letërsinë tonë, quhet “Përtej dhimbjes”. Përshkruan dimrin në malet shqiptare, ku ushtarët vdisnin nga i ftohti dhe uria gjatë Luftës I Botërore. Osip Turyanskyi shërbeu në ushtrinë austriake dhe përshkoi atë që njihet në rajon si “Golgota Shqiptare”. Kjo është vepër prej një gjeniu.
A.D: Si dikush që keni studiuar Ballkanin, mund të gjeni lidhje mes kulturës sonë dhe kulturës suaj?
A.L: Kemi shumë të përbashkëta – veçanërisht historike, sepse Ukraina ka qenë gjithashtu e pushtuar nga perandori të huaja për shumë shekuj me radhë dhe kjo ka penguar zhvillimin e kulturës. Etërit e kombit tonë janë poetë dhe luftëtarë, rilindja kombëtare ka ndodhur në një mënyrë shumë të ngjashme. Një kulturë e caktuar patriarkale me të cilën po përballemi tani është po ashtu shumë e përbashkët. Vlerat e familjes dhe shprehja e mikrpitjes janë shumë të rëndësishme për ukrainasit – kjo është gjithashtu diçka tjetër e përbashkët me popullin shqiptar.
A.D: Dhe, cilat janë ndjesitë, përjetimet tuaja në dhe rreth Shqipërisë e “Tirana Gate Festival”, festivali letrar ku ishit dhe ishim pjesë në fillim të muajit të shkuar?
A.L: Jam i impresionuar sa shumë mbështet Shqipëria Ukraninën. Sa shumë flamuj ukrainas janë në selitë diplomatike të Tiranës. Sa me pasion gjithkush e mbështet Ukrainën – nga taksisti deri te politikani. Është vërtetë mbresëlënëse. Dua të them pak fjalë për festivalin, sepse është një ngjarje e madhe dhe sukses i jashtëzakonshëm – të bësh bashkë aq shumë yje të letërsisë nga vende të ndryshme. Sikurse e di, e kam vizituar Shqipërinë tre herë si turist në detë, por tani ika me ndjesinë se nuk jam turist por mik pasi bëra shumë miq të vërtetë aty. Pas lufte, do të përpiqem t’i ftoj këto miq të mi të rinj – shkrimtarët shqiptarë – në Ukrainë për t’ju treguar vendin dhe mikpritjen tonë.
Biseda u realizua në gjuhën angleze dhe u përkthye nga bashkëbiseduesi Dushi.
Si shkruaj unë?
Unë shkruaj me germa cirilike, me dorën e djathtë
Në dy e gjysmë të mëngjesit, në një bllok
Në faqen me titull “18 gusht 2011”,
Ndaj poezia duhet quajtur pikërisht kështu,
Por jo, sepse unë dua të shkruaj për ty,
Por, unë shkruaj me germa cirilike, që do të thotë
Kryesisht për Igorin dhe Svjatoslavin,
Nestorin, Pamvën, Grigorijin e kështu me radhë,
Megjithatë, çfarë është “e kështu me radhë”? Unë shkruaj për Tarasin,
Unionin Liublin, luftën për besim,
Për tradhtinë e besimit si luftë, për Kvitkën,
Kishat dhe Bullgarinë (epo, e keni marrë me mend),
Shkruaj për gabimin e Pavikit (sepse Cirili dhe Metodi
shpikën alfabetin Glagolitik), vështirë se shkruaj për Serbinë moderne
(tradhtarët!) Nuk shkruaj për uiskin, sepse përdor germa cirilike
Rreth syvuha çfarë tjetër, sepse unë përdor germa cirilike
Edhe pse shumica e botës nuk më kupton.
Sinqerisht, latinishtja do t’iu përshtatet më mirë,
Por më falni, kështu ndodhi, nuk kam çfarë të bëj:
Më duhet të shkruaj për Anën në Francë, Bohdanin, Ivanin,
Samijlonë dhe gjithë të tjerët, sepse Zoti na ndëshkoi tre herë:
Nga Lindja, me fuqinë dhe alfabetin.
Unë shkruaj me germa cirilike dhe ky është mëkati im fillestar,
Më falni.
Darkë për dy persona
Mund të isha edhe një tregtar droge në të zezë
Diku në Kleveland, në shtetin e Ohajos. Dëgjojeni muzikën time
në makinë, kërkoni dishepuj të rinj, shtyni pluhurin drejt tyre
dhe për Ditën e Falenderimeve ftoni miqtë e mi më të ngushtë – prostitutat
në shtëpi, jepuni figurina engjëjsh dhe qirinj aromatikë;
gjithë mbrëmjet shikoni oborrin, rrugën sepse s’keni gjëra më të mira për të bërë,
lexoni shkrimet në një kanaçe birre në duart e mia,
bini në gjumë në disa talk show mediokre.
Ose mund të punoja diku në një pikë karburanti në mal
në Bosnjë dhe Hercegovinë, të përshëndesja këndshëm klientët, të njihja të gjithë
njerëzit në Banska Luka, të dëgjoja
lajmet e mbrëmjes në një radio të vogël
të dëgjoja një këngë në mëngjes dhe të këndoja gjithë ditën
“Sarajevë, zemra ime” mësoji fëmijët e mi të hedhin thikën ashtu siç duhet,
të kapin peshk dhe të mbledhin luleshtrydhe të egra, ndonjë natë kontrolloni nëse i dinë
fjalët e himnit kombëtar përmendësh dhe më pas,
të kënaqur, shpërndajuni çokollata.
Mendoj se në cilëndo nga jetët e mundshme
të duhet të shfaqesh. Për të ardhur për një rregullim ose për të mbushur makinën.
Për të qenë prostitutë apo thjesht motër. Për të qenë bijë.
Për të drejtuar një talk shoë mediokër pas mesnate. Për të kënduar në një kor kishe.
Për të qenë yll me hitin e famshëm “Sarajevë, zemra ime”, që pasi e kam dëgjuar
në radio e këndoj nën zë gjithë ditën.
Mendoj se me siguri do të të duhet të shfaqesh në secilën nga jetët e mia të mundshme,
Madje, as nuk mendoj, jam i sigurt.
Po pse nuk po shfaqesh, pse je njezet minuta
me vonesë tashmë, darka po ftohet?!
Në rradhën e muzeut
Në pamje të parë, nuk mund ta thuash menjëherë se ajo
është një zjarr i nxehtë:
me syze drejtkëndëshe, pantallona të shkurtra
provokuese, një bluzë (dy numra më të mëdhenj)
Me një linjë “I Love Paris”, sandale, fytyrë
si një mësuese tradicionale (nga një film porno).
Kjo ishte ajo që më tërhoqi.
Në pamje të parë, nuk mund ta thuash menjëherë se ajo
është një zjarr i nxehtë:
Kjo ishte ajo që më tërhoqi.
Me një numër negativ gjoksi
(e kam me të vërtetë, edhe të mitë janë më të mëdhenj!)
Me guidën turistike më të rëndë në duar,
Pa asnjë gjurmë makiazhi.
Kjo ishte ajo që më tërhoqi.
Në pamje të parë, nuk mund ta thuash menjëherë se ajo
është një zjarr i nxehtë:
Sidomos nëse gjatë gjithë jetës tënde ke pritur të takosh një spanjolle,
Dhe ajo është britanike,
Kur të pëlqejnë brunet,
Dhe ajo është bjonde,
Kur ajo nuk t’i hedh sytë fare.
Kjo ishte ajo që më tërhoqi.
Përktheu nga ukrainishtja: Helen Harney
Përktheu nga anglishtja: Maniela Sota